KI193/23; Parashtrues Vllaznim Hamdija, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, PML. nr. 135/2023, të 10 majit 2023
KI193/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 26 qershorit 2024, publikuar më 24 korrik 2024.
Fjalët kyç: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar.
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me aktakuzën [PP. I. nr. 239/2019], e paraqitur nga Prokuroria Themelore në Gjilan ndaj parashtruesit të kërkesës, për shkak të kryerjes së veprave penale vrasje e rëndë sipas nenit 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5; mbajtja në pronësi, kontroll ose posedimi i paautorizuar të armëve sipas nenit 366, paragrafi 1; si dhe përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm sipas nenit 367, paragrafi 1 dhe 3 të Kodit Penal.
Çështja e parashtruesit të kërkesës ishte shqyrtuar përmes gjashtë (6) vendimeve gjyqësore, duke u vendosur fillimisht nga Gjykata Themelore, nëpërmjet Aktgjykimit [PKR. nr. 34/2020] ku shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës për veprat penale të vrasjes së rëndë sipas nenit 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5; mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 366, paragrafi 1, si dhe përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm sipas nenit 367, paragrafi 1 dhe 3, të Kodit Penal. Gjykata Themelore vendosi një dënim unik burgu për të gjitha këto vepra për një kohëzgjatje prej 25 vitesh burgim, duke llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim. Po ashtu, u konfiskuan armët dhe municioni në përputhje me dispozitat e paragrafit të dytë dhe të tretë të Aktgjykimit. Pas ankimimit, Gjykata e Apelit, nëpërmjet Aktgjykimit [PAKR. nr. 498/2021], miratoi pjesërisht ankesën e parashtruesit të kërkesës duke ndryshuar cilësimin juridik të veprës penale dhe dënimin. Si pasojë, parashtruesi u shpall fajtor për veprën penale të vrasjes nga nenin 172 i Kodit Penal, dhe u dënua me burg për 23 vjet, duke përfshirë kohën e paraburgimit. Ndërsa, Gjykata Supreme, përmes Aktgjykimit [Pml. 239/2022] të 18 korrikut 2022 anuloi aktgjykimet e lartcekura dhe ktheu rastin në rigjykim në shkallë të parë me arsyetimin qendrorë se përbërja e trupit gjykues në Gjykatën Themelore ishte e paligjshme sipas nenit 384, paragrafi 1.2 të Kodit të Procedurës Penale.
Në rigjykim, Gjykata Themelore ka nxjerrë Aktgjykimin [PKr. nr. 141/20222] e 22 nëntorit 2022, ku shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës për vrasje sipas nenit 172, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 366, paragrafi 1, si dhe përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm sipas nenit 367, paragrafët 1 dhe 3, të Kodit Penal. Më këtë rast, Gjykata Themelore i ka shqiptuar dënime me burgim në total prej 20 vitesh, duke përfshirë kohën e kaluar në paraburgim, si dhe ka urdhëruar konfiskimin e armëve dhe fishekëve të gjetur në pronësi të të akuzuarit. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu është obliguar të paguajë paushallin gjyqësor, shpenzimet e ekspertizës, shpërblimin për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit, si dhe shpenzimet e procedurës, në afat prej 10 ditësh nga data e plotfuqishmërisë së aktgjykimit, nën kërcënimin e përmbarimit të detyrueshëm. Ndërsa, i dëmtuari B. S., është udhëzuar në kontekstin e rregullt civilo-juridik për realizimin e kërkesës pasurore-juridike. Ky vendim ishte konfirmuar nga Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [PAKR. nr. 731/2022] të 26 janarit 2023 dhe nga Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Pml. nr. 135/2023] të 10 majit 2023, duke refuzuar kërkesën e parashtruesit me arsyetimin se Aktgjykimi [PKr. nr. 141/20222] i Gjykatës Themelore nuk është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, pasi që në të janë paraqitur arsye të mjaftueshme për të gjitha faktet vendimtare, duke përfshirë këtu edhe arsyet në lidhje me rrethanat rënduese.
Konstatimet e lartcekura, parashtruesi i kërkesës i konteston para Gjykatës duke pretenduar shkelje të nenit 31 dhe 33 të Kushtetues në ndërlidhje me nenin 6 dhe 7 të KEDNj-së. Parashtruesi i kërkesës, specifikisht pretendon shkelje të së drejtës në vendim të arsyetuar gjyqësor dhe shkelje të parimit të legalitetit dhe proporcionalitetit në rastet penale.
Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës konteston vendimmarrjen e gjykatave të rregullta duke pretenduar mungesë të vendimit të arsyetuar gjyqësor, duke theksuar, ndër të tjera dhe siç është sqaruar më lart, se Aktgjykimi i kontestuar në lidhje me aktgjykimet e Gjykatës së Apelit dhe Themelore kanë dështuar që të ofrojnë arsyetim të mjaftueshëm lidhur me vlerësimin e fakteve relevante të rastit që kanë çuar në vendimmarrjen konkrete nga gjykatat e rregullta, duke përfshirë vlerësimin dhe aplikimin e rrethanave lehtësuese dhe rënduese në disfavor të parashtruesit të kërkesës duke rezultuar në një dënim të rëndë për parashtruesin, pa një analizë dhe arsyetim të mjaftueshëm të rrethanave juridike dhe faktike gjatë vendimmarrjes në rastin konkret.
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës përkitazi me këtë pretendim thekson se Aktgjykimi i Apelit dhe ai i Gjykatës Supreme nuk përmbajnë arsye bindëse se përse pretendimet e tij, të ngritura në ankesë dhe kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, ishin të paqëndrueshme dhe të pabazuara në lidhje me vendimin për dënimin. Në këtë kuptim parashtruesi i kërkesës thekson se gjykatat respektive thjeshtë kanë pranuar gjetjet e gjykatës së shkallës së parë në lidhje me shqiptimin e sanksionit penal (dënimit) pa ofruar arsyetim të mjaftueshëm gjyqësor lidhur me vendimmarrjen e tyre.
Bazuar në arsyetimet gjykatave të rregullta, Gjykata vëren se të njëjtat, fillimisht pasi kishin shqyrtuar të gjitha faktet dhe rrethanat në lidhje me rastin konkret, dhe kishin vlerësuar rrethanat lehtësuese dhe rënduese në rastin konkret, duke marrë parasysh si faktor kryesor (i) pranimin e fajësisë, statusin civil, kontekstin personal dhe moral të parashtruesit të kërkesës, të vlerësuar si rrethana lehtësuese; si dhe (ii) mënyrën, rrethanat konkrete, sjelljen, intensitetin, pasojat, dashjen e kryerjes së veprës penale, si dhe faktin që parashtruesi ishte në funksion zyrtar dhe vepra u krye me armë zyrtare, të cilat u konsideruan si rrethana rënduese.
Duke vepruar kështu, Gjykata thekson se Gjykata Supreme e ka përmbushur detyrimin e saj kushtetues për të ofruar një vendim të arsyetuar gjyqësor, sipas kërkesave të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së dhe praktikës gjyqësore të Gjykatës dhe asaj të GjEDNj-së.
Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se ky pretendim i parashtruesit të kërkesës bie në kategorinë e dytë (ii) pretendime me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”, andaj Gjykata, si të tilla, në baza kushtetuese i deklaron qartazi të pabazuara dhe rrjedhimisht të papranueshme, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Në lidhje me pretendimin e dytë, parashtruesi i kërkesës pretendon se “ashpërsia e dënimit të shqiptuar është në disproporcion me veprën penale” për të cilën ai është shpallur fajtor dhe dënuar. Në lidhje me këtë, Gjykata nënvizon se neni 7 i KEDNj-së, në rast të mungesës së një ‘fajësimi formal’, përjashton caktimin e një sanksioni penal për një individ për sa kohë nuk është konstatuar dhe deklaruar paraprakisht përgjegjësia penale personale. Përndryshe do të shkelej parimi i prezumimit të pafajësisë i garantuar edhe nga vet neni 6, paragrafi 2 i KEDNj-së. (Shih rastin e GjEDNj-së, G.I.E.M. S.r.l. dhe të Tjerë kundër Italisë kërkesa nr. 1828/06, 34163/07 dhe 19029/11, Aktgjykim i 28 qershorit 2018.
Gjykata vëren se Gjykata Themelore me zbatimin e dispozitave për dënimin unik, parashtruesit i ka shqiptuar dënim me burgim në total prej 20 (njëzet) vitesh, duke përfshirë kohën e kaluar në paraburgim, si dhe ka urdhëruar konfiskimin e armëve dhe fishekëve të gjetur në pronësi të të akuzuarit. Gjykata vëren se neni 172 i Kodit Penal përcakton një lartësinë minimale të dënimit për veprën e vrasjes, duke përcaktuar se personi që e privon një person tjetër nga jeta dënohet “me jo më pak se pesë (5) vjet burgim”, nuk specifikon një limit maksimal të dënimit. Pra, neni 172 përcakton pesëvjeçarin si minimum për dënimin e vrasjes. Kjo do të thotë që, nëse dikush dënohet për vrasje, dënimi minimal që mund të marrë është pesë vjet burg. Megjithatë, kjo dispozitë nuk parandalon një dënim më të rëndë nëse rrethanat e rastit e kërkojnë.
Gjykata përmes një vëzhgimi të përgjithshëm thekson se në rastin e parashtruesit të kërkesës ishte konstatuar përgjegjësia penale ndaj tij dhe rrjedhimisht ishte shpallur fajtor. Për pasojë, sanksionet penale janë shqiptuar ndaj tij në përputhje me legjislacionin zbatues nga ana e gjykatave të rregullta. Në këtë aspekt, Gjykata vlerëson se ashpërsia e dënimit në rastin e parashtruesit të kërkesës nuk duket të jetë në disproporcion me veprat penale të ngarkuara.
Andaj, nga shtjellimet e mësipërme, Gjykata konstaton se pretendimi i parashtruesit të kërkesës se ashpërsia e dënimit është në disproporcion me veprën penale, i takojnë kategorisë së dytë (ii) që karakterizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” dhe si të tilla, të njëjtat në baza kushtetuese, Gjykata i deklaron qartazi të pabazuara, dhe rrjedhimisht të papranueshme, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Vllaznim Hamdija
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale