KI69/17, Parashtrues, Xhavit Arifi: Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, E. Rev. 340 /2016, të 15 shkurtit 2017
KI69/17, Aktvendim për papranueshmëri i 30 janarit 2019, publikuar më 27.02.2019
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, procedurë civile, kërkesë qartazi e pabazuar,
Parashtruesi i kërkesës kishte dorëzuar një kërkesë në Gjykatë, përmes së cilës kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme. Ai kishte pretenduar shkelje të nenit 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Parashtruesi, ndër të tjera, pretendonte se Gjykata Supreme i ka shkelur të drejtën e punës ngase aktgjykimi për revizion i ka ndryshuar vendimet gjyqësore të gjykatave të shkallëve më të ulëta të cilat kanë qenë në favor të tij, sepse “kanë konstatuar gjendjen faktike ndryshe nga gjendja reale”. Parashtruesi gjithashtu ka theksuar se atij i është ndërprerë kontrata e punës edhe pse në procedurë penale ishte liruar për veprën që ka lidhje me bazën juridike për të cilin iu shkëput marrëdhënia e punës.
Gjykata gjeti se Gjykata Supreme i është përgjigjur qartë, duke theksuar: “Fakti se paditësi është liruar nga përgjegjësia nuk paraqet bazë ligjore për miratimin e kërkesëpadisë së paditësit pasi që procedura disiplinore dhe ajo penale janë dy procedura që zhvillohen në mënyrë të pavarur. Prandaj, janë të bazuara parashtrimet në revizion që kanë të bëjnë me zbatimin e gabuar të së drejtës materiale për çka kjo gjykatë vendosi si në dispozitiv të aktgjykimit”.
Gjykata vëren se aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme në asnjë mënyrë nuk e ndalon parashtruesin e kërkesës të punojë ose të ushtrojë profesionin dhe se një masë e tillë ndaluese nuk i ishte shqiptuar me asnjërin nga vendimet e gjykatave të rregullta. Si rrjedhojë, nuk ekziston asgjë në pretendimin e parashtruesit që do të arsyetonte përfundimin se është shkelur e drejta e tij kushtetuese në punë dhe ushtrim të profesionit. (Shih rastin e Gjykatës Kushtetuese, KI136/14).
Si përfundim, Gjykata konkludon se kërkesa në baza kushtetuese nuk është e arsyetuar dhe se parashtruesi në asnjë mënyrë nuk e ka dëshmuar e as mbështetur me prova pretendimin për shkelje të një të drejte kushtetuese, andaj, në përputhje me rregullin 39 (2), kërkesa duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar.
Xhavit Arifi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile