Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 580/2022, të 11 janarit 2022

Nr. të lëndës KI83/22

Parashtruesit: Isak Shehu

Shkarko:

Prishtinë, më 3 nëntor 2022

Nr. Ref.:RK 2066/22

 

 

 

 

 

 

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI

 

 

rastin nr. KI83/22

 

Parashtrues

 

Isak Shehu

 

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme,

Rev. nr. 580/2022, të 11 janarit 2022

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

e përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban, gjyqtar

Remzie Istrefi-Peci, gjyqtare dhe

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar

 

 

Parashtruesi i kërkesës

 

  1. Kërkesa është dorëzuar nga Isak Shehu nga Prishtina (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i përfaqësuar nga Jeton Osmani avokat nga Prishtina.

Vendimi i kontestuar

 

  1. Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [Rev. nr. 580/2022] të 11 janarit 2022 të Gjykatës Supreme.

 

  1. Përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme e ka pranuar më 4 shkurt 2022.

 

Objekti i çështjes

 

  1. Objekt i çështjes së kësaj kërkese është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) si dhe me nenet 6 [E Drejta për një Proces të Rregullt] dhe 13 [E drejta për ankim efektiv] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).

 

Baza juridike

 

  1. Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7, të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenin 47 [Kërkesat Individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] dhe 59 [Llojet e vendimeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).

 

Procedura në Gjykatën Kushtetuese

 

  1. Më 10 qershor 2022, parashtruesi i kërkesës përmes postës e dorëzoi kërkesën e tij në Gjykatë.

 

  1. Më 23 qershor 2022, Kryetarja e Gjykatës caktoi gjyqtaren Remzie Istrefi Peci gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu Krasniqi (kryesuese) Safet Hoxha dhe Radomir Laban, anëtarë.

 

  1. Më 24 qershor 2022, Gjykata njoftoi përfaqësuesin e parashtruesit të kërkesës për regjistrimin e kërkesës, dhe po ashtu një kopje të kërkesës ia dërgoi Gjykatës Supreme.

 

  1. Në të njëjtën datë Gjykata i dërgoi një shkresë Gjykatës Themelore në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) dhe kërkoi nga ajo që të sjellë fletkthesën që dëshmon se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme.

 

  1. Më 8 korrik 2022, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë fletëkthesën e cila dëshmon se parashtruesi i kërkesës e ka pranuar Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme më 4 shkurt 2022.

 

  1. Më 12 tetor 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.

 

 

 

 

Përmbledhja e fakteve

 

  1. Sipas shkresave të lëndës, parashtruesi i kërkesës kishte punuar në Korporatën Energjetike të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KEK) që nga viti 1979 derisa ishte pensionuar (në vitin 2019), në pozitën Menaxher i Kontabilitetit. Pas pensionimit, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur kërkesë drejtuar KEK-ut, për njohjen e shpërblimit në paga jubilare.

 

  1. Më 14 dhjetor 2018 KEK përmes vendimit [nr.1527] kishte refuzuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës për njohjen e shpërblimit në paga jubilare.

 

  1. Më 23 maj 2019, parashtruesi i kërkesës paraqiti padi në Gjykatën Themelore, kundër KEK-ut ku kërkoi që ti paguhen tri paga jubilare në shumën e tërësishme prej 4235.82 (katër mijë e dyqind e tridhjetë e pesë euro e tetëdhjetë e dy cent) dhe atë me kamatë ligjore prej 8% që nga dita e paraqitjes së padisë e deri në pagesën definitive.

 

  1. Më 11 tetor 2019, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr.1791/2019] aprovoi si te bazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe detyroi të paditurën KEK që parashtruesit të kërkesës t’ia paguaj shumën prej 3,960 (tre mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë) euro me kamatë në lartësi prej 8% nga dita e marrjes së aktgjykimit si dhe shpenzimet e procedurës në lartësi 175 euro të gjitha në afatin prej 7 ditëve.

 

  1. Më 4 nëntor 2019, KEK paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të Ligjit per Procedurën Kontestimore (LPK-së), vërtetimit jo të plotë të gjendjes faktike dhe aplikimit të gabuar të drejtës materiale. Përgjigje në ankesë kishte paraqitur edhe parashtruesi i kërkesës.

 

  1. Më 11 qershor 2021, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac.nr.1444/20] aprovoi ankesën e KEK-ut dhe ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore C.nr.1791/2019 të 11 tetorit 2019, ashtu që refuzoi si të pa bazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës.

 

  1. Në një datë të pasaktësuar, parashtruesi i kërkesës paraqiti revizion në Gjykatën Supreme kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave të LPK-së dhe zbatimin e gabuar të së drejtës materiale.

 

  1. Më 11 janar 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev.nr.580/2021] refuzoi si të pathemeltë revizionin e parashtruesit të kërkesës paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës

 

  1. Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [nr.580/2021] të 11 janarit 2022 të Gjykatës Supreme, me pretendimin se i njëjti është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës si dhe nenet 6 dhe 13 të KEDNJ-së.

 

  1. Parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme përmes aktgjykimeve të nxjerra kanë bërë vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe aplikim të gabuar të së drejtës materiale për shkak se “… e paditura e ka të rregulluar çështjen e pagave jubilare edhe sipas aktit te brendshëm e i cili është ende ne zbatim dhe atë duke parapare qe e paditura shpërblimin jubilar te ju njeh punëmarrësve kur ti këtë kushtet afariste dhe financiare te përshtatshme e paditura. Gjykata është dashur te këtë parasysh se është fakt notor se KEK sh. a. si punëdhënës është një nga Korporatat me te fuqishme ne vend si për nga fuqia afariste ashtu edhe për nga gjendja financiare por gjithashtu edhe faktin se e paditura si punëdhënës është dashur qe ti njeh paditësit te drejtën e tij për page jubilare ne afatin prej 30 ditësh duke u bazuar ne nenin 52 te MPKK dhe atë pas plotësimit te kushteve te parapara ne nenin 52 par. 1 te MPPK lidhur me nenin 53.4 te Kodit te punës se KEK sh.a. Por Gjykata gjithashtu nuk merr për baze faktin se paditësi tek pas refuzimit të paditurës që ti njeh të drejtën e pagës jubilare, kishte paraqitur padinë ne Gjykate për realizimin e te drejtës se tij në page jubilare. Për me tepër kërkesëpadia e paditësit është e bazuar edhe nga fakti se duke u bazuar ne nenin 53.4 te kodit te punës te KEK. Sh.a e paditura ka parapare njohjen e një te drejte te tille dhe e paditura kodin e punës e ka ende ne fuqi dhe te e paditura punohet ende ne harmoni me këtë kod, andaj edhe ne kuptim te kësaj kërkesëpadia e paditësit është tërësisht e bazuar dhe e njëjta është paraqitur ne Gjykate ne kuadër te afateve ligjore për njohjen e te drejtës se saj për page jubilare për me tepër kjo e drejte i takon edhe pasi që një të drejt e tille është njohur edhe nga vet e paditura me vendimet 2244 dt.10.04.2019 dhe plotësimin e tij me nr.8261 dt.23.08.2019 i ka njohur një të drejt të tillë të gjithë punëmarrësve si dhe nen nenin 3 te këtij vendimi i ka njohur edhe kësaj kategorie te punësuarve te drejtën e tyre ne tri paga jubilare”.

 

  1. Tutje parashtruesi i kërkesës pretendon se gjykatat e rregullta nuk kanë vepruar konform dispozitave ligjore të cilat rregullojnë çështjen e gjykimit të drejtë dhe zbatimin e ligjit material pasi që “…me rastin e marrjes se aktgjykimit për revizionin paraqitur nga paditësi para Gjykatës Supreme konkretisht dispozitat e Ligjit te Procedurës Kontestimore si dhe Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme kane vepruar ne kundërshtim me dispozitat ligjore gjate marrjes se vendimeve. Sipas pretendimeve te paditësit, mos veprimi i Gjykatës sipas dispozitave ligjore kishte rezultuar ne Refuzim te Revizionit se tij, dhe rrjedhimisht, atij i ishte pamundësuar që të merr një përgjigje përfundimtare nga gjykatat sa i përket meritave te rastit te tij. Ne këtë aspekt parashtruesi i kërkesës pretendon se i janë shkelur te drejtat e tij për gjykim te drejte dhe te paanshëm te garantuara me nenin 31 te Kushtetutës ne lidhje me nenin 6 te KEDNJ-se, e me veprimet e lartcekura paditësi ka rezultuar me pa mundësimin e shqyrtimit te mjetit te jashtëzakonshëm juridik pranë Gjykatave te rregullta, dhe me këtë i kanë pamundësuar atij mbrojtjen gjyqësore të të drejtave te garantuara me nenin 54 te Kushtetutës. Për më tepër, parashtruesi i kërkesës konsideron se gjykatat e rregullta kane vepruar ne shkelje te nenit 102 te Kushtetutës, duke mos vepruar ne baze te ligjit te aplikueshëm siç kërkohet me Kushtetutë”.

 

  1. Parashtruesi i kërkesës lidhur me pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, konsideron se konstatimi i Gjykatës Supreme lidhur me revizionin, është i pa bazuar dhe bie ndesh me nenin 6 të KEDNJ-së, pasi që “ … mos zbatimi i drejt i të drejtës materiale ndikon edhe ne mos marrjen e një vendimi meritor nga Gjykata Supreme, dhe refuzimi i revizionit ne kundërshtim me dispozitat ligjore te lartcekura konsiston ne atë se pala paditëse nuk është trajtuar si duhet dhe ne mënyrë te barabarte ne këtë procedure, ndaj dhe i është shkelur e drejta ne gjykim te drejte e cila garantohet me nenin 31 te Kushtetutës se Republikës se Kosovës. Duke qenë se, parashtruesit te kërkesës i është refuzuar Revizioni pa u shqyrtuar meritorisht nënkupton se ne këtë mënyrë i është shkelur e drejta e garantuar me neni 6.1. te Konventës Evropiane për te Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore qe përcakton qe çdo person ka te drejtë që çështja e tij te dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati te arsyeshëm nga gjykata e pavarur dhe e paanshme e krijuar me ligj, e cila duhet te vendose për mosmarrëveshjet ne lidhje me te drejtat dhe detyrimet e tij te natyrës civile. Parimi i gjykimit te drejte ne një aspekt nënkupton edhe barazinë e armëve, e cila shprehet ne te drejtën e palëve për te pasur njohuri dhe për të komentuar provat e paraqitura apo vërejtjet e parashtruara”.

 

  1. Lidhur me pretendimin për shkelje të nenit 13 të KEDNj-së, parashtruesi i kërkesës thekson se atij i është shkel edhe parimi i barazisë së armëve për shkak se ai është paraqit në pozitë të pafavorshme përballë të paditurës, pasi që nuk ishte zbatuar drejtë e drejta materiale gjatë vendosjes lidhur me mjetin juridik në mënyre efektive.

 

  1. Parashtruesi i kërkesës pretendon edhe shkelje të nenit 24 të Kushtetutës, pasi që siç thekson ai Gjykata Supreme dhe Gjykata e Apelit kanë vendosur në raste të ngjashme sikurse të tij duke i aprovuar ato, me ç ‘rast gjykatat e rregullta kanë krijuar qëndrime të ndryshme në raste të ngjashme, dhe me këtë e kanë vënë atë në pozitë të pabarabartë para ligjit.

 

  1. Në fund parashtruesi i kërkesës nga Gjykata kërkon (i) aprovimin e kërkesës dhe (ii) anulimin e aktgjykimit të Gjykatës Supreme Rev.nr.580/2022 të 11 janarit 2022.

 

Dispozitat relevante të Ligjit dhe Rregullores së punës

 

Ligji

 

Neni 49

(Afatet)

 

“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht. Nëse kërkesa është e drejtuar kundër një ligji, atëherë afati fillon të ecë që nga dita kur ligji ka hyrë në fuqi.”

 

Rregullorja e punës

 

Rregulli 39

(Kriteret e pranueshmërisë)

 

“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:

 

[…]

 

  1. c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit, dhe

[…].”

 

Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës

 

  1. Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.

 

  1. Në këtë drejtim, Gjykata, fillimisht, i referohet paragrafëve 1 dhe 7, të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcaktojnë:

 

“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

 

[…]

 

  1. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.

 

  1. Gjykata gjithashtu vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç specifikohet më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 [Kërkesa individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, të cilët përcaktojnë:

 

Neni 47 i Ligjit

[Kërkesa individuale]

 

“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

 

  1. Individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

Neni 48 i Ligjit

[Saktësimi i kërkesës]

 

“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.

 

Neni 49 i Ligjit

[Afatet]

 

“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të

ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor … “.

 

  1. Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Rev.nr.580/2022] të 11 janarit 2022 të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.

 

  1. Megjithatë, Gjykata po ashtu thekson se sipas nenit 49 (Afatet) të Ligjit, kërkesa duhet parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit të kërkesës i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Kjo kërkesë është përcaktuar edhe përmes pikës (c) të paragrafit (1) të rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, që përcakton se kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës.

 

  1. Në këtë kontekst, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [Rev.nr.580/2021] të 11 janarit 2022 të Gjykatës Supreme. Fletëkthesa e dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore, vërteton që parashtruesi i kërkesës e ka pranuar aktin e kontestuar më 4 shkurt 2022. Parashtruesi i kërkesës e kishte dorëzuar kërkesën e tij në postë më 6 qershor 2022, gjë që vërtetohet përmes zarfit, e cila në Gjykatë ka arritur më 10 qershor 2022, më shumë se 4 muaj pas pranimit të aktit të kontestuar. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës, dhe rrjedhimisht është e papranueshme për shqyrtim.

 

  1. Në rastet kur parashtruesi i kërkesës ka të drejtë që kopja e vendimit të plotfuqishëm të organeve gjyqësore vendase t’i dorëzohet në mënyrë automatike, qëllimit dhe synimit të nenit 49 të Ligjit më së miri do t’i shërbehej nëse afati katërmujor llogaritet nga data kur është dorëzuar kopja e atij vendimi (shih, ndër të tjera, rastin GJEDNJ-së Worm kundër Austrisë, nr. 83/1996/702/894, aktgjykim i 29 gushtit 1997, paragrafi 33).

 

  1. Gjykata rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 39 (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë siguri juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe vendimet e mëparshme të mos jenë vazhdimisht të hapura për t’u kontestuar (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI48/21, me parashtrues Xhavit R. Sadrija, Aktvendimi për papranueshmëri, i 30 qershorit 2021, paragrafi 44; dhe KI45/21, me parashtrues Samedin Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 majit 2021, paragrafi 35; shih gjithashtu, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-se Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 10865/09,45886/07 dhe 32431/08, të 17 shtatorit 2014, paragrafi 258).

 

  1. Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, kërkesa shpallet e papranueshme.

 

 

 

 

 

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenin 49 të Ligjit, dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës, më 12 tetor 2022, njëzëri

 

VENDOS

 

  1. TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;

 

  1. T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;

 

  • TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin

20.4 të Ligjit; dhe

 

  1. Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.

 

Gjyqtarja raportuese                                 Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese

Remzie Istrefi Peci                                             Gresa Caka Nimani

Parashtruesit:

Isak Shehu

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 32 - E Drejta për Mjete Juridike , Neni 54 - Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative