Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, GSK-KPA-A-222/2015, të 20 shtatorit 2018

Nr. të lëndës KI 83/19

Parashtruesit: Nikolaj Skljarenko

Shkarko:

KI83/19 Parashtrues: Nikolaj Škljarenko, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës GSK-KPA-A-222/2015 të 20 shtatorit 2018 

KI83/19, aktvendim për papranueshmëri i 11 marsit 2020, publikuar më 6 prill 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret ngërthejnë një kontest pronësorë, lidhur me një pronë e cila u shit nga parashtruesi i kërkesës në vitin 1999. Parashtruesi i kërkesës pretendon se, për shkak të rrethanave politike të krijuara në Kosovë në vitet 1998-1999, ai pronën e kishte shitur nën kërcënim dhe nën vlerën e tregut të pronës përkatëse.

Në vitin 2006, i njejti i kishte filluar procedurat gjyqësore, duke kërkuar që Kontrata e vitit 1999 të shpallet e pavlefshme, duke u ankuar fillimisht në Komisionin për Kërkesa Pronësore të Kosovës dhe më pas në Gjykatën Supreme. Të dyja kishin vendosur kundër parashtruesit të kërkesës, duke theksuar se parashtruesi i kërkesës (i) nuk ka arritur të dëshmoj se mban pronësinë mbi pronën e kontestuar; (ii) që rrethanat e tjetërsimit të pronës së tij nuk ndërlidhen me rrethanat e krijuara në Kosovë në vitet 1998-1999 dhe rrjedhimisht, nuk hyjnë në kuadër të periudhës së përcaktuar në kompetencë të Komisionit për Kërkesa Pronësore të Kosovës bazuar në ligjin e aplikueshëm; dhe për më tepër (iii) se dëshmitë e rastit nuk mbështesin mundësinë që Kontrata të jetë lidhur nën kërcënim. Parashtruesi i kërkesës i konteston këto konstatime para Gjykatës, duke pretenduar, në esencë, shkelje të nenit 31 [E drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të mos arsyetimit të Vendimit të Komisionit për Kërkesa Pronësore të Kosovës dhe atij të Gjykatës Supreme si dhe shkelje të nenit 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1. të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, lidhur me të drejtat e tij pronësore.

Gjykata i trajtoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës, duke aplikuar praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mbi bazën e të cilës Gjykata, bazuar në nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës përkitazi me shkeljet e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut sa i përket mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor, Gjykata i shpalli të papranueshme si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, sepse Gjykata Supreme (i) kishte sqaruar detajisht në mbështetje të Vendimit të Komisionit për Kërkesa Pronësore të Kosovës, se rrethanat e parashtruesit të kërkesës nuk hyjnë në kompetencën e tij sepse nuk ndërlidhen me periudhën kohore të përcaktuar përmes ligjit të aplikueshëm, përkatësisht 27 shkurt 1998 deri më 20 qershor 1999; dhe (ii) kishte trajtuar dhe arsyetuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës që ndërlidhen me mundësinë e lidhjes së Kontratës përkatëse nën kërcënim, duke i refuzuar të njëjtat bazuar në dëshmitë përkatëse. Gjykata veproi njejtë edhe përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut sa i përket mosshqyrtimit të dëshmive të tij.

Përfundimisht, dhe në kontekst të pretendimeve për shkelje të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe neneve 8 (E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) e 14 (Ndalimi i diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata theksoi se pretendimet apo ankesat e paarsyetuara dhe të pambështetura me argumente e prova, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, shpallen të papranueshme si qartazi të pabazuara.

Rrjedhimisht, Gjykata e shpalli kërkesën të prapranueshme si qartazi të pabazuar në baza kushtetuese në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Nikolaj Skljarenko

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Tjetër