Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev. Nr.360/2020, të 2 prillit 2021

Nr. të lëndës KI 117/21

Shkarko:
Përmbledhje

KI117/21, Parashtrues: Shefqet Nikqi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. Nr. 360/2020, të 2 prillit 2021

KI117/21, Aktvendim për Papranueshmëri, i 21 tetorit 2021, publikuar më  9 nëntor 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta në pronë, barazia para ligjit, mbrojtja gjyqësore e të drejtave, kërkesë qartazi e pabazuar, pretendime të shkallës së katërt, pretendime të pambështetura dhe të paarsyetuara

Nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Komunale në Pejë kishte parashtruar kërkesëpadi përmes të cilës kishte specifikuar se pas angazhimit të gjeodetit në vitin 2007 ishte konstatuar se mexha apo vija përkufizuese në mes të paluajtshmërisë, gjegjësisht ngastrave [320/1 dhe 321/1] të regjistruara në emër të tij dhe paluajtshmërisë së paditurve [J.N dhe D.N], gjegjësisht ngastrës [320/2] nuk është aty ku është e evidentuar në regjistrat kadastralë por është disa metra në thellësi të paluajtshmërisë së paditurve nga ana lindore e paluajtshmërisë së parashtruesit të kërkesës. Në kërkesëpadinë e precizuar të parashtruesit të kërkesës, të parashtruar në Gjykatën Themelore ishte specifikuar se kjo paluajtshmëri kontestuese përfshinte sipërfaqen prej 1670 m2. Rrjedhimisht, parashtruesi i kërkesës nga Gjykata Themelore kishte kërkuar që të (i) aprovohet kërkesëpadia e tij; (ii) të konstatojë se të paditurit J.N dhe D.N kanë uzurpuar paluajtshmërinë e lartcekur të regjistruar në certifikatën e pronësisë në emër të parashtruesit të kërkesës dhe (iii) ti detyrojë paditurit që t’ia kthejnë këtë pjesë të paluajtshmërisë. Më 24 maj 2013, J.N dhe D.N, në cilësinë e të paditurve- kundërpaditësve kishin parashtruar kundërpadi në Gjykatën Themelore përmes të cilës kishin kërkuar që të refuzohet në tërësi kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës dhe të vërtetohet se J.N është pronar në bazë të mbajtjes-parashkrimit fitues të paluajtshmërisë kontestuese. Më 17 qershor 2015, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit C.nr. 561/12 ndër tjerash kishte (i) refuzuar në tërësi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës; (ii) kishte aprovuar si pjesërisht të bazuar kërkesëpadinë e të paditurit-kundërpaditësit J.N dhe kishte vërtetuar se ky i fundit është pronar në bazë të mbajtjes-parashkrimit fitues të paluajtshmërisë në sipërfaqe prej 1670 m2 në mes të ngastrës 320/1 dhe 320/2 ashtu siç është përcaktuar me paragrafin 4 të nenit 28 të LMTHPJ-së. Kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, dhe kjo e fundit përmes Aktgjykimit, të 29 janarit 2020 kishte refuzuar ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pathemeltë duke vërtetuar në tërësi konstatimin dhe qëndrimin e Gjykatës Themelore. Si rezultat i kësaj, parashtruesi i kërkesës kundër Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës së Apelit kishte parashtruar revizion në Gjykatën Supreme. Më 2 prill 2021, Gjykata Supreme revizionin e parashtruesit të kërkesës e kishte refuzuar si të pathemeltë.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës Kushtetuese pretendoi shkelje (i) të së drejtës së tij për barazi para ligjit, të garantuar me nenin 24 të Kushtetutës; (ii) të drejtës së tij në pronë, të garantuar me nenin 46 të Kushtetutës; dhe (iii) të mbrojtjes gjyqësore të drejtave të tij, të garantuara me nenin 54 të Kushtetutës.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut përkitazi me (i) pretendimin për shkelje të së drejtës së tij në pronë, konstatoi se ky pretendim është i papranueshëm, si qartazi i pabazuar në baza kushtetuese ashtu siç është përcaktuar me rregullin 39 (2) të Rregullores së Punës së Gjykatës; dhe (ii) pretendimet për shkelje të nenit 24 dhe nenit 54 të Kushtetutës, Gjykata konstatoi se këto pretendime janë të pambështetura apo paarsyetuara, dhe rrjedhimisht të papranueshme ashtu siç është përcaktuar me nenin 48 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, dhe rregullin 39 (1) (d) dhe (2) të Rregullores së Punës së Gjykatës.

 

Parashtruesit:

Shefqet Nikqi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile