Prishtinë, më 14 nëntor 2022
Nr.ref.:RK 2075/22
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI180/21
Parashtrues
Rahim Kolukaj
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr. 265/2021, të 17 qershorit 2021
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Parashtruesit e kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Rahim Kolukaj, me vendbanim në Komunën e Prizrenit, të cilin e përfaqëson avokati Esat Gutaj, nga Prizreni (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [Rev.nr. 265/2021] e 17 qershorit 2021, të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në lidhje me Aktgjykimin [Ac.nr.4262/2016] e 22 janarit 2021, të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin në vijim: Gjykata e Apelit) dhe Aktgjykimin [C.nr. 788/09] e 29 prillit 2016, të Gjykatës Themelore në Prizren (Në tekstin në vijim: Gjykata Themelore).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 7, të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatë
Më 7 tetor 2021, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi përmes postës kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës (në tekstin në vijim: Gjykata).
Më 18 tetor 2021, Kryetarja e Gjykatës caktoi gjyqtaren Remzije Istrefi Peci gjyqtare raportuese. Të njëjtën ditë, Kryetarja caktoi Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Bajram Ljatifi (kryesues), Safet Hoxha dhe Radomir Laban anëtarë.
Më 19 tetor 2021, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës.
Më 19 tetor 2021, Gjykata njoftoi Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës dhe të njëjtës i ofroi një kopje të kërkesës.
Më 12 tetor 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton që më 8 shtator 1976, Drejtoria për Punë Juridike Pronësore e Komunës së Prizrenit përmes Aktvendimit [nr. 03/3-465-1] lidhur me nevojat e ndërtimit të Hidrocentralit, kishte eksproprijuar tokat bujqësore të paraardhësit të parashtruesit të kërkesës (respektivisht të atit) Q.K. në sipërfaqe të përgjithshme 9361 m2, në zonën kadastrale Vërmicë.
Me Aktvendimin [KK Prizren nr. 03/3-465-114] e 8 prillit 1985, të Drejtorisë për Çështje Pronësore Juridike të Komunës së Prizrenit, paraardhësit të parashtruesit të kërkesës (respektivisht të atit) Q.K. në emër të tokës së eksproprijuar në fshatin Vërmicë i ishin ndarë parcelat kadastrale: [nr. 8671], [8680] dhe [8710] në zonën e quajtur “Buzagillak” në Prizren. Megjithatë, ky aktvendim nuk ishte evidentuar pranë shërbimit për kadastër pranë Komunës së Prizrenit, dhe nuk ishte bërë ndonjë ndryshim në operatin kadastral në bazë të tij, por të njëjtat ngastra kishin ngelur te evidentuara si edhe më parë në emër të PIK "Progres" deri ne vitin 2002. Më pas, përmes Aktgjykimeve të plotfuqishme këto prona kishin kaluar në pronësi të personave të tretë.
Nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesi i kërkesës dhe N.K, I.K, M.K (vëllezërit dhe motra e tij) si pasardhës të drejtpërdrejtë të babait të tyre të ndjerë Q. K., më 8 tetor 2009, parashtruan padi në Gjykatën Themelore në Prizren për (i) vërtetimin e të drejtës së pronësisë të parcelës kadastrale [nr.6831] në sipërfaqe prej 92,37 h nga sipërfaqja e tërësishme prej 1,72,05 h ZK Prizren, në bazë të kompensimit për tokën e eksproprijuar të tokës në fshatin Vërmicë dhe (ii) regjistrimin e saj në regjistrin e paluejtshmërive në Zyrën Komunale Kadastrale në Prizren (Prona e kontestuar), si dhe (iii) parashtruan propozim për masën e sigurisë.
Parashtruesi i kërkesës përmes padisë theksonte se ishte në shfrytëzim të parcelës kadastrale [6831] – prona e kontestuar për më shumë se 20 vite pa kurrfarë pengesash nga askush. Rrjedhimisht, parashtruesi përmes padisë specifikonte që kjo paluajtshmëri i ishte dhënë për shkak të tokës së eksproprijuar në fshatin Vërmicë për hidrosistemin Drini i Bardhë në emër të kompensimit. Prandaj, përmes padisë parashtruesi kërkonte regjistrimin e pronës si dhe caktimin e masës së sigurimit.
Në anën tjetër, parcela kadastrale që ishte lëndë e kontestit [nr.6831] ZK Prizren në vendin e quajtur “Buzagillak”, në sipërfaqe prej 17205 m2 sipas ekspertizës së ekspertit ishte udhehëqur në emër të KBI Progresit, e cila parcelë bazuar në Aktgjykimin e plotfuqishëm [C.nr.556/96] të 23 korrikut 1998 në Gjykatën Komunale në Prizren evidentohet në emër të G.B. Në vijim, në bazë të kontratës mbi dhuratën [Leg.nr.395/2008] të 22 janarit 2008, parcela kadastrale lëndore [nr.6831/0] evidentohet në emër të G.B në pjesën prej 4/8 dhe F. H, Sh.N, A.B dhe Sh.B, të gjithë me 1/8 (të paditurit e rendit të dytë).
Më 5 mars 2010, e paditura-Komuna e Prizrenit e kontestoi në tërësi kërkesëpadinë duke kërkuar nga Gjykata të konsiderohet që nuk ka legjitimitet pasiv në këtë rast, me propozimin që kërkesëpadia të refuzohet si e pa bazuar; si dhe e kundërshtoi obligimin sa i përket shpenzimeve të procedurës që ti bartë në mënyrë solidare pala e paditur.
Gjithashtu edhe i autorizuari i të paditurve nga rendi i dytë deri në të gjashtin, përkatësisht G.B, F. H, Sh.N, A.B dhe Sh.B, e kontestoi në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, duke theksuar që aktvendimi me te cilin parashtruesi i kërkesës tentonte ta themelojë bazën juridike të mbajtjes me mirëbesim, tregon se aktvendimi i njëjtë nuk ka të bëjë me pjesën kontestuese të parcelës kadastrale por me një parcelë krejt tjetër. Ata gjithashtu kërkuan se për sa i përket shpenzimeve të procedurës, të njëjtit të kompensohen nga parashtruesi për përpilimin e kundërpadisë dhe në çdo përfaqësim në shqyrtim.
Më 28 shtator 2012, i autorizuari i të paditurve të rendit të dytë, parashtroi kundërpadi të cilën e kishte precizuar më 29 prill 2016, me propozimin që gjykata ta aprovonte kundërpadinë e të paditurve të rendit të dytë dhe të obligohej parashtruesi i kërkesës që t’ia cedojë në posedim dhe shfrytëzim pjesën lindore të parcelës katastrale [6831] në sipërfaqe prej 13412 m2 sipas masave dhe kufijve të caktuara në skicë nga ana e ekspertit të gjeodezisë dhe pjesën e parcelës katastrale [6832] në sipërfaqe prej 201 m2 sipas skicës së ekspertit të gjeodezisë të 14 marsit 2016.
Më 26 prill 2016, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr.788/09]: (I) refuzoi si të pa bazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe N.K, I.K, M.K (vëllezërve dhe motrës së tij), për vërtetimin e të drejtës së pronësisë të parcelës kadastrale [nr.6831] dhe regjistrimin e saj në regjistrin e paluajtshmërive në Zyrën Komunale Kadastrale në Prizren; (II) aprovohet si e bazuar kundër kërkesëpadia e të paditurve - kundër paditës G.B, F.H, Sh.N, A.B dhe Sh.B dhe obligohet parashtruesi i kërkesës që të paditurve - kundër paditësit nga rendi i dyte deri në të gjashtin tua dorëzojnë në posedim dhe shfrytëzim të lirë pjesën lindore të par.kat.nr.[6831] në sipërfaqe prej 13412 m2 […] në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit nën kërcënim të ekzekutimit me dhunë; (III) refuzohet si i pabazuar propozimi i parashtruesit të kërkesës për caktimin e masës së sigurimit; (IV) Parashtruesi i kërkesës obligohet që të paditurve-kundër paditësve nga rendi i dytë deri në të gjashtin në mënyrë solidare, në emër të shpenzimeve të kësaj procedure t'ia paguajnë shumën prej 3.592,16 euro në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.
Më 1 nëntor 2016, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë kundër Aktgjykimit të lartcekur, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave procedurale; për shkak të konstatimit të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike; dhe për shkak të zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që aktgjykimi ankimor të prishet dhe çështja t'i kthehet në rigjykim gjykatës së shkallës së parë.
Më 22 janar 2021, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [AC.nr.4262/2016] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, ndërsa vërtetoi Aktgjykimin [C.nr.788/09] e 29 prillit 2016, të Gjykatës Themelore. Ndër të tjera, Gjykata e Apelit arsyetoi si në vijim:
Pranë asaj gjendje të vërtetuar faktike, drejtë gjykata e shkallës së parë gjen se kërkesëpadia nuk është e bazuar. Arsyetimi i gjykatës së shkallës së parë është i pranueshëm edhe për Gjykatën e Apelit. Me pak fjalë, gjykata e shkallës së parë konkludon saktësisht se nuk ka bazë juridike për fitimin e të drejtës së pronësisë së paditësve-kundër të paditurve në kuptim të nenit 28 par 4 të Ligjit per marrëdhëniet Themelore të Pronës, i zbatueshëm në rastin konkret. Saktësisht, nuk ka bazë juridike për fitimin e pronësisë përmes mbajtjes së paluajtshmërisë kontestuese, sepse për fitimin e pronësisë në mënyrën e cekur, përveç posedimit të papenguar, është e nevojshme plotësimi edhe i kushteve tjera, e që këtu nuk është rasti. Paditësit-kundër të paditurit e mbajnë paluajtshmëritë e "gabuara", e jo ato që iu janë dhënë si kompensim i paluajtshmërisë së eksproprijuar, ata duhej të ishin të vetëdijshëm për ato fakte. Nga ana tjetër, të paditurit-kundërpaditësit të drejtën e pronësisë mbi paluajtshmëritë kontestuese e kanë fituar në mënyrën e paraparë me ligj, dhe sipas nenit 37 të Ligjit për marrëdhëniet Themelore të Pronës në çdo kohë kanë të drejtë të kërkojnë kthimin, përkatësisht dorëzimin e tyre në mbajtje. E gjithë kjo, natyrisht, nuk ndikon në të drejtën e paditësve kundërtëpaditurve për të kërkuar kompensimin e drejtë nga ai që i dëmtoi ata.
Kundër Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesës në afat ligjor paraqiti kërkesë për revizion: për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që aktgjykimet e gjykatave të instancave më të ulëta të prishen dhe lënda ti kthehet gjykatës së shkallës së parë në vendosje të sërishme.
Në përgjigje në revizion, e paditura Komuna e Prizrenit, kontestoi revizionin e parashtruesit të kërkesës duke propozuar që i njëjti revizion të refuzohet si i pabazuar.
Më 17 qershor 2021, Gjykata Supreme e Kosovës përmes Aktgjykimit [Rev. nr. 265/2021] refuzoi si të pabazuar revizionin e parashtruesit të kërkesës, kundër Aktgjykimit [Ac. nr. 4262/2016] të 22 janar 2021, të Gjykatës së Apelit. Ndër të tjera, Gjykata Supreme arsyetoi si në vijim:
Për të njëjtat arsye të dhëna nga këto dy gjykata, edhe Gjykata Supreme këto pretendime nuk i pranon si qëndrueshme nga se nga aktvendimi i Drejtorisë për çështje pronësore juridike të Komunës së Prizrenit [nr.03/3-465-114] datë 8.4.1985, shihet se Q.K. si para ardhës i paditësve, si kompensim për tokën e eksproprijuar i janë dhënë ngastrat numër 8671/0, 8680/0 dhe 8710/0 të gjitha në vendin e ashtuquajtur" Buzagillak" ZK Prizren, e jo edhe ngastra kontestuese nr.6831/0 në sipërfaqe prej 92,37 ha si pjesë e sipërfaqes së përgjithshme të kësaj ngastre prej 17205 m2, andaj me të drejtë gjykata e shkallës së parë konstaton se nga kjo bazë në të cilën pretendojnë paditësit, ata mbajnë ngastrën e gabuar nr. 6831/0, për të cilën në fakt nuk kanë asnjë dëshmi se janë pronarë juridik ligjor të saj.
Lidhur me pretendimin e revizionit se paditësit kanë bazën ligjore, nga se janë posedues të ligjshëm të ngastrës lëndore, të dy gjykatat e lartpërmendura kanë dhënë arsyetim se paditësit nuk e kanë këtë bazë ligjore respektivisht nuk janë posedues të ligjshëm, ngase ata mbajnë në posedim "ngastrën e gabuar" të cilën e paditura Komuna e Prizrenit nuk ua ka dhënë si kompensim për patundshmëritë e eksproprijuara të paraardhësit të paditësve Q.K., në njërën anë, ndërsa në anën tjetër të paditurit janë pronarë të së njëjtës ngastër sipas bazës së vlefshme juridike ligjore ashtu siç përshkruhet në detaje në aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe të dytë, kështu që edhe Gjykata Supreme konkludon se këto pretendime të paditësve, janë të pabazuara.
Më 2 gusht 2021, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar në zyrën e Kryeprokurorit të shtetit Propozim për ngritjen e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë kundër Aktgjykimit [Ac.nr. 4262/16] të 22 janarit 2021, të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimit [Rev. nr. 265/2021] të 17 qershorit 2021, të Gjykatës Supreme, për shkak të zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.
Më 16 gusht 2021, Prokurori i Shtetit përmes Njoftimit [KMLC. nr. 92/2021] në raport me (i) Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit theksoi se bazuar në nenin 245 Ligjit për Procedurën Kontestimore kërkesa ishte parashtruar pas skadimit të afatit ligjor tre mujor, ndërsa në raport me (ii) Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, theksoi se kundër vendimit të Gjykatës Supreme të lëshuar pas revizionit, në bazë të Ligjit të Procedurës Kontestimore, nuk parashihet paraqitja e propozimit për ngritjen e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë. Parashtruesi i kërkesës nuk e konteston para Gjykatës Njoftimin e Prokurorit të shtetit.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Vendimi i kontestuar, është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të përcaktuara me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se përmes Aktvendimit [KK Prizren nr. 03/3-465-114] i 8 prillit 1985 të Drejtorisë për Çështje pronësore juridike, të atit të tij të ndjerë Q.K, në emër të tokës së eksproprijuar në fshatin Vërmicë i ishin ndarë toka në Prizren (përkatësisht parcelat kadastrale [8671], [8680] dhe [8710]) dhe se pavarësisht se nuk përputhet me parcelën që ai e shfrytëzon mbi 20 vite, kjo situatë nuk paraqet faj të tij. Parashtruesi i kërkesës pretendon “se është faj i Kuvendit të Komunës sepse në vitin 1985 paraardhësi i tij ishte futur në posedim në këtë paluajtshmëri [6831], e kishte regjistruar pranë Drejtorisë për punë pronësore juridike dhe kadastër mirëpo për shkak të djegies së objektit Komunal të gjitha dokumentet janë djegur dhe nuk ka patur mundësi të gjendet ndonjë veprim i Kuvendit Komunal për futjen në posedim dhe regjistrimin në librat përkatës, prandaj mu për këtë shkak është bërë padia për vërtetimin e pronësisë për këto dy baza, bazën e mirëbesimit dhe bazën e parashkrimit”.
Parashtruesi i kërkesës në vijim pretendon se parcelat kadastrale [8671], [8680] dhe [8710] që gjykatat e rregullta i kishin evidentuar si prona të dhëna Q.K. si rezultat i eksproprijimit të pronës së tij në Vërmicë, në bazë të Aktvendimi [KK Prizren nr. 03/3-465-114] të 8 prillit 1985, i njëjti thekson se ndaj këtyre parcela asnjëherë nuk ka pretenduar të jetë pronar ngase prej vitit 1985 e në vazhdimësi e punojnë parcelën [6831] e jo parcelat për të cilat me Aktvendimin e Kuvendit Komunal iu janë ndarë Q.K. Pra, parashtruesi i kërkesës pretendon se duke e shfrytëzuar paluajtshmërinë në afat prej mbi 20 vite pa u penguar nga askush, në bazë të nenit 28 paragrafi 4 të Ligjit mbi pronësinë dhe të drejtat tjera sendore, i njëjti e ka fituar pronësinë. Prandaj, në ndërlidhje me të lartcekurat, parashtruesi i kërkesës përmend nenet 54 dhe 46 të Kushtetutës të cilat pretendon se i janë shkelur.
Përfundimisht, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që: “me anë të kësaj kërkese kërkojmë nga Gjykata Supreme e Kosovës që këtë çështje kontestimore ta kthej në rishqyrtim dhe vendosje në gjykatën e shkallës së parë duke i anuluar të gjitha vendimet e tjera, në mënyrë që t'u sigurohet e drejta e paditësve e cila e drejtë është e garantuar edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.”
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 46
[Mbrojtja e Pronës]
1. E drejta e pronës është e garantuar.
2. Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.
3. Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj ekspropriimin e pronës nëse ky ekspropriim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave ekspropriohet.
4. Kontestet që lindin nga akti i Republikës së Kosovës ose autoritetit publik të Republikës së Kosovës për të cilat pretendohet se përbëjnë ekspropriimin, do të zgjidhen nga gjykata kompetente.
5. Prona intelektuale mbrohet me ligj.
Neni 54
[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.
Ligji mbi Marrëdhëniet Themelore Juridike-Pronësore (GZ e RSFJS-ë, 8 shkurt 1980)
Neni 28 (pa titull)
[...]
Mbajtësi me mirëbesim dhe i ligjshëm i sendit të paluajtshëm, mbi të cilin tjetri ka të drejtën e pronësisë, fiton të drejtën e pronësisë mbi këtë send me parashkrimin fitues me kalimin e kohës prej 20 vjetësh.
Neni 37 (pa titull)
Pronari mund të kërkojë me padi nga mbajtësi kthimin e sendit të caktuar në mënyrë individuale.
Pronari duhet të provojë se mbi sendin kthimin e të cilit e kërkon ka të drejtën e pronësisë dhe se sendi gjendet nën zotërimin faktit të të paditurit.
E drejta e paraqitjes së padisë nga paragrafi 1 i këtij neni nuk parashkruhet.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata fillimisht shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata iu referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“(1) Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
(7) Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata u referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.”
[...]
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.
Sa i përket përmbushjes së këtyre kushteve, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, që konteston një akt të një autoriteti publik, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të parapara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka qartësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 39 (2) i Rregullores së punës përcakton kushtet në bazë të të cilave Gjykata mund të shqyrtojë një kërkesë, duke përfshirë edhe kushtin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Konkretisht, rregulli 39 (2) parasheh:
“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij.”
Rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpall një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës (shih rastin KI04/21, parashtrues Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 12 majit 2021, paragrafi 26 shih gjithashtu rastin KI175/20, parashtrues Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri i 27 prillit 2021, paragrafi 37).
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t'iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar ne praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”
Në këtë kontekst, si dhe në tekstin në vijim, në mënyrë që të vlerësojë pranueshmërinë e kërkesës, përkatësisht në rrethanat e rastit konkret, vlerësimit nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë thelbin e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Në dritën e këtij sfondi normativ, Gjykata sjell në vëmendje se çështja thelbësore në rrethanat e rastit konkret, ndërlidhet me pretendimin e parashtruesit të kërkesës lidhur me zbatimin e gabuar të së drejtës materiale nga ana e gjykatave të rregullta, nën pretendimin se babait të tij të ndjerë pavarësisht që përmes Aktvendimit të vitit 1985, si rezultat i kompensimit për pronën e tij të eksproprijuar në fshatin Vërmicë, i ishin ndarë parcelat kadastrale [8671], [8680] dhe [8710], i njëjti kishte shfrytëzuar paluajtshmërinë e evidentuar si ngastër kadastrale [6831] në afat prej mbi 20 vite pa u penguar nga askush, rrjedhimisht edhe pretendonte fitimin e pronësisë mbi këtë pronë. Ndërsa, prona në fjalë ishte e evidentuar nën pronësinë e Komunës së Prizrenit dhe palëve tjera të interesuara F.H, Sh.N, Sh.B, G. B (të paditurit e rendit të dytë). Bazuar nën këtë pretendim, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi kundër (i) Komunës së Prizrenit dhe palëve të interesuara të lartcekura, ku kërkonte që: parashtruesit të kërkesës t’ i njihej e drejta e pronësisë në parcelën përkatëse të evidentuar si ngastra kadastrale [6831]. Pas refuzimit të kërkesëpadisë nga Gjykata Themelore, pasoi edhe refuzimi si e pathemeltë e ankesës së parashtruesit të kërkesës nga ana e Gjykatës së Apelit. Përfundimisht, Gjykata Supreme e refuzoi si të pabazuar kërkesën për revizion të parashtruesit të kërkesës.
Në këtë drejtim, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke pretenduar shkelje të nenit 46 të Kushtetutës, si rezultat i interpretimit të gabuar të ligjit, si dhe pretendimet përkitazi me shkeljet e nenit 54 të Kushtetutës.
Sa i përket pretendimit për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës thekson që vendimi i kontestuar është nxjerrë në kundërshtim me të drejtat e garantuara me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.
Gjykata rikujton se neni 46 i Kushtetutës, sikundër edhe neni 1 i Protokollit Nr. 1 (Mbrojtja e Pronës) i KEDNJ nuk garanton të drejtën për fitimin e pronës (Shih rastet e Gjykatës: KI201/18, me parashtrues Selami Taraku, Aktvendim për papranueshmëri i 1 nëntorit 2019, paragrafi 39; KI83/18, me parashtrues Ivica Milosevic, Aktvendim për papranueshmëri i 17 tetorit 2019, paragrafi 41; Shih gjithashtu rastet e GJEDNJ-së: Van der Mussele kundër Belgjikës, nr. 8919/80, Aktgjykimi i GJEDNJ-së i 23 nëntorit 1983, paragrafi 48; dhe Slivenko dhe të tjerët kundër Letonisë, kërkesa nr. 73049/01, Aktgjykimi i 9 tetorit 2003, paragrafi 121).
Në këtë kuadër, Gjykata i referohet interpretimeve të GJEDNJ, ku vihet në pah se Neni 1 i Protokollit Nr. 1 (Mbrojtja e Pronës) i KEDNJ-së vlen vetëm për "zotërimet" ekzistuese të një personi (shih rastet e GJEDNJ-së: Marckx kundër Belgjikës, nr. 6833/74, Aktgjykim i 13 qershorit 1979, paragrafi 50; Anheuser-Busch Inc. kundër Portugalisë, nr. 73049/01, Aktgjykimi i 11 janarit 2007, paragrafi 64).
Parashtruesit e kërkesës më tej mund të pretendojnë shkelje të nenit 46 të Kushtetutës vetëm për aq sa vendimet e kontestuara kanë të bëjnë me "pronën" e tij; brenda kuptimit te kësaj dispozite "pronë" mund të jetë ''pasuria ekzistuese", duke përfshirë edhe pretendimet në bazë të të cilave parashtruesit e kërkesës mund të pretendojnë "pritshmëri legjitime" që do të fitojnë gëzimin efektiv të ndonjë të drejte pronësore.
Në rrethana të caktuara, një "pritje legjitime" për të marrë një pronë mundet gjithashtu të gëzojë mbrojtje nga Neni 1 i Protokollit Nr.1 të KEDNJ-së (shih rastet e GJEDNJ-së: Pressos Compania Naviera S.A. dhe të tjerët kundër Belgjikës, nr. 17849/91, Aktgjykim i 20 nëntorit 1995, paragrafi 31; Grazinger dhe Gratzingerova kundër Republikës Çeke, nr. 39794/98, Vendim për papranueshmëri i 10 korrikut 2002, paragrafi 73).
Por, sipas praktikës së GJEDNJ, nuk mund të thuhet se lind ndonjë "pritje legjitime" atje ku ekziston një kontest në lidhje me interpretimin e drejtë dhe aplikimin e së drejtës së brendshme dhe atje ku parashtresat e parashtruesit janë hedhur poshtë më pas nga gjykatat kombëtare (shih rastin e GJEDNJ-së: Kopecky kundër Sllovakisë, nr. 44912/98, Aktgjykim i 28 shtatorit 2004, paragrafi 50).
Në këtë drejtim, Gjykata duke i trajtuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje edhe me parimet e lartpërmendura të të drejtës në pronë, vëren se parashtruesi nuk e ka arsyetuar në veçanti shkeljen e së drejtës së pronës dhe nuk i referohen konkretisht ndonjë prej parimeve të përmbajtura në nenin 46 të Kushtetutës, por konsideron se kjo e drejtë i është shkelur si pasojë e zbatimit të gabuar të së drejtës materiale dhe në këtë mënyrë nuk kanë vendosur për aprovimin e kërkesëpadisë së tij për vërtetimin e pronësisë së fituar përmes parashkrimit me mirëbesim.
Ne kete kontekst, Gjykata fillimisht rikujton se Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr.788/09] të 29 prillit 2016, duke trajtuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, ndër të tjera, kishte theksuar si në vijim:
[...] Por këtu paditësit e mbajnë parcelën e gabuar e jo atë që janë dhënë si ndërrim për tokën e eksproprijuar në Vërmice. Nga arsyet e njëjta paditësit nuk mund ti pranohet e drejta e pronësisë në paluajthsmërinë lëndore sepse ata nuk kanë arritur të argumentojnë se është faji i organit shtetëror, se është marrë vendim tjetër respektivisht nuk kanë ofruar as provë se është bërë dorëzimi i posedimit dhe kur është bërë kjo, që eventualisht paditësve të mund të ju pranohet e drejta e pronësisë në bazë të mbajtjes në të cilin thirren. Natyrisht pranë kësaj duhet të kihet parasysh edhe përmbushja e kushteve të caktuara ligjore ku për mbajtje të jashtëzakonshme është e nevojshme përmbushja kumulative e dy kushteve, kalimi i kohës prej 20 viteve dhe ndërgjegjja e mbajtësit, dispozitat imperativë të ligjit mbi marrëdhëniet themelore pronësoro juridike, që me anë të mbajtjes në pasuri shoqërore nuk mund të fitohet e drejta e pronësisë. Edhe pse këto janë dispozitat të shlyera me ligjin e niveluar të vitit 1995 por të -njëjtat nuk kanë efekt retroaktiv dhe aplikimi i të njëjtave fillon me ditën e hyrjes në fuqi me datën 03.08.1996.
Në anën tjetër, edhe Gjykata e Apelit, përmes Aktgjykimit [AC.nr.4262/2016] të 22 janarit 2019, kishte trajtuar pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës, duke arsyetuar, ndër të tjera, si në vijim:
[...] Arsyetimi i gjykatës së shkallës së parë është i pranueshëm edhe për Gjykatën e Apelit. Me pak fjalë, gjykata e shkallës së parë konkludon saktësisht se nuk ka bazë juridike për fitimin e të drejtës së pronësisë së paditësve-kundërtëpaditurve në kuptim të nenit 28 par 4 të Ligjit për marrëdhëniet Themelore të Pronës, i zbatueshëm në rastin konkret. Saktësisht, nuk ka bazë juridike për fitimin e pronësisë përmes mbajtjes së paluajtshmërisë kontestuese, sepse për fitimin e pronësisë në mënyrën e cekur, përveç posedimit të papenguar, është e nevojshme plotësimi edhe i kushteve tjera, e që këtu nuk është rasti. Paditësit-kundër të paditurit e mbajnë paluajtshmëritë e "gabuara", e jo ato që iu janë dhënë si kompensim i paluajtshmërisë së eksproprijuar, ata duhej të ishin të vetëdijshëm për ato fakte. Nga ana tjetër, të paditurit-kundërpaditësit të drejtën e pronësisë mbi paluajtshmëritë kontestuese e kanë fituar në mënyrën e paraparë me ligj, dhe sipas nenit 37 të Ligjit për marrëdhëniet Themelore të Pronës në çdo kohë kanë të drejtë të kërkojnë kthimin, përkatësisht dorëzimin e tyre në mbajtje. E gjithë kjo, natyrisht, nuk ndikon në të drejtën e paditësve kundërtëpaditurve për të kërkuar kompensimin e drejtë nga ai që i dëmtoi ata.
Në fund, Gjykata gjithashtu rikujton se Gjykata e Supreme, përmes Aktgjykimit [Rev. nr. 265/2021] të 17 qershorit 2021, kishte trajtuar pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës, duke arsyetuar, ndër të tjera, si në vijim:
[...] Për të njëjtat arsye të dhëna nga këto dy gjykata, edhe Gjykata Supreme këto pretendime nuk i pranon si të qëndrueshme nga se nga aktvendimi i Drejtorisë për çështje pronësore juridike të Komunës së Prizrenit [nr.03/3-465-114] datë 8.4.1985, shihet se Q.K. si para ardhës i paditësve, si kompensim për tokën e eksproprijuar i janë dhënë ngastrat numër 8671/0, 8680/0 dhe 8710/0 të gjitha në vendin e ashtuquajtur" Buzagillak" ZK Prizren, e jo edhe ngastra kontestuese nr.6831/0 në sipërfaqe prej 92,37 ha si pjesë e sipërfaqes së përgjithshme të kësaj ngastre prej 17205 m2, andaj me të drejtë gjykata e shkallës së parë konstaton se nga kjo bazë në të cilën pretendojnë paditësit, ata mbajnë ngastrën e gabuar nr. 6831/0, për të cilën në fakt nuk kanë asnjë dëshmi se janë pronarë juridik ligjor të saj.
Lidhur me pretendimin e revizionit se paditësit kanë bazën ligjore, nga se janë posedues të ligjshëm të ngastrës lëndore, të dy gjykatat e lartpërmendura kanë dhënë arsyetim se paditësit nuk e kanë këtë bazë ligjore respektivisht nuk janë posedues të ligjshëm, ngase ata mbajnë në posedim "ngastrën e gabuar" të cilën e paditura Komuna e Prizrenit nuk ua ka dhënë si kompensim për patundshmëritë e eksproprijuara të paraardhësit të paditësve Q.K., në njërën anë, ndërsa në anën tjetër të paditurit janë pronarë të së njëjtës ngastër sipas bazës së vlefshme juridike ligjore ashtu siç përshkruhet në detaje në aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe të dytë, kështu që edhe Gjykata Supreme konkludon se këto pretendime të paditësve, janë të pabazuara.
Në këtë aspekt, Gjykata konsideron se gjykatat e rregullta, në rrethanat e rastit konkret, kishin trajtuar dhe arsyetuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, duke përfshirë edhe ato që ndërlidhen me interpretimin e gabuar të dispozitave të ligjit të aplikueshëm. Prandaj, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Megjithatë, gjatë shqyrtimit të këtyre pretendimeve lidhur me zbatimin e gabuar të së drejtës materiale Gjykata tashmë ka ardhur në përfundim se këto pretendime janë qartazi të pabazuara. Prandaj, Gjykata konsideron se në rastin konkret nuk dëshmohet se parashtruesit kanë kërkesë të arsyetuar lidhur me shkeljen e të drejtës së pronës sipas nenit 46 të Kushtetutës. Prandaj, kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe cilësohet si pretendim që i takon kategorisë së pretendimeve “të shkallës së katërt“, prandaj deklarohet e papranueshme, në pajtim me rregullin 39 paragrafi (2) të Rregullores së punës.
Në lidhje me pretendimin për shkelje të nenit 54 të Kushtetutës
Sa i përket shkeljeve të pretenduara të të drejtave dhe lirive themelore të përcaktuara me nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, Gjykata rikujton se sipas praktikës së themeluar gjyqësore të kësaj Gjykate dhe të GjEDNJ-së, Gjykata e shpall kërkesën të papranueshme si qartazi të pabazuar kur pretendimet janë “të pambështetura apo të paarsyetuara” ose kur plotësohet një nga dy kushtet karakteristike, përkatësisht;
kur parashtruesi i kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse kjo është qartazi e dukshme në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit (shih: në këtë drejtim, rastet e GJEDNJ-së: Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, Vendim i 31 majit 2005; dhe Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, Vendim i 25 shtatorit 2008);
kur parashtruesi i kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë provat materiale me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih rastin KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri i 5 janarit 2021, paragrafi 42).
Në rastin konkret, parashtruesi i kërkesës pretendon që vendimi i kontestuar ka shkelur të drejtat e tij individuale dhe ka ardhur deri te shkelja e nenit 54 të Kushtetutës, mirëpo i njëjti, nuk shpjegon specifikisht se si ka ardhur deri te shkelja e këtij neni. Lidhur me këtë, Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih rastet e Gjykatës: KI175/20, me parashtrues: Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për Papranueshmëri i 22 prillit 2021, paragrafi 81; KI166/20 cituar më lart, paragrafi 52; KI04/21, me parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri i 11 majit 2021, paragrafët 38- 39).
Andaj, Gjykata konstaton se sa i përket pretendimit të parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 54 të Kushtetutës, kërkesa duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar, sepse ky pretendim cilësohet si pretendim që i takon kategorisë së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, pasi parashtruesi i kërkesës thjesht ka cituar një dispozitë të Kushtetutës, pa shpjeguar se si është shkelur ajo. Prandaj, ky pretendim është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Përfundim
Në fund, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme, sepse (i) pretendimet për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës, janë pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; dhe si të tilla këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, si dhe (ii) përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 54 të Kushtetutës, deklarohen si qartazi të pabazuara, sepse këto pretendime cilësohen si pretendime që i takojnë kategorisë së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”. Prandaj, kërkesa në tërësi deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenin 20 të Ligjit dhe rregullat 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, më 12 tetor 2022, njëzëri:
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit; dhe
Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Remzije Istrefi Peci Gresa Caka Nimani
Rahim Kolukaj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile