Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Pml. nr. 324/2021 të 25 tetorit 2021

Nr. të lëndës KI17/22 KI22/22

Parashtruesit: Hazir Krasniqi dhe Durim Krasniqi

Shkarko:

KI17/22 dhe KI 22/22, Parashtrues: Hazir Krasniqi dhe Durim Krasniqi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Pml. nr. 324/2021 të 25 tetorit 2021

KI17/22 dhe KI22/22, Aktvendim i 22 dhjetorit 2022, publikuar më 17 janar 2023

Fjalët kyç: lëndë penale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, qartazi e pabazuar

Kërkesa KI17/22 është dorëzuar e para në këtë rast, prandaj parashtruesit të saj në tekstin e mëtejmë do t’i referohemi si parashtruesi i parë i kërkesës. Kërkesa KI22/22 është dorëzuar e dyta në këtë rast, prandaj parashtruesit të saj në tekstin e mëtejmë do t’i referohemi si parashtruesi i dytë i kërkesës. Nga shkresat e lëndës rezulton se Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzën kundër parashtruesit të kërkesës për shkak të veprave penale “vrasje e rëndë”  dhe “ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë”, përkatësisht për shkak të dyshimit të bazuar se kanë marrë pjesë dhe kanë ndihmuar në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë. Më pas, Gjykata Themelore shpalli fajtor parashtruesit e kërkesës dhe personat e tjerë që morën pjesë në kryerjen e kësaj vepre penale, në atë mënyrë që i shqiptoi parashtruesit të parë të kërkesës dënimin efektiv me burgim në kohëzgjatje prej 5 (pesë) vitesh, ndërsa parashtruesit të dytë të kërkesës i shqiptoi dënimin efektiv me burgim me kohëzgjatje prej 1 (një) viti. Parashtruesit e kërkesës dhe Prokuroria Speciale parashtruan ankesa në Gjykatën e  Apelit kundër vendimit të shkallës së parë, dhe kjo e fundit i refuzoi si të pabazuara ankesat e parashtruesve të kërkesës dhe Prokurorisë Speciale përkitazi me parashtruesit e kërkesës. Sipas ankesës së të dy parashtruesve të kërkesës dhe Prokurorisë Speciale vetëm përkitazi me parashtruesin e dytë të kërkesës, kjo lëndë është shqyrtuar nga Gjykata Supreme, e cila e anuloi pjesën e Aktgjykimit të Gjykatës Themelore përkitazi me parashtruesin e kërkesës dhe e ktheu lëndën në të njëjtën gjykatë për rivendosje. Pas kësaj, gjykata e shkallës së parë në riprocedurë i shpalli sërish parashtruesit e kërkesës fajtor, por e ndryshoi vendimin e shkallës së parë në atë mënyrë që për parashtruesin e parë e rikualifikoi veprën penale nga “vrasje e rëndë” “ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë” duke e zvogëluar dënimin me burgim në 3 (tri) vjet e 6 (gjashtë) muaj, ndërsa për parashtruesin e dytë të kërkesës e rikualifikoi veprën nga “ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë” “vrasje e rëndë” duke e rritur dënimin me burgim në 17 (shtatëmbëdhjetë) vjet dhe dënimin me gjobë në shumë prej 2,000 (dy mijë) euro për “mbajtjen në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve”. Sipas ankesave të parashtruesve të kërkesës dhe Prokurorisë Speciale, kjo lëndë është shqyrtuar nga Gjykata e Apelit, e cila e aprovoi pjesërisht ankesën e Prokurorisë Speciale, në atë mënyrë që e ndryshoi vendimin e shkallës së parë, duke e rikualifikuar veprën penale për parashtruesin e parë të kërkesës nga “ndihmë në kryerjen e vrasjes së rënd딓ndihmë në kryerjen e vrasjes” duke e rritur dënimin me burgim ndaj tij në 4 (katër) vjet e 6 (gjashtë) muaj dhe aprovoi pjesërisht ankesën e parashtruesit të dytë të kërkesës duke e rikualifikuar veprën nga “vrasje e rënd딓vrasje” ndërsa lartësia e dënimit në rastin e parashtruesit të dytë mbeti e njëjtë. Sipas ankesës së parashtruesve të kërkesës dhe Prokurorisë Speciale, kjo lëndë është shqyrtuar nga Gjykata Supreme, e cila i refuzoi ankesat e parashtruesve të kërkesës dhe Prokurorisë Speciale dhe mbështeti në tërësi aktgjykimet e Gjykatës Themelore dhe të Apelit.

Gjykata, në bazë të shkresave të lëndës, vëren se esenca e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës së parë ka të bëjë me parregullësinë e procedurës, gjegjësisht shkeljen e të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e cila ndërlidhet me:

  • paanshmërinë e gjykatës;
  • çështjet e faktit dhe të ligjit; dhe
  • mënyrën e administrimit të provave.

Nga ana tjetër, esenca e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës së dytë ngre po ashtu çështje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e cila ndërlidhet me:

(i)   barazinë e armëve; dhe

(ii)  mënyrën e administrimit të provave.

Gjatë vlerësimit të shkeljeve nga të gjitha këto pretendime, Gjykata u thellua në analizën dhe vlerësimin e parimeve të përgjithshme dhe aplikimin e tyre në rastin konkret për çdo pretendim veç e veç dhe konkludoi se:

  • pretendimet e parashtruesit të kërkesës së parë për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së, përkitazi me “paanshmërinë e gjykatës” dhe “mënyrën e administrimit të provave”, i përkasin kategorisë së tretë (iii) të pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara”, andaj, si të tilla, njëjtat duhet shpallur qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese,
  • pretendimet e parashtruesit të kërkesës së parë për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së, në ndërlidhje me “çështjet e faktit dhe të ligjit” i përkasin kategorisë së parë (i) të pretendimeve të “shkallës së katërt” sepse reflektojnë pretendime të argumentuara në nivel ligjshmërie dhe jo kushtetutshmërie, andaj, si të tilla, të njëjtat duhet shpallur qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese,
  • pretendimet e parashtruesit të kërkesës së dytë për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së, përkitazi me “barazinë e armeve” dhe “mënyrën e administrimit të provave”, i përkasin kategorisë së tretë (iii) të pretendimeve të “pambështetura apo të paarsyetuara”, andaj edhe këto pretendime duhet shpallur qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese, dhe
  • pretendimet e parashtruesve të kërkesave për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet 22, 24, 29, 30, 53 dhe 54 të Kushtetutës, nenin 5 të KEDNJ-së dhe nenin 7 të DUDNJ-së, i përkasin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (b) të pretendimeve të “paarsyetuara”, andaj, si të tilla, të njëjtat shpallen qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese.

Rrjedhimisht, kërkesat e parashtruesve të kërkesave, në tërësinë e tyre, duhet deklaruar të papranueshme, në pajtueshmëri me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Hazir Krasniqi dhe Durim Krasniqi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri