KI76/22, Parashtrues Admir Salihi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, [Pml. nr. 50/2022], të 28 tetorit 2022
KI72/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 marsit 2023, publikuar më 16 maj 2023
Fjalët kyç: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar, pretendime të pambështetura me mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me aksidentin e komunikacionit në të cilin një nga pjesëmarrësit ishte edhe parashtruesi i kërkesës. Për shkak të dyshimit të bazuar se ka shkaktuar këtë aksident komunikacioni me pasoja fatale, Prokuroria Themelore ngriti aktakuzë kundër parashtruesit të kërkesës, përmes së cilës e akuzoi se ka kryer veprën penale të “Rrezikimit të trafikut publik”. Më pas, Gjykata Themelore e shpalli parashtruesin e kërkesës fajtor për shkaktim të aksidentit të komunikacionit me pasoja fatale dhe e gjykoi me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tri) viteve. Parashtruesi i kërkesës është ankuar në Gjykatën e Apelit lidhur me dënimin e Gjykatës Themelore dhe ankesa e tij është refuzuar si e pabazuar. Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, parashtruesi paraqiti në Gjykatën Supreme kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, e cila është refuzuar nga kjo e fundit.
Parashtruesi i kërkesës theksoi se me Aktgjykimin e Gjykatës Supreme i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 65 [Kompetencat e Kuvendit], nenin 7 [Vlerat], nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës si dhe parimin e sigurisë juridike.
Gjykata Kushtetuese fillimisht vlerësoi kriteret për pranueshmërinë e kërkesës, sipas Kushtetutës, Ligjit dhe Rregullores së punës, duke qenë se parashtruesi i kërkesës ishte person i autorizuar, ka shteruar mjetet juridike në dispozicion, ka qartësuar nenet e Kushtetutës dhe aktin e autoritetit publik i cili kontestohet në Gjykatë dhe e ka parashtruar kërkesën brenda aftit prej katër muajve. Gjykata shqyrtoi pretendimet kryesore të parashtruesit të kërkesës në lidhje me shkeljet e pretenduara për vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe interpretim të gabuar të ligjeve të vlefshme nga gjykatat e rregullta si dhe në lidhje me shkeljen e parimit të sigurisë juridike për shkak të divergjencës së praktikës gjyqësore në raste të ngjashme, duke zbatuar praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), në rrethanat e rastit konkret. Gjykata konsideron se pretendimet për vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe interpretim të gabuar të ligjeve të vlefshme nga gjykatat e rregullta, hyjnë në kategorinë e pretendimeve të “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara. Sa i përket pretendimeve për shkeljen e parimit të sigurisë juridike për shkak të divergjencës së praktikës gjyqësore në raste të ngjashme, Gjykata shtjelloi parimet e përgjithshme që rregullojnë këtë fushë dhe duke u mbështetur në praktikën e saj dhe praktikën e GJEDNJ-së, konkludoi se këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara për shkak të mungesës së dukshmes ose evidente të shkeljes në këto pretendime.
Rrjedhimisht dhe bazuar në sqarimet e dhëna në vendimin e publikuar, Gjykata konstaton se kërkesa në tërësi duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar, sepse këto pretendime të parashtruesit të kërkesës kualifikohen si pretendime që hyjnë në kategorinë (i) e pretendimeve të “shkallës së katërt” dhe kategorinë (ii) e pretendimeve me “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”. Rrjedhimisht, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Admir Salihi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale