Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme Pml. nr. 44/2019 të 4 marsit 2019

Nr. të lëndës KI 128/19

Shkarko:
Përmbledhje

KI 128/19, Parashtruesi i kërkesës: Artan Mala, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml. nr. 44/2019 të 4 marsit 2019

KI128/19, Aktvendim për papranueshmëri i 20 janarit 2021, publikuar më 01 mars 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të kundërshtuar të Gjykatës Supreme, qartazi i pabazuar.

Kërkesa është bazuar në nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligji nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe Rregullin 32 të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese.

Ndërsa ishte duke e kryer dënimin e tij me burg, më 2 maj 2014, Parashtruesi i kërkesës sulmoi fizikisht personin K.I., gjithashtu në paraburgim të burgut të lartpërmendur, dhe i shkaktoi atij lëndime të rënda trupore.

Më 13 qershor 2018, Gjykata Themelore në Pejë nxori Aktgjykimin P. nr. 285/14, me të cilin e shpalli Parashtruesin e kërkesës fajtor për kryerjen e veprave penale për të cilat ai ishte akuzuar në bazë të marrëveshjes për pranimin e fajësisë, dhe e dënoi atë me një burgim të vetëm prej 6 (gjashtë) muajsh. Gjykata konstatoi se i pandehuri u deklarua fajtor vullnetarisht, pa asnjë presion, i vetëdijshëm për pasojat dhe avantazhet e pranimit të fajësisë.

Pas kësaj, Parashtruesi i kërkesës, paraqiti një ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore duke pretenduar se e drejta e tij për mbrojtje ishte shkelur sepse nuk i ishte caktuar një mbrojtës përkundër faktit se ai po e vuan dënimin e tij, pra e drejta e tij themelore, e drejta për mbrojtje, përkatësisht e drejta për mbrojtje efektive në një çështje penale i ishte shkelur dhe përveç kësaj, Parashtruesi deklaroi se masa e dënimit në Aktgjykimin e Gjykatës Themelore ishte e gabuar.

Duke vendosur në lidhje me ankesën e Parashtruesit të kërkesës, Gjykata e Apelit e refuzoi atë si të pabazuar sepse vepra penale për të cilën Parashtruesi i kërkesës u shpall penalisht i përgjegjshëm dhe fajtor nuk përbën mbrojtje të detyrueshme siç parashikohet me ligj, dhe përkundër të gjithave Parashtruesi i kërkesës ishte këshilluar që në rast se nuk ka mundësi ekonomike për të angazhuar një mbrojtës, atëherë të njëjtit mund t’i caktohet një mbrojtës sipas detyrës zyrtare, e drejtë e cila përcaktohet me ligj. Pas këtij njoftimi, i akuzuari deklaroi se ai do të paraqiste mbrojtjen e tij vetë dhe nuk dëshironte një mbrojtës, madje edhe gjatë seancës gjyqësore. Gjykata gjithashtu dha një shpjegim në lidhje me pretendimet e Parashtruesit të kërkesës në lidhje me matjen e dënimit unik.

Kjo procedurë gjithashtu kaloi nëpër një procedurë të mbrojtjes së ligjshmërisë kur Gjykata Supreme hodhi poshtë pretendimin e Parashtruesit si të pabazuar dhe mbështeti plotësisht aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë.

Gjykata vëren se gjykatat e rregullta iu përgjigjën pretendimeve të Parashtruesit në lidhje me pretendimet e tij për zbatim të gabuar të ligjit, përkatësisht në lidhje me procedurën për caktimin e përfaqësuesve sipas detyrës zyrtare dhe matjen e dënimit unik. Gjykatat e rregullta i vlerësuan këto pretendime si të pabazuara dhe gjetën se e drejta materiale ishte zbatuar në mënyrë korrekte.

Në atë kuptim, Gjykata konstaton se nuk ka asgjë për të treguar se gjykatat e rregullta “zbatuan ligjin në mënyrë të dukshme arbitrare”, dhe që zbatimi mund të rezultojë me konkluzione “arbitrare” ose “qartazi të paarsyeshme” për Parashtruesin e kërkesës.

Prandaj, në këto rrethana, dhe bazuar në sa më sipër dhe duke marrë parasysh pretendimet e bëra nga Parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura prej tij, Gjykata, duke u mbështetur gjithashtu në standardet e vendosura në praktikën e saj gjyqësore në raste të ngjashme dhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ, konstaton se Parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar dhe nuk ka mbështetur mjaftueshëm pretendimet e tij për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore në lidhje me nenin 30 dhe nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

Prandaj, Gjykata konstaton se kërkesa është qartazi e pabazuar për arsye kushtetuese dhe e shpallë atë të papranueshme.

Parashtruesit:

Artan Mala

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale