Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së  Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës AA.nr.41/2021 i 21 qershorit 2021  

Nr. të lëndës KI193/21

Parashtruesit: A.B.

Shkarko:

KI193/21, Parashtruese: A.B., vlerësim i kushtetutshmërisë së  Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës AA.nr.41/2021 i 21 qershorit 2021

KI193/21, Aktvendim për papranueshmëri i 17 janarit 2023, publikuar më 16 shkurt 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, barazia e armëve, e drejta për vendim të arsyetuar, gjykatë e paanshme, sanksioni disiplinor, mos zbulim i identitetit,  kërkesë e papranueshme   

Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e këtij rasti ndërlidhet me vendimin e parashtrueses së kërkesës që në cilësi të kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë kishte aprovuar kërkesën e mbrojtësit të palës së mitur R.G., për përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues A.I., nga procedimi dhe vendosja në një çështje penale.  Gjyqtari i përjashtuar A.I., i ishte drejtuar kryetarit të Gjykatës Supreme E.P., me një ankesë  për fillimin e procedurës disiplinore ndaj parashtrueses së kërkesës. Kryetari i Gjykatës Supreme i propozoi KGJK-së inicimin e procedurës disiplinore ndaj parashtrueses së kërkesës. KGJK-ja konstatoi se parashtruesja e kërkesës ka kryer shkelje disiplinore dhe i shqiptoi sanksion disiplinor “Vërejtje jopublike me shkrim”.  Parashtruesja e kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën Supreme kundër Vendimit të KGJK-së duke pretenduar zbatim të gabuar të ligjit dhe gabime të qarta dhe të dukshme në vlerësim që kanë ndikuar në konstatimin e shkeljes disiplinore. Gjykata Supreme e refuzoi të pathemeltë ankesën e parashtrueses së kërkesës të paraqitur kundër Vendimit të KGJK-së. Gjykata Supreme, mes tjerash, shpjegoi se KGJK-ja ka vepruar në përputhshmëri me dispozitat përkatëse ligjore dhe ka dëshmuar shkeljen disiplinore nga parashtruesja e kërkesës në përputhje me parimin e proporcionalitetit.

Në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesja e  kërkesës në thelb shkelje të garancive specifike nga neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNJ-së që ndërlidhen me cenimin paanshmërisë objektive të gjykatës, cenimin e parimit të arsyetimit të vendimeve gjyqësore, cenimin e të drejtës së ankimit substancial dhe cenimit të parimit të kontradiktoritetit dhe barazisë së armëve, si pasojë e ndryshimit të “identitetit faktik” mbi të cilin bazohet shkelja disiplinore e kontestuar. Parashtruesja e kërkesës po ashtu kishte kërkuar nga Gjykata që të mos i zbulohet identiteti.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit  të kërkesës, Gjykata vlerësoi: (i) trupi gjykues i Gjykatës Supreme janë të pavarur nga kryetari i Gjykatës Supreme meqë me caktimin e trupit gjykues, ai ka kryer vetëm funksion administrativ i ndarë rreptësishtë nga funksioni gjyqësor dhe se nuk është shfaqur asnjë rrethanë tjetër subjektive apo objektive që do ta vinte në dyshim pavarësinë  dhe paanshmërinë e kryetarit dhe trupit gjykues të Gjykatës Supreme; (ii) Gjykata Supreme dhe KGJK-ja kanë përcaktuar bazën ligjore duke dhënë shpjegime të mjaftueshme dhe logjike për rastet kur një gjyqtar mund të kryej shkelje disiplinore të cilat dëmtojnë besimin e publikut në paanshmërinë ose besueshmërinë e gjyqësorit; (iii) për sa i përket pretendimit për cenim të parimit të barazisë së armëve, Gjykata konstatoi se parashtruesja e kërkesës përfitoi nga procedura kontradiktore dhe se ajo ishte në gjendje të paraqiste në faza të ndryshme të procedurës pretendimet dhe provat që ajo i konsideronte të rëndësishme për rastin e saj; (iv) për sa i përket çështjes së interpretimit të fakteve dhe ligjit, Gjykata ritheksoi se nuk është roli i saj të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim në vend të tjetrit.

Gjykata vendosi të miratojë kërkesën për mos zbulim të identitetet duke marrë parasysh karakterin publik të funksionit të parashtrueses së kërkesës si gjyqtare e gjyqësorit të rregullt në territorin e Republikës së Kosovës.

Gjykata në fund konstatoi se kërkesa e parashtrueses së kërkesës në tërësi është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, dhe duhet të shpallet e papranueshme bazuar në nenet 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

A.B.

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar