Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Rev. nr. 387/2020 të 13 janarit 2021

Nr. të lëndës KI55/21

Parashtruesit: Muhamet Ademi

Shkarko:

KI55/21, Parashtrues: Muhamet Ademi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Rev. nr. 387/2020 të 13 janarit 2021

KI55/21, Aktgjykim i 10 marsit 2022, publikuar më 9 qershor 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta për qasje në gjykatë

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një vendim të vitit 2004 të punëdhënësit, përkatësisht Shërbimin Korrektues të Qendrës së Paraburgimit në Lipjan, për shkëputjen e  marrëdhënies së punës së parashtruesit të kërkesës, si rezultat i shkeljes disiplinore gjatë orarit të punës. Parashtruesi i kërkesës, kishte kontestuar këtë vendim në kuadër të organeve të punëdhënësit, instanca e dytë e së cilit, pas 6 (gjashtë) muajsh kishte refuzuar ankesën e parashtruesit të kërkesës. Kundër këtij vendimi, parashtruesi i kërkesës kishte filluar procedurat para gjykatave të rregullta. Gjykata Komunale në Lipjan kishte vendosur në favor të parashtruesit përkatës, duke e detyruar punëdhënësin që të njëjtin ta kthejë në vendin e tij të mëparshëm të punës, duke i njohur atij të gjitha të drejtat që dalin nga kjo marrëdhënie e punës. Megjithatë, si rezultat i ankesave të punëdhënësit lidhur me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, gjatë periudhës ndërmjet vitit 2006 deri në vitin 2015, procedurat ishin zhvilluar në Gjykatën e Qarkut, në Gjykatën e Apelit dhe në Gjykatën Supreme, në të cilat kjo kërkesëpadi ishte shqyrtuar si nga aspekti procedural dhe ai i meritave të kërkesëpadisë. Përfundimisht, çështja ishte kthyer në rivendosje në Gjykatën Themelore, e cila sërish kishte aprovuar në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Megjithatë, dhe duke vendosur sipas ankesës së punëdhënësit, Gjykata e Apelit kishte prishur Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, duke e refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, kësaj radhe me arsyetimin se padia fillestare ishte paraqitur jashtë afateve ligjore, siç ishte përcaktuar në Ligjin për të Drejtat Themelore të Marrëdhënies së Punës, të 28 shtatorit 1989, të RSFJ-së. Duke vepruar sipas kërkesës për revizion, Gjykata e Supreme konfirmoi qëndrimin e Gjykatës së Apelit.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës i kontestoi konstatimet e lartcekura të Gjykatës Supreme, përfshirë edhe ato të Gjykatës së Apelit, duke pretenduar se të njëjtat janë nxjerrë në kundërshtim me të drejtat e tij kushtetuese, përkatësisht të drejtën për mjet juridik dhe mbrojtjen gjyqësore të të drejtave, të përcaktuara me nenet 32 [E Drejta për Mjet Juridik] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, respektivisht.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht theksoi se rrethanat faktike dhe juridike të rastit konkret ngërthejnë elemente të së “drejtës për qasje në gjykatë”, si pjesë përbërëse e së drejtës në gjykim të drejtë edhe të paanshëm, të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt gjyqësor) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjykata, në këtë aspekt, duke shtjelluar dhe aplikuar parimet e vendosura përmes praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, konstatoi, ndër tjerash, se: (i) interpretimi tejet formalist dhe konstatimi në lidhje me aplikueshmërinë e dispozitave të Ligjit për të Drejtat Themelore të Marrëdhënies së Punës, të 28 shtatorit 1989 të RSFJ-së, nga ana e Gjykatës Supreme, duke rezultuar në konstatimin se padia fillestare e parashtruesit të kërkesës ishte e jashtëafatshme, sepse i njëjti, në esencë, nuk duhej të priste vendimin e organit të shkallës së dytë por të vepronte bazuar në heshtjen administrative të të njëjtit, pas një dekade procedurash në të cilat padia e parashtruesit të kërkesës ishte vendosur e rivendosur në merita, nuk është proporcional me qëllimin e ndjekur për garantimin e sigurisë juridike dhe administrimin e mirëfilltë të drejtësisë, si një ndër parimet bazë të sundimit të ligjit në një shoqëri demokratike; dhe (ii) si rezultat i këtij interpretimi dhe konstatimi të Gjykatës Supreme, parashtruesit të kërkesës i është mohuar “e drejta e tij e qasjes në gjykatë”, e drejtë kjo e mishëruar në garancitë procedurale të përcaktuara përmes të drejtës në gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me Kushtetutë dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se Aktgjykimi i kontestuar [Rev.nr.387/2020] i 13 janarit 2021 i Gjykatës Supreme, është nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6  të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe rrjedhimisht, shpalli të njëjtin të pavlefshëm, duke e kthyer në rivendosje në pajtueshmëri me konstatimet e Gjykatës Kushtetuese.

Parashtruesit:

Muhamet Ademi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 32 - E Drejta për Mjete Juridike , Neni 54 - Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Tjetër