Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 138/21, të 14 prillit 2021

Nr. të lëndës KI 137/21

Parashtruesit: Afrim Aziri

Shkarko:

KI137/21, Parashtrues: Afrim Aziri, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 138/21, të 14 prillit 2021

KI137/21, Aktvendim i 2 shkurtit 2022, publikuar më 18 shkurt 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kompensim, dëm jomaterial,

Çështja thelbësore në rastin konkret ndërlidhet me rrethanat që kanë ndodhur gjatë periudhës kohore nga 25 marsi 2008 deri më 25 prill 2008, ku parashtruesi i kërkesës ka qenë në paraburgim, për dyshimin e kryerjes së veprës penale, dhe kundër tij ishte ngritur edhe aktakuzë. Procesi penal kishte vazhduar deri më 13 prill 2012 kur Gjykata Supreme i kishte konfirmuar aktgjykimet liruese të gjykatave të instancave më të ulëta. Parashtruesi i kërkesës kishte ndjekur procedurat kontestimore për kompensim dëmi në gjykatat e rregullta, ku si e paditur e parë ishte KGJK. Parashtruesi i kërkesës kërkoi, ndër të tjera, që në emër të dëmit jomaterial për dhimbje shpirtërore për shkak të cenimit të autoritetit, nderit, lirisë dhe të drejtave të personalitetit, t’i paguhet shuma prej 800,000.00 euro. Gjykata Themelore fillimisht, i akordoi parashtruesit të kërkesës shumën prej 61,708.30€ për dëmin jomaterial, ndërsa Gjykata e Apelit, zbriti kompensimin e shumës në 45,000 euro. Pas paraqitjes së revizionit, Gjykata Supreme përfundimisht vendosi që të kompensojë parashtruesin e kërkesës në vlerën prej 3,600.00 euro. Të tri instancat gjyqësore u bazuan në nenin 200 të LMD-së.

Parashtruesi i kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese thekson se gjatë kësaj periudhe ai ka përjetuar dhimbje shpirtërore në kohëzgjatje prej 4 (katër) vitesh, dhe pretendon, së pari, se Aktgjykimi i Gjykatës Supreme nuk është i arsyetuar mjaftueshëm, dhe së dyti, se gjykatat ka qenë të ndikuara nga KGJK-ja sepse ky institucion mbikëqyr sistemin gjyqësor dhe bën emërimin e të gjitha niveleve të gjykatave të rregullta.

Në shqyrtimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të tij për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm si rezultat i mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor, Gjykata fillimisht shtjellojë dhe më pas aplikoi në rrethanat e rastit konkret, parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke rikujtuar që bazuar në të njëjtat, dhe për aq sa është relevante për rrethanat e rastit konkret, shkalla në të cilën zbatohet detyrimi për të dhënë arsye mund të ndryshojë varësisht nga natyra e vendimit dhe duhet të përcaktohet në dritën e rrethanave të rastit konkret. Gjykata theksoi se në rastet kur një gjykatë e shkallës së tretë, si në rastin e parashtruesit të kërkesës Gjykata Supreme, e cila vërteton vendimet e marra nga gjykatat më të ulëta – obligimi i saj për të arsyetuar vendimmarrjen dallon nga rastet kur një gjykatë ndryshon vendimmarrjen e gjykatave më të ulëta.

Gjykata theksoi se, Gjykata Supreme, dhe gjykatat e instancave më të ulëta kanë zbatuar nenin 200 të LMD-së, duke akorduar shuma të ndryshme për parashtruesin. Në këtë linjë, Gjykata duke iu referuar paragrafit 5 të nenit 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, aplikoi atë, duke theksuar se ky i fundit: (i) nuk i jep të drejtë parashtruesit për një shumë të caktuar për kompensim; (ii) kompensimi i cili nuk është në proporcion me seriozitetin e shkeljes, i njëjti, nuk do jetë i përputhshëm me kërkesat e paragrafit 5 të nenit 5 të KEDNJ-së sepse kjo atëherë do bënte të drejtën të garantuar nga kjo dispozitë teorike dhe iluzore; dhe (iii) një shumë e dhënë nuk mund të jetë dukshëm më e ulët se ajo e dhënë nga GJEDNJ në raste të ngjashme.

Në këtë linjë, Gjykata rikujtoi se Gjykata Supreme i ishte referuar edhe tri rasteve të GJEDNJ-së lidhur me kompensimin, dhe konstatoi se Gjykata Supreme ka adresuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës përkitazi me Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, dhe asaj të Apelit përmes të cilave ishte caktuar lartësia e kompensimit të dëmit jomaterial për shkak të dhimbjeve shpirtërore. Rrjedhimisht, Gjykata konsideroi se ky pretendim është pretendim i “shkallës së katërt”; dhe si i tillë, ky pretendim i parashtruesit të kërkesës është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese.

Në fund, Gjykata poashtu përkitazi me pretendimin e dytë të parashtruesit të kërkesës, të njëjtin e konsideroi të papranueshëm sepse nuk i ka shteruar në mënyrë substanciale mjetet juridike.

Parashtruesit:

Afrim Aziri

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile