Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 158/2018, të 26 shtatorit 2018

Nr. të lëndës KI176/18, KI183/18 dhe KI06/19

Shkarko:
Përmbledhje

Rastet nr. KI176/18, KI183/18 dhe KI06/19, Parashtrues: Zeqir Demaku, Jahir Demaku, Fadil Demaku, Nexhat Demaku, Isni Thaçi, Bashkim Demaj, Selman Demaj, Driton Demaj dhe Agim Demaj, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës PML. Pml.nr.158/2018 të 26 shtatorit 2018

KI176/18, KI183/18 dhe KI06/19, Aktvendim i 13 nëntorit 2019, publikuar më 9 dhjetor 2019

Fjalët kyç: kërkesë individuale, akuzë penale, përbërja e trupit gjykues, e drejta për gjykim të drejtë – e drejta për vendim të arsyetuar, vendimet kundërthënëse

Parashtruesit e kërkesës u shpallën fajtorë nga Gjykata Themelore në Mitrovicë (Aktgjykimi P58/14) për kryerjen e veprave penale të sanksionuara me nenin 152 [Krimet e Luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të Përbashkët me Konventat e Gjenevës] në lidhje me nenin 31 [Bashkëkryerja] të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Parashtruesit parashtruan ankesë kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore duke kontestuar, ndër të tjera, përbërjen e trupit gjykues të Gjykatës Themelore dhe dëshmitë e dëshmitarëve ekspertë. Gjykata e Apelit, (Aktgjykimi PAKR nr. 456/15), i refuzoi ankesat e palëve dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Parashtruesit e kërkesës parashtruan kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë – kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit – në Gjykatën Supreme të Kosovës, duke pretenduar, ndër të tjera, se trupi gjykues i Gjykatës Themelore ishte përbërë në kundërshtim me rregullat e aplikueshme për caktimin e gjyqtarëve në trupat gjykues.

Kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë u refuzua nga Gjykata Supreme, përmes Aktgjykimit Pml. KZZ. nr. 322/2016, si e pabazuar. Lidhur me këtë Aktgjykim, disa nga parashtruesit e kërkesës KI176/18, KI183/18 dhe KI06/19, paraqitën kërkesës KI 146/17, KI 147/17, KI 148/17, KI 149/17, dhe 150/17 në Gjykatën Kushtetuese. Më 30 maj 2018, Gjykata Kushtetuese përmes Aktgjykimit në rastet nr. KI146/17, KI147/17, KI148/17, KI149/17 dhe KI150/17, gjeti shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe paragrafit 1, të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ, pasi konstatoi se Aktgjykimi i Gjykatës Supreme, Pml. KZZ. 322/2016, nuk kishte dhënë një vlerësim dhe arsyetim të plotë lidhur me atë se a ka qenë caktimi i gjyqtarëve në trupin gjykues në rastin e parashtruesve të kërkesës në Gjykatën Themelore në pajtim me tërësinë e dispozitave të zbatueshme ligjore.

Në zbatim të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Gjykata Supreme, më 26 shtator 2018, nxori Aktgjykimin Pml. nr. 158/2018, me të cilin kishte rishqyrtuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruesve të kërkesës në bazë të gjetjeve të Aktgjykimit të Gjykatës në rastin KI146/17, KI147/17, KI148/18, KI149/18 dhe KI150/18. Gjykata Supreme refuzoi si të pabazuara kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtrueseve të kërkesës.

Parashtruesit e kërkesës, lidhur me Aktgjykimin e lartcekur, para Gjykatës Kushtetuese, në kërkesën KI176/18, KI183/18 dhe KI06/19, pretenduan shkelje të të drejtave individuale të tyre, të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit, nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, të ndërlidhura me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së, si dhe nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës.

Pas trajtimit të e pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, Gjykata gjeti se:

(i)           Gjykata Supreme ka adresuar pretendimet e parashtruesve të kërkesës me rastin e caktimit të trupit gjykues të Gjykatës Themelore, dhe rrjedhimisht vlerësoi se pretendimet e tilla janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese dhe si të tilla duhet të refuzohen si të papranueshme në bazë të nenit 113.7 të Kushtetutës dhe rregullit 39(2) të Rregullores së Punës;

(ii)          Pretendimet e parashtruesit të kërkesës 183/18 për shkelje të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese dhe si të tilla duhet të refuzohen si të papranueshme në bazë të nenit 113.7 të Kushtetutës dhe rregullit 39(2) të Rregullores së Punës;

(iii)        Parashtruesit e kërkesës KI176/18, nuk janë palë autorizuar për të ngritur shkelje të nenit 29 të Kushtetutës, ndaj personit S.S. siç përcaktohet me nenin 113, paragrafi 1 dhe 7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit, rregullin 39 (1) (a) të Rregullores së punës.

 

 

Parashtruesit:

Zeqir Demaku, Jahir Demaku, Fadil Demaku, Nexhat Demaku, Isni Thaçi, Bashkim Demaj, Selman Demaj, Driton Demaj dhe Agim Demaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale