KI16/19, Parashtruesi i kërkesës: “Bejta Commerce”, Vlerësim i kushtetutshmërisë se Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, [E.Rev.nr.20/18], të 31 korrikut 2018
KI16/19, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 6 nëntor 2019, i publikuar më 3 dhjetor 2019
Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë civile, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme
Parashtruesi i kërkesës pretendonte se me kërkesë të Komunës së Gjilanit, specifikisht në bazë të një kontrate të pashkruar (gojore), në dakordësi me Kryetarin e Komunës së Gjilanit, prej 28 dhjetorit 2011, kishte kryer punë ndërtimore, përkatësisht shtruarjen e rrugëve, ndërsa Komuna e Gjilanit nuk kishte kryer detyrimin financiar për punën e kryer.
Prandaj, parashtruesi i kërkesës pretendonte se me Aktgjykimin [E.REV.nr.20/2018] e 31 korrikut 2018, të Gjykatës Supreme, i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit], nenin 7 [Vlerat], nenin 21 [Parimet e Përgjithshme], nenin 24 [Barazia para ligjit], nenin 31 [E drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], si dhe me nenin 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, për faktin se nuk arrit të marrë kompensimin financiar për punën e kryer.
Gjykata vërejti se Gjykata Supreme në fillim, kishte refuzuar revizionin e parashtruesit të kërkesës kundër vendimeve të gjykatave më të ulëta për arsye procedurale, pasi që parashtruesi i kërkesës nuk kishte arritur të provojë faktin se ka pasur një kontratë me shkrim me Kryetarin e Komunës së Gjilanit.
Gjykata në fund konsideroi se parashtruesi i kërkesës nuk e mbështeti kërkesën e tij për shkeljen e ndonjë të drejte të mbrojtur me Kushtetutë. Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit mbetet qartazi e pabazuar dhe rrjedhimisht e papranueshme.
“Bejta Commerce”
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile