Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ-UZVP. nr. 15/2021, të 28 janarit 2021

Nr. të lëndës KI195/21

Parashtruesit: Besnik Berisha

Shkarko:

KI195/21, Parashtrues: Besnik Berisha, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ-UZVP. nr. 15/2021, të 28 janarit 2021

KI195/21, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 majit 2023, publikuar më 20 qershor

Fjalët kyç: e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta e qasjes në dokumente publike, kërkesë e papranueshme, kërkesë e parakohshme

Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës kishte aplikuar në konkursin e shpallur nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për rekrutim të gjyqtarëve të rinj, konkurs në të cilin ai nuk ishte përzgjedhur. Më pas, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur ankesë pranë Agjencisë për Informim dhe Privatësi kundër heshtjes së Këshillit Gjyqësor të Kosovës sa i përket kërkesës së tij për qasje në dosjen e rekrutimit, duke kërkuar nga Agjencia për Informim dhe Privatësi qasje të plotë në dosjen e tij personale. Agjencia për Informim dhe Privatësi kishte aprovuar në tërësi ankesën e parashtruesit të kërkesës, duke e obliguar Këshillin Gjyqësor të Kosovës, që t’i lejojë qasje të plotë në dosjen e tij personale në procesin e rekrutimit. Kundër vendimit të lartcekur, Këshilli Gjyqësor i Kosovës kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore, duke kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi deri në vendosjen e çështjes në mënyrë meritore, kërkesë e cila u aprovua si e bazuar nga Gjykata Themelore. Pas këtij vendimi, parashtruesi i kërkesës në cilësinë e palës së interesuar kishte dorëzuar ankesë në Gjykatën e Apelit, duke pretenduar shkelje të së drejtës procedurale. Ankesa e parashtruesit të kërkesës u aprovua si e bazuar nga Gjykata e Apelit, ku kjo e fundit e anuloi Aktvendimin e Gjykatës Themelore duke i kthyer lëndën për rigjykim dhe rivendosje. Gjykata Themelore, duke vepruar në rigjykim, e aprovoi si të bazuar kërkesën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për shtyrje të ekzekutimit të Vendimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, duke shtyrë ekzekutimin e vendimit të lartpërmendur deri në marrjen e vendimit përfundimtar gjyqësor. Pas dorëzimit të ankesës nga ana e parashtruesit të kërkesës, Gjykata e Apelit e refuzoi ankesën e tij si të pabazuar dhe vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore, duke theksuar se ishin plotësuar kushtet për shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ dhe se Gjykata Themelore në mënyrë të drejtë kishte vërtetuar gjendjen faktike si dhe drejtë kishte zbatuar dispozitat procedurale dhe materiale. Kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor në Gjykatën Supreme, duke pretenduar shkelje të së drejtës materiale dhe të dispozitave procedurale. Lidhur me këtë, Gjykata Supreme refuzoi si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të paraqitur nga parashtruesi i kërkesës, duke konstatuar se Gjykata e Apelit drejtë ka zbatuar të drejtën materiale dhe procedurale

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës Kushtetuese pretendoi se përmes vendimit të kontestuar i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 40 [Liria e Shprehjes], nenin 41 [E drejta e Qasjes në Dokumente Publike], si dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në ndërlidhje me nenin 6 [E Drejta për një Proces të Rregullt] dhe nenin 10 [Liria e Shprehjes] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata në kuptim të vlerësimit të kriterit të pranueshmërisë përkitazi me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, duke marrë parasysh që procedurat e zhvilluara para gjykatave të rregullta hyjnë në fushëveprimin e “procedurave paraprake”, duke u mbështetur në praktikën e Gjykatës Kushtetuese si dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, së pari vlerësoi çështjen e  aplikueshmërisë së nenit 6 të KEDNJ-së në procedura paraprake, duke vlerësuar se në rastin konkret  kriteret për aplikueshmërinë e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në procedurat përkatëse paraprake është i përmbushur. Më pas, përkitazi me pretendimin e parashtruesit për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, Gjykata vlerësoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës janë pretendime të pambështetura apo të paarsyetuara. Kjo sepse, parashtruesi i kërkesës vetëm ka përmendur shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës, duke mos ofruar asnjë arsyetim dhe duke mos mbështetur pretendimet e tij rreth mënyrës se si Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, përfshirë edhe vendimet e gjykatave të shkallës më të ulët, mund të kenë rezultuar në shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me Kushtetutë, respektivisht me nenin 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm] të Kushtetutës.

Përkitazi me pretendimin e parashtruesit për shkelje të nenit 41 [E drejta e Qasjes në Dokumente Publike] të Kushtetutës, e që në rastin konkret kishte të bënte me procedurë paraprake, gjithashtu përbënte edhe objekt shqyrtimi të vet kërkesëpadisë kryesore të ngritur nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës pranë gjykatave të rregullta, Gjykata konstatoi se meqë procedurat janë në zhvillim e sipër pranë gjykatave të rregullta, atëherë kërkesa e parashtruesit në këtë pikë është e parakohshme.

Gjykata konstatoi se parashtruesi në kërkesën e tij nuk ka arritur të dëshmojë dhe të mbështesë pretendimin e tij se gjykatat e rregullta përmes miratimit të kërkesëpadisë së Këshillit Gjyqësor të Kosovës për shtyrjen e Vendimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, kanë shkelur të drejtën e tij të garantuar me nenin 31, 40, 41 dhe 54 të Kushtetutës, dhe rrjedhimisht, kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Besnik Berisha

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative