Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ. UZVP. nr. 55/2017, të 30 tetorit 2017

Nr. të lëndës KI 140/17

Parashtruesit: Merita Dervishi

Shkarko:

KI140/17, Parashtruesja e kërkesës: Merita Dervishi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ. UZVP. nr. 55/2017, të 30 tetorit 2017

KI140/17, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 29 maj 2019, i publikuar më 21.06.2019

Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë administrative, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme, neni 24 [Barazia para Ligjit], neni 31 [E drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së, neni 32 [E drejta për Mjete Juridike], neni 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], dhe neni 49 [E drejta në Punë dhe Ushtrim të Profesionit] i Kushtetutës

Parashtruesja e kërkesës në esencë pretendoi se në shkelje të nenit 32 dhe 54 të Kushtetutës asaj i është pamundësuar ushtrimi i mjetit juridik kundër Vendimit të Komisionit për Zgjidhjen e Kontesteve dhe  Ankesave të Komunës se Skenderajt sepse i njëjti nuk i ishte dorëzuar asnjëherë asaj.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtrueses së kërkesës, Gjykata theksoi se, në fakt, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës dhe gjykatat e rregullta, përmes tri Aktgjykimeve, kishin konstatuar se ajo e kishte pranuar vendimin e Komisionit të Ankesave, dhe se kundër të njëjtit, ajo nuk kishte parashtruar ankesë brenda afateve të përcaktuara me ligjin e aplikueshëm. Për më tepër, të njëjtit kishin konstatuar, se veprimet procedurale të parashtruesës së kërkesës kundër këtij Vendimi të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ishin marrë edhe pas afatit të përcaktuar përkitazi me heshtjen administrative, e që do të ishte rasti, edhe po të qëndronin pretendimet e parashtrueses së kërkesës se ajo asnjëherë nuk ishte informuar për Vendimin përkatës të Komisionit. Në këtë kontekst, Gjykata konstatoi se parashtruesja e kërkesës në fakt ka pasur mjet juridik efektiv në dispozicionin e saj dhe se lëshimi i afateve për dorëzimin e ankesave në asnjë mënyrë nuk mund të rezultojë në pretendime të argumentueshme për shkeljen e të drejtave të garantuara me nenet 32 dhe 54 të Kushtetutës, respektivisht.

Gjykata theksoi se është detyrë e parashtruesve të kërkesës apo përfaqësuesve të tyre që të veprojnë me ‘kujdes të nevojshëm‘ për t’u siguruar se kërkesat e tyre për mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore janë dorëzuar brenda afatit ligjor. Gjykata rrjedhimisht konstatoi se parashtruesja e kërkesës në asnjë mënyre nuk ka dëshmuar se akti i kontestuar, përkatësisht Aktgjykimi [ARJ. UZVP. nr. 55/2017] i 30 tetorit 2017 i Gjykatës Supreme, ka cenuar të drejtat dhe liritë e saj themelore të garantuara me Kushtetutë. Rrjedhimisht, kërkesa u shpall  e papranueshme dhe qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113.7 të Kushtetutës dhe specifikohet më tej me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, pasi që parashtruesja e kërkesës nuk kishte mbështetur në mënyrë të mjaftueshme pretendimet e saj se procedurat pranë gjykatave të rregullta në ndonjë mënyrë ishin të padrejta apo arbitrare dhe se përmës Aktgjykimit të kontestuar janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë dhe me KEDNJ.

Parashtruesit:

Merita Dervishi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative