Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.452/2021] të 19 majit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

Nr. të lëndës KI153/22

Parashtruesit: Naser Krasniqi

Shkarko:

KI153/22, Parashtrues: Naser Krasniqi, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.452/2021] të 19 majit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

KI153/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 prillit 2023, publikuar më 15 maj 2023

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë, mbrojtja gjyqësore e të drejtave, qartazi e pabazuar, pretendime të shkallës së katërt

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest të punës, për të cilin parashtruesi i kërkesës, më 10 gusht 2017, parashtroi padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me të cilën kishte kërkuar që të anulohet si i kundërligjshëm vendimi i Komisionit disiplinor i Aeroportit “Limak Kosova” për ndërprerjen e kontratës së punës së tij. Më 5 mars 2020, Gjykata Themelore, nëpërmjet Aktgjykimit [C.nr.366/2017], refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e tij. Pas ankesës së parashtruesit të kërkesës, Gjykata e Apelit, me Aktgjykimin [Ac.nr.3918/20], refuzoi si të pathemeltë të njëjtën, ndërsa vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Më 26 korrik 2021, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme, kundër Aktgjykimit [Ac.nr.3918/20] të Gjykatës së Apelit, për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, e cila nëpërmjet Aktgjykimit [Rev.nr.452/2021], refuzoi si të pabazuar kërkesën e tij për revizion.

Parashtruesi i kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese pretendoi që Aktgjykimi i kontestuar i ka shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNj-së,  si dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës në lidhje me nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së. Sipas tij,  aktgjykimet e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore përmbajnë shkelje qenësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale, sepse nuk përmbajnë arsye për faktet vendimtare.

Në vlerësimin e pretendimeve kryesore, Gjykata vërejti se esenca e ankesës, e parashtruesit të kërkesës ndërlidhej me vërtetimin e gabuar të fakteve dhe interpretimin e gabuar të ligjit. Prandaj, Gjykata këto pretendime i cilësoi si “pretendime të shkallës së katërt”. Gjykata rikujtoi që sipas Kushtetutës dhe parimeve të GJEDNj-së, ajo nuk vepron si gjykatë e shkallës së katërt përkitazi me vendimet e nxjerra nga gjykatat e rregullta, duke përsëritur qëndrimin se është në domenin e gjykatave të rregullta që t’i interpretojnë dhe t’i zbatojnë rregullat përkatëse të së drejtës procedurale dhe materiale. Gjykata në të tilla rrethana vetëm mund të shqyrtojë nëse provat janë paraqitur në mënyrë të drejtë dhe nëse procedurat në përgjithësi, të shikuara në tërësinë e tyre, janë mbajtur në mënyrë të tillë saqë parashtruesi/ja të ketë pasur gjykim të drejtë. Gjykata theksoi se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur që pretendimet e tij për shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë t’i ngrejë në nivel kushtetutshmërie. Parashtruesi i kërkesë, ndër të tjera kishte ngritur edhe pretendime të tjera për shkeljen e të drejtave kushtetuese të tij, për të cilat Gjykata vlerësoi se vetëm përmendja e neneve te Kushtetutës dhe të KEDNJ-së, ose referimi në ato nene, nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata në fund, konkludoi se: (I) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së janë (i) pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese; II) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 54 të Kushtetutës dhe nenit 13 të KEDNJ-së, i përkasin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a), të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj, si të tilla, në baza kushtetuese edhe këto pretendime shpallen qartazi të pabazuara. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, në pajtueshmëri me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, u shpall  e papranueshme si qartazi e pabazuar.

Parashtruesit:

Naser Krasniqi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile