AKTGJYKIM në rastin nr. KI116/21
Parashtrues
Sali Rexhepi
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme Rev. nr. 104/20, të 25 shkurtit 2021
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
- Kërkesa është parashtruar nga Sali Rexhepi, me vendbanim në Prizren (në tekstin e mëtejmë: Parashtruesi i kërkesës), i cili përfaqësohet nga Visar Ostrozubi, avokat nga Prizreni.
Vendimi i kontestuar
- Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, Rev. nr. 104/20, të 25 shkurtit 2021 (në tekstin e mëtejmë: Aktgjykimi i kontestuar).
- Aktgjykimi i kontestuar i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës më 21 prill 2021.
Objekti i çështjes
- Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave të tij, të garantuara me nenet: 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenin 6.1 [E drejta për një proces të rregullt] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
- Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
- Më 21 qershor 2021, kërkesa u dorëzua në Postën e Republikës së Kosovës.
- Më 28 qershor 2021, kërkesa arriti dhe u regjistrua në Gjykatë.
- Më 8 korrik 2021, Kryetarja e Gjykatës Gresa Caka-Nimani caktoi gjyqtaren Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Safet Hoxha (anëtarë).
- Më 14 korrik 2021, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën ditë, Gjykata kërkoi nga Gjykata Themelore në Prizren informata në lidhje me datën e dorëzimit të Aktgjykimit të kontestuar tek parashtruesi i kërkesës. Po ashtu një kopje të kërkesës Gjykata ia dërgoi Gjykatës Supreme.
- Më 22 korrik 2021, Gjykata Themelore në Prizren informoi Gjykatën se Aktgjykimi i kontestuar iu dorëzua parashtruesit të kërkesës më 21 prill 2021.
- Më 19 korrik 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës pranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
- Më 8 prill 2008, bazuar në shkresat e lëndës, dyshohej se parashtruesi i kërkesës në bashkëkryerje me F.S. kishin kryer veprën penale “përdorimi i paautorizuar i pasurisë” së Raiffeisen Bank Kosovo-dega në Prizren. Parashtruesi i kërkesës në ketë bankë mbante pozitën e arkëtarit kryesor të transaksioneve, ndërsa F.S. pozitën e zëvendës-menaxheres së degës në Prizren.
- Më 12 prill 2008, Raiffeisen Bank Kosovo e suspendoi nga puna parashtruesin e kërkesës dhe F.S., me pretendimin se të njëjtit kanë bërë “transaksione të paautorizuara” për periudhën janar-prill 2008.
- Më 21 prill 2008, Raiffeisen Bank Kosovo, njoftoi parashtruesin e kërkesës për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, për shkak të keqpërdorimit të pozitës dhe të detyrave të punës.
- Brenda afateve ligjore, parashtruesi i kërkesës ushtroi kërkesëpadi në Gjykatën Themelore në Prizren, kundër Njoftimit të Raiffeisen Bank Kosovo të 21 prillit 2008, me pretendimin se shkëputja e kontratës së punës është bërë në kundërshtim me ligjin në fuqi.
- Më 7 dhjetor 2015, Gjykata Themelore në Prizren, nëpërmjet Aktgjykimit C. nr. 458/2014:
- aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës;
- anuloi, si të kundërligjshëm, Njoftimin e Raiffeisen Bank Kosovo, të 21 prillit 2008, me arsyetimin se kontrata e punës është shkëputur në kundërshtim me ligjin, sepse ndaj tij nuk është zhvilluar procedurë disiplinore, dhe;
III. detyroi Raiffeisen Bank Kosovo, që t’ia kompensojë parashtruesit të kërkesës të ardhurat e parealizuara nga 21 prilli 20o8 deri në datën e pensionimit të tij, gjegjësisht deri më 13 tetor 2015, në shumën e tërësishme prej 58,845.94 euro.
- Raiffeisen Bank Kosovo, në afat ligjor ushtroi të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit, kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prizren të 7 dhjetorit 2015, për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që Gjykata e Apelit ta aprovojë ankesën, të anulojë Aktgjykimin e kontestuar dhe të refuzojë në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës apo lënda t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë për rivendosje.
- Më 4 dhjetor 2019, Gjykata e Apelit, nëpërmjet Aktgjykimit [Ac. nr. 1280/2016]:
- refuzoi ankesën e Raiffeisen Bank Kosovo, përkitazi me pikën I të dispozitivit, nëpërmjet së cilës ishte aprovuar kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës, në piken II të dispozitivit, me të cilën ishte anuluar si i kundërligjshëm Njoftimi i Raiffeisen Bank Kosovo i 21 prillit 2008, duke vërtetuar Aktgjykimin [C. nr. 458/2014] të Gjykatës Themelore në Prizren, në lidhje me këto pika të dispozitivit;
- prishi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren në pikën III të dispozitivit, më të cilin ishte aprovuar kërkesëpadia për kompensimin e të ardhurave personale në shumën prej 58,845.94 euro, duke urdhëruar që në këtë pjesë të dispozitivit çështja të kthehet në rigjykim për t’u vërtetuar fakti nëse parashtruesi i kërkesës kishte realizuar të ardhura brenda këtyre 8 viteve në ndonjë ndërmarrje tjetër.
- Raiffeisen Bank Kosovo, kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të 4 dhjetorit 2019, ushtroi kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që Gjykata Supreme ta aprovojë revizionin dhe ta anulojë Aktgjykimin e kontestuar, duke e refuzuar në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, apo lënda t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë për rivendosje.
- Më 25 shkurt 2021, Gjykata Supreme, nëpërmjet Aktgjykimit Rev. nr. 104/2021:
- aprovoi revizionin e ushtruar nga Raiffeisen Bank Kosovo;
- ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit në pikën (I) të dispozitivit dhe Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren në pikën (I) dhe (II) të dispozitivit, me arsyetimin se të njëjtët ishin marrë me aplikim të gabuar të së drejtës materiale dhe procedurale.
- Aktgjykimi i Gjykatës Supreme, ndër të tjera, theksoi: “Gjykata Supreme nuk e ka pranuar përfundimin e instancave me të ulëta se procedura disiplinore është përfshirë në shkelje që kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit për ndërprerjen e kontratës së punës. Kjo për shkak se e paditura e ka dëgjuar paditësin nga i cili ka marrë deklaratë, ndërsa procesi i auditimit ka rezultuar me një raport i cili është realizuar në periudhë prej tri ditësh dhe kjo nënkupton se deklarata e paditësit dhe raporti i auditimit janë marrë në një proces në vazhdim, sepse përndryshe ka qenë e pamundur të nxjerrët raporti i auditimit, prandaj sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, në këtë rast paditësi konsiderohet i dëgjuar në procedurën Njoftimi për ndërprerjen e kontratës së punës është në përputhje me dispozitën e nenit 11 paragrafit 5 të Ligjit Themelor të Punës, përndryshe fakti se njoftimi nuk përmban këshillë juridike për mundësinë e kundërshtimit të njoftimit mbi ndërprerjen e kontratës së punës nuk ndikon në Ligjshmërinë e njoftimit. Kjo për shkak se në ketë rast paditësi e ka shfrytëzuar të drejtën për të kërkuar mbrojte gjyqësore, përndryshe nëse paditësi nuk do të kërkonte mbrojte gjyqësore, atëherë do të mund të konsiderohej se njoftimi e ka vendosë paditësin në pozitë të vështirësuar për realizimin e të drejtave nga marrëdhënia e punës”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
- Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Supreme shkeli të drejtën e tij për barazi para ligjit të garantuar me nenin 24 të Kushtetutës dhe të drejtën e tij për gjykim të drejtë të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës për shkak të jokonsistencës së praktikës gjyqësore të Gjykatës Supreme.
- Pretendimet përkitazi me “jokonsistencën e praktikes gjyqësorë” të Gjykatës Supreme
- Në lidhje me këtë pretendim specifik, parashtruesi i kërkesës argumenton se “Gjykata Supreme në rastin konkret ka shkelur edhe nenin 31 të Kushtetutës së Kosovës për të drejtën në Gjykim të drejtë dhe të paanshëm. (…). Ndërprerja e marrëdhënies së punës ka ardhur si pasojë e një dyshimi për keqpërdorim të detyrës zyrtare të disa personave në këtë rast, ndër ta edhe paditësi… Gjykata Supreme ka vlerësuar në mënyrë të ndryshme dy raste nga e njëjta çështje juridike. Mbi ketë bazë parashtruesi argumenton tutje se “Gjykata Supreme me Aktgjykimin e saj REV. Nr. 12/2020 duke vendosur sipas revizionit të së paditurës Raiffeisen Bank për paditësin F. S, ka pranuar revizionin e të paditurës sa i përket çështjes së kthimit në vendin e punës, ndërsa ka refuzuar revizionin sa i përket çështjes së anulimit të vendimit mbi ndërprerjen e marrëdhënies së punës, duke i vërtetuar si vendime ligjore…”.Gjykata Supreme e Kosovës duke vendosur në mënyrë të ndryshme për raste identike ka bërë shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,…duke i shkelur palës paditëse…të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm”.
- Pretendimet përkitazi me shkeljen e të drejtës për ”barazi para ligjit“
- Parashtruesi i kërkesës sa i përket këtij pretendimi, thekson se: “Gjykata Supreme e Kosovës nuk ka dhënë mbrojtje ligjore të barabartë para ligjit, duke vendosur në mënyrë diskriminuese në rastin konkret pasi që pa asnjë bazë ligjore, në mënyrë arbitrare përcakton se cilat veprime janë veprime që në vete ngërthejnë veprimet disiplinore për të cilat duhet të shqiptohen edhe masat disiplinore, për të cilat veprime nuk është udhëhequr një procedurë disiplinore për të përcaktuar shkeljet disiplinore nga marrëdhënia e punës. Gjykata në rastin konkrete ka vendosur në mënyrë joligjore dhe diskriminuese në kundërshtim edhe me praktikën gjyqësore në rastin e kontesteve të punës, ku vlerësimi i shkeljeve disiplinore ka qenë detyrim i organeve të pavarura të punëdhënësit, ndërsa gjykata ka vlerësuar vetëm respektimin e saj”.
- Në fund, parashtruesi i kërkesës nga Gjykata kërkon të: “konstatojë se ka pasur shkelje të nenit 24 Barazia para ligjit, nenit 31 E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm dhe nenit 6.1 E Drejta për Proces të Rregullt të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; TË SHPALLË të pavlefshëm Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. Nr. 104/2020, të datës 25.02.2021; KTHEHET Aktgjykimi i Gjykatës Supreme te Kosovës për rivendosje”.
Dispozitat relevante
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
- Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
- Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal. 3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
- Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
- Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
- Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të medieve, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
- Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t’u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
- Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt gjyqësor)
- Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[…]
Ligji për Marrëdhënien e Punës [Gazeta Zyrtare KSAK nr. 12/89]
Kreu VIII
PËRGJEGJËSIA E PUNËTORIT
Neni 111
Me hyrjen në punë në organizatën themelore punëtori i merr përsipër detyrimet në punë në lidhje me punë [obligimet e punës], të përcaktuar me aktin e përgjithshëm vetëqeverisës të organizatës themelore dhe me ligj.
Punëtori përgjigjet vetëm për shkeljen e obligimit të punës i cili në kohën e kryerjes ka qenë i përcaktuar me dispozita dhe me aktin e përgjithshëm vetëqeverisës të organizatës themelore.
Neni 112
Organet e autorizuara kanë për detyrë të paraqesin kërkesën për inicimin e procedurës disiplinore brenda tetë ditësh pasi të marrin vesh për shkeljen e detyrës së punës dhe për kryesin.
Komisioni disiplinor ka për detyrë që kërkesën për inicimin e procedurës ta shqyrtojë dhe ta marrë për procedurë brenda 15 ditësh pasi të paraqitet kërkesa.
Procedura disiplinore është urgjente.
Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2001/27 për Ligjin Themelor të Punës në Kosovë
Neni 11
Shkëputja e kontratës së punës
11.1 Kontrata e punës shkëputet:
(a) me rastin e vdekjes së punonjësit;
(b) me marrëveshje me shkrim ndërmjet punonjësit dhe punëdhënësit;
(c) në rastet e rënda të sjelljes së keqe nga punonjësit;
(ç) për shkak të përmbushjes së pakënaqshme të detyrave të punës nga ana e punonjësit;
(d) me skadimin e kohëzgjatjes së punësimit dhe
(dh) sipas fuqisë ligjore.
11.2 Kontrata e punës shkëputet nga punëdhënësi në rastet e rënda të sjelljes së keqe ose të përmbushjes së pakënaqshme të detyrave të punës nga punonjësi.
11.3 Raste të rënda të sjelljes së keqe paraqesin:
(a) kundërshtimi i paarsyetuar për kryerjen e detyrave të përcaktuara në kontratën e punës; (b) vjedhja, shkatërrimi, dëmtimi ose shfrytëzimi i paautorizuar i pasurisë së punëdhënësit; (c) zbulimi i fshehtësive afariste;
(ç) përdorimi e drogave dhe i alkoolit në punë dhe
(d) sjellja e natyrës tepër të rëndë pas së cilës do të ishte e paarsyeshme që të pritet vazhdimi i marrëdhënies së punës edhe më tej.
11.4 Përmbushja e pakënaqshme e detyrave të punës përfshin sa vijon:
(a) mungesën e paarsyeshme nga puna dhe
(b) gabimet e përsëritura, të cilat si të tilla nuk janë të mjaftueshme për ta arsyetuar largimin nga puna por ato me shpeshtësinë dhe peshën e tyre çrregullojnë ecurinë normale të marrëdhënies së punës.
11.5 Në rastet kur zbatohet neni 11.2: (a) punëdhënësi do ta njoftojë punonjësin me shkrim për qëllimin e tij për ta ndërprerë kontratën e punës. Ai njoftim përfshinë edhe shkaqet për shkëputjen e kontratës së punës dhe (b) punëdhënësi do ta mbajë një takim me punonjësin me ç’rast punëdhënësi ia shpjegon me gojë punonjësit shkaqet e shkëputjes së kontratës. Në rast se punonjësi është anëtar i ndonjë sindikate ka të drejtë që në atë takim të jetë i pranishëm edhe një përfaqësues i sindikatës.
11.6 Kontrata e punës shkëputet sipas fuqisë ligjore në rastet kur punëdhënësi konstaton se punonjësi për shkaqe shëndetësore nuk mund ta kryejë më punën ose shërbimet për të cilat ai ose ajo është punësuar dhe kur nuk ka punë tjetër të cilën ai ose ajo do të ishte në gjendje ta kryente. Punëdhënësi duhet ta paralajmërojë punonjësin një muaj përpara shkëputjes së kontratës.
11.7 Kontrata e punës mund të shkëputet nga punëdhënësi për shkak të ndryshimeve ekonomike, teknologjike ose strukturale në ndërmarrje.
11.8 Në rastet e shkëputjes së kontratës së punës, punëdhënësi, me kërkesë të punonjësit, e pajisë atë me një vërtetim ku figuron emri i punonjësit, natyra e punës ose lloji i punës ose i shërbimeve për të cilat ai ose ajo është punësuar, periudha kohore e punësimit, lartësia bazë e pagës/rrogës me pagesat dhe të ardhurat tjera si dhe një vlerësim për përmbushjen e detyrave të punës gjatë kohës së punësimit.
[…]
Pranueshmëria e kërkesës
- Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
- Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
- Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
[…]
- Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen më tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
- Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht…”.
- Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës; ai konteston kushtetutshmërinë e një akti të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin Rev. nr. 104/2020, të 25 shkurtit 2021 të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; ka specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe kërkesën e ka parashtruar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, siç parasheh neni 49 i Ligjit.
- Përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 39 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht me dispozitat (1) (d) dhe (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës, që përcaktojnë:
- “Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme, nëse:
[…]
(d) kërkesa qartëson saktësisht dhe në mënyrë adekuate paraqet faktet dhe pretendimet për shkelje të të drejtave apo dispozitave kushtetuese.
(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk e mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij.”
[…]
- Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës i plotëson kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 39 (1) (d) të Rregullores së punës. E njëjta nuk mund të shpallet e papranueshme mbi bazën e kritereve të përcaktuara në rregullin 39 (2) të Rregullores së punës. Rrjedhimisht, Gjykata vlerëson se kërkesa e parashtruesit të kërkesës i përmbush kushtet për vlerësim në merita.
Meritat e kërkesës
- Gjykata rikujton që rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me Njoftimin e Raiffeisen Bank Kosovo, të 21 prillit 2008, me të cilin parashtruesi i kërkesës ishte njoftuar për shkëputjen e kontratës së punës. Për këtë arsye parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesëpadi në Gjykatën Komunale në Prizren, nëpërmjet së cilës kërkoi anulimin e Njoftimit, të 21 prillit 2008, me pretendimin se shkëputja e kontratës së punës është bërë në kundërshtim me ligjin në fuqi. Gjykata Themelore në Prizren nëpërmjet Aktgjykimit [PA.II.nr.2/2014], të 7 dhjetorit 2014, aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe anuloi si të kundërligjshëm Njoftimin e Raiffeisen Bank Kosovo, të 21 prillit 2008, si dhe detyroi të njëjtën që të t’ia kompensojë parashtruesit të ardhurat e parealizuara nga 21 prilli 20o8, deri në datën e pensionimit të tij, gjegjësisht deri më 13 tetor 2015. Kundër këtij Aktgjykimi Raiffeisen Bank Kosovo kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila me Aktgjykimin Ac.nr. 1280/2016, refuzoi ankesën e saj përkitazi me pikën I dhe II të dispozitivit, dhe prishi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në pikën III të dispozitivit, me të cilin ishte aprovuar kërkesëpadia për kompensimin e të ardhurave personale. Në ndërkohë, Raiffeisen Bank Kosovo kishte ushtruar revizion në Gjykatën Supreme, e cila nëpërmjet Aktgjykimit të kontestuar Rev.nr.104/2021, aprovoi revizionin e Raiffeisen Bank Kosovo dhe ndryshoi Aktgjykimin e gjykatës së shkallës së dytë në pikën (I) të dispozitivit dhe Aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë në pikën (I) dhe (II) të dispozitivit, me arsyetimin se të njëjtët ishin marrë me aplikim të gabuar të së drejtës materiale dhe procedurale, me arsyetimin se: “Gjykata Supreme nuk e ka pranuar përfundimin e instancave më të ulëta se procedura disiplinore është përfshirë në shkelje që kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit për ndërprerjen e kontratës së punës. Kjo për shkak se e paditura e ka dëgjuar paditësin nga i cili ka marrë deklaratë, ndërsa procesi i auditimit ka rezultuar me një raport i cili është realizuar në periudhë prej tri ditësh dhe kjo nënkupton se deklarata e paditësit dhe raporti i auditimit janë marrë në një proces në vazhdim, sepse përndryshe ka qenë e pamundur të nxjerrët raporti i auditimit, prandaj sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, në këtë rast paditësi konsiderohet i dëgjuar në procedurën disiplinore”.
- Gjykata, vë në pah se parashtruesi i kërkesës pretendon se me Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme, i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet: 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 [E drejta për një proces të rregullt] të KEDNj-së.
- Gjykata verën se esenca e pretendimeve për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, ndërlidhet me jokonsistencën e Gjykatës Supreme, ku sipas parashtruesit të kërkesës kjo gjykatë ka dështuar të vendosë njësoj për çështje të njëjta faktike dhe juridike. Andaj, Gjykata në vazhdim do të analizojë këtë pretendim thelbësor të parashtruesit të kërkesës në pajtueshmëri me standardet e praktikës gjyqësore të GjEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë.
- Vlerësimi i pretendimeve për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 të KEDNJ-së, si rezultat i jokonsistencës së praktikës gjyqësore të Gjykatës Supreme
- Gjykata në lidhje me këtë, i referohet dispozitave të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
- Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”
[…]
- Përveç kësaj, Gjykata rikujton gjithashtu përmbajtjen e nenit 6.1 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNj-së, që përcakton:
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj,…”.
[…]
- Gjykata, në këtë kontekst rikujton se ajo tashmë ka një praktikë gjyqësore të konsoliduar për sa i përket çështjeve që ndërlidhen me shkeljen e të drejtës në gjykim të drejtë, si rezultat i praktikës gjyqësore jokonsistente, e cila cenon drejtpërdrejt parimin e sigurisë juridike. (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI35/18 dhe KI87/18, ku Gjykata konstatoi shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 të KEDNj-së, si rezultat i divergjencës në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme, po ashtu mes tjerash edhe rastet KI74/19 me parashtrues Suva Rechtsabteilung, Aktgjykim, i 28 prillit 2021; KI119/19 me parashtrues Suva Rechtsabteilung, Aktgjykim, i 28 prillit 2021; dhe KI09/20 me parashtrues Suva Rechtsabteilung, Aktgjykim, i 28 prillit 2021, aktgjykime të cilat Gjykata në trajtimin e meritave të pretendimeve për divergjencë në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme ka konstatuar se nuk ka pasur shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, dhe së fundmi rastet: KI133/20, me parashtrues Raiffeisen Bank Kosovo, Aktgjykimi i 30 marsit 2022, paragrafët 116 – 123 dhe KI78/21 parashtrues Raiffeisen Bank Kosovo, Aktgjykimi i 30 marsit 2022, paragrafët 86-93).
- Gjykata edhe njëherë rikujton se pretendimi thelbësor i parashtruesit të kërkesës, ndërlidhet me jokonsistencën e praktikës gjyqësore të Gjykatës Supreme, ku sipas parashtruesit të kërkesës, kjo e fundit për çështje të njëjta faktike dhe juridike kishte nxjerrë vendime kundërthënëse, në shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, gjegjësisht në shkelje të parimit të sigurisë Në këtë kontekst parashtruesi i kërkesës argumenton se: “Gjykata Supreme me Aktgjykimin e saj Rev.nr.12/2020 duke vendosur sipas revizionit të së paditurës Raiffeisen Bank, për paditësen F.S., ka pranuar revizionin e të paditurës sa i përket çështjes së kthimit në vendin e punës, ndërsa ka refuzuar revizionin e saj sa i përket çështjes së anulimit të vendimit mbi ndërprerjen e marrëdhënies së punës, duke i vërtetuar si vendime ligjore…”.Gjykata Supreme e Kosovës duke vendosur në mënyre të ndryshme për raste identike ka bëre shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,…duke i shkelur palës paditëse…të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm”.
- Gjykata, verën se parashtruesi i kërkesës në mbështetje të pretendimit të tij, për jokonsistencë të praktikës gjyqësore të Gjykatës Supreme, kërkesës së tij ia ka bashkëngjitur Aktgjykimin [Rev. 12/2020] e Gjykatës Supreme, të 19 shkurtit 2020, për të dëshmuar në Gjykatë, se Gjykata Supreme në rastin e paditëses F.S., në rrethana të njëjta faktike dhe juridike kishte aprovuar kërkesëpadinë e saj, duke anuluar si të kundërligjshëm Njoftimin e Raiffeisen Bank Kosova, të 21 prillit 2008, me arsyetimin se bazuar në legjislacionin në fuqi, kjo e fundit nuk kishte zhvilluar procedurë disiplinore para se t’i shkëputej marrëdhënia e punës.
- Gjykata rikujton faktin se Aktgjykimi [Rev. nr. 12/2020] i Gjykatës Supreme, i 20 shkurtit 2020, të cilit parashtruesi i kërkesës i është referuar, ishte objekt i vlerësimit kushtetues në rastin e Gjykatës KI133/20, me parashtruese të kërkesës Raiffeisen Bank Kosova. Ky rast së bashku me rastin KI78/21, me parashtrues po ashtu Raiffeisen Bank Kosova, ishte trajtuar dhe vendosur nga Gjykata më 30 mars 2022, dhe në të dy rastet ishte konstatuar shkelje e të drejtës në gjykim të drejtë, pikërisht për shkak të jokonsistencës së Gjykatës Supreme për të vendosur në mënyrë uniforme për çështje të njëjta faktike dhe juridike.
- Meqë natyra e rastit të parashtruesit të kërkesës ndërlidhet me dy rastet e sipërcekura, Gjykata nuk e konsideron të nevojshme që t’i përsërisë parimet e përgjithshme përkitazi me jokonsistencën e praktikës gjyqësore, ashtu siç janë zhvilluar me praktikën gjyqësore të GJEDNj-së dhe të vetë Gjykatës. (Shih, në këtë kontekst, rastin KI133/20, me parashtrues: Raiffeisen Bank Kosova, Aktgjykimi i 30 marsit 2022, paragrafët 116-123, dhe rastin KI78/21 parashtrues: Raiffeisen Bank Kosova, Aktgjykimi i 30 marsit 2022, paragrafët 86-93).
- Në vijim të pretendimeve të mësipërme të parashtruesit të kërkesës, Gjykata do të aplikojë parimet e përgjithshme, përkatësisht kriteret mbi bazën e të cilave GjEDNj-ja trajton çështjet e divergjencës përkitazi me praktikën gjyqësore, duke filluar me vlerësimin nëse në rrethanat e rastit konkret: (i) kundërthëniet e pretenduara në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme janë “të thella dhe afatgjata”; dhe nëse ky është rasti; (ii) nëse ekzistojnë mekanizma për të zgjidhur divergjencën përkatëse; dhe (iii) nëse këta mekanizma janë zbatuar dhe me çfarë efekti në rrethanat e rastit konkret.
- Bazuar edhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës, në veçanti në rastin KI35/18, Gjykata gjatë aplikimit të kritereve të elaboruara aty, në rastin e parashtruesit të kërkesës do të ketë parasysh parimet themelore përkitazi me konsistencën e praktikës gjyqësore, rrjedhimisht do të marr për bazë: (i) rëndësinë e sigurisë juridike; (ii) faktin që parimi i sigurisë juridike dhe rëndësia e konsistencës së praktikës gjyqësore nuk garantojnë një të drejtë në këtë konsistencë në praktikë gjyqësore; (iii) që në fakt, divergjencat në praktikën gjyqësore nuk rezultojnë domosdoshmërisht në shkelje të Kushtetutës dhe KEDNj-së; dhe me rëndësi (iv) që GjEDNj konstaton shkelje të tilla në rast të arbitraritetit të dukshëm (shih, paragrafin 75 të Aktgjykimit, në rastin e lartcituar të Gjykatës KI35/18).
- Në këtë kontekst, Gjykata përsërit, se nuk është funksioni i saj të krahasojë vendime të ndryshme të gjykatave të rregullta, edhe nëse merren në procedura dukshëm të ngjashme. Ajo duhet të respektojë pavarësinë e gjykatave të rregullta, deri në masën sa vendimmarrja e tyre të mos e cenojë rregullsinë e procesit dhe sigurinë juridike, si pjesë e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës.
- Në aplikimin e parimeve të përgjithshme dhe në vlerësimin e tri kritereve të lartcekura, Gjykata: (i) do të rikujtojë se rrethanat e shkëputjes së marrëdhënies së punës së parashtruesit të kërkesës dhe të paditëses F.S., nga Raiffeisen Bank Kosovo, (ii) do të paraqesë një përmbledhje të shkurtër të rasteve KI133/20 dhe KI78/21, meqë rrethanat faktike dhe juridike ndërlidhen me rastin konkret, përkatësisht me pretendime për jokonsistencë të praktikës gjyqësore të Gjykatës Supreme, për të vendosur në mënyrë uniforme për raste me rrethana të njëjta faktike dhe juridike.
- Gjykata vëren se, në të tri rastet, jokonsistenca e praktikës gjyqësore e Gjykatës Supreme, ndërlidhet me periudhën kohore para hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 03/L-212 të Punës, e që ligje të aplikueshme para kësaj periudhe ishin Ligji nr. 12/1989 mbi Marrëdhënien e Punës dhe Rregullorja e UNMIK-ut 2001/27 për Ligjin Themelor të Punës në Kosovë (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja 2001/27 për LTHPK), interpretimi i dispozitave të së cilëve nga ana e gjykatave të rregullta ka shkaktuar pasiguri juridike, përkitazi me hapat procedural që duhej ndjekur nga punëdhënësit, ndaj të punësuarve, para se t’ua shkëpusin kontratat e punës.
- Rrethanat e shkëputjes së kontratës së punës së parashtruesit të kërkesës dhe të paditëses F.S., nga ana e Raiffeisen Bank Kosovo S.C.
- Gjykata tutje vëren se shkëputjes së kontratës së punës së parashtruesit të kërkesës dhe paditëses F.S., i kishte paraprirë dyshimi për shkeljen e detyrave dhe përgjegjësive të punës, nga shkaku se të njëjtit kishin bërë transaksione të paautorizuara për periudhën janar-prill 2008. Me këtë rast, punëdhënësi Raiffeisen Bank Kosovo, fillimisht i kishte suspenduar dhe më pas, me Njoftimin e 21 prillit 2008, i kishte njoftuar të njëjtit për shkëputjen e marrëdhënies së punës. Nga ky moment në cilësinë e paditësve, parashtruesi i kërkesës dhe paditësja F.S. iniciuan kërkesëpadi në gjykatën kompetente për realizimin e të drejtave të tyre nga marrëdhënia e punës.
- Përmbledhje e shkurtër e konkluzioneve të Gjykatës Supreme, në rastin e parashtruesit të kërkesës dhe të paditëses F.S.
- Gjykata verën se në rastin e parashtruesit të kërkesës, Gjykata Supreme nëpërmjet Aktgjykimit [Rev.nr. 104/2020], të 25 shkurtit 2021, aprovoi revizionin e ushtruar nga Raiffeisen Bank Kosovo, duke prishur aktgjykimet e shkallës së parë dhe të shkallës së dytë, me arsyetimin se: “Njoftimi për ndërprerjen e kontratës së punës është në përputhje me dispozitën e nenit 11 paragraf 5, të Ligjit Themelor të Punës…”.
- Ndërsa, një vit me parë, në rastin e paditëses F.S, Gjykata Supreme, nëpërmjet Aktgjykimit [Rev. 12/2020], të 19 shkurrit 2020, në rrethana të njëjta faktike dhe juridike, e kishte refuzuar revizionin e ushtruar nga Raiffeisen Bank Kosovo, duke i lënë në fuqi aktgjykimet e gjykatës së shkallës së parë dhe të shkallës së dytë, të cilat e kishin anuluar si të kundërligjshëm Njoftimin e Raiffeisen Bank Kosovo të 21 prillit 2008, për shkëputjen e marrëdhënies së punës së paditëses F.S.
- Në këtë vazhdë, Gjykata vëren se aktgjykimet e Gjykatës Supreme dallojnë për sa i përket vlerësimit në lidhje me ligjshmërinë e Njoftimit të Raiffeisen Bank Kosovo, të 21 prillit 2008, me të cilin u ishte shkëputur marrëdhënia e punës parashtruesit të kërkesës dhe paditëses F.S. Në rastin e parashtruesit të kërkesës, Njoftimi i Raiffeisen Bank Kosovo, i 21 prillit 2008, nga ana e Gjykatës Supreme u vlerësua si i drejtë dhe i bazuar në ligj, ndërsa në rastin e paditësit F.S, po i njëjti Njoftimi i Raiffeisen Bank Kosovo, i 21 prillit 2008, u vlerësua se ishte marrë në kundërshtim me ligjin e aplikueshëm, sepse ndaj paditëses F.S, nuk ishte zhvilluar paraprakisht procedurë disiplinore, para se t’i shkëputej marrëdhënia e punës. Rrjedhimisht, Gjykata vëren se Gjykata Supreme në rrethana të njëjta faktike dhe juridike nëpërmjet dy aktgjykimeve të saj [Rev. 12/2020] të 19 shkurrit 2020 dhe [Rev. nr. 104/2020] të 25 shkurtit 2021, të nxjerra brenda një viti kishte aplikuar dispozita të dy ligjeve të ndryshme, përkatësisht të Ligjit nr. 12/89 për Marrëdhënien e Punës dhe të Rregullores së UNMIK-ut nr. 2001/27.
- Gjykata tutje, duke i referuar pretendimeve të Raiffeisen Bank Kosovo, në rastin KI133/20, rikujton se kjo e fundit, kërkesës së saj ia kishte bashkangjitur si dëshmi materiale 5 (pesë) aktgjykime të Gjykatës Supreme, si më poshtë: 1) Aktgjykimin [Rev. 60/2020] të 6 prillit 2020, 2) Aktgjykimi [Rev.nr. 1/2019] të 26 shkurtit 2019, 3) Aktgjykimi [Rev. nr. 52/2019] të 11 marsit 2019, 4) Aktgjykimi [Rev. nr. 212/2019] të 11 korrikut 2019, të Gjykatës Supreme, dhe 5) Aktgjykimin [Rev. nr. 377/2018] të 20 nëntorit 2018 (shih, përmbajtjen e këtyre aktgjykimeve, në rastin KI133/20, parashtrues Raiffeisen Bank Kosovo, Aktgjykimi i 30 marsit 2022, paragrafët 135-139). Për me tepër, Raiffeisen Bank Kosovo, në kuadër të pretendimit për divergjencë të praktikës gjyqësore të Gjykatës Supreme, më 27 prill 2021 kishte dorëzuar si dëshmi materiale në Gjykatë edhe kopjen e Aktgjykimit [Rev. nr. 104/2020] të 25 shkurtit 2021 të Gjykatës Supreme, aktgjykim i cili kontestohet nga parashtruesi i kërkesës në rastin konkret (Këto kopje të aktgjykimeve të Gjykatës Supreme, Raiffeisen Bank Kosovo i kishte dorëzuar edhe në kërkesën e saj KI78/21, shih për më shumë paragrafët 106-111).
- Gjykata, duke marrë parasysh këtë numër të konsiderueshëm të vendimeve gjyqësore dhe pretendimet e Raiffeisen Bank Kosovo, të ngritura në kërkesat KI133/20 dhe KI78/21, më 7 tetor 2021 i ishte drejtuar Gjykatës Supreme me pyetjet vijuese: (i) Për aq sa është e mundur, luteni që ta njoftoni Gjykatën përkitazi me praktikën e Gjykatës Supreme, se në cilat raste zbatohen dispozitat e Ligjit mbi Marrëdhënien e Punës, të KSAK 12/89 apo Ligjit Themelor të Punës [Rregullorja e UNMIK-ut 2001/27] dhe (ii) Luteni që të na sqaroni se cila është praktika relevante gjyqësore përkitazi me interpretimin dhe zbatimin e Ligjit për Marrëdhënien e Punës të KSAK-ut, të vitit 1989 dhe dispozitave të Ligjit Themelor të Punës [Rregullorja e UNMIK-ut 2001/27] në rastin e shkëputjes së marrëdhënies së punës përmes Njoftimit të Punëdhënësit, si rezultat i konstatimit të shkeljeve të detyrave të punës nga punëmarrësit. Më konkretisht, luteni të na sqaroni se a ka Gjykata Supreme një praktikë gjyqësore të unifikuar në këso raste apo çështja e interpretimit dhe zbatimit të dispozitave të Ligjit mbi Marrëdhënien e Punës, i KSAK nr. 12/89 apo Ligjit Themelor të Punës [Rregullorja e UNMIK-ut 2001/27] shqyrtohet nga rasti në rast. Nëse Gjykata Supreme ka një praktikë të unifikuar dhe konsistente në lidhje me çështjet e sipërcekura, luteni që po ashtu të na sqaroni se nga cila periudhë saktësisht ka filluar unifikimi i praktikës gjyqësore të Gjykatës Supreme.” (shih, Gjykata Kushtetuese, rasti KI133/20, parashtrues Raiffeisen Bank Kosovo, Aktgjykimi i 30 marsit 2022, paragrafin 142).
- Në lidhje me pyetjet e Gjykatës, Gjykata Supreme ishte përgjigjur, si në vijim: “Fillimisht ju njoftojmë se në çështje të interpretimit dhe zbatimit të dispozitave të dy Ligjeve të lartpërmendura në rastin e shkëputjes së marrëdhënies së punës përmes njoftimit të punëdhënësit, si rezultat i konstatimit të shkeljeve të detyrave të punës nga punëmarrësit, Gjykata Supreme e Kosovës, nuk ka një praktikë gjyqësore të unifikuar por interpretimi i këtyre dy Ligjeve, në rastet e lartpërmendura, bëhet për secilin rast të veçantë, thjeshtë nga rasti në rast. Megjithatë, duhet sqaruar se brenda për brenda kolegjeve të Gjykatës Supreme, në çështjet civile, ekziston një konsensus si në vijim: Ligji mbi Marrëdhëniet e Punës, i KSAK nr. 12/89, dhe Ligji Themelor i Punës (Rregullorja e UNMIK-ut 2001/27) ka qenë në fuqi deri me hyrjen në fuqi të Ligjit të Punës të Republikës së Kosovës më datë 17.12.2010 i shpallur në Gazetën Zyrtare nr. 90 më datë 1.12.2010, kur me nenin 99 par. 1 të këtij Ligji parashihet që “Me hyrjen në fuqi të këtij Ligji shfuqizohet Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2001/27 për Ligjin Themelor të Punës në Kosovë (Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2001/27), Ligji për Marrëdhënien e Punës i KSA të Kosovës i vitit 1989 (fjala është për këtë Ligj i shpallur në Gazetën Zyrtare të KSAK nr. 12/89) dhe Ligji i Punës i Jugosllavisë i vitit 1977 me amandamentet përkatëse. Nga kjo dispozitë rezulton se Ligji për Marrëdhënien e Punës i KSAK të Kosovës i vitit 1989 ka qenë në fuqi dhe në zbatim deri me nxjerrjen e Ligjit të Ri mbi Punën të vitit 2010, mirëpo, ai në tërësinë e tij nuk ka pasur mundësi të zbatohet, kjo ngase me nenin 27 të Ligjit themelor të Punës në Kosovë (Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2001/27) parashihet që kjo Rregullore shfuqizon çdo dispozitë të Ligjit në fuqi, që është në kundërshtim me të. Për faktin se me këtë Ligj Themelor të Punës të vitit 2001, nuk është paraparë fare procedurë disiplinore për shkelje të rënda të detyrave të punës nga punëmarrësi, Gjykata Supreme ka konsideruar se konstatimi i këtyre shkeljeve të rënda, kryerja e tyre nga punëmarrësi, dhe përgjegjësia për kryerjen e tyre, duhet të vërtetohet në procedurë disiplinore të cilën e parasheh Ligji për Marrëdhënien e Punës i lartpërmendur, pasi që Ligji Themelor i Punës i vitit 2001, nuk parasheh fare procedurë disiplinore, as mënyrën e konstatimit të këtyre shkeljeve disiplinore, e as autoritetin e punëdhënësit i cili shqipton masa disiplinore për shkelje të ndryshme disiplinore. Tani me Ligjin e punës të vitit 2010 situatën e kemi plotësisht të qartë, nga se nuk parashihet fare procedura disiplinore, por punëdhënësve i cili mbetet që me aktet e tyre të brendshme të nxjerrin rregullore për procedurë disiplinore.” (shih, për me tepër, Gjykata Kushtetueses, rasti KI133/20, parashtrues Raiffeisen Bank Kosovo, Aktgjykimi i 30 marsit 2022, paragrafin 143).
- Gjykata, po ashtu i referohet gjetjeve të saj në rastin KI78/21, ku kishte konstatuar se: “…rrethanat faktike dhe juridike të këtij rasti ishin identike me rrethanat faktike dhe juridike të rastit KI133/20 të regjistruar në Gjykatë. S.R dhe F.S. [në rastin KI133/20] iu kishte shkëputur marrëdhënia e punës nga ana e parashtruesit të kërkesës përmes Njoftimeve të 21 prillit 2008 për shkak të shkeljeve të detyrave të rënda të punës, me arsyetimin se si rezultat i konstatimit të auditimit të brendshëm, këta të fundit kishin kryer transaksion të paautorizuar bankar. Përderisa në rastin KI133/20 Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev.nr.12/2020] të 19 shkurtit 2020 kishte vërtetuar qëndrimin e Gjykatës Themelore dhe të Gjykatës së Apelit së Njoftimi i parashtruesit të kërkesës ishte i kundërligjshëm për arsye se në rastin e F.S. nga ana e parashtruesit të kërkesës nuk ishte zhvilluar procedurë disiplinore ashtu siç është përcaktuar me dispozitat e Ligjit për Marrëdhënien e Punës të KSAK nr.12/89, në këtë rast të sipërcekur, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev. nr. 104/20] të 25 shkurtit 2021 kishte aprovuar revizionin e Raiffeisen Bankës dhe kishte anuluar Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit duke konstatuar se Njoftimi, i 21 prillit 2008 është në pajtim me paragrafin 5 të nenit 11 të Ligjit Themelor të Punës [Rregullore e UNMIK-ut nr. 2001/27], parashtruesja e kërkesës Raiffeisen Bank Kosovo J.S.C. kishe ngritur të njëjtat pretendime sikurse në rastin KI133/20, dhe Gjykata pasi kishte analizuar rrethanat faktike dhe juridike të Aktgjykimeve të Gjykatës Supreme, kishte konstatuar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6.1 të KEDNj-së, për shkak të praktikes jokonsistente të Gjykatës Supreme.” (shih, për me tepër, Gjykata Kushtetuese, rasti KI78/20, parashtrues Raiffeisen Bank Kosovo, Aktgjykimi i 30 marsit 2022, paragrafin 106).
- Tutje, Gjykata rikujton se çështja e vendimeve kundërthënëse, në kuptim vetëm të interpretimit të Rregullores së UNMIK-ut nr. 2001/27, gjegjësisht të nenit 11, paragrafit 5 të tij ishte trajtuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës (shih, rastin KI89/13, me parashtruese Arbresha Januzi, Aktgjykimi i 12 marsit 2014). Në këtë rast, megjithëse në rrethana faktike e juridike të ndryshme, Gjykata kishte trajtuar çështjen e dy (2) vendimeve kundërthënëse në rrethana identike faktike dhe juridike brenda të njëjtit punëdhënës. Në trajtimin të pretendimit për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, Gjykata kishte vënë në pah se brenda praktikës gjyqësore së Gjykatës Supreme, në dy raste, përkatësisht në rastin e parashtrueses së kërkesës dhe në rastin e dy kolegeve të saj, brenda të njëjtit punëdhënës, ekzistonin kundërthënie në interpretimin e nenit 11 të Rregullores së UNMIK-ut nr. 2001/27, që ndërlidheshin me hapat procedural të shkëputjes së marrëdhënies së punës (shih, për më tepër paragrafët 56-57 të Aktgjykimit, në rastin KI89/13). Për më tepër, nëpërmjet këtij rasti, Gjykata që nga ajo kohë kishte kërkuar nga Gjykata Supreme që të unifikonte praktikën gjyqësore, për çështje të njëjta faktike dhe juridikë, për të evituar kësisoj mundësinë e cenimit të parimit të sigurisë juridike. (shih, për me tepër, paragrafët 55, 62 dhe 84, në rastin KI89/13).
- Në vijim të këtij elaborimi, Gjykata vëren se çështja e kundërthënieve në interpretimin dhe aplikimin e Ligjit nr. 12/1989 për Marrëdhënien e Punës, të vitit 1989 apo Rregullore së UNMIK-ut nr. 2001/27 nga gjykatat e rregullta, përfshirë edhe vet Gjykatën Supreme daton shumë më herët se periudha e nxjerrjes së Aktgjykimit të kontestuar. Për pasojë, Gjykata vëren se edhe në rastin konkret, sikurse në rastet KI133/20 dhe KI78/21 kemi të bëjmë me dallime afatgjata në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme.
- Gjykata nuk e konsideron kontestuese të drejtën e Gjykatës Supreme për të interpretuar ligjin e aplikueshëm në rastin konkret, sepse kjo është në juridiksionin e saj si gjykatë. Megjithatë, duket qartë se Gjykata Supreme nuk ka arritur të garantojë dhe sigurojë vendimmarrje uniforme, të paktën për çështje tërësisht të njëjta faktike dhe juridike në lidhje me zgjidhjen e kontesteve të punës, për periudhën e mbuluar me Ligjin nr.12/1989 mbi Marrëdhënien e Punës dhe Rregulloren 2001/27 për LTHPK.
- Nga sa më sipër rezulton që Gjykata Supreme duke interpretuar dhe aplikuar dy ligje të ndryshme, përkatësisht Ligjin nr. 12/1989 mbi Marrëdhënien e Punës, nr. 12/1989 dhe Rregulloren 2000/27 për LTHPK në rrethana të ngjashme faktike dhe juridike në rastin e ndërprerjes së marrëdhënies së punës për shkak të shkeljeve të detyrave, nga ana e punëdhënësit ka rezultuar në interpretim dhe praktikë kundërthënëse, dhe si rezultat i kësaj në praktikën e saj gjyqësore ekzistojnë dallime të thella (shih, në këtë rast, rastin e GjEDNj-së Iordan dhe Iordanov kundër Bullgarisë, të cituar më lart, paragrafët 49-50).
- Në këtë kontekst dhe për pasojë, Gjykata duhet të konstatojë se përkitazi më interpretimin dhe aplikimin e Ligjit nr. 12/1989 mbi Marrëdhënien e Punës dhe të Rregullores 2000/27 për LTHPK, ekzistojnë “dallime të thella dhe afatgjata” në praktikën gjyqësore të gjykatave të rregullta në veçanti në praktiken e Gjykatës Supreme.
- Për me tepër, Gjykata duhet të shqyrtojë edhe dy kriteret e tjera të GjEDNj-së që ndërlidhen me vlerësimin e j0konsistencës së praktikës gjyqësore, përkatësisht: i) nëse ligji i aplikueshëm përcakton mekanizma të aftë për të zgjidhur divergjenca të tilla; dhe ii) nëse një mekanizëm i tillë është zbatuar në rrethanat e një rasti dhe me çfarë efekti.
- Gjykata thekson se Gjykata Supreme megjithatë ka një mekanizëm që mundëson zgjidhjen e kundërthënieve të tilla. Në këtë kontekst, Gjykata rikujton se në rastin KI87/18, Gjykata Kushtetuese kishte theksuar se bazuar në pikën 10 të paragrafit 2 të nenit 14 (Kompetencat dhe Përgjegjësitë e Kryetarit dhe nënkryetarit të Gjykatës) të Ligjit nr. 06/L-054 për Gjykatat (në tekstin e mëtejmë: Ligji për Gjykatat), Kryetarët e gjykatave përmes takimeve vjetore të të gjithë gjyqtarëve kanë detyrimin, ndër të tjera, për të shqyrtuar dhe propozuar ndryshime në procedura dhe praktika (shih rastin e Gjykatës KI87/18 parashtrues “IF Skadeforsikring”, cituar më lart, paragrafi 80). Përmes këtij rasti, Gjykata gjithashtu theksoi se funksionimi i vetë mekanizmit të harmonizimit të praktikës nuk është pamundësuar, apo i kufizuar me asgjë, gjë që do të zvogëlonte drejtpërdrejt zbatimin dhe efikasitetin e tij në vetë praktikën gjyqësore (shih rastin e Gjykatës KI87/18 parashtrues “IF Skadeforsikring”, cituar më lart, paragrafi 81).
- Megjithatë dhe për më tepër, Gjykata nëpërmjet këtij rasti gjithashtu ka theksuar se pika 4 e paragrafit 1 të nenit 26 (Kompetencat e Gjykatës Supreme) të Ligjit për Gjykatat, përcakton kompetencën ekskluzive të vet Gjykatës Supreme për të përcaktuar qëndrimet parimore, për të nxjerrë mendime juridike dhe udhëzues për zbatimin unik të ligjeve nga gjykatat në territorin e Republikës së Kosovës. Në çështjen që ngërthejnë rrethanat e rastit konkret, përkatësisht çështjen e interpretimit të dispozitave të Ligjit mbi Marrëdhënien e Punës, të KSAK, apo dispozitave të Ligjit Themelor të Punës, Gjykata Supreme nëpërmjet përgjigjes së saj të dorëzuar më 10 tetor 2021 në Gjykatë, deklaroi se nuk kishte një praktikë të unifikuar në këto raste. Më konkretisht, Gjykata Supreme konfirmoi se çështja e zbatimit të këtyre dy ligjeve të lartcekura shqyrtohet nga rasti në rast.
- Në kuptim të kësaj, Gjykata konsideron që Gjykata Supreme si rezultat i mungesës së një praktike të unifikuar në këso lloj rastesh ka shërbyer vet si burim i divergjencave në praktikën gjyqësore, duke cenuar kështu parimin e sigurisë juridike si element të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës.
- Gjykata rikujton se GjEDNj vazhdimisht ka theksuar se roli i një gjykate supreme është pikërisht për të zgjidhur kundërthënie të tilla. Për më tepër, ajo gjithashtu ka mbajtur qëndrimin se, nëse praktika kundërthënëse zhvillohet brenda një prej autoriteteve më të larta gjyqësore në një vend, vetë ajo gjykatë bëhet burim i pasigurisë juridike, duke minuar kështu parimin e sigurisë juridike dhe duke e dobësuar besimin e publikut në sistemin gjyqësor (shih, në këtë rast, rastin e GjEDNj-së Famullia Greko-Katolike Lupeni kundër Rumanisë, të cituar më lart, paragrafi 123 dhe Beian kundër Rumanisë, të cituar më lart, paragrafi 39).
- Rrjedhimisht, Gjykata duke marrë parasysh të lartcekurat, konstaton se në rrethanat e rastit konkret, plotësohen të tri kriteret e GjEDNj-së përkitazi me vlerësimin nëse mungesa e konsistencës, përkatësisht divergjencat në praktikë gjyqësore, kanë rezultuar në shkelje të të drejtave dhe lirive për një gjykim të drejtë. Gjykata në rrethanat e rastit konkret, konstaton se:
- Ekzistojnë “dallime të thella dhe afatgjata” në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme, përkitazi me interpretimin dhe aplikimin e Ligjin nr. 12/1989 mbi Marrëdhënien e Punës dhe të Rregullores 2001/27 për LTHPK;
- Ekzistojnë mekanizmat e Gjykatës Supreme për harmonizimin e kësaj praktike; dhe se
- Ky mekanizëm ekzistues, ashtu siç është deklaruar edhe nga vet Gjykata Supreme nuk është përdorur.
- Si rezultat, Gjykata duhet të konstatojë se në kontekstin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, “dallimet e thella dhe afatgjata” në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme të ndërlidhura me mospërdorimin e mekanizmave të përcaktuar me ligj e të dizajnuar për të siguruar konsistencën e duhur brenda praktikës gjyqësore të gjykatës më të lartë në vend, kanë rezultuar në cenim të parimit të sigurisë juridike dhe në shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë të parashtruesit të kërkesës, siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6.1 të KEDNJ-së.
- Prandaj, Gjykata Supreme në procedurë të rivendosjes, duhet t’i evitojë kundërthëniet përkitazi me ligjshmërinë e Njoftimit të punëdhënësit Raiffeisen Bank Kosovo, të 21 prillit 2008 për shkëputje të marrëdhënies së punës së parashtruesit të kërkesës, duke vendosur në pajtueshmëri me gjetjet e Gjykatës, që ndërlidhen me çështjen e divergjencës së praktikës gjyqësore të kësaj gjykate përkitazi me interpretimin dhe aplikimin e dispozitave të Ligjit nr. 12/1989 mbi Marrëdhënien e Punës dhe të Rregullores 2001/27 për LTHPK-në.
- Përkitazi me pretendimet tjera
- Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon gjithashtu shkelje të barazisë para ligjit, të garantuar me nenin 24 të Kushtetutës, megjithatë esenca e pretendimeve përkitazi me këtë të drejtë specifike, argumentohet në frymën e mungesës së konsistencës së praktikës gjyqësore të Gjykatës Supreme për të vendosur në mënyrë uniforme për çështje të njëjta faktike dhe juridike, andaj meqë Gjykata, sa më sipër, konstatoi shkelje të së drejtës për “gjykim të drejtë” si rezultat i “dallimeve të thella dhe afatgjata” në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme, nuk e vlerëson të nevojshme të shqyrtojë ndaras pretendimin për shkelje të të drejtave të garantuara me nenin 24 të Kushtetutës.
Përfundime
- Gjykata ka trajtuar të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës, duke aplikuar praktikën gjyqësore të Gjykatës dhe asaj të GjEDNj-së, sa i përket pretendimit përkitazi me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 të KEDNj-së, e që ndërlidhet me parimin e sigurisë juridike në kontekst të jokonsistencës, përkatësisht divergjencës së praktikës gjyqësore të Gjykatës Supreme. Gjykata, pasi shtjelloi parimet dhe kriteret themelore të GjEDNj-së në këtë aspekt, aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret, dhe konstatoi se në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme megjithatë ekzistojnë “dallime të thella dhe afatgjata”, përkitazi me ligjin e aplikueshëm në rastet e shkëputjes së kontratës së punës së të punësuarve nga ana e punëdhënësve, sikundër ka ngjarë dhe me parashtruesin e kërkesës. Andaj, Gjykata për pasojë konstatoi se Aktgjykimi [Rev. nr.104/2020] i 25 shkurtit 2021 i Gjykatës Supreme ka cenuar parimin e sigurisë juridike, të parashtruesit të kërkesës si rezultat i jokonsistencës dhe divergjencave të praktikës gjyqësore të Gjykatës Supreme për çështje të njëjta faktike dhe juridike.
- Së dyti, sa i përket pretendimit të parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, nga ana e Gjykatës Supreme për shkak të konkluzioneve kundërthënëse për çështje të njëjta faktike dhe juridike, Gjykata konsideroi se nuk është e nevojshme që të shqyrtohet veçmas ky pretendim, meqë tashmë ajo konstatoi shkelje të së drejtës në gjykim të drejtë, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, ne lidhje me nenin 6.1 të KEDNJ-së, gjegjësisht të sigurisë juridike, si rezultat i “dallimeve të thella dhe afatgjata” në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, me nenin 20 dhe 47.1 të Ligjit dhe me rregullin 59 (a) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 19 korrik 2022, njëzëri
VENDOS
- TA DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;
- KONSTATOJË se Aktgjykimi [Rev. nr. 104/2020] i 25 shkurtit 2021, i Gjykatës Supreme nuk është në përputhshmëri me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6.1 [E drejta për një proces të rregullt] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;
- TA SHPALLË të pavlefshëm Aktgjykimin [Rev. nr. 104/2020] të 25 shkurtit 2021 të Gjykatës Supreme;
- TA KTHEJË Aktgjykimin [Rev. nr. 104/2020] e 25 shkurtit 2021 të Gjykatës Supreme për rivendosje në pajtim me Aktgjykimin e kësaj Gjykate;
- TA URDHËROJË Gjykatën Supreme që ta njoftojë Gjykatën, në pajtim me rregullin 66 (5) të Rregullores së punës, deri më 19 janar 2023, për masat e ndërmarra për zbatimin e Aktgjykimit të Gjykatës;
- TË MBETET e përkushtuar në këtë çështje në pajtim me këtë urdhër;
- T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve dhe, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit, ta publikojë në Gazetën Zyrtare;
- Ky Aktgjykim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi Gresa Caka-Nimani