Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 265/2019, të 9 tetorit 2019

Nr. të lëndës KI 112/20

Parashtruesit: Branislav Gajin

Shkarko:

KI112/20, Parashtrues: Branislav Gajin, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 265/2019, të 9 tetorit 2019.

KI112/20, Aktvendim për papranueshmëri, i 9 marsit  2022, publikuar më 26 prill 2022

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, barazia para ligjit, të drejtat e të akuzuarit, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta për mjete juridike.

Parashtruesi i kërkesës ishte shpallur fajtor për veprën penale – blerje, posedim, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve nga paragrafi 1.9 i nenit 281 në lidhje me nenin 273, paragrafi 2 dhe 3 të Kodit Penal. Bazuar në aktakuzën e ngritur në vitin 2018, parashtruesi i kërkesës ishte shpallur fillimisht i fajshëm përmes Aktgjykimit [DTKD. K. nr. 112/2018] të Gjykatës Themelore, të 4 marsit 2019, i cili vendim parashtruesit të kërkesës i ishte dorëzuar më 12 mars 2019 në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë. Më pas, Aktgjykimi i Gjykatës Themelore ishte ankimuar në Gjykatën e Apelit nga Prokuroria Themelore e Pejës. Gjykata e Apelit pas analizimit të ankesës së Prokurorisë Themelore të Pejës, argumenteve të mbrojtjes së parashtruesit të kërkesës, përmes Aktgjykimit [PAKR. nr. 206/2019] ndryshoi Aktgjykimin [P. nr. 112/18] e Gjykatës Themelore të 4 marsit 2019, duke ngritur dënimin për parashtruesin e kërkesës nga 4 (katër) në 6 (gjashtë) vjet. Aktgjykim ky i cili, pas refuzimit të kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë, ishte vërtetuar nga Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Pml. nr. 265/2019] të 9 tetorit 2019. Më pas, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit [DTKD.K.nr. 112/2018] të Gjykatës Themelore. Gjykata e Apelit duke iu përgjigjur ankesës së parashtruesit të kërkesës, lëshoi një “Shënim Zyrtar”. Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën e Supreme duke kontestuar shkresën e 17 janarit 2020 të Gjykatës së Apelit. Gjykata thekson se as nga dosja e lëndës por as nga vetë parashtruesi i kërkesës, nuk ka njohuri nëse Gjykata Supreme ka nxjerrë ndonjë përgjigje në lidhje me ankesën e 10 shkurtit 2020 të paraqitur nga ana e parashtruesit të kërkesës. Shpalljen e fajësisë nga ana e Gjykatës Themelore ndaj parashtruesit të kërkesës dhe më pas ngritjen e dënimit nga ana e Gjykatës së Apelit janë çështje të cilat parashtruesi i kërkesës i ngre para Gjykatës me pretendimin qendror se ky i fundit nuk kishte mundësi që ta ankimonte aktgjykimin dënues të Gjykatës Themelore sepse nuk i ishte dorëzuar vendimi dhe se ndryshimi i Aktgjykimit të Gjykatës Themelore përmes Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit ishte bërë në dëm të tij.

Në rastin konkret, pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës ndërlidhen me (i) mungesën e kohës për ta përgatitur mbrojtjen gjatë zhvillimit të seancës së Gjykatës së Apelit, të 16 majit 2019; mos plotësimi i kushteve ligjore për zhvillimin e kësaj seance; (ii) shkelja e parimit refomatio in peius në dëm të parashtruesit të kërkesës nga ana e Gjykatës së Apelit; dhe (iii) pamundësinë për ta goditur Aktgjykimin [DTKD. K. nr. 112/2018] e Gjykatës Themelore, të 4 marsit 2019 si rezultat i mospranimit të këtij Aktgjykimi; mostrajtimi i ankesës së parashtruesit të kërkesës, së 10 dhjetorit 2019 nga ana e Gjykatës së Apelit; mosadresimi i pretendimit të parashtruesit të kërkesës nga ana e Gjykatës Supreme për mospranim të vendimit të Gjykatës Themelore.

Në analizimin e pretendimeve te parashtruesit te kërkesës, Gjykata konstatoj se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese sepse parashtruesi i kërkesës nuk dëshmon dhe nuk mbështet në mënyrë të mjaftueshme pretendimet e tij, dhe rrjedhimisht e njëjta nuk i përmbush kriteret e pranueshmerisë të përcaktuara në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës. Në pajtueshmëri me arsyetimin e këtij aktvendimi, kërkesa e parashtruesit të kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, me përjashtim të dy pretendimeve specifike të ngritura nga parashtruesi i kërkesës në kontekst të pretendimit për shkeljen e të drejtave të të akuzuarit si rezultat i mungesës së kohës për ta përgatitur mbrojtjen si dhe pretendimi për mostrajtim të ankesës së 10 dhjetorit 2019 nga Gjykata e Apelit, të cilat pretendime refuzohen si pretendime të papranueshme në baza procedurale për shkak të mosshterimit substancial të të gjitha mjeteve juridike, dhe rrjedhimisht nuk i përmbushin kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafin 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikën (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Branislav Gajin

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 32 - E Drejta për Mjete Juridike

Nuk janë shterur mjetet juridike, Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale