Prishtinë, më 18 dhjetor 2024
Nr. ref.: RK 2595/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI 03/24
Parashtrues
Agim Reçica
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev.nr. 245/2023], të 24 korrikut 2023
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Agim Reçica, me vendbanim në Lipjan (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), të cilin e përfaqëson Ramiz Suka, avokat nga Prishtina (në tekstin e mëtejmë: përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Rev.nr. 245/2023], të 24 korrikut 2023, të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme).
Parashtruesi i kërkesës ka pranuar Aktgjykimin e kontestuar më 3 gusht 2023.
Objekti i çështjes
Objekti i çështjes së kësaj kërkese është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr. 245/2023], të 24 korrikut 2023, të Gjykatës Supreme, për të cilin parashtruesi i kërkesës pretendon se i cenon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara], të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 3 janar 2024, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën e tij përmes postës në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata), e cila në Gjykatë u regjistrua më 5 janar 2024.
Më 25 janar 2024, Kryetarja e Gjykatës me Vendimin [GJR.KI03/24] caktoi gjyqtarin Enver Peci, gjyqtar raportues dhe me Vendimin [KSH.KI03/24] caktoi anëtarët e Kolegjit shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka – Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Radomir Laban (anëtarë).
Më 30 janar 2024, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës, dhe një kopje të kërkesës e dorëzoi edhe tek Gjykata Supreme e Kosovës.
Po të njëjtën datë, Gjykata kërkoi nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Civil (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore), që në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh nga pranimi i shkresës, të dorëzoj fletë-kthesën ku dëshmon se kur e ka pranuar parashtruesi i kërkesës aktin e kontestuar.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 30 gusht 2024, Gjykata Themelore, dorëzoi fletëkthesën që dëshmon se parashtruesi i kërkesës më 3 gusht 2023, e ka pranuar vendimin e kontestuar.
Më 25 shtator 2024, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatë një parashtresë duke kërkuar që rasti i tij të trajtohet me prioritet.
Më 5 nëntor 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve të rastit
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi kishte qenë i punësuar për më shumë se 10 vite në Elektroekonominë e Kosovës, në pozitën si përcjellës i shiritit.
Më 19 maj 2017, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur padi në Gjykatën Themelore kundër Korporatës Energjetike të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KEK), duke kërkuar kompensim të dëmit material dhe jomaterial, në emër të dëmit të shkaktuar në vendin e tij të punës në vitin 1992. Nga shkresat e lëndës rezulton se në vitin 1992, parashtruesi i kërkesës ishte rrahur nga forcat policore serbe dhe nga ajo periudhë u pensionua si invalid i punës. Në anën tjetër KEK, përmes përgjigjes në padi kishte theksuar se parashtruesi i kërkesës nuk figuron fare si punëmarrës i KEK-ut në asnjë periudhë siç pretendon ai, dhe për më tepër në po këtë çështje ka mungesë të legjitimitetit pasiv, duke konsideruar se KEK nuk duhet të jetë fare në procedurë pasi që nuk është institucion përkatës për adresimin e çështjeve të tilla.
Më 30 shtator 2021, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr.1312/17], refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se bazuar në paragrafin 1 të nenit 376 të Ligjit mbi marrëdhëniet e detyrimeve (në tekstin e mëtejmë LMD) si dhe nenit 376 të LMD-së , kërkesa është parashkruar sepse është parashtruar pas kalimit të 25 viteve.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër vendimit të shkallës së parë duke pretenduar shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike si dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.
Më 6 prill 2023, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac.nr.10070/21], refuzoi si të pathemeltë ankesën e parashtruesit të kërkesës, duke vërtetuar Aktgjykimin [C.nr.1312/17], e Gjykatës Themelore, si dhe duke vlerësuar se i njëjti është i drejtë dhe i ligjshëm.
Më 29 maj 2023, parashtruesi i kërkesës parashtroj revizion në Gjykatën Supreme, kundër Aktgjykimit [Ac.nr.10070/21], të Gjykatës së Apelit, me pretendimin për shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike si dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.
Më 24 korrik 2023, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimin [Rev.nr.245/2023], refuzoi si të pabazuar revizionin e parashtruesit të kërkesës.
Në arsyetimin Aktgjykimit të saj Gjykata Supreme kishte theksuar:
[...], dhe Gjykata Supreme e Kosovës e vlerësoi si të drejtë këtë qëndrim, ngase edhe sipas vlerësimit të kësaj Gjykate, gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë ka zbatuar dispozitën e nenit 376 par.1 të LMD-së, kur ka refuzuar kërkesëpadinë për shkak të parashkrimit të kërkesës lidhur me kompensimin e dëmit [...]. Gjykata Supreme vlerësoi se kërkesat që kanë të bëjnë me shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga dëmtuesi dhe afati i parashkrimit fillon të rrjedhë nga dita kur i dëmtuari ka marrë dijeni për dëmin që i është shkaktuar dhe për personin i cili ka shkaktuar dëmin.
[...]
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se përmes vendimit të kontestuar, i cenohen të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.
Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij të dorëzuar në Gjykatë pretendon shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, mirëpo përveç citimit të nenit përkatës nuk elaboron më tej se si ka ardhur deri te shkelja e të drejtave të tij mbrojtura me Kushtetutë.
Përfundimisht, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që të anuloj si të pa bazuar Aktgjykimet e gjykatave të rregullta, pasi që i njëjti pretendon se janë në kundërshtim me Kushtetutën.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe të parapara me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata, fillimisht, i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet nenit 47 (Kërkesa individuale), nenit 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
(Afati)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor [...].”
Gjykata më tej i referohet edhe rregullit 29 (Llogaritja e periudhës kohore) dhe rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës:
Rregulli 29
(Llogaritja e periudhës kohore)
Periudha kohore, e përcaktuar në Kushtetutë, në Ligj dhe në këtë Rregullore, llogaritet si më poshtë:
[...]
(d) Kur periudha shprehet me muaj, ajo përfundon me kalimin e ditës së njëjtë kalendarike të muajit me ditën gjatë të cilës ka ndodhur ngjarja ose veprimi për të cilin duhet të llogaritet periudha kohore.
[...]
(g) përjashtimisht, nëse periudha përfundon të shtunën, të dielën ose në ndonjë festë zyrtare, ajo do të vazhdojë deri në fund të ditës së parë të punës që vjen pas saj.
Rregulli 34
(Kriteret e pranueshmërisë)
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
(c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit ;dhe
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Rev.nr. 245/2023], e 24 korrikut 2023, të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Megjithatë, bazuar në nenin 49 (Afatet) të Ligjit, Gjykata në vijim duhet të vlerësojë nëse kërkesa e tanishme është dorëzuar brenda afatit ligjor katër (4) mujor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës.
Në këtë drejtim, Gjykata rikujton se rregulli i afatit katër-mujor është autonom dhe duhet kuptuar dhe aplikuar bazuar në faktet e secilit rast veç e veç për të siguruar ushtrimin efektiv të së drejtës për të paraqitur kërkesën para Gjykatës. Gjykata thekson se qëllimi i afatit ligjor prej katër (4) muajve, të përcaktuar në nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës, i shërben sigurisë juridike dhe siguron që çështjet që ngrenë çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme si dhe parandalon autoritetet dhe personat e tjerë të afektuar që të mos mbahen në një gjendje pasigurie për një periudhë të gjatë (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI61/23, me parashtrues, Hedie Bylykbashi, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 majit 2023, paragrafi 33; KI24/23, me parashtrues, Sami Nuredini, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 prillit 2023, paragrafi 21; dhe rastin e GJEDNJ-së, Lekić kundër Sllovenisë, kërkesat nr. 10865/09, 45886/07 dhe 32431/08, Aktgjykim i 11 dhjetorit 2018, paragrafi 64). Ky rregull gjithashtu i jep kohë parashtruesit potencial nëse do të paraqes një kërkesë në Gjykatë dhe, nëse po, të vendosë për argumentet specifike që do t’i paraqes si dhe rrjedhën e fakteve, pasi që me kalimin e kohës bëhet i vështirë shqyrtimi i çështjeve të ngritura nga parashtruesi i kërkesës (shih, rastin e Gjykatës KI115/20, me parashtrues Muharrem Rama, Aktvendim për papranueshmëri, i 3 nëntorit 2021, paragrafët 55 dhe 56; dhe rastin e GJEDNJ-së, Sabri Güneş kundër Turqisë, kërkesa nr. 27396/06, Aktgjykim, i 29 qershorit 2012, paragrafët 52 dhe 55).
Afati katër (4) mujor fillon të rrjedhë nga dita e vendimit të fundit në kuadër të procesit të shterimit të mjeteve juridike (shih, rastin e Gjykatës, KI59/18, me parashtrues Strahinja Spasić, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 marsit 2019, paragrafi 51; dhe rastin e GJEDNJ-së, Chapman kundër Belgjikës, kërkesa nr.39619/06, Vendim, i 5 marsit 2013, paragrafi 34).
Në këtë kuptim, Gjykata thekson se kur parashtruesit i njihet e drejta për të pranuar kopjen e vendimit përfundimtar të gjykatave të rregullta, bazuar në objektin dhe qëllimin e nenit 49 (Afati) të Ligjit, afati prej 4 (katër) muajsh fillon të rrjedhë në datën e marrjes së kopjes së vendimit (shih, rastin e Gjykatës, KI144/22, me parashtruese Sebahate Dervishi, Aktvendim për papranueshmëri, i 16 nëntorit 2022, paragrafi 52; dhe shih, rastin e GJEDNJ-së, Worm kundër Austrisë, kërkesa nr. 83/1996/702/894, Aktgjykim i 29 gushtit 1997, paragrafi 33).
Ky kriter është përcaktuar edhe përmes pikës (c) të paragrafit (1) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, që përcakton se kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës.
Në këtë kontekst, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [Rev.nr. 245/2023], e 24 korrikut 2023, të Gjykatës Supreme. Fletëkthesa e dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore, vërteton që parashtruesi i kërkesës e ka pranuar vendimin e kontestuar më 3 gusht 2023. Parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë më 3 janar 2024, respektivisht më shumë se katër muaj pas pranimit të aktit të kontestuar.
Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes Aktgjykimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (d) të Rregullores së punës, më 5 nëntor 2024, njëzëri
VENDOS
TA SHPALLË kërkesën të papranueshme;
T’UA DËRGOJË këtë Aktvendim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Enver Peci Gresa Caka-Nimani
Agim Reçica
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Administrative