KI69/22, Parashtrues: Skender Salihu, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev. nr. 433/2021 të 29 marsit 2022, të Gjykatës Supreme të Kosovës
KI69/22, Aktvendim për Papranueshmëri, i 8 shtatorit 2022, publikuar më 30 shtator 2022
Fjalët kyç: e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kërkesë e papranueshme, qartazi e pabazuar
Nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesi i kërkesës, që nga viti 2009 kishte qenë i punësuar në N.SH “Kosova Trans” në Ferizaj në pozitën arkëtar-kontabilist, me kontratë pune me afat të pacaktuar, dhe më pas N.Sh “Kosova Trans” ka kaluar në një status tjetër, respektivisht në NPL “Stacioni i Autobusëve “ në Ferizaj. Më pas parashtruesi i kërkesës kishte lidhur kontratë të re të punës me punëdhënësin në pozitën “evidentues”, me pagë më të ulët se në pozitën e mëhershme, me arsyetimin se pozita e re e punës i përgjigjet kualifikimeve profesionale të parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Ferizaj, kundër punëdhënësit, për kompensimin e diferencës së pagës në ndërlidhje me ndryshimin e vendit të punës. Gjykata Themelore kishte refuzuar padinë e parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit dhe kjo e fundit e refuzoi ankesën. Pas kërkesës për revizion, Gjykata Supreme refuzoi si të pathemeltë revizionin e parashtruesit të kërkesës.
Parashtruesi i kërkesës pretendoi se përmes vendimit të kontestuar i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 32 [E drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në ndërlidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në thelb pretendimet e parashtruesit para Gjykatës kanë të bëjnë kryesisht me konstatim të gabuar të gjendjes faktike dhe me mosarsyetim të vendimeve të gjykatave të rregullta, përkatësisht me faktin se sipas tij gjykatat e rregullta nuk kanë dhënë arsyetim të mjaftueshëm lidhur me pretendimet e tij lidhur me mospagimin e diferencës së pagave.
Lidhur me pretendimin e parashtruesit për shkelje të nenit 32 [E drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës, Gjykata vlerësoi se parashtruesi vetëm ka përmendur shkeljen e këtij neni, duke mos ofruar asnjë arsyetim dhe duke mos mbështetur pretendimin e tij rreth mënyrës se si vendimi i kontestuar, përfshirë edhe vendimet e gjykatave të shkallës më të ulët, mund të kenë rezultuar në shkeljen e këtyre të fundit.
Lidhur me pretendimin e parashtruesit për shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, Gjykata konsideroi se parashtruesi i kërkesës nuk i ka mbështetur pretendimet se procedurat përkatëse në ndonjë mënyrë ishin të padrejta apo arbitrare dhe që me vendimin e kontestuar janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë.
Gjykata në pajtim me nenet 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe rregullit 39 (2), të Rregullores së Punës, refuzoi kërkesën e parashtruesit si të papranueshme, si qartazi të pabazuar.
Skender Salihu
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative