KI147/21, Parashtrues: Sinan Sinani, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 2/2021, të 12 prillit 2021
KI147/21, Aktvendim për papranueshmëri i 11 majit 2022, publikuar më 20 korrik 2022
Fjalët kyç: kërkesë individuale, interpretim i gabuar i ligjit në fuqi, vërtetim i gabuar i gjendjes faktike, si dhe shkelja e të drejtave pronësore dhe shkelja e parimit të sigurisë juridike, qartazi e pabazuar
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me inicimin e procedurës në gjykatat e rregullta nga ana e parashtruesit të kërkesës me qëllim të vërtetimit të së drejtës së pronësisë së parashtruesit të kërkesës mbi një pjesë të ngastrës që nuk është në pronësi të tij. Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës, duke arsyetuar se parashtruesi i kërkesës nuk ka ofruar dëshmi të vlefshme për identitetin e pjesës së ngastrës lëndore, kufijtë e saj, etj. dhe duk ka ofruar dëshmi që shitësi ia kishte dorëzuar të njëjtën në posedim. Pas kësaj, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme vërtetuan vendimin e Gjykatës Themelore, duke konsideruar se parashtruesi i kërkesës nuk ka realizuar një punë të vlefshme juridike, përkatësisht se me kontratë nuk janë specifikuar ngastrat dhe se për sipërfaqen e kontraktuar nuk është regjistruar e drejta pronësore në regjistrat publik, gjë që është esenciale për fitimin e pronësisë.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës i kontestoi konstatimet e gjykatave të rregullta, duke pretenduar se kishte shkelje të neneve 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i zbatimit të gabuar të ligjit dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, si dhe për shkak të shkeljes të së drejtës së pronës dhe shkeljes së parimit të sigurisë juridike.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata vëren se kërkesa kryesore e parashtruesit të kërkesës lidhet me pretendimin për interpretimin e gabuar të ligjit, përkatësisht për vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike. Lidhur me këtë, parashtruesi i kërkesës nuk mbështet mjaftueshëm dhe as nuk argumenton para Gjykatës, se si ky zbatim i ligjit dhe vërtetimi i gjendjes faktike nga gjykatat e rregullta mund të ketë qenë “qartazi i gabuar“ duke rezultuar kështu me “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin e kërkesës apo se procedurat para gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe arbitrare. Përveç kësaj, Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta kanë marrë parasysh të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit, pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe se të njëjtat i kanë arsyetuar, si dhe kanë arsyetuar qartë përse kërkesa e parashtruesit për vërtetimin e pronësisë nuk është e pranueshme. Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të Kushtetutës për shkak të interpretimit të gabuar dhe zbatimit të gabuar të ligjit në fuqi janë (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt“; dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39.
Në vijim, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon shkeljen e të drejtës së pronës dhe shkeljen e parimit të sigurisë juridike, të garantuar me nenet 46 dhe 31 të Kushtetutës. Lidhur me këtë, Gjykata rikujton se ajo vazhdimisht ka theksuar se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të paraqesin pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse. Andaj, për sa i përket këtij pretendimi, kërkesa e parashtruesit të kërkesës duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar, sepse ky pretendim konsiderohet si pretendim që i takon kategorisë së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, pasi parashtruesi i kërkesës thjesht ka cituar një dispozitë të Kushtetutës, pa shpjeguar se si është shkelur ajo. Prandaj, ky pretendim është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (1) (d) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Sinan Sinani
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 46 - Mbrojtja e Pronës
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile