Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ-UZVP. nr. 15/2021, të 28 janarit 2021

Nr. të lëndës KI195/21

Parashtruesit: Besnik Berisha

Shkarko:

llogo_gjkk_png_2

Prishtinë, më​​ 16 qershor​​ 2023

Nr. Ref.:RK 2212/23

 

 

 

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI

 

 

rastin nr.​​ KI195/21

 

Parashtrues

 

Besnik Berisha

 

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë së​​ 

Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës,​​ ARJ-UZVP. nr.​​ 15/2021, të​​ 28​​ janarit 2021

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

e përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban,​​ gjyqtar​​ 

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar

Enver Peci, gjyqtar

 

 

Parashtruesi i kërkesës

 

  • Kërkesa është dorëzuar nga​​ Besnik Berisha, me vendbanim në Prishtinë​​ (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).

Vendimi i kontestuar

 

  • Parashtruesi i kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e​​ Aktgjykimit​​ [ARJ-UZVP.nr.​​ 15/2021]​​ të​​ 28 janarit 2021​​ të Gjykatës Supreme të Kosovës​​ (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme).

 

Objekti i çështjes

 

  • Objekt i​​ çështjes​​ së kësaj kërkese​​ është vlerësimi i kushtetutshmërisë së​​ aktgjykimit të kontestuar, me të cilin pretendohet se parashtruesit të kërkesës i është shkelur e drejta e tij e mbrojtur​​ me​​ nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm],​​ nenin 40 [Liria e Shprehjes],​​ nenin 41 [E drejta e Qasjes në Dokumente Publike],​​ si dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]​​ të ​​ Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta)​​ në ndërlidhje me nenin 6​​ [E Drejta për një Proces të Rregullt]​​ ​​ dhe nenin 10 [Liria e Shprehjes]​​ të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).​​ ​​ 

 

Baza juridike

 

  • Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës,​​ në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).​​ 

 

Procedura në Gjykatën Kushtetuese

 

  • Më​​ 27 tetor​​ 2021, parashtruesi i kërkesës, nëpërmjet postës​​ elektronike, e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).

 

  • ​​ 8​​ nëntor​​ 2021, Kryetarja e​​ Gjykatës caktoi gjyqtaren​​ Selvete Gërxhaliu-Krasniqi​​ gjyqtare​​ raportuese​​ dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët:​​ Gresa Caka-Nimani (kryesuese),​​ Bajram Ljatifi​​ dhe​​ Safet Hoxha​​ (anëtarë).

 

  • ​​ 4​​ nëntor​​ 2021, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën ditë, Gjykata njoftoi edhe​​ Gjykatën Supreme dhe​​ Agjencinë për Informim dhe Privatësi​​ për regjistrimin e kërkesës​​ si​​ dhe​​ ua​​ dërgoi një kopje të saj.

 

  • Më 15 mars 2022, Gjykata njoftoi Gjykatën Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë:​​ Gjykata Themelore) për regjistrimin e kërkesës si dhe i kërkoi informata lidhur me hapat e ndërmarrë në trajtimin e kësaj çështjeje. ​​ 

 

  • Më 30 mars 2022, Gjykata Themelore dorëzoi dosjen e plotë në Gjykatë.​​ 

 

  • Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.

 

  • Më 23 mars​​ 2023, Gjykata​​ ktheu dosjen e lëndës në Gjykatën Themelore

 

  • ​​ 22 maj​​ 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares​​ raportuese​​ dhe​​ me shumicë​​ i rekomandoi Gjykatës​​ papranueshmërinë​​ e kërkesës.

Përmbledhja e fakteve

 

  • Nga shkresat e rastit rezulton se parashtruesi i kërkesës​​ kishte aplikuar në konkursin e 31 dhjetorit​​ 2018​​ të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KGJK) për rekrutim të gjyqtarëve​​ të rinj.​​ Pas përfundimit të procesit të rekrutimit, parashtruesi i kërkesës nuk​​ ishte përfshirë në listën e kandidatëve të përzgjedhur.​​ ​​ 

 

  • Më 14 shkurt 2020, parashtruesi i kërkesës​​ iu drejtua KGJK-së​​ me kërkesë për qasje në dosje të tij në procesin e rekrutimit.

 

  • Në afatin e përcaktuar me​​ paragrafin ​​​​ 1 të nenit 12​​ ​​ Ligjit​​ nr.​​ 06/L-081 për Qasje në Dokumentet Publike,​​ KGJK nuk u përgjigj në kërkesën e parashtruesit të kërkesës.

 

  • ​​ 5 mars 2020, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur ankesë pranë Agjencisë për Informim dhe Privatësi kundër KGJK-së, për sa i përket heshtjes së kësaj të fundit në raport me kërkesën e parashtruesit të kërkesës për qasje në dosjen e tij në procesin e rekrutimit. Përmes ankesës​​ së tij, parashtruesi i kërkesës kishte kërkuar​​ i)​​ qasje​​ të plotë në dosjen​​ personale të tij në procesin e rekrutimit,​​ e cila përfshinë​​ pesë (5) formularët e vlerësimit të detyrës me shkrim të anëtarëve të komisionit rekrutues dhe​​ ii)​​ videoincizimin e testimit me shkrim.​​ 

 

  • Më 3 shtator 2020, Agjencia për Informim dhe Privatësi,​​ duke u mbështetur në nenin 20 të Ligjit​​ nr.06/L-081 për Qasje në Dokumentet Publike, nxori​​ Vendimin​​ [Nr.​​ A-32/2020]​​ përmes së cilit e aprovoi​​ në tërësi ankesën e parashtruesit të kërkesës,​​ duke e obliguar​​ KGJK-në që brenda shtatë (7) ditëve nga data e pranimit të vendimit,​​ parashtruesit të kërkesës t’i lejojë qasje të plotë në dokumente publike, përkatësisht në dosjen e tij personale në procesin e rekrutimit.​​ 

 

  • Në arsyetimin e Vendimit​​ [Nr.​​ A-32/2020]​​ ​​ Agjencisë​​ për Informim dhe Privatësi​​ ishte theksuar​​ se​​ përgjigjja​​ në ankesë dhe shkresat e dërguara nga​​ KGJK​​ nuk përkonin me pretendimet ankimore të​​ parashtruesit​​ të kërkesës​​ lidhur me formularët e vlerësimit.​​ Përveç kësaj mospërputhjeje, në arsyetim të Vendimit të saj, Agjencia për Informim dhe Privatësi iu referua​​ edhe​​ Njoftimit të rezultatit të Komisionit për rekrutim që ishte bashkëngjitur nga KGJK-ja,​​ i cili fliste për konkursin e 31 janarit 2018,​​ ndërkaq parashtruesi i kërkesës në ankesën e tij i ishte referuar konkursit të 31 dhjetorit 2018.​​ Më tutje,​​ ​​ vendimin e lartpërmendur theksohej​​ se shkresa e KGJK-së përmes së cilës parashtruesit të kërkesës i ishte refuzuar kërkesa për qasje në dokumente zyrtare nuk përmbante datën​​ e protokollit​​ si dhe i referohej nenit 12,​​ paragrafi 1.6 të Ligjit​​ nr.​​ 03/L-215 për Qasje në Dokumente Publike, ligj​​ i cili ishte​​ shfuqizuar​​ dhe nuk përkonte me trajtimin e ankesës së parashtruar në vitin 2020.

 

  • Më 14 shtator 2020, KGJK kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore,​​ duke​​ propozuar​​ anulimin e Vendimit [Nr.​​ A-32/2020] të Agjencisë për Informim dhe Privatësi të 3 shtatorit 2020 dhe​​ njëkohësisht kërkoi edhe​​ shtyrjen e ekzekutimit të​​ vendimit të lartpërmendur​​ deri në vendosjen e çështjes në mënyrë meritore.​​ 

 

  • ​​ 17​​ shtator​​ 2020, Gjykata Themelore përmes​​ Aktvendimit​​ [A. nr.​​ 1522/2020] e​​ aprovoi si të​​ bazuar​​ kërkesën e KGJK-së​​ vetëm sa i përket​​ shtyrjes​​ së ekzekutimit të Vendimit​​ [Nr.​​ A-32/2020] të Agjencisë për Informim dhe Privatësi të 3 shtatorit 2020, duke​​ vendosur për shtyrje të ekzekutimit të​​ vendimit të lartpërmendur deri në marrjen e vendimit përfundimtar gjyqësor.​​ 

 

  • Në vlerësimin e kërkesës për shtyrje të​​ ekzekutimit të​​ Vendimit [Nr.​​ A-32/2020] të Agjencisë për Informim dhe Privatësi të 3 shtatorit 2020,​​ Gjykata Themelore,​​ duke iu referuar nenit 22,​​ paragrafi​​ 2​​ lidhur me paragrafin​​ 6 të Ligjit​​ nr. 03/L-202 për Konfliktet Administrative,​​ konstatoi se paditësi kishte ofruar prova të besueshme​​ që vërtetonin se​​ ekzekutimi i vendimit do t’i sillte dëm vështirë të riparueshëm paditësit dhe se shtyrja e ekzekutimit të vendimit deri në vendosjen e çështjes në mënyrë meritore​​ nuk është në kundërshtim me interesin publik dhe​​ as​​ nuk i sjellë ndonjë dëm të madh palës kundërshtare, përkatësisht personit të interesuar.​​ 

 

  • ​​ 23 shtator 2020, parashtruesi i kërkesës​​ parashtroi ankesë në Gjykatën​​ e Apelit​​ kundër​​ Aktvendimit​​ [A. nr. 1522/2020]​​ të Gjykatës Themelore​​ të 17 shtatorit 2020, duke pretenduar shkelje të dispozitave​​ procedurale.​​ Përmes ankesës, parashtruesi i kërkesës​​ theksoi​​ se​​ i)​​ me rastin e nxjerrjes së Aktvendimit [A. nr. 1522/2020] të​​ 17 shtatorit 2020,​​ Gjykata Themelore kishte shkelur dispozitat e Ligjit për Konfliktet Administrative.​​ Parashtruesi i kërkesës specifikoi se shtyrja e ekzekutimit të​​ Vendimit [Nr.​​ A-32/2020] të Agjencisë për Informim dhe Privatësi i shkaktonte dëm të pariparueshëm në​​ avancim profesional dhe se​​ ii)​​ Gjykata Themelore kishte dështuar që të arsyetonte se pse shtyrja e ekzekutimit të​​ vendimit​​ nuk ishte në kundërshtim me interesin publik.​​ Për sa i përket përmbushjes së kushtit për dëm të pariparueshëm që mund t’i shkaktohej paditësit, parashtruesi i kërkesës shtoi se​​ nuk kishte dëm që paditësja mund ta pësonte meqenëse ishte kërkuar qasje në dokumente që kishin të bëjnë vetëm me të, pa cenuar privatësinë e të tjerëve.​​ 

 

  • Më​​ 8 tetor 2020, Gjykata Apelit përmes​​ Aktvendimit​​ [AA. nr.​​ 553/2020]​​ miratoi si të bazuar​​ ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe​​ anuloi​​ Aktvendimin​​ [A. nr. 1522/2020]​​ e Gjykatës Themelore​​ të 17 shtatorit 2020​​ duke i kthyer kësaj të fundit lëndën për rigjykim dhe rivendosje.​​ Gjykata e Apelit në arsyetim të vendimit të saj shtoi se​​ aktvendimi​​ i lartpërmendur i Gjykatës Themelore​​ ishte​​ i përfshirë me shkelje​​ thelbësore të dispozitave​​ procedurale,​​ duke rezultuar në një vendim të paqartë,​​ kundërthënës dhe jo të plotë​​ në vërtetimin e gjendjes faktike.​​ ​​ Më tutje,​​ në​​ arsyetimin e Aktvendimit​​ [A. nr. 1522/2020]​​ të Gjykatës Themelore, vlerësohet​​ se i njëjti është i mangët lidhur me faktet vendimtare, siç është mundësia e shkaktimit të dëmit të pariparueshëm dhe arsyetimin​​ që shtyrja nuk është në kundërshtim me interesin publik dhe se palës kundërshtare, përkatësisht palës së interesuar nuk i shkaktohet dëm i madh. Kësisoj, në arsyetimin e Aktvendimit të Gjykatës së Apelit u theksua se Gjykata Themelore nuk ka mundur ta vërtetojë gjendjen faktike në mënyrë të plotë dhe se me rastin e vendosjes,​​ gjykata e shkallës së parë, bazuar në nenin 22,​​ paragrafi 1 i Ligjit për Konfliktet Administrative,​​ duhet të kërkojë nga paditësi ofrimin e provave apo fakteve të bindshme për shtyrje të ekzekutimit të vendimit kontestues.​​ 

 

  • Më​​ 26 tetor 2020,​​ Gjykata Themelore​​ duke vepruar në rigjykim​​ përmes Aktvendimit [A.​​ nr.​​ 1522/2020] aprovoi si të bazuar kërkesën e KGJK-së​​ për shtyrje të ekzekutimit të Vendimit [Nr.​​ A-32/2020] të Agjencisë për Informim dhe Privatësi të 3 shtatorit 2020, duke shtyrë ekzekutimin e​​ vendimit të lartpërmendur deri në marrjen e vendimit përfundimtar gjyqësor.​​ Në arsyetimin e Aktvendimit të Gjykatës Themelore u theksua si në vijim:

 

“Bazuar në dispozitat e lartcekura dhe duke shqyrtuar kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit kontestues,​​ si dhe provat plotësuese​​ të cilat i ka bashkëngjitur paditësi pas aktvendimit të gjykatës sipas rekomandimeve të Gjykatës së Apelit të Kosovës, me Aktvendimin AA.nr.​​ 553/2020 të datës 08.10.2020, gjykata vlerësoi se​​ paditësi ka ofruar prova të besueshme të cilat vërtetojnë faktin se ekzekutimi i vendimit do t’i sillte dëm paditësit i cili dëm vështirë do të riparohej. Gjithashtu,​​ gjykata gjeti se shtyrja e ekzekutimit të vendimit deri në vendosjen e çështjes në mënyrë meritore,​​ nuk është në kundërshtim me interesin publik e as që​​ shtyrja do t'i sillte ndonjë dëm të madh palës kundërshtare, përkatësisht personit të interesuar.​​ 

Meqenëse funksionimi i rregullt i institucioneve shtetërore përbën interes të përgjithshëm. Rrjedhimisht, gjykata vlerëson se shtyrja e ekzekutimit të vendimit të atakuar deri në vendosjen lidhur me padinë e paditësit është në​​ interes publik e që shtyrja nuk do t’i sillte dëm të madh palës kundërshtare, përkatësisht personit të interesuar. Kjo shmangë​​ pasojat e mundshme që do të shkaktoheshin në të ardhmen, nëse vendimi i kundërshtuar i të paditurës, në fund të procesit gjyqësor, rezulton se është marrë në kundërshtim me ligjin”.

 

  • Më 30 tetor 2020, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktvendimit​​ të lartpërmendur të​​ Gjykatës Themelore,​​ duke​​ pretenduar​​ shkelje​​ të dispozitave procedurale.​​ Përmes ankesës së tij, parashtruesi i kërkesës ndër tjerash theksoi se gjykata​​ nuk ka arsyetuar​​ se pse shtyrja e ekzekutimit të​​ Vendimit​​ të Agjencisë për Informim dhe Privatësi​​ nuk është në kundërshtim me interesin publik dhe se cili mund të ishte dëmi eventual që do t’i shkaktohej paditëses në rast se do të ekzekutohej vendimi në fjalë.​​ 

 

  • ​​ 18 nëntor​​ 2020,​​ Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [AA.​​ nr.​​ 625/2020] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktvendimin [A.​​ nr.​​ 1522/2020]​​ e​​ Gjykatës Themelore të 26 tetorit 2020, duke e konsideruar këtë të fundit si të drejtë dhe të ligjshëm. Në arsyetim të​​ aktvendimit të saj, Gjykata e Apelit vlerësoi se ishin plotësuar kushtet për shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ sipas nenit 22,​​ paragrafi 2 të Ligjit për Konfliktet Administrative dhe se Gjykata Themelore në mënyrë të drejtë kishte vërtetuar gjendjen faktike si dhe drejtë kishte zbatuar dispozitat procedurale dhe materiale.

 

  • Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor në Gjykatën Supreme​​ kundër Aktvendimit [AA.​​ nr.​​ 625/2020] të Gjykatës së Apelit​​ të 18 nëntorit 2020, duke pretenduar shkelje të së drejtës materiale dhe​​ të​​ dispozitave procedurale.​​ ​​ 

 

  • Gjykata Supreme, përmes Aktgjykimit [ARJ-UZVP. nr.​​ 15/2021],​​ refuzoi si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të​​ vendimit gjyqësor të​​ paraqitur nga parashtruesi i kërkesës. Gjykata Supreme në arsyetim të Aktgjykimit të saj konstatoi se Gjykata e Apelit​​ drejtë ka zbatuar të drejtën materiale​​ dhe procedurale​​ dhe se pretendimet e parashtruesit të kërkesës ishin të pabazuara dhe pa ndikim në vërtetimin ndryshe të gjendjes faktike nga ajo që​​ kishte​​ vërtetuar gjykata e shkallës së dytë.​​ Për më tepër, lidhur me shtyrjen e ekzekutimit të​​ Vendimit​​ të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, në arsyetimin e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme u theksua​​ se​​ në mënyrë kumulative ishin plotësuar të gjitha kushtet ligjore të parapara me nenin 22 të Ligjit për konfliktet administrative dhe se vendimet e gjykatave të shkallës më të ulët kishin rezultuar nga provat në shkresat e lëndës.

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës

 

  • Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se me vendimin e kontestuar i​​ është​​ shkelur e drejta e tij e mbrojtur​​ me​​ nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm],​​ nenin 40 [Liria e Shprehjes],​​ nenin 41 [E drejta e Qasjes në​​ Dokumente​​ Publike],​​ nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6​​ [E Drejta për një Proces të Rregullt]​​ si dhe nenin 10 [Liria e Shprehjes] të KEDNJ-së.

 

  • Parashtruesi i kërkesës pretendon se me vendimet e gjykatave të rregullta për shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit ​​ [Nr.​​ A-32/2020] të Agjencisë për Informim dhe Privatësi të 3 shtatorit 2020,​​ i është shkelur e drejta e tij garantuar me nenin 41 [E drejta e Qasjes në Dokumente Publike] të Kushtetutës.​​ Për të mbështetur këtë pretendim, parashtruesi i kërkesës thekson si në vijim:

 

“Ne si palë​​ e interesuar konsiderojme se instancat gjyqësore me vendimet e tyre të​​ atakuara, kanë​​ shkelur të​​ drejten e lirisë​​ së​​ shprehjes,​​ përkatësisht të​​ drejtën për qasje në​​ dokumente publike e përcaktuar me nenin 41 të​​ Kushtetus së​​ Kosovës.​​ 

 

Kjo ngase Vendimi i Agjencionit për Informim dhe Privatësi A-32/2020 i dt.03.09.2020, si institucion kompetent, palës së​​ interesuar,​​ Besnik Berisha,​​ i ka dhënë​​ të​​ drejtë​​ për qasje në​​ dokumente publike,​​ mirëpo vendimet e instancave të​​ rregullta gjyqësore të​​ cilat kanë​​ aprovuar shtyerjen e ekzekutimit të​​ këtij vendimi, ia kanë​​ mohuar palës së​​ interesuar që​​ të​​ ketë​​ qasje në​​ këto dokumente,​​ duke e dëmtuar tej mase në​​ aspektin e ngritjes profesionale në​​ karrierë​​ dhe duke mundësuar ikjen e afateve për inicimin e procedurave disiplinore dhe penale”.

 

  • Në​​ fund, parashtruesi i​​ kërkesës kërkon nga Gjykata që​​ (i)​​ ta deklarojë​​ kërkesën​​ ​​ pranueshme; (ii)​​ të​​ konstatojë se ka pasur shkelje të nenit 31​​ [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të ​​ Kushtetutës; (iii) të konstatojë se ka pasur shkelje të nenit 41 [E Drejta e Qasjes në Dokumente Publike] të Kushtetutës si rezultat i vendimeve të gjykatave të rregullta për shtyrje të ekzekutimit të Vendimit [A-32/2020] të Agjencisë për Informim dhe Privatësi; (iv) të konstatojë se ka pasur shkelje të nenit 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës]; (v) të konstatojë se ka pasur shkelje të​​ nenit 6 [E Drejta për një Proces të Rregullt] dhe të​​ nenit 10 [Liria e Shprehjes] të KEDNJ-së; dhe (vi) t’i shpallë të pavlefshëm Aktvendimin [A.​​ nr.​​ 1522/2020] e Gjykatës Themelore të 17 shtatorit 2020, ​​ Aktvendimin [A.​​ nr.​​ 1522/20] e Gjykatës Themelore të 26 tetorit 2020, Aktvendimin​​ [AA.​​ nr.​​ 625/2020] e Gjykatës së Apelit të 18 nëntorit 2020 dhe Aktgjykimin [ARJ-UZVP.​​ nr.​​ 15/2021] e Gjykatës Supreme të 28 janarit 2021.​​ 

 

Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore

 

Kushtetuta e Republikës së Kosovës

 

Neni 31

​​ [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]

 

  • Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.

  • ​​ Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.

 

​​ [...]

 

Neni 41

​​ [E Drejta për Qasje në Dokumente Publike]

 

  • ​​ Secili person gëzon të drejtën të qasjes në dokumente publike.

  • ​​ Dokumentet që mbajnë institucionet publike dhe organet e pushtetit shtetëror, janë publike, me përjashtim të informacioneve që janë të kufizuara me ligj, për shkak të privatësisë, të sekreteve afariste ose të informacioneve të klasifikuara të sigurisë.

 

 

Neni 54

​​ [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]

 

Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.

 

 

 

Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut

 

Neni 6​​ 

(E drejta për një proces të rregullt)

 

  • Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.

 

​​ [...]

 

Neni 10

(Liria e Shprehjes)

 

  • Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë. Ky nen nuk i ndalon​​ shtetet që t’u kërkojnë ndërmarrjeve të transmetimit audioviziv, televiziv ose kinematografik të pajisen me liçencë.​​ 

  • Ushtrimi i këtyre lirive që përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet atyre formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të të​​ drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor.

 

 

LIGJI Nr. 03/L-202 PËR KONFLIKTET ADMINISTRATIVE

 

Neni 22

 

  • Padia nuk e ndalon ekzekutimin e aktit administrativ kundër të cilit është paraqitur,​​ përveç kur kjo me ligj është parashikuar ndryshe.

  • Me kërkesën e paditësit, organi, akti ​​ i të cilit ekzekutohet, gjegjësisht organi ​​ që është kompetent për ekzekutim, ​​ mund ​​ ta ​​ shtyjë ​​ ekzekutimin ​​ deri ​​ ​​ vendimin ​​ definitiv ​​ gjyqësor, ​​ nëse ​​ ekzekutimi ​​ do ​​ t’i ​​ sillte dëm paditësit, i cili vështirë do të riparohej, kurse shtyrja nuk është në kundërshtim me interesin publik, e as që shtyrja do t’i sillte ndonjë dëm të madh palës kundërshtare,​​ përkatësisht personit të interesuar.

  • ​​ Bashkë me kërkesën për shtyrje duhet paraqitur prova, që tregon se padia është parashtruar.​​ 

  • Për shtyrje të ekzekutimit, organi kompetent nxjerr vendimin brenda tri (3) ditëve nga data e marrjes së kërkesës për shtyrje.

  • ​​ Organi nga paragrafi 2. i këtij neni mund të shtyjë ekzekutimin e aktit të kontestuar edhe për shkaqe të tjera ​​ ​​ arsyeshme ​​ deri ​​ ​​ vendimin ​​ definitiv ​​ gjyqësor, ​​ nëse ​​ nuk ​​ është ​​ ​​ kundërshtim ​​ me ​​ interesin publik.

  • Paditësi mund të kërkojë edhe nga gjykata shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ deri në marrjen e vendimit gjyqësor, sipas kushteve të parapara në paragrafin 2. të këtij neni.

  • Për kërkesën, gjykata vendos brenda tri ​​ (3) ditëve nga data e marrjes së kërkesës.

[...]

Neni 63

Dispozita të tjera të procedurës

 

​​ Nëse ​​ ky ​​ ligj ​​ nuk ​​ përmban ​​ dispozita ​​ për ​​ procedurën ​​ ​​ konfliktet ​​ administrative, ​​ do ​​ ​​ zbatohen ​​ përshtatshmërisht dispozitat e ligjit për procedurën kontestimore.

 

 

LIGJI NR. 03/L-006 PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE

 

Neni 182

 

​​ 182.1​​ ​​ Shkelja thelbësore e dispozitave të procedurës kontestimore ekziston në​​ qoftë se gjykata gjatë procedurës nuk e ka zbatuar apo ka zbatuar në mënyrë jo të drejtë​​ ndonjë dispozitë të këtij ligji, kurse kjo ka pasur apo ka mundë të​​ ketë ndikim në nxjerrjen e aktgjykimit të ligjshëm e të drejtë.

182.2 Shkelja thelbësore e dispozitave të procedurës kontestimore ekziston​​  ​​ ​​​​ gjithmonë:

 ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ 

​​ [...]

 

n) në qoftë se aktgjykimi ka të meta për shkak të të cilave nuk mund të ekzaminohen, e sidomos në qoftë se dispozitivi i aktgjykimit është i pakuptueshëm apo kontradiktor​​ me vetvete ose me arsyet e aktgjykimit, apo nëse aktgjykimi nuk ka fare arsye apo në të nuk janë treguar fare arsyet për faktet vendimtare, ose ato arsye janë të paqarta, ose kontradiktore, ose nëse për faktet vendimtare ekzistojnë kundërthënie midis asaj që në arsyet e aktgjykimit thuhet për përmbajtje të dokumentit ose të procesverbalit për thëniet e dhëna në procedurë dhe të vet atyre dokumenteve ose të procesverbalit;

 

 ​​ ​​ ​​ ​​​​  ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ ​​ [...]

Neni 183

 

183.1 Ekziston vërtetimi i gabuar apo jo i plotë i gjendjes faktike kur gjykata gabimisht e ka vërtetuar ndonjë fakt vendimtar, përkatësisht kur faktin e tillë nuk e ka vërtetuar fare.

183.2 Ekziston konstatimi jo i plotë i gjendjes faktike edhe kur për këtë flasin faktet e reja apo provat e reja.

 

LIGJI NR. 06/L-081 PËR QASJE NË DOKUMENTE PUBLIKE

 

Neni 20

Ankesa pranë Agjencisë

 

  • Në rast se institucioni publik ka refuzuar në tërësi apo pjesërisht kërkesën për qasje në dokumente publike apo në rast të heshtjes apo mos përgjigjes së institucionit publik, kërkuesi mund t’i drejtohet me ankesë Agjencisë brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve prej pranimit të vendimit për refuzim ose vendimit për aprovim të pjesshëm të kërkesës për qasje.​​ 

  • Agjencia, ankesën e pranuar ia komunikon institucionit publik që ka vendosur në lidhje me kërkesën për qasje, i cili duhet që brenda shtatë (7) ditëve pas pranimit të ankesës të ofrojë përgjigje me shkrim ndaj pretendimeve të ngritura nga ankuesi.

  • ​​ Pas pranimit të përgjigjes nga ana e institucionit publik ose në rast të mospërgjigjes, Agjencia vendosë në lidhje me ankesën në afatin prej tridhjetë (30) ditëve. Agjencia, me akt të brendshëm, vendosë për procedurën dhe mënyrën e vendosjes brenda këtij institucioni.​​ 

  • Agjencia mund të aprovojë në tërësi ankesën dhe ta ndryshojë vendimin e institucionit publik, në atë mënyrë që i lejon qasjen kërkuesit tërësisht në dokumentet publike të kërkuara, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.

  • Agjencia mund të aprovojë pjesërisht ankesën dhe ta ndryshojë vendimin e institucionit publik në atë mënyrë që i lejon qasjen kërkuesit pjesërisht në dokumentet publike të kërkuara, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.

  • Institucioni publik detyrohet të veprojë sipas vendimit të Agjencisë në afat prej shtatë (7) ditëve

  • Agjencia mund të refuzojë ankesën dhe të lejë në fuqi vendimin e institucionit publik për refuzimin ose aprovimin e pjesshëm të qasjes në dokumente publike.

  • Në rast të refuzimit të plotë apo të pjesshëm të ankesës, Agjencia nxjerr vendim, i cili duhet të përmbajë arsyet për refuzimin e ankesës dhe mjetin juridik që kërkuesi mund ta përdorë kundër vendimit mbi refuzimin e ankesës.

  • Vendimi duhet të jetë me shkrim dhe duhet t’i dorëzohet kërkuesit personalisht, përmes postës së regjistruar apo përmes postës elektronike, në rast se kërkuesi ka përdorur këtë metodë për të paraqitur kërkesën për rishqyrtim.

  • Vendimi i Agjencisë është përfundimtar në procedurën administrative, i cili mund të kundërshtohet vetëm përmes padisë në gjykatën kompetente për çështje administrative.

 

Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës

 

  • Gjykata​​ së pari​​ shqyrton​​ nëse kërkesa​​ i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.​​ 

 

  • Në​​ këtë​​ drejtim,​​ Gjykata​​ i​​ referohet​​ paragrafëve 1 dhe 7 të nenit​​ 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:

 

“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

 

[...]

 

7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

  • Në​​ vazhdim, Gjykata​​ gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:

 

Neni 47

(Kërkesa individuale)

 

“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

 

2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

Neni 48

(Saktësimi i kërkesës)

 

“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.​​ 

 

Neni 49

(Afatet)

 

“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.

 

  • Rreth përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar dhe konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [ARJ-UZVP. nr. 15/2021] e Gjykatës Supreme të 28 janarit 2020, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar ne nenin 49 të Ligjit.​​ 

 

  • Në vijim dhe me qëllim të vlerësimit të kritereve tjera të pranueshmërisë, Gjykata fillimisht rikujton se parashtruesi i kërkesës, në kërkesën e tij,​​ pretendon shkeljen e të drejtave të mbrojtura me Kushtetutë​​ ​​ përkatësisht me nenin 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm], nenin 40 [Liria e Shprehjes], ​​​​ nenin 41 [E Drejta e Qasjes në Dokumente Publike] dhe me nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të​​ Drejtave].​​ Parashtruesi i kërkesës gjithashtu pretendon shkelje të së drejtës për liri të shprehjes e përcaktuar me nenin 10 të KEDNJ-së.​​ 

 

  • Gjykata së pari do​​ të vazhdoj me pretendimin e parashtruesit për shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës për të vazhduar më tej ​​ me pretendimet e tjera të parashtruesit të kërkesës.

 

  • Përkitazi me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së

 

  • Bazuar në atë si më lart, Gjykata vë në pah se parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të së drejtës së tij në gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

 

  • Megjithatë, në rrethanat e rastit konkret dhe në kontekst të pretendimit të parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata fillimisht i referohet pikës (b) të paragrafit (3) të rregullit 39 të Rregullores së punës, sipas së cilës, Gjykata mund të konsiderojë një kërkesë të papranueshme nëse e njëjta nuk është​​ ratione materiae​​ në pajtim me Kushtetutën.

 

  • Prandaj, në kontekst të kësaj të fundit, vlerësimi i këtij kriteri në rrethanat e rastit, është i rëndësishëm sepse procedurat e zhvilluara para gjykatave të rregullta hyjnë në fushëveprimin e “procedurave paraprake”, përkatësisht​​ Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme i cili ndërlidhet me Aktvendimin e​​ Gjykatës së Apelit​​ dhe me​​ Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, kanë vendosur që të pranojnë kërkesëpadinë e KGJK për shtyerjen e Vendimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Përmes​​ Vendimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi​​ parashtruesit​​ të kërkesës​​ i ishte lejuar​​ i) qasje​​ e​​ plotë në dosjen personale të tij në procesin e rekrutimit, e cila përfshinë pesë (5) formularët e vlerësimit të detyrës me shkrim të anëtarëve të komisionit rekrutues dhe ii) videoincizimin e testimit me shkrim. Rrjedhimisht, Gjykata​​ në vazhdim​​ do të vlerësojë nëse neni 31 i Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së është i zbatueshëm në rrethanat e rastit të parashtruesit të kërkesës.

 

  • Në këtë kontekst specifik, Gjykata vëren se çështja e aplikueshmërisë së nenit 6 të KEDNJ-së në procedura paraprake është interpretuar nga GJEDNJ përmes praktikes së saj gjyqësore, në harmoni me të cilën Gjykata, në pajtim me nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejta e Njeriut] të Kushtetutës, është e obliguar të interpretoje të drejtat e njeriut dhe liritë themelore te garantuara me Kushtetutë.​​ 

 

  • Gjykata vë po ashtu në pah, se kriteret përkitazi me aplikueshmërinë e nenit 31 të Kushtetutës përkitazi me procedurat paraprake janë përcaktuar po ashtu në rastet e kësaj Gjykate, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në rastet KI122/17, me parashtrues,​​ Česká Exportní Banka A.S.,​​ Aktgjykim i 30 prillit 2018; KI150/16, parashtrues​​ Mark Frrok Gjokaj, Aktgjykim i 31 dhjetorit 2018; KI81/19, parashtrues​​ Skender Podrimqaku,​​ Aktvendim për papranueshmëri i 9 nëntorit 2019; KI107/19, parashtrues​​ Gafurr Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 marsit 2020; KI195/20 me parashtrues​​ Aigars Kesengfelds, Aktgjykim, i 29 marsit 2021. Parimet e përgjithshme të vendosura përmes këtyre vendimeve të lartcekura të Gjykatës janë bazuar në rastin e GJENDJ-së,​​ Micallef kundër Maltës, Aktgjykim i 15 tetorit 2009.​​ 

 

  • Rrjedhimisht, për të konstatuar nëse kërkesa e parashtruesit të kërkesës është​​ ratione materiae​​ në pajtim me Kushtetutën, Gjykata fillimisht do të iu referohet parimeve të përgjithshme të përcaktuara përmes praktikës gjyqësore e GJEDNJ-së dhe asaj të Gjykatës për sa i përket aplikueshmërisë së garancive procedurale të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së në rrethanat e rastit konkret, dhe të cilat ndërlidhen me procedurën për anulimin e masës së sigurisë, e cila përbën objektin e vlerësimit të kësaj kërkese, dhe më pas të njëjtat do t’i aplikojë në rrethanat e rastit konkret.

 

  • Parimet e​​ përgjithshme mbi aplikueshmërinë e nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit​​ 6 te KEDNJ-së në​​ procedurat paraprake

 

  • Gjykata fillimisht vë në pah se neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNJ -se, në pjesën civile, zbatohet në procedurat që përcaktojnë të drejtat ose detyrimet civile (shih rastin e GJEDNJ-së:​​ Ringeisen kundër Austrisë, Aktgjykim i 22 qershorit 1972, dhe shih rastet e Gjykatës: KI 122/17, parashtrues i kërkesës​​ Česká Exportní Banka A.S.,​​ të cituar më lart, paragrafi 125 dhe KI195/20, me parashtrues​​ Aigars Kesengfelds, të cituar më lart, paragrafi 73). Në kontekst të kësaj, Gjykata më tutje thekson se, në parim, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, "procedurat paraprake", si ato që kanë të bëjnë me dhënien e një mase të përkohshme/masë të sigurisë, nuk konsiderohen që përcaktojnë të "drejta dhe detyrime civile" dhe për këtë arsye, në parim, nuk hyjnë në kuadër të fushëveprimit të mbrojtjes së tillë të nenit 6 të KEDNJ-së (shih rastin e GJEDNJ-së​​ Micallef kundër Maltës, cituar më lart, paragrafi 75 dhe referencat e përdorura në të, shih rastin KI122/17, parashtrues i kërkesës​​ Česká Exportní Banka A.S.,​​ paragrafi 126).

 

  • Megjithatë, përmes Aktgjykimit​​ Micallef kundër Maltës, GJEDNJ kishte ndryshuar dhe konsoliduar qëndrimin e saj të mëparshëm përkitazi me mos aplikueshmërinë e garancive procedurale të nenit 6 të KEDNJ-së në "procedurat paraprake".

 

  • Bazuar në këtë Aktgjykim të GJEDNJ-së, Gjykata vëren se jo të gjitha masat e sigurisë/masat e përkohshme përcaktojnë të drejtat ose detyrimet civile dhe në mënyrë që neni 6 i KEDNJ-së të konsiderohet i zbatueshëm, GJEDNJ përcaktoi kriteret mbi bazën e të cilave duhet të vlerësohet aplikueshmëria e nenit 6 të KEDNJ-së në “proceduarat paraprake” (shih, rastin e GJEDNJ-së,​​ Micallef kundër Maltës, cituar më lart, paragrafët 83-86).

 

  • Sipas kritereve të përcaktuar në rastin​​ Micallef kundër Maltës, të cilat kritere edhe kjo Gjykatë i pranoi​​ përmes praktikës gjyqësore, së pari, e drejta në fjalë duhet të jetë "civile” si në shqyrtimin gjyqësor ashtu edhe ne procedurat lidhur me masën e sigurisë, brenda kuptimit autonom të këtij nocioni sipas nenit 6 të KEDNJ-së (shih, në këtë kontekst, rastin​​ e GJEDNJ-së,​​ Micallef kundër Maltës, cituar më lart, paragrafi 84 dhe referencat e përmendura aty, si dhe shih rastet e Gjykatës KI122/17, parashtrues​​ Česká Exportní Banka A.S., të cituar më lart, paragrafi 130; KI81/19, parashtrues​​ Skender Podrimqaku, të cituar më lart, paragrafi 47; KI107/19, parashtrues​​ Gafurr Bytyqi, të cituar më lart, paragrafi 53; dhe KI195/20, me parashtrues​​ Aigars Kesengfelds, të cituar më lart, paragrafi 77). Së dyti,​​ kjo procedurë duhet të përcaktojë në mënyrë efektive të drejtën civile përkatëse​​ (shih rastin e GJEDNJ-së,​​ Micallef kundër Maltës, cituar më lart, paragrafi 85 dhe referencat e përmendura aty, si dhe shih rastet e Gjykatës, KI122/17, parashtrues​​ Česká Exportní Banka A.S., të cituar më lart, paragrafi 131 dhe​​ KI81/19, parashtrues​​ Skender Podrimqaku, të cituar më lart, paragrafi 48; KI107/19, parashtrues​​ Gafurr Bytyqi,​​ të cituar më lart, paragrafi 53; dhe KI195/20, me parashtrues​​ Aigars Kesengfelds, të cituar më lart, paragrafi 77).

 

  • Rrjedhimisht, Gjykata duhet të vlerësoj në vijim, nëse këto dy kritere, janë të përmbushura në rrethanat e rastit konkret, duke mundësuar për pasojë, aplikueshmërinë e garancive procedurale të përcaktuara përmes nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

 

(ii) Zbatimi i parimeve të lartcekura në rrethanat e parashtruesit të kërkesës

 

  • Gjykata rikujton se esenca e rastit​​ ka të bëj me masën​​ e përkohshme e cila ishte ​​ vendosur deri ne zgjidhjen e kontestit civil ne mes palëve e që ka të bëjë me të drejtën për qasjen në dokumente publike. Parashtruesi i kërkesës kishte aplikuar në​​ konkursin e shpallur nga KGJK për rekrutim të gjyqtarëve të rinj, konkurs në të cilin ai nuk ishte përzgjedhur. Më pas, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur ankesë pranë Agjencisë për Informim dhe Privatësi kundër heshtjes së KGJK-së sa i përket kërkesës së tij për qasje në dosjen e rekrutimit, duke kërkuar nga Agjencia për Informim dhe Privatësi qasje të plotë në dosjen e tij personale. Agjencia për Informim dhe Privatësi kishte aprovuar në tërësi ankesën e parashtruesit të kërkesës duke e obliguar KGJK-në që t’i lejojë​​ qasje të plotë në dosjen e tij personale në procesin e rekrutimit. Kundër vendimit të lartcekur, KGJK kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore, duke propozuar dhe shtyrjen e ekzekutimit të tij deri në vendosjen e çështjes në mënyrë meritore, kërkesë e cila u aprovua si e bazuar. Pas këtij vendimi, parashtruesi i kërkesës në cilësinë e palës së interesuar kishte dorëzuar ankesë në Gjykatën e Apelit, duke pretenduar shkelje të së drejtës procedurale. Ankesa e parashtruesit të kërkesës u aprovua si e bazuar nga Gjykata e Apelit, ku kjo e fundit e​​ anuloi Aktvendimin e Gjykatës Themelore duke i kthyer lëndën për rigjykim dhe rivendosje. Gjykata Themelore duke vepruar në rigjykim e aprovoi si të bazuar kërkesën e KGJK-së​​ për shtyrje të ekzekutimit të Vendimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, duke shtyrë ekzekutimin e Vendimit të lartpërmendur deri në marrjen e vendimit përfundimtar gjyqësor. Pas dorëzimit të ankesës nga ana e parashtruesit të kërkesës, Gjykata e Apelit e refuzoi ankesën e tij si të pabazuar dhe vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore, duke theksuar se ishin plotësuar kushtet për shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ dhe se Gjykata Themelore në mënyrë të drejtë kishte vërtetuar gjendjen faktike si dhe drejtë kishte zbatuar dispozitat procedurale dhe materiale. Kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor në Gjykatën Supreme, duke pretenduar shkelje të së drejtës materiale dhe të​​ dispozitave procedurale.​​ Lidhur me këtë, Gjykata Supreme, refuzoi si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të​​ vendimit gjyqësor të​​ paraqitur nga parashtruesi i kërkesës duke konstatuar se Gjykata e Apelit drejtë ka zbatuar të drejtën materiale dhe procedurale.

 

  • Rrjedhimisht,​​ nga si më sipër Gjykata vëren se​​ qëllimi i​​ pranimit të kërkesëpadisë​​ së KGJK-së, nga ana e gjykatave të rregullta për shtyerjen e ekzekutimit të Vendimit të​​ Agjencisë për Informim dhe Privatësi​​ deri në një vendim meritor të çështjes, është arsyetuar me faktin se ekzekutimi i vendimit do t’i sillte KGJK-së dëm i cili vështirë se do të riparohej, dhe në anën tjetër shtyrja e ekzekutimit të vendimit nuk është në kundërshtim me interesin publik dhe nuk do t’i sillte ndonjë dëm palës kundërshtare, në rastin​​ konkret​​ parashtruesit të kërkesës.​​ Caktimi i masës së sigurisë në​​ procedurë​​ kontestimore është paraparë në nenin 22 të Ligjit Nr.03-L202 për Konfliktin Administrativ.

 

  • Gjykata nga si më sipër vëren që masa e përkohshme në rrethanat e rastit konkret, mbulon një të drejtë "civile",​​ respektivisht drejtën për qasje në dokumente publike,​​ duke plotësuar kështu kushtin e parë për aplikueshmërinë e garancive procedurale të nenit 6 te KEDNJ-së. Për më tepër, sa i përket, kushtit te dyte, Gjykata vëren masa e përkohshme ​​ e vendosur në ne vitin 2020, ne fakt përcakton ne mënyrë efektive të drejtën civile ne fjalë.

 

  • Prandaj, bazuar në atë si më lartë,​​ Gjykata gjen se kriteret​​ për aplikueshmërinë e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, në procedurat përkatëse paraprake është i përmbushur.

 

  • Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së është​​ ratione materiae​​ në pajtim më Kushtetutën

 

  • Përveç kësaj,​​ në ndërlidhje me pretendimin e parashtruesit për shkeljen e nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës,​​ Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në paragrafin (1) (d) të rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 39 (1) (d) i Rregullores së punës përcakton kriteret në bazë të të cilave Gjykata mund të shqyrtoj kërkesën, duke përfshirë kriterin që kërkesa të mos jetë qartazi e pabazuar. Rregulli 39 (1) (d) në veçanti, përcakton që:​​ 

 

Rregulli 39​​ 

(Kriteret e pranueshmërisë)

 

​​ "(1) (d) kërkesa qartëson saktësisht dhe në mënyrë adekuate paraqet faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese".

 

  • Gjykata, fillimisht thekson që​​ rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

 

  • Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta:​​ (i) pretendime që kualifikohen si pretendime​​ “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”.

 

  • Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht në vlerësimin nëse e njëjta është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht​​ rikujton se parashtruesi, në kërkesën e tij përveç fatit se ka përmendur nenin 31 të Kushtetutës nuk ka argumentuar më tej se si​​ ka ardhur deri te shkelja e të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

 

  • Gjykata, bazuar në praktikën e saj gjyqësore dhe atë të GJEDNJ-së, vlerëson se pretendimet e parashtruesit të kërkesës janë pretendime​​ të pambështetura apo​​ të​​ paarsyetuara. Kjo sepse, parashtruesi i kërkesës vetëm​​ ka përmendur shkeljen e nenit 31​​ të Kushtetutës, duke mos ofruar asnjë arsyetim dhe duke mos mbështetur pretendimet e tij rreth mënyrës se si Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, përfshirë edhe vendimet e gjykatave të shkallës më të ulët, mund të kenë rezultuar në shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me Kushtetutë, respektivisht me​​ nenin 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm]​​ të Kushtetutës.

 

  • Gjykata, gjithashtu, rikujton se ajo vazhdimisht ka theksuar se vetëm përmendja e një neni të Kushtetutës, pa arsyetim të qartë dhe adekuat se si është shkelur ajo e drejtë, nuk mjafton si argument për të aktivizuar makinerinë e mbrojtjes që ofron Kushtetuta dhe Gjykata, si institucion që përkujdeset për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut (shih, në këtë kontest, rastet e Gjykatës KI02/18, parashtrues Qeveria e Republikës së Kosovës [Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor], Aktvendim për papranueshmëri, i 20 qershorit 2019, paragrafi 36; dhe KI95/19, parashtrues Ruzhdi Bejta, Aktvendim për papranueshmëri, i 8 tetorit 2019, paragrafët 30-31).

 

  • Gjykata, gjithashtu rikujton se, duke u bazuar në nenin 48 të Ligjit dhe paragrafët (1) (d) të rregullit 39 të Rregullores së punës dhe praktikën e saj gjyqësore, ajo vazhdimisht ka theksuar: (i) palët kanë detyrim që të qartësojnë saktësisht dhe në mënyrë adekuate të paraqesin faktet dhe pretendimet; dhe gjithashtu (ii) të dëshmojnë dhe në mënyrë të mjaftueshme të mbështesin pretendimet e tyre për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese.

 

  • Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit​​ në ndërlidhje me pretendimin e tij për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës​​ ​​ është e papranueshme, siç është përcaktuar përmes nenit 48 të Ligjit për Gjykatën​​ Kushtetuese dhe paragrafit​​ (1) (d) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

 

  • Përkitazi me nenin​​ 41 [E drejta e Qasjes në Dokumente Publike]

 

  • Gjykata së pari rikujton pretendimin e parashtruesit të kërkesës lidhur me nenin​​ e lartcekur, ku në kërkesën e tij në mënyrë shprehimore pretendon si në vijim:​​ 

 

“Ne si palë​​ e interesuar konsiderojme se instancat gjyqësore me vendimet e tyre të atakuara, kanë shkelur të drejten e lirisë së shprehjes, përkatësisht të drejtën për qasje në dokumente publike e përcaktuar me nenin 41 të Kushtetutës së Kosovës.​​ 

 

Kjo ngase Vendimi i Agjencionit për Informim dhe Privatësi A-32/2020 i dt.03.09.2020, si institucion kompetent, palës së interesuar, Besnik Berisha, i ka​​ dhënë të drejtë për qasje në dokumente publike, mirëpo vendimet e instancave të rregullta gjyqësore të cilat kanë aprovuar shtyerjen e ekzekutimit të këtij vendimi, ia kanë mohuar palës së interesuar që të ketë qasje në këto dokumente, duke e dëmtuar tej mase në aspektin e ngritjes profesionale në karrierë​​ dhe duke mundësuar ikjen e afateve për inicimin e procedurave disiplinore dhe penale”.

 

  • Nga si më sipër Gjykata rikujton se​​ pretendimi​​ i parashtruesit​​ për shkeljen e nenit​​ 41​​ [E drejta e Qasjes në Dokumente Publike]​​ të Kushtetutës​​ e që​​ në rastin konkret​​ ka të bëjë me​​ procedurë paraprake,​​ gjithashtu​​ përbën edhe objekt shqyrtimi të vet kërkesëpadisë kryesore​​ të ngritur ​​​​ nga​​ KGJK pranë gjykatave te rregullta.​​ 

 

  • Prandaj duke qenë​​ se shqyrtimi​​ i​​ kërkesëpadisë së ngritur nga KGJK-ja​​ është​​ duke u zhvilluar​​ pranë gjykatave të rregullta​​ dhe i cili​​ ndërlidhet me masën e përkohshme të vendosur nga gjykatat e rregullta për shtyerjen e Vendimit të​​ Agjencisë për Informim dhe Privatësi,​​ Gjykata konstaton​​ se​​ çështja meritore është ende në proces të shqyrtimit pranë gjykatave të rregullta, e objekti i kërkesës së parashtruesit pranë Gjykatës ndërlidhet me vet çështjen meritore.

 

  • Në​​ dritë​​ të kësaj që u tha më lart, Gjykata vëren se procedura gjyqësore në rastin para nesh është në fazën e shqyrtimit para​​ gjykatave të rregullta, përkatësisht në Gjykatën Themelore. Rrjedhimisht, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës pretendimet e tij për shkelje të të drejtave të tij të garantuara me Kushtetutë, mund t’i paraqesë edhe në ankesën e tij, e cila është duke u zhvilluar në Gjykatën​​ Themelore​​ dhe më tej edhe në instancat tjera. Prandaj, përderisa çështja është në procedurë të shqyrtimit dhe përderisa parashtruesi i kërkesës ka akoma mjete juridike në dispozicion për të ngritur shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me Kushtetutë para gjykatave të rregullta, bazuar në parimin e subsidiaritetit, Gjykata nuk mund të vlerësojë dhe ofrojë konstatimin e saj në lidhje me shkeljet e pretenduara.

 

  • Gjykata në vazhdimësi përmes praktikës së saj gjyqësore, mbështetur në parimin e subsidiaritetit, ka theksuar se qëllimi dhe arsyetimi i detyrimit për të shteruar mjetet juridike ose rregulli i shterimit, është t'u ofrojë autoriteteve përkatëse, para së gjithash gjykatave të rregullta, mundësinë për të parandaluar ose për të korrigjuar shkeljet e pretenduara të Kushtetutës. Ai bazohet në supozimin që pasqyrohet në nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës dhe në nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së, se rendi juridik i Republikës së Kosovës siguron mjet efektiv për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë. Ky është një aspekt i rëndësishëm i karakterit subsidiar të makinerisë së drejtësisë kushtetuese (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës KI43/20, parashtruese​​ Fitore Sadikaj, Aktvendim për papranueshmëri i 31 gushtit 2020, paragrafi 37; dhe KI42/20, parashtrues​​ Armend Hamiti, Aktvendim për papranueshmëri i 31 gushtit 2020, paragrafi 44; KI179/20, parashtrues​​ Telekomi i Kosovë Sh.A.,​​ Aktvendim për papranueshmëri i 27 janarit 2021, paragrafi 94; shih gjithashtu rastin e GJEDNJ-së​​ Aksoy kundër Turqisë,​​ nr. 21987/93, Aktgjykimi i 18 dhjetorit 1996, paragrafi 51).

 

  • Andaj, lidhur me këtë, Gjykata bazuar në praktikën e saj gjyqësore thekson se nëse procedurat janë në zhvillim e sipër pranë gjykatave të rregullta, atëherë kërkesat e parashtruesve të kërkesave në Gjykatën Kushtetuese konsiderohen të parakohshme (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës, KI179/20, cituar më lart, paragrafi 90; KI09/19, parashtrues​​ Leutrim Hajdari,​​ Aktvendim për papranueshmëri i 5 shkurtit 2019, paragrafi 41; dhe KI102/16, parashtrues​​ Shefqet Berisha,​​ Aktvendim për papranueshmëri, i 2 marsit 2017, paragrafi 39).​​ 

 

  • Gjykata​​ thekson​​ se ky Aktvendim për papranueshmëri nuk e pengon parashtruesin e​​ kërkesës​​ që në të ardhmen, sërish, të dorëzojë kërkesë kushtetuese brenda afatit ligjor 4 (katër) mujor nga dita që​​ e​​ ka pranuar vendimin​​ e​​ fundit, nga gjykatat e rregullta.​​ 

 

  • Përkitazi me pretendimet tjera të parashtruesit për shkeljen e​​ nenit​​ 40 [Liria e Shprehjes],​​ nenit​​ 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 10 [Liria e Shprehjes] të KEDNJ, Gjykata vlerëson​​ se​​ këto pretendime​​ janë pretendime​​ të pambështetura apo të paarsyetuara. Kjo sepse, parashtruesi i kërkesës vetëm​​ ka përmendur shkeljen e neneve të lartpërmendura, duke mos ofruar asnjë arsyetim dhe duke mos mbështetur pretendimet e tij rreth mënyrës se si Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, përfshirë edhe vendimet e gjykatave të shkallës më të ulët, mund të kenë rezultuar në shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me Kushtetutë.

 

  • Nga si më sipër​​ si përfundim, Gjykata konstaton se parashtruesi në kërkesën e tij nuk ka arritur të dëshmojë dhe të mbështesë pretendimin e tij​​ ​​ se​​ gjykatat e rregullta përmes miratimit të kërkesëpadisë së KGJK për shtyerjen e Vendimit të​​ Agjencia për Informim dhe Privatësi,​​ ka​​ shkelur të drejtën e tij të garantuar me nenin​​ dhe​​ 31,40,41 dhe 54​​ të Kushtetutës​​ të Kushtetutës,​​ dhe rrjedhimisht,​​ kërkesa​​ është​​ qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar​​ përmes​​ paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin​​ 48 të Ligjit dhe rregullin 39 (2)​​ të Rregullores së punës, më​​ 22 maj 2023, me shumicë​​ 

 

VENDOS

 

    • TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;​​ 

 

    • T’UA KUMTOJË këtë vendim palëve;​​ 

 

    • TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;​​ 

 

    • ​​ Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

 

 

 

 

Gjyqtarja raportuese​​   ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​   ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​   ​​ Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese​​ 

 

 

 

 

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi ​​  ​​  ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Gresa Caka-Nimani

 

 

 

Parashtruesit:

Besnik Berisha

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative