Parashtrues: Branislav Gajin, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr.332/2022, të 27 shtatorit 2022
KI05/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 17 janarit 2024, publikuar më 29 shkurt 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë e papranueshme, qartazi e pa bazuar.
Parashtruesi i kërkesës u shpall fajtor për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes, dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, në përputhje me nenin 281, paragrafin 1.9 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 273, paragrafin 2 dhe 3. Në vitin 2018, ai u shpall fillimisht fajtor nga Gjykata Themelore me Aktgjykimin [DTKD. K. nr. 112/2018], e dorëzuar më 12 mars 2019. Vendimi u ankimua në Gjykatën e Apelit nga Prokuroria Themelore e Pejës, dhe pas analizës së ankesës, Aktgjykimi u ndryshua duke e rritur dënimin nga 4 në 6 vjet përmes Aktgjykimit [PAKR. nr. 206/2019]. Ky vendim u vërtetua nga Gjykata Supreme me Aktgjykimin [Pml. nr. 265/2019], të 9 tetorit 2019, pas refuzimit të kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë.
Më 26 shkurt 2020, parashtruesi i kërkesës ushtroi përsëri kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë kundër Aktgjykimit [PAKR. nr. 206/2019], të Gjykatës se Apelit, duke pretenduar se nuk i është dorëzuar aktgjykimi i shkallës së parë dhe se ai ka marrë pjesë në seancën e shkallës së dytë, pa pasur mundësinë e ankesës dhe shprehjes së qëndrimeve të tij lidhur me Aktgjykimin, duke ia mohuar kështu të drejtën e mbrojtjes, e cila ka shkaktuar shkelje esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.
Më 27 shtator 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Pml. Nr. 332/2022], përfundimisht e refuzoj kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të ushtruar kundër Aktgjykimit [PAKR. nr. 206/2019], të Gjykatës së Apelit, të 16 majit 2019, që përfshinte pretendimet për mohimin e të drejtës së mbrojtjes së parashtruesit të kërkesës, e refuzoi si të pabazuar.
Gjykata thekon se objekti i kontestit i kërkesës aktuale është Aktgjykimi i Gjykatës Supreme, [Pml. nr.332/2022], i 27 shtatorit 2022. Gjykata vëren se vendimi i kontestuar në kërkesën aktuale, respektivisht Aktgjykimi [Pml. nr.332/2022], i 27 shtatorit 2022, i Gjykatës Supreme i nxjerrë në çështjen e njëjtë lëndore të parashtruesit të kërkesës nuk është kontestuar më herët dhe rrjedhimisht përbën objekt të ri kontesti para Gjykatës i cili do t’i nënshtrohet vlerësimit kushtetues nga ana e Gjykatës.
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se mospranimi ose mosnjoftimi i tij në lidhje me vendimin e shkallës së parë e ka privuar atë nga të drejtat e tij për të bërë apel në shkallën e dytë, duke e vendosur në një situatë ku nuk mund të paraqesë efektivisht mbrojtjen e tij kundër vendimit të shkallës së parë. Në lidhje me këtë, parashtruesi argumenton se kjo mungesë e njoftimit ka shkaktuar pamjaftueshmëri kohore për të përshkuar/përgatitur mbrojtjen në shkallën e dytë të procedurës së ankesës.
Në shqyrtim të pretendimeve të parashtruesit, Gjykata, duke analizuar edhe praktikën e GJEDNJ-së, ka ardhur në përfundim se neni 30 i Kushtetutës në lidhje me nenin 6, paragrafin 3 (b) të KEDNJ-së, i garanton të akuzuarit “kohë dhe lehtësi adekuate për përgatitjen e mbrojtjes së tij” dhe për këtë arsye nënkupton se veprimtaria e mbrojtjes thelbësore në emër të tij mund të përfshijë gjithçka që është “e nevojshme” për përgatitjen e shqyrtimit gjyqësor. I akuzuari duhet të ketë mundësinë që të organizojë mbrojtjen e tij në mënyrë të përshtatshme dhe pa kufizime në lidhje me mundësinë e paraqitjes së të gjitha argumenteve përkatëse mbrojtëse para trupit gjykues dhe në këtë mënyrë të ndikojë në rezultatin e procedurës. Dispozita shkelet vetëm nëse kjo bëhet e pamundur. (Shih rastin e GJEDNJ-së, Can kundër Austrisë, nr. 9300/81, raporti i Komisionit i 12 korrikut 1984, Seria A nr. 96, paragrafi 53).
Gjykata thekson se i akuzuari duhet të ketë mundësi të kërkojë shtyrjen ose lënien për më vonë të seancës në rast se sheh ndonjë problem tek afati i caktuar. (Shih rastet e GJEDNJ-së, Campbell e Fell kundër Mbretërisë së Bashkuar, Aktgjykim i 28 qershorit 1984, paragrafi 98; Bäckström e Andersson kundër Suedisë, kërkesa nr. 67930/01, Vendimi i 5 shtatorit 2006; Craxi kundër Italisë (nr. 1), paragrafi 72), përveçse në rrethana të jashtëzakonshme (Goddi kundër Italisë, kërkesa nr. 8966/80, Aktgjykim i 9 prillit 1984, paragrafi 31) apo në qoftë se në të drejtën e praktikën e brendshme nuk ka asnjë bazë për një gjë të tillë (Galstyan kundër Armenisë, kërkesa nr. 26986/03, Aktgjykim i 15 nëntorit 2007, paragrafi 85).
Gjykata vëren se në esencë parashtruesi i kërkesës pretendon se afati kohor i pamjaftueshëm për të shprehur qëndrimet e tij lidhur me aktgjykimin e ankimuar ka shkaktuar një kufizim serioz të të drejtave të tij të mbrojtjes në procedurën gjyqësore të zhvilluar në shkallën e dytë.
Gjykata tutje duke iu referuar përmbajtjes së Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme vëren se mbrojtja e parashtruesit të kërkesës kishte paraqitur ankesë në shkallë të dytë dhe parashtruesi i kërkesës kishte marrë pjesë në seancën e shkallës së dytë në mbështetje të ankesës së paraqitur nga avokati i tij. Përveç kësaj, parashtruesit të kërkesës i ishte dhënë mundësia që të deklarohet lidhur me rastin e tij në momentin e shqyrtimit të ankesës së tij nga gjykata e shkallës së dytë por siç vërehet nga shkresat e lëndës parashtruesi kishte refuzuar që të deklarohet tutje lidhur me rastin e tij në procedurën gjyqësore të zhvilluar në shkallë të dytë.
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës vë theksin tek pretendimi për mungesë të kohës për të përgatitur mbrojtjen gjatë zhvillimit të seancës në shkallë të dytë.
Në kontest të këtij pretendimi, Gjykata do t’i referohet nenit 291 [Shtyrja e shqyrtimit gjyqësor] të Kodit të Procedurës Penale, i cili parasheh se “Gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues për shkaqe të rëndësishme mund ta shtyjë ditën e shqyrtimit gjyqësor me propozim të palëve, të mbrojtësit ose sipas detyrës zyrtare”.
Nën dritën e kësaj, Gjykata vëren se kjo e drejtë e palëve e parashikuar në legjislacionin e cekur më sipër do t‘i kishte mjaftuar parashtruesit të kërkesës për të ndrequr çdo lloj parregullsie apo kufizimi kohor lidhur me përgatitjen e mbrojtjes gjatë zhvillimit të procedurës gjyqësore në shkallë të dytë.
Gjykata vlerëson se në të gjitha rrethanat parashtruesit iu la “koha e duhur” për të përgatitur mbrojtjen e tij, dhe se nuk është dëshmuar para Gjykatës se ai ka kërkuar shtyrjen e seancës. As nuk është treguar/dëshmuar se parashtruesi dhe mbrojtja e tij në ndonjë moment kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për t’i sjellë këto çështje lidhur me kufizimet kohore në vëmendjen e autoriteteve kompetente, nëse ai e konsideronte këtë si çështje me peshë në përgatitjen e mbrojtjes së tij.
Rrjedhimisht, Gjykata i shpall të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës si qartazi të pabazuara dhe rrjedhimisht të papranueshme, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Branislav Gajin
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale