KI37/23, Parashtrues: Negjati Beqaj, Behlul Beqaj, Gazmend Beqaj, Ymrije Beqaj, Shemsije Beçaj Rexhaj, Lule Beqaj , Drilon Beqaj dhe Herolind Beqaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev. nr. 74/22 të 12 shtatorit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës
KI37/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 17 korrikut 2024, publikuar më 20 gusht 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, qartazi e pabazuar
Rrethanat e rastit konkret, rezultojnë nga ajo se parashtruesit e kërkesës parashtruan padi kundër Komunës së Prizrenit, për shkak të anulimit të kontratës mbi ndërrimin e paluajtshmërisë, të cilën paraardhësi i tyre juridik i ndjerë, e ka lidhur me Komunën e Prizrenit dhe e njëjta është legalizuar nga Gjykata Komunale në Prizren më 25 prill 1961. Përmes kësaj padie konstatuan se paluajtshmëritë e theksuara i janë marrë nga e paditura me qëllim të arondimit dhe zgjerimit të kompleksit i cili do të jetë pasuri e përgjithshme shoqërore. Po ashtu, theksuan se kontrata është lidhur kundër vullnetit të paraardhësit të tyre me kërcënim se do ta dëbojnë nga puna dhe partia, pra nën kushtet e ekzistimit të presionit, kërcënimit dhe shantazhit, e të cilën e bënë absolutisht nule. Gjykata Themelore aprovoi padinë e parashtruesve të kërkesës, duke vendosur që kontrata e ndërrimit të paluajtshmërisë e lidhur ndërmjet paraardhësit të tyre dhe Komunës së Prizrenit është nule; obliguar e paditura Komuna e Prizrenit, që parashtruesve ligjorë si trashëgimtarë të të ndjerit Shyqyri Beqaj t’ia dorëzojë në posedim dhe disponim të lirë pjesën e par. kat. nr. 7104 në sipërfaqe prej 18.52 ari; vërtetoi se padia është e tërhequr në pjesën me të cilën kërkohet dorëzimi në posedim të pjesës së par. kat. nr. 7104 në sipërfaqe prej 13,33h, e cila është e eksproprijuar për shkak të ndërtimit të shinave të hekurudhës Prizren, Fushë-Kosovë dhe pjesa e paluajtshmërisë se theksuar në sipërfaqe prej 0,02,23 h, në të cilën është ndërtuar rruga e asfaltuar për zonën industriale, sepse për këtë pjesë të sipërfaqes do të iniciohet procedurë e posaçme. Kundër vendimit të Gjykatës Themelore, parashtroi ankesë Komuna e Prizrenit në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit vendosi që ta aprovojë ankesën si të bazuar dhe ndryshohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore kështu që refuzohet e pabazuar kërkesëpadia e parashtruesve të kërkesës. Të pakënaqur me vendimin e Gjykatës së Apelit, parashtruesit e kërkesës paraqitën revizion në Gjykatën Supreme, ku kjo e fundit e refuzoi revizionin e tyre si të pabazuar.
Gjykata vërejti se esenca e pretendimeve për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, ndërlidhet me mosarsyetimin e vendimit gjyqësor nga ana e Gjykatës Supreme. Gjykata vlerëson se pretendimet e tilla ngrenë çështje nga neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6.1 i KEDNj-së, të cilat Gjykata i analizoi në pajtueshmëri me standardet e praktikës gjyqësore të GjEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë.
Gjykata vërejti se Gjykata e Apelit e më pas edhe Gjykata Supreme, kishin konstatuar se edhe sikur kontrata të ishte lidhur në ndikimin e dhunës, kërcënimit etj., parashtruesit prapë e kanë humbur të drejtën të kërkojnë anulimin e kontratës mbi këtë bazë, për arsye se e kanë lëshuar afatin ligjor në kuptim të nenit 111 lidhur me nenin 117 të LMD-së, për shkak se afati ligjor mbi këtë bazë është afat prekluziv – ligjor, prej një viti, i cili nuk mund të shtyhet dhe llogaritet nga dita kur të jetë i ditur shkaku i rrëzueshmërisë – respektivisht pushimit të dhunës afati subjektiv, ndërsa 5 vite nga dita e dhënies së deklaratës afati objektiv. Pra, kontrata mbi ndërrimin e paluajtshmërisë ishte legalizuar pranë Gjykatës Komunale në Prizren përmes vendimit [Leg. nr. 378/61] të 25 prillit 1961, ndërsa padia e parashtruesve të kërkesës për anulimin e kësaj kontrate ishte dorëzuar në Gjykatë më 16 korrik 1998, pas 37 vitesh.
Gjykata me këtë rast, rikujtoi se nisur nga praktika e GjEDNj-së dhe e Gjykatës, e njëjta nuk kërkon përgjigje të detajuar për secilën ankesë të ngritur nga parashtruesit e kërkesës. Megjithatë, ky obligim nënkupton që palët në procedurë gjyqësore mund të presin që të pranojnë një përgjigje specifike dhe eksplicite ndaj pretendimeve të tyre që janë vendimtare për rezultatin e procedurës së zhvilluar.
Në këtë kontekst, Gjykata, duke u bazuar në sqarimet si më sipër, dhe në mënyrë specifike duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesit e kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ata, dhe gjithashtu arsyetimet e gjykatave të rregullta e të shtjelluara më lart, konsideron se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme nuk karakterizohet me mungesë të vendimit të arsyetuar gjyqësor. Për pasojë, pretendimi i parashtruesve të kërkesës përkitazi me mungesën e vendimit të arsyetuar gjyqësor është qartazi i pabazuar në bazë kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Parashtruesit e kërkesës gjithashtu pretenduan se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, shkel të drejtat e tyre të garantuara me nenin 1 të protokollit nr.1 të KEDNj-së. Mirëpo, parashtruesit e kërkesës vetëm e përmendin nenin përkatës, por nuk shtjellojnë më tutje se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e këtij neni përkatës të KEDNj-së. Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNj-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesave duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse.
Prandaj, Gjykata konstatoi se përkitazi me këto pretendime të parashtruesve të kërkesës, Gjykata konkludon që kjo pjesë e kërkesës duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar pasi këto pretendime kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë së (iii) pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, sepse parashtruesi i kërkesës thjesht citoi nenet e Kushtetutës, pa shpjeguar se si janë shkelur ato. Rrjedhimisht, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Negjati Beqaj, Behlul Beqaj, Gazmend Beqaj, Ymrije Beqaj, Shemsije Beçaj Rexhaj, Lule Beqaj, Drilon Beqaj dhe Herolind Beqaj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile