Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr. 485/2020, të 17 qershorit 2021

Nr. të lëndës KI 155/21

Parashtruesit: Deli Shatri

Shkarko:

KI155/21, Parashtrues: Deli Shatri, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr. 485/2020, të 17 qershorit 2021

KI155/21, Aktvendim për papranueshmëri, i 10 nëntorit 2021, publikuar më 6 dhjetor 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë civile, kompensim dëmi, kërkesë qartazi e pabazuar 

Nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesit të kërkesës i ishte djegur shtëpia në vitin 2010. Ai pretendonte se kjo  ishte shkaktuar nga defekti i energjisë elektrike, dhe rrjedhimisht kishte paditur Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), dhe kishte kërkuar që t’i kompensohet dëmi material, dhe atë shumën prej 8.905 euro (për orenditë shtëpiake të djegura), si dhe 14.379 euro (për renovimin e shtëpisë), në total 23.284 euro me kamatë duke filluar nga 23 tetori 2010.

Gjykata Themelore në Mitrovicë kishte aprovuar pjesërisht padinë e parashtruesit të kërkesës dhe: (i) detyroi KEK-un që parashtruesit të kërkesës t’ia kompensojë dëmin material të pësuar në shtëpinë e tij, nga shpërthimi i zjarrit prej energjisë elektrike, në shumën prej 14,379.44 €, dhe shumën prej 533,00 € për orenditë dhe gjësendet e djegura në shtëpi, gjithsej në shumën prej 14.912.44 € me kamatën ligjore si për mjete të afatizuara në bankë mbi një vit pa destinim të caktuar nga dita e gjykimit […]; (ii) refuzoi si të pabazuar pjesën e kërkesëpadisë në shumën prej 8.372,00 € në emrin e orendive dhe gjësendeve të djegura. Të pakënaqur me Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, ankesë kishin parashtruar parashtruesi i kërkesës dhe e paditura KEK. Gjykata e Apelit kishte refuzuar ankesat dhe kishte vërtetuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. KEK kishte paraqitur kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme, ku kjo e fundit pranoi si të bazuar revizionin dhe ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore, ashtu që refuzoi në tërësi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës.

Para Gjykatës, parashtruesi i kërkesës pretendonte se përmes vendimit të kontestuar atij i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet 31 dhe 46 të Kushtetutës, duke pretenduar se Gjykata Supreme, duke marrë rastin në duar të veta dhe pa bërë ndonjë ekspertizë tjetër refuzoi padinë nga fakti se gjykata në ekspertizën e ekspertit R. S. nuk ka nxjerrë ndonjë përfundim dhe nuk kishte qasje analitike. Sipas parashtruesit të kërkesës, Gjykata Supreme kishte marrë rolin e ekspertit duke mohuar ekspertizën e grupit të ekspertëve. Parashtruesi i kërkesës ndër të tjera theksoi se ai nga Gjykata kërkon që të vërtetojë se atij i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet 31 dhe 46 të Kushtetutës.

Gjykata vërejti që thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës kishte të bënte me të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, në ndërlidhje me të drejtën e pronës.

Sa i përket pretendimit për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, Gjykata konstatoi që parashtruesi i kërkesës ka pasur mundësi të përfitojë nga procedura kontradiktore dhe se ka pasur mundësi që në fazat e ndryshme të procedurës t’i paraqesë pretendimet dhe provat të cilat i ka konsideruar si të rëndësishme për rastin e tij; ka pasur mundësinë për t’i kundërshtuar në mënyrë efektive pretendimet dhe provat e paraqitura nga pala kundërshtare; gjykatat e rregullta i kanë dëgjuar dhe shqyrtuar të gjitha pretendimet e tyre, e të cilat, shikuar objektivisht, kanë qenë të rëndësishme për zgjidhjen e lëndës, dhe se arsyet faktike dhe juridike për vendimin e kundërshtuar janë paraqitur në detaje, dhe për këtë arsye procedura, e marrë në tërësi, ishte e drejtë.

Gjykata theksoi që në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës, përtej pretendimeve për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, si rezultat i vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe interpretimit të gabuar të ligjit, për shkak se gjykatat e rregullta kanë zbatuar rregullin “në dëm të këtij parashtruesi të kërkesës”, nuk mbështeti mjaftueshëm dhe as nuk argumentoi para Gjykatës, se si ky interpretim i ligjit të aplikueshëm nga gjykatat e rregullta, mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin e kërkesës apo se si procedurat pranë gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe arbitrare. Përveç kësaj, Gjykata vlerësoi se gjykatat e rregullta kanë marrë parasysh të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit, pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe kanë arsyetuar qartazi të njëjtat.

Ndërsa sa i përket pretendimit për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës, Gjykata vërejti se parashtruesi i kërkesës përveç pretendimit “janë shkel të drejtat … lidhur me mbrojtjen e të drejtës së pronës neni 46”, po pa shpjeguar në menyrë specifike se si ka ardhur deri tek shkelja e këtij neni të Kushtetutës. Lidhur me këtë, Gjykata rikujtoi se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi në nene të Kushtetutës dhe të KEDNj-së dhe përmendja e tyre nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse.

Në fund Gjykata konkludoi se: pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës që ndërlidhen me pohimet e parashtruesit të kërkesës se ka pasur interpretim të gabuar dhe aplikim të gabuar të ligjit të zbatueshëm, ishin pretendime që kualifikohen si pretendime të “shkallës së katërt”, dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese; si dhe pretendimet përkitazi me pohimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës, u deklaruan si qartazi të pabazuara pasi ato pretendime kualifikohen si pretendime që bien në kategorinë (iii) pretendime “të pambështetura ose të paarsyeshme”. Pra kërkesa në tërësi u shpall e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Deli Shatri

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile