KI09/23, Parashtrues: Hakif Haliti, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, Ac.nr.9776/2021, të 29 korrikut 2022
Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar, paga jubilare
Parashtruesi i kërkesës konteston konstatimin e Gjykatës së Apelit, duke ngritur pretendime në nivel ligjshmërie, lidhur me vërtetimin e fakteve sa i përket interpretimit të gabuar të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, dhe mosaplikimit të Kodit të Punës dhe Vendimit [nr.2244] dhe atij [nr.8261] të KEK-ut, sepse sipas parashtruesit Gjykata e Apelit do të duhej që ta merrte parasysh se e njëjta ishte në fuqi edhe gjatë kohës së parashtrimit të padisë, dhe se Gjykata e Apelit kishte vlerësuar gabimisht që padia e tij ishte paraqitur jashtë afatit, rrjedhimisht ka shkelur garancitë procedurale të gjykimit të drejtë.
Mbi këtë bazë, parashtruesi i kërkesës pretendonte shkelje të garancive procedurale të garantuara me nenet 31 për sa i përket (i) zbatimit të gabuar të ligjit si dhe (ii) jo konsistenca e vendimeve gjyqësore. Gjithashtu, parashtruesi i kërkesës ngrit edhe (iii) pretendime për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës, përkatësisht cenim të të drejtave pronësore të tij si rezultat i pamundësimit të realizimit të pagave jubilare.
Në këtë drejtim, Gjykata duke i trajtuar pretendimet e lartcekura konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme, sepse pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, dhe gjithashtu arsyetimet e gjykatave të rregullta për sa i përket vlerësimit të dëshmitarëve dhe provave tjera, si dhe bazës ligjore për vendimmarrje, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij se gjykatat e rregullta mund të kenë aplikuar ligjin në mënyrë të gabuar, dhe rrjedhimisht pretendimet e tij për interpretimin dhe aplikimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm, kualifikohen si pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel të “ligjshmërisë” dhe nuk janë argumentuar në nivel të “kushtetutshmërisë“. Për pasojë, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për mos-konsistencë të praktikës gjyqësore, Gjykata konstatoi se nuk është e mundur të konstatohet ekzistimi i “dallimeve të thella dhe të vazhdueshme” në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit që rrezikojnë parimin e sigurisë juridike, duke u thirrur në disa aktgjykime të ndryshme të gjykatave të rregullta. Rrjedhimisht, numri i aktgjykimeve të paraqitura si kundërthënëse, si dhe mënyra se si Gjykata Apelit ka vlerësuar dhe trajtuar rastin e parashtruesit të kërkesës nuk krijojnë bazë të mjaftueshme për të arsyetuar pretendimin për shkelje të parimit të sigurisë, si rrjedhojë e vendimeve kundërthënëse të gjykatave të rregullta. Prandaj, pretendimet për moskonsistencën e vendimeve gjyqësore, vlerësohen si qartazi të pabazuara, që i takojnë kategorisë së pretendimeve të “shkallës së katërt”.
Lidhur me pretendimin për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës konsideron se kjo e drejtë i është shkelur si pasojë e shkeljes së të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm (nenit 31 të Kushtetutës) për sa i përket mos pagimit të pagave jubilare të pretenduara nga ana e tij. Gjykata konstatoi se në rastin konkret nuk dëshmohet se parashtruesi i kërkesës kishte kërkesë të arsyetuar lidhur me shkeljen e të drejtës së pronës sipas nenit 46 të Kushtetutës.
Prandaj, kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe cilësohet si pretendim që i takon kategorisë së pretendimeve “të shkallës së katërt“, prandaj deklarohet e papranueshme, në pajtim me rregullin 34 paragrafi (2) të Rregullores së punës.
Hakif Haliti
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile