Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev. nr. 433/2021 të 29 marsit 2022,  të Gjykatës Supreme të Kosovës

Nr. të lëndës KI69/22

Parashtruesit: Skender Salihu

Shkarko:

Prishtinë, më 26 shtator 2022

Nr. Ref.:RK 2046/22

 

 

 

 

 

 

 

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI  

 

 

rastin nr. KI69/22

 

Parashtrues

 

                                                        Skender Salihu

 

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë

Aktgjykimit Rev. nr. 433/2021 të 29 marsit 2022,

 të Gjykatës Supreme të Kosovës

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

e përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban, gjyqtar

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar

 

 

Parashtruesi i kërkesës

 

  1. Kërkesa është parashtruar nga Skender Salihu, me vendbanim në Ferizaj (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).

 

 

 

Vendimi i kontestuar

 

  1. Parashtruesi i kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [ nr. 433/2021] të 29 marsit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në ndërlidhje me Aktgjykimin [AC.nr.2093/2018] e 11 shkurtit 2021 të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit).

 

Objekti i çështjes

 

  1. Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 32 [E drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në ndërlidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).

 

Baza juridike

 

  1. Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).

 

Procedura në Gjykatën Kushtetuese

 

  1. Më 18 maj 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën e tij përmes postës, të cilën Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) e pranoi me 24 maj

 

  1. Më 30 maj 2022, Kryetarja përmes Vendimit [Nr. GJR. KSH69/22] caktoi gjyqtarin Safet Hoxha gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Remzije Istrefi-Peci dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).

 

  1. Më 27 maj 2022, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Në të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës Supreme.

 

  1. Më 8 shtator 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.

 

Përmbledhja e fakteve

 

  1. Nga shkresat e rastit rezulton se parashtruesi i kërkesës që nga viti 2009 kishte qenë i punësuar në N.SH “Kosova Trans” në Ferizaj në pozitën arkëtar-kontabilist, me kontratë pune me afat të pacaktuar, dhe më pas N.Sh “Kosova Trans” ka kaluar në një status tjetër, respektivisht në NPL “Stacioni i Autobusëve“ në Ferizaj (në tekstin e mëtejmë: punëdhënësi). Më 15 korrik 2014 dhe 15 qershor 2015, parashtruesi i kërkesës kishte lidhur kontratë të re të punës, me punëdhënësin, pas riorganizimit të vendeve të punës te punëdhënësi, në pozitën evidentues, me pagë më të ulët se në pozitën e mëhershme, me arsyetimin e punëdhënësit, se pozita e re e punës i përgjigjet kualifikimeve profesionale të parashtruesit të kërkesës.

 

  1. Më 4 korrik 2017, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Ferizaj, kundër punëdhënësit, për kompensimin e diferencës së pagës në vlerën e përgjithshme prej 6090 euro (gjashtë mijë e nëntëdhjetë euro) në ndërlidhje me ndryshimin e vendit të punës.

 

  1. Në një datë të paspecifikuar, punëdhënësi përmes përgjigjes në padi theksoi se parashtruesi i kërkesës “me vet dëshirë e ka nënshkruar kontratën e punës qe i është ofruar ne pozitën evidentues ,me date 15.07.2014, pasi ndërmarrja jone ka kaluar ne statusin e saj te ri NPL”Stacioni Autobusëve” SH.A Ferizaj dhe nuk është vazhdimësi e ish K.T.P.U “Kosovatrans” dhe duke u bazar ne kualifikimin e tij shkollor ndërmarrja vendosur qe Skender Salihut ti ofrohet kjo pozite ne vendin e punës”.

 

  1. Më 30 janar 2018, Gjykata Themelore, përmes Aktgjykimit [C.nr.537/17] refuzoi si të pabazuar padinë e parashtruesit të kërkesës, si dhe e obligoi parashtruesin e kërkesës që t’i paguajë shpenzimet e procedurës gjyqësore.

 

  1. Më 21 shkurt 2018, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit të lartpërmendur të Gjykatës Themelore duke pretenduar shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike.

 

  1. Më 11 shkurt 2021, Gjykata e Apelit, përmes Aktgjykimit [A.C.nr.2093/2018] refuzoi si të pathemeltë ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi aktgjykimin e shkallës së parë. Gjykata e Apelit në arsyetim të aktgjykimit të saj konsideroi se Gjykata Themelore drejtë kishte aplikuar dispozitat e procedurës kontestimore dhe se gjendja faktike ishte vërtetuar drejtë.

 

  1. Më tej, lidhur me pretendimin e parashtruesit për pagesën e diferencës së pagës, Gjykata e Apelit në arsyetim shton se “pretendimi ankimor i paditësit në lidhje me diferencën e pagës është i paqëndruer dhe si i tillë nuk gëzon mbështetje ligjore pasi edhe vet paditësi kur është dëgjuar në seancën e shqyrtimit kryesor të mbajtur në Gjykatë më 16.01.2018 ndër të tjera ka deklaruar se “ kurse në vitin 2015 kam nënshkruar kontratën tjetër, por nuk më kujtohet sakt data e nënshkrimit sepse më janë prezentuar dy kontrata..mua mi ka ofrue dy vende të punës me i zgjedhë-dispeçer-170 poena , ose evidentues-160 poena. Kam pranuar evidentues…”.

 

  1. Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës parashtroi revizion në Gjykatën Supreme, kundër Aktgjykimit të lartpërmendur të Gjykatës së Apelit duke pretenduar shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.

 

  1. Më 29 mars 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev.nr.433/2021] refuzoi si të pabazuar revizionin e parashtruesit të kërkesës dhe lidhur me Aktgjykimin e lartpërmendur të Gjykatës së Apelit konsideroi se kjo e fundit drejtë e ka zbatuar të drejtën materiale.

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës

 

  1. Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se me Aktgjykimin e kontestuar i është shkelur e drejta e tij e garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 32 [ E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

 

  1. Parashtruesi i kërkesës pretendon se gjykatat e rregullta nuk i kanë arsyetuar vendimet e tyre lidhur me pagesën e diferencës së pagave.

 

  1. Parashtruesi i kërkesës thekson se kontratën e re të punës me punëdhënësin, ishte i detyruar ta nënshkruajë, duke theksuar se “edhe pse kishte kontratë pune me afat të pacaktuar do të duhej të largohej nga puna”. Më tej parashtruesi thekson se “pse nuk është respektuar neni 8 i Ligjit të punës, pse nuk është hapur konkurs publik për pranimin në punë të parashtruesit, por vetëm janë krijuar kontrata të reja […]”.

 

  1. Parashtruesi i kërkesës në mbështetje të pretendimeve të tij i referohet disa rasteve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si “Buzecu kundër Rumanisë dhe Donadez kundër Gjeorgjisë, po ashtu shih rastin Hiro Balani kundër Spanjës si dhe rastin Tatishvilli kundër Rusisë […]. Gjithashtu rasti i GJK rasti Veton berisha Ilfete Haziri)”.

 

  1. Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që të anulojë Aktgjykimin [ nr. 433/2021] e Gjykatës Supreme.

 

Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore

 

KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

Neni 31

 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]

 

  1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
  2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.

 

            […]

 

LIGJI  Nr. 03/L-212 I PUNES

 

Neni 8          
Konkursi Publik

1. Punëdhënësi në sektorin publik, është i obliguar që të shpall konkurs publik sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie të punës.

2. Konkursi duhet të jetë i barabartë për të gjithë kandidatët e synuar, pa asnjë lloj diskriminimi ashtu siç parashihet me këtë ligj dhe aktet tjera në fuqi.

 

Neni 13                       
Të drejtat e të punësuarit me rastin e ndërrimit të punëdhënësit

1. Në rast të ndërrimit statusor, përkatësisht të ndërrimit të punëdhënësit, punëdhënësi i ardhshëm nga punëdhënësi paraprak në përputhje me Kontratën Kolektive dhe kontratat e punës, i merr përsipër të gjitha detyrimet dhe përgjegjësitë nga marrëdhënia e punës të cilat janë të aplikueshme në ditën e ndërrimit të punëdhënësit.

2. Punëdhënësi paraprak është i obliguar që punëdhënësin e ardhshëm ta informojë drejtë dhe plotësisht për të drejtat dhe detyrimet nga Kontrata Kolektive dhe Kontrata e Punës të cilat barten te punëdhënësi i ardhshëm.

3. Punëdhënësi paraprak është i obliguar që në formë të shkruar t’i informojë të gjithë të punësuarit për  bartjen e detyrimeve dhe përgjegjësive tek punëdhënësi i ardhshëm.


  1. Nëse i punësuari refuzon bartjen e kontratës së punës apo nuk deklarohet në afatin prej pesë (5) ditësh nga dita e marrjes së njoftimit sipas paragrafit 3. të këtij neni, punëdhënësi paraprak mund t’ia shkëpusë kontratën e punës të punësuarit.

 

Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës

 

  1. Gjykata së pari vlerëson nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës.

 

  1. Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:

 

“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

[…]

  1. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”

 

  1. Në vazhdim, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:

 

Neni 47

(Kërkesa individuale)

 

“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

 

  1. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”

 

 

 

Neni 48

(Saktësimi i kërkesës)

 

Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.

 

Neni 49

(Afatet)

 

“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor…”.

 

  1. Rreth përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar dhe konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [ nr. 433/2021] e Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka sqaruar të drejtat dhe liritë themelore që pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.

 

  1. Gjykata vëren, se parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar ka shkelur të drejtën e tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutë si dhe të drejtën për mjet juridik të garantuar me nenin 32 të Kushtetutës.

 

  1. Lidhur me këtë pretendim, Gjykata fillimisht shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në paragrafin (2) të rregullit 39 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës i cili përcakton si në vijim:

 

“Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij.”

 

  1. Gjykata, fillimisht thekson që rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

 

  1. Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta”.

 

  1. Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse e njëjta është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.

 

  1. Gjykata rikujton se esenca e rastit ka të bëj me faktin se parashtruesi i kërkesës që nga viti 2009 kishte qenë i punësuar në N.SH “Kosova Trans” në Ferizaj në pozitën arkëtar-kontabilist, me kontratë pune me afat të pacaktuar, dhe më pas N.Sh “Kosova Trans” ka kaluar në një status tjetër, respektivisht në NPL “Stacioni i Autobusëve “ në Ferizaj. Më pas parashtruesi i kërkesës kishte lidhur kontratë të re të punës me punëdhënësin në pozitën “evidentues”, me pagë më të ulët se në pozitën e mëhershme, me arsyetimin se pozita e re e punës i përgjigjet kualifikimeve profesionale  të parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Ferizaj, kundër punëdhënësit, për kompensimin e diferencës së pagës në ndërlidhje me ndryshimin e vendit të punës. Gjykata Themelore kishte refuzuar padinë e parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit dhe kjo e fundit e refuzoi ankesën. Pas kërkesës për revizion, Gjykata Supreme refuzoi si të pathemeltë revizionin e parashtruesit të kërkesës.

 

  1. Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës para Gjykatës konteston Aktgjykimin e Gjykatës Supreme si dhe Aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit, përmes së cilit pretendon se i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 dhe nenin 32 të Kushtetutës.

 

  1. Në ndërlidhje me pretendimin për shkeljen e nenit 32 [E Drejta për Mjete Juridike], Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës vetëm ka përmendur shkeljen e këtij neni, duke mos ofruar asnjë arsyetim dhe duke mos mbështetur pretendimin e tij rreth mënyrës se si vendimi i kontestuar, përfshirë edhe vendimet e gjykatave të shkallës më të ulët, mund të kenë rezultuar në shkeljen e këtyre të fundit.

 

  1. Lidhur me nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] Gjykata thekson se fakti i thjeshtë se parashtruesi i kërkesës nuk është i kënaqur me rezultatin e vendimeve të gjykatave të rregullta apo vetëm përmendja e neneve të Kushtetutës, nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesave duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, në këtë kontekst, rastin e Gjykatës KI136/14, Abdullah Bajqinca, Aktvendim për papranueshmëri, i 10 shkurtit 2015, paragrafi 33).

 

  1. Lidhur me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], Gjykata rikujton se pretendimet të cilat parashtruesi i kërkesës i ngritë në Gjykatë, të njëjtat i ka ngritur edhe para gjykatave të rregullta dhe që kanë të bëjnë kryesisht me konstatim të gabuar të gjendjes faktike dhe me mosarsyetim të vendimeve të gjykatave të rregullta, përkatësisht me faktin se sipas tij gjykatat e rregullta nuk kanë dhënë arsyetim të mjaftueshëm lidhur me pretendimet e tij lidhur me mospagimin e diferencës së pagave.

 

  1. Në adresim të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, fillimisht, Gjykata i referohet praktikës së GJEDNJ-së, e cila ka vlerësuar se, edhe pse autoritetet gëzojnë liri të konsiderueshme në zgjedhjen e mjeteve të përshtatshme për të siguruar që sistemet e tyre gjyqësore të jenë në përputhje me kërkesat e nenit 6.1 të KEDNJ-së, gjykatat e tyre duhet “të tregojnë me qartësi të mjaftueshme arsyet në të cilat ata bazuan vendimin e tyre” (shih rastin: Hadjianastassiou kundër Greqisë, kërkesa nr. 12945/87, Aktgjykimi i GJEDNJ-së i 16 dhjetorit 1992, paragrafi 33; shih, gjithashtu rastin e Gjykatës: KI143/16, parashtrues Muharrem Blaku dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri, i 17 majit 2018, paragrafi 54).

 

  1. Në përputhje me praktikën e GJEDNJ-së, edhe kjo Gjykatë në një mori rastesh, ka theksuar se megjithëse gjykatat nuk janë të detyruara të adresojnë të gjitha pretendimet e parashtruara nga parashtruesit e kërkesave, gjykatat kanë për obligim të adresojnë pretendimet qendrore për rastet para tyre (shih, mutatis mutandis, rastin e sipërcekur të Gjykatës: KI230/19, parashtrues Albert Rakipi, Aktgjykim i 9 dhjetorit 2021, paragrafi 136). Në këtë aspekt, e drejta për të marrë një vendim gjyqësor në pajtim me ligjin përfshin detyrimin që gjykatat të japin arsyet për vendimet e tyre, si në nivelin procedural ashtu edhe në atë material (shih, mutatis mutandis, rastin e sipërcekur të Gjykatës: KI230/19, paragrafi 136).

 

  1. Për të vlerësuar saktësisht se a janë trajtuar pretendimet kushtetutese të parashtruesit të kërkesës dhe nëse ka pasur “arsyetim të mjaftueshëm” nga gjykatat e rregullta, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata në vijim do të rikujtojë së pari arsyetimin e Gjykatës Themelore dhe më pas arsyetimin e shkallës së dytë si dhe arsyetimin e Aktgjykimit [ nr. 433/2021] të 29 marsit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës.

 

  1. Në arsyetim të Aktgjykimit të saj, Gjykata Themelore theksoi si në vijim “Nga përmbajtja e kontratës se sipër përmendur te punës, [kontrata e punës, e datë 15.06.2015, e cila ne hyrje përmban numrin 144 dhe datë 22.07.2014], rezulton se e njëjta nuk është kontratë për sistemimin e paditësit në një vend tjetër te punës, por Kontrate e Punës me te cilën paditësi ka themeluar marrëdhënie pune me kohe të pacaktuar duke filluar nga data 15.06.2015,te e paditura si punëdhënës. Prandaj meqë kontrata në fjale[kontrata e punës, e datë 15.06.2015, e cila ne hyrje përmban numrin 144 dhe date 22.07.2014] nuk është kontratë për sistemimin e paditësit ne një vend tjetër te punës, por është kontrate mbi themelimin e mardhënjes se punës ,për rastin e kontratës në fjale nuk gjejnë aplikim neni 17 paragrafi 2, si dhe neni 18 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3. i Ligjit te Punës se Kosovës të cilët paditësi i thekson ne padi”.

 

  1. Arsyetimin e lartcekur të Gjykatës Themelore e pranoi si të drejtë Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [A.C.nr.2093/2018] e 11 shkurtit 2021.

 

  1. Më tej në arsyetimin e saj Gjykata Supreme e fillimisht e aprovoi si të drejtë dhe të ligjshëm qëndrimin e instancave më të ulëta, duke vlerësuar se këto të fundit drejtë kanë vlerësuar gjendjen faktike si dhe drejtë kanë aplikuar të drejtën materiale si dhe duke theksuar se sipas ligjeve në fuqi NPl “Stacioni i Autobusëve” në Ferizaj” nuk është trashëgimtare e K.P.T.U “Kosovatransit”.

 

  1. Për më tepër, Gjykata Supreme në arsyetimin e saj lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për pagesën e diferencës së pagës shton se: “E paditura ka vepruar konform dispozitave të nenit 13 të Ligjit të Punës, Nr.03/L-212, ku janë përcaktuar të drejtat e të punësuarit me rastin e ndërrimit të punëdhësit, andaj çdo pretendim për pagesën e diferencës së pagës në mes pagesës së paraparë me kontratën mbii themelimin e marrëdhënies së punës të datës 15.07.2014, nr.140 dhe të kontratës së datës nr.06, të datës 31.03.2009, është i pabazë. Paditësi me vet faktin e nënshkrimit të kontratës të datës 15.07.2014, nr.140 pa parashtruar ndonjë kundërshtim brenda afateve të dispozitave tënenit 78 dhe 79 të Ligjit të Punës, ka humbur çdo të drejtë për të kërkuar mbrojtje gjyqësore në raport me punëdhënësin sa i përket kushteve të kësaj kontatrate […] në rastin konkret vet paditësi nuk ka kërkuar mbrojtje gjyqësore në raport me kontratën e dates 15 .07.2014, nr.140 të lidhur me të paditurën, Brenda afateve ligjore të përcaktuara me dispozitat e ligjit të punës, andaj deri sa nuk është kërkuar mbrojtja gjyqësore dhe nuk shtë vërtetuar shkelja e të drejtave, nuk mund të kërkohet as diferenca e pagave sipas kërkesëpadisë”.

 

  1. Gjykata konsideron se të gjitha pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës, ishin trajtuar dhe kishin marrë një përgjigje nga Gjykata Supreme. Për më tepër, parashtruesi i kërkesës nuk i referohet asnjë pretendimi konkret për të cilin pretendon të mos ketë marrë një përgjigje nga Gjykata Supreme.

 

  1. Nën dritën e asaj që u tha më lart, Gjykata arrin në përfundimin se Aktgjykimi [ nr. 433/2021] të 29 marsit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës, si dhe Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimi i Gjykatës Themelore, janë të qartë dhe adresojnë esencën e pretendimeve thelbësore të ngritura nga parashtruesi i kërkesës, edhe pse në mënyrë shprehimore nuk i referohen neneve përkatëse kushtetuese. Gjykata vlerëson se nuk ka ndonjë argument thelbësor të cilin gjykatat e rregullta e kanë lënë mënjanë si të paarsyetuar, siç pretendon parashtruesi i kërkesës.

 

  1. Rrjedhimisht, Gjykata Supreme ka arritur në këtë përfundim pasi që e ka shqyrtuar arsyetimin e dhënë nga Gjykata e Apelit dhe nga Gjykata Themelore.

 

  1. Prandaj, Gjykata konsideron se përfundimet e gjykatave të rregullta janë arritur pas një shqyrtimi të hollësishëm të të gjitha argumenteve të parashtruara nga parashtruesi i kërkesës. Si rrjedhojë, Gjykata vlerëson se arsyetimi i dhënë nga Gjykata e Supreme i plotëson të gjitha standardet e nevojshme të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës për një vendim gjyqësor të arsyetuar.

 

  1. Më tutje, lidhur me rastet e GjEDNJ-së dhe të Gjykatës, në të cilat parashtruesi i kërkesës është thirrur në mbështetje të pretendimeve të tij, Gjykata vlerëson se rasti konkret dallon dukshëm nga rrethanat faktike dhe juridike të rasteve në të cilat thirret parashtruesi i kërkesës.

 

  1. Në rastin e parashtruesit të kërkesës, Gjykata vëren se pretendimet e parashtruesit të kërkesës të ngritura në Gjykatë, kryesisht ngritin çështje të ligjshmërisë.

 

  1. Në këtë drejtim, Gjykata thekson se nuk është detyrë e saj që të merret me gabimet e ligjit që pretendohet të jenë bërë nga gjykatat e rregullta (ligjshmërisë), përveç dhe për aq sa gabimet e tilla mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të mbrojtura me Kushtetutë (kushtetutshmërinë). Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. Në përputhje me praktikën e GJEDNJ-së dhe po ashtu edhe me praktikën e saj tanimë të konsoliduar, Gjykata rithekson se është roli i gjykatave të rregullta t’i interpretojnë dhe zbatojnë rregullat përkatëse të ligjit procedural dhe material dhe se nuk mund të bëhen vlerësime abstrakte se pse një gjykatë e rregullt ka vendosur në një mënyrë të caktuar e jo në një tjetër (shih, rastin García Ruiz kundër Spanjës, GJEDNJ nr. 30544/96, i 21 janarit 1999, par. 28 dhe shih, gjithashtu, rastin e Gjykatës: KI70/11, parashtrues të kërkesës Faik Hima, Magbule Hima dhe Bestar Hima, Aktvendim për papranueshmëri, i 16 dhjetorit 2011).

 

  1. Gjykata Kushtetuese vetëm mund të shqyrtojë nëse në një proces provat janë paraqitur në mënyrë të drejtë dhe nëse procedurat në përgjithësi, të shikuara në tërësinë e tyre, janë zhvilluar në mënyrë të atillë që parashtruesi i kërkesës të ketë pasur gjykim të drejtë (shih, ndër autoritete të tjera, rastin Edwards kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 13071/87, Raporti i Komisionit Evropian për të Drejtat e Njeriut, i miratuar më 10 korrik 1991).

 

  1. Në dritën e kësaj, Gjykata më tej konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar se procedurat në Gjykatën Supreme apo në gjykatat e tjera të rregullta kanë qenë të padrejta apo arbitrare, apo që të drejtat dhe liritë themelore të tyre të mbrojtura me Kushtetutë janë shkelur si rrjedhojë e interpretimit të gabuar të së drejtës procedurale. Gjykata rithekson se interpretimi i ligjit është detyrë e gjykatave të rregullta dhe është çështje e ligjshmërisë (shih rastin e Gjykatës KI63/16, parashtrues i kërkesës Astrit Pira, Aktvendim për papranueshmëri, i 8 gushtit 2016, paragrafi 44 dhe shih, gjithashtu, rastin KI150/15; KI161/15; KI162/15; KI14/16; KI19/16; KI60/16 dhe KI64/16, parashtrues të kërkesës Arben Gjukaj, Hysni Hoxha, Driton Pruthi, Milazim Lushtaku, Esat Tahiri, Azem Duraku dhe Sami Lushtaku, Aktvendim për papranueshmëri, i 15 nëntorit 2016, paragrafi 62).

 

  1. Si rezultat, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk i ka mbështetur pretendimet se procedurat përkatëse në ndonjë mënyrë ishin të padrejta apo arbitrare dhe që me vendimin e kontestuar janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë.

 

 

 

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenet 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe rregullat 39 (2)  dhe 59 (2) të Rregullores së punës, më 8 shtator 2022, njëzëri

 

VENDOS 

 

  1. TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;

 

  1. T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;

 

  • TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;

 

  1. Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.

 

Gjyqtari raportues                                                      Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese

Safet Hoxha                                                                          Gresa Caka-Nimani

Parashtruesit:

Skender Salihu

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative