Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev. nr. 43/2019, të 24 dhjetorit 2020 të Gjykatës Supreme të Kosovës; Aktvendimit, CN. Nr. 2/2023, të 13 shkurtit 2023 të Gjykatës Supreme të Kosovës; dhe Aktvendimit, CPP. Nr. 2/2022 të 27 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës
Nr. të lëndës KI100/23
Parashtruesit: Miradije Tusha, Naser Tusha, Artan Tusha, Ajshe Tusha, Hatixhe Tusha, Nadire Tusha dhe Nurhane Vladi-Tusha
Prishtinë, më 4 mars 2024
Nr. Ref.:RK 2390/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI100/23
Parashtrues
Miradije Tusha, Naser Tusha, Artan Tusha, Ajshe Tusha, Hatixhe Tusha, Nadire Tusha dhe Nurhane Vladi-Tusha
Vlerësim i kushtetutshmërisë të
Aktgjykimit Rev. nr. 43/2019 të 24 dhjetorit 2020 të Gjykatës Supreme të Kosovës;
Aktvendimit, C. Nr. 2/2023, të 13 shkurtit 2023 të Gjykatës Supreme të Kosovës; dhe
Aktvendimit, CPP. Nr. 2/2022 të 27 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesit e kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Miradije Tusha, Naser Tusha, Artan Tusha, Ajshe Tusha, Hatixhe Tusha, Nadire Tusha dhe Nurhane Vladi-Tusha, të përfaqësuar me autorizim nga Yll Sadiku, nga Kompania ligjore “Legalis” në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesit e kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesit e kërkesës kontestojnë: (i) Aktgjykimin [Rev. nr. 43/2019] të 24 dhjetorit 2020 të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), të nxjerrë në procedurë kontestimore; dhe (ii) Aktvendimin [CN. Nr. 2/2023] të 13 shkurtit 2023 të Gjykatës Supreme në lidhje me Aktvendimin [CPP. Nr. 2/2022] të 27 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme, të nxjerra në kuadër të procedurës për lejimin e ripërsëritjes së procedurës në Gjykatë Supreme.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimeve të kontestuara të Gjykatës Supreme, përmes të cilave pretendohet se parashtruesve të kërkesës iu janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ) dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.
Baza juridike
Kërkesat bazohen në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës), dhe 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe rregullin 25 (Parashtrimi i Kërkesave dhe Përgjigjeve), të Rregullores së punës së Gjykatës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi 15 ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatë
Më 22 maj 2023, parashtruesit e kërkesës, të përfaqësuar nga Fitim Shabani, avokat në Ferizaj e dorëzuan kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 31 maj 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimeve [Nr. GJR.KI100/23] dhe [Nr. KSH. KI100/23] e caktoi gjyqtarin Safet Hoxha, gjyqtar raportues, dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Radomir Laban dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 2 qershor 2023, Gjykata njoftoi parashtruesit e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe një kopje të kërkesës i dorëzoi edhe Gjykatës Supreme.
Më 13 korrik 2023, përfaqësuesi ligjor, përkatësisht avokati Fitim Shabani në Gjykatë dorëzoi si dëshmi Aktgjykimin e Gjykatës në rastin KI212/21 [të vendosur më 22 maj 2023 dhe të publikuar më 22 qershor 2023].
Më 7 gusht 2023, Kompania ligjore “Legalis” në Prishtinë, përmes z. Yll Sadiku dorëzoi dokumentin “Komente plotësues për kërkesën KI100/23”. Dokumentit të dorëzuar, i ishte bashkëngjitur autorizimi i dhënë më 7 gusht 2023 nga parashtruesit të kërkesës për përfaqësim të tyre nga z. Yll Sadiku nga Kompania “Legalis”.
Më 13 shkurt 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe me njëzëri, i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesave.
Përmbledhja e fakteve
Gjykata fillimisht vë në dukje, se parashtruesit Isa Tusha, Miradije Tusha dhe Naser Tusha më 22 shkurt 2021 kishin parashtruar kërkesë në Gjykatë, të regjistruar më numër KI37/21, përmes të cilës kontestonin Aktgjykimin [Rev. Nr. 343/2019] të 24 dhjetorit 2020 të Gjykatës Supreme. Gjykata në vijim, dhe në mënyrë të përmbledhur do të paraqes kronologjinë e fakteve deri në nxjerrjen e Aktvendimit për Papranueshmëri të Gjykatës në rastin KI37/21, për aq sa ato janë të ndërlidhura me kërkesën e tanishme.
Përmbledhja e fakteve deri në nxjerrjen e Aktvendimit për Papranueshmëri të Gjykatës në rastin KI37/21
Bazuar në shkresat e lëndës rezulton që në vitin 1987, Kuvendi Komunal në Kaçanik pas shpalljes së interesit publik për ndërtimin e një ndërtese të përbashkët shoqërore, kishte filluar procedurën për shpronësimin e pronës të ngastrës nr. 11129/1 në Zonën Kadastrale në Komunën e Kaçanikut në pronësi të paraardhësit të parashtruesve të kërkesës në rastin KI37/21. Si rezultat i ndarjes së fondeve në formën e një oferte për kompensim prej 2,300,000.00 dinarësh, Kuvendi Komunal i Komunës së Kaçanikut ngastrën e lartcekur e shndërroi në tokë ndërtimore përkatësisht në prone shoqërore.
Në vitin 1997, paraardhësi i parashtruesve të kërkesës Sh.T. iu ishte drejtuar organeve përkatëse të Komunës se Kaçanikut me kërkesë që të abrogohet Vendimi për eksproprijim.
Më 20 mars 2007 parashtruesit e kërkesës në rastin KI37/21, në kuadër të procedurës kontestimore parashtruan kërkesëpadi për (i) vërtetimin e pronësisë, në pjesën e ngastrës nr. 1129/1 në sipërfaqe prej 367 m2] së një pjese të ngastrës kadastrale; dhe (ii) kompensim për eksproprijimin në shumë prej 293.500,00 euro për pjesën e ngastrës kadastrale nr. 1129/1, në sipërfaqe prej 625 m2. Procedura e zhvilluar kontestimore, kishte rezultuar në nxjerrjen e Aktgjykimit [C. nr. 92/19], të 19 nëntorit 2009 nga Gjykata Komunale, përmes së cilës pjesërisht ishte aprovuar kërkesëpadia e parashtruesve të kërkesës, dhe përmes të cilës Komuna e Kaçanikut ishte obliguar që parashtruesve të kërkesës t’iu paguajë një shumë të caktuar për kompensim për shpronësim. Aktvendimi i Gjykatës Komunale ishte vërtetuar përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 1432/2009] të 31 janarit 2012 të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, dhe si rezultat i aprovimit të revizionit përmes Aktvendimit [Rev. nr. 62/12] të 16 shtatorit 2012 të Gjykatës Supreme, lënda ishte kthyer në rigjykim në Gjykatën Komunale. Në procedurë të rigjykimit, Gjykata Themelore në Ferizaj-Dega në Kaçanik përmes Aktgjykimit [C. nr. 234/13]të 27 janarit 2014 sërish pjesërisht aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesve, dhe si rezultat i aprovimit të ankesës së palës së paditur nga ana e Gjykatës së Apelit përmes Aktvendimit [Ac. nr. 1134/14] të 15 marsit 2017 , çështja ishte kthyer sërish në rigjykim në Gjykatën Themelore. Në procedurë të dytë të rigjykimit, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C. nr. 58/17] 20 dhjetorit 2017, pjesërisht aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës, dhe ky vendim u vërtetua edhe përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 593/18] të 20 gushtit 2019 të Gjykatës së Apelit. Kundër këtyre dy Aktgjykimeve të fundit, Komuna e Kaçanikut në Gjykatë Supreme parashtroi revizion, përmes të cilës pretendoi se kërkesëpadia e parashtruesve ishte parashkruar.
Si rrjedhojë, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit të kontestuar [Rev. nr. 43/2019] e pranoi si të bazuar revizionin e Komunës së Kaçanikut dhe ndryshoi Aktgjykimin [Ac. nr. 593/18] të 20 gushtit 2019, të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin [C. nr. 58/17] të 20 dhjetorit 2017 të Gjykatës Themelore, duke refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës.
Gjykata Supreme konstatoi se: (i) gjykatat e shkallës më të ulët gabimisht kanë zbatuar të drejtën materiale kur kanë përcaktuar se kërkesëpadia e parashtruesve të kërkesës është e bazuar; (ii) parashtruesit e kërkesës nuk janë në mirëbesim ngase gjatë tërë posedimit të pretenduar ata kanë qenë ne dijeni se ngastra është eksproprijuar dhe është regjistruar në kadastër si pronë publike, dhe si rrjedhojë nuk janë plotësuar kushtet ligjore për parashkrim fitues; (iii) sipas dispozitave të nenit 45 të Ligji mbi marrëdhëniet themelore juridike-pronësore [Gazeta Zyrtare 6/1980 e ish-RSFJ-së] (në tekstin e mëtejmë: LTHMPJ) e drejta e pronësisë që e ka personi i caktuar mbi një send pushon kur personi tjetër fiton pronësinë mbi atë send, ndërsa ne rastin konkret e paditura ka fituar pronësinë me vendime të autoriteteve publike;(iv) parashtruesit e kërkesës kanë kundërshtuar fitimin e pronësisë të palës së paditur me mjete ligjore por pa sukses; (v) gjykatat e rregullta gabimisht kane zbatuar nenin 379 të Ligjit mbi Marrëdhënien e Detyrimeve, në lidhje me nenet 28 dhe 29 te LTHMPJ-së sepse parashtruesit e kërkesës me asnjë provë nuk kanë dëshmuar se brenda afatit 10 vjeçar kanë kërkuar kompensim; dhe (vi) paraardhësi i parashtruesve të kërkesës Sh.T., nuk ka kërkuar çmim apo kompensim për eksproprijim në interesin publik, por vetëm ka kërkuar abrogimin e eksproprijimit.
Më 22 shkurt 2021,Isa Tusha, Naser Tusha dhe Miradije Tusha parashtruan kërkesës në Gjykatë [parashtruesit e kërkesës në rastin KI37/21] përmes të cilës kërkuan vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev. nr. 43/2019] të 24 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme dhe mbajtjen e seancës dëgjimore. Parashtruesit e kërkesës në kërkesën e tyre pretenduan shkelje të të drejtave të tyre të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së dhe nenin 46 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.
Më 8 shtator 2021, Gjykata (i) shpalli kërkesën e parashtruesve të kërkesës në rastin KI37/21 si të papranueshme, duke konstatuar që e njëjta në tërësinë e saj ishte qartazi e pabazuar në bazë kushtetuese dhe (ii) refuzoi kërkesën e tyre për mbajtjen e seancës dëgjimore. Gjykata: (i) konkludoi se pretendimet e parashtruesve të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-se për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe interpretimit dhe zbatimit të gabuar të ligjit te aplikueshëm janë (i) pretendime qe kualifikohen si pretendime të "shkallës së katërt" dhe si të tilla, këto pretendime janë qartazi të pabazuara në bazë kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores Nr. 01/2018 të punës dhe (ii) konstatoi se pretendimet e parashtruesve të kërkesës për shkelje të së drejtës së tyre në pronë, të garantuar me nenin 46 të Kushtetutës ne lidhje me nenin 1 të Protokollit 1 të KEDNJ-së dhe nenin 17 të DUDNJ-së, janë qartazi të pabazuara pasi këto pretendime kualifikohen si pretendime që i takojnë kategorisë së pretendimeve "të pambështetura ose të paarsyetuara" pasi të njëjtit thjesht cituan dispozitat e Kushtetutës dhe të KEDNJ-së pa shpjeguar se si ato janë shkelur (shih Aktvendimin për Papranueshmëri në rastin KI37/21, të vendosur më 8 shtator 2021, dhe të publikuar më 5 tetor 2021).
Propozimi për lejimin e përsëritjes së procedurës, e parashtruar në Gjykatë Supreme
Më 11 tetor 2021, parashtruesit e kërkesës [Naser Tusha dhe Miradije Tusha] dhe Isa Tusha bazuar në pikën g) të nenit 232 të Ligjit për Procedurën Kontestimore (në tekstin e mëtejmë: LPK) në Gjykatën Supreme parashtruan propozimin për lejimin e përsëritjes së procedurës në mënyrë që të anulohet Aktgjykimi [Rev. nr. 43/2019] të 24 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme. Parashtruesit e kërkesës në propozimin e tyre pretenduan se palët ndërgjyqëse nuk kanë ngritur pretendim për parashkrim të kërkesëpadisë dhe se një fakt i tillë dëshmohet nga “intervista televizive e gjyqtarit Sh.S., i cili fakt është konfirmuar në këtë intervistë dhe për këtë si provë është bashkëngjitur CD-ja e intervistës.”
Më 27 dhjetor 2022, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [CPP. Nr. 2/2022] propozimin e parashtruesve të kërkesës për përsëritje të procedurës e hodhi si të pasafatshëm. Vendimin e saj, Gjykata Supreme e mbështeti në nenin 235 dhe paragrafin 1 të nenit 237 të LPK-së.
Gjykata Supreme fillimisht dhe në lidhje me kompetencën e saj lëndore konstatoi se propozimi për përsëritjen e procedurës i referohet Aktgjykimit [Rev. nr. 43/2019] të 24 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme, i nxjerrë në procedurë të revizionit dhe si rezultat i kësaj, kompetente për të vendosur në lidhje me këtë propozim është Gjykata Supreme pasi që gjykatat e shkallës më të ulët nuk mund t’a anulojnë vendimin përfundimtar të Gjykatës Supreme.
Gjykata Supreme fillimisht konstatoi se bazuar në paragrafin 1 të nenit 234 të LPK-së, propozimi për përsëritje të procedurës është dorëzuar jashtë afatit të përcaktuar tridhjetë (30) ditor. Në lidhje me këtë Gjykata Supreme arsyetoi se: “Faktet apo provat e reja në të cilat thirret pala paditëse apo pretendimi se nuk kanë paraqitur palët ndërgjyqëse kundërshtim për parashkrim të kërkesëpadisë dhe se një fakt i tillë dëshmohet nga intervista e gjyqtarit, kjo gjykatë vlerëson se paditësit kanë mundur që faktin e tillë ta përdorin nga data 22.05.2021 kur intervista e gjyqtarit është shfaqur në emision televiziv në të cilën intervistë shfaqet edhe avokati E.K [përfaqësues i familjes Tusha] si dhe data 10.08.2021 që mban CD e prezantuar nga paditësit si provë, mirëpo paditësit kanë pritur që propozimin për përsëritje të procedurës ta paraqesin me datë 12. 10.2021, që rezulton se propozimi është paraqitur përtej afatit subjektiv të përcaktuar me nenin 232, pika g) të LPK-së.”
Gjykata Supreme konkludoi se ”nëse [parashtruesit e kërkesës] pretendojnë në intervistën e gjyqtarit si fakt i ri apo mjet provues të ri, atëherë intervista është shfaqur me datë 22.05.2021(në të cilën intervistë për këtë fakt deklarohet edhe përfaqësuesi i familjes Tusha) si dhe CD mban datën 10.08.2021, që rezulton se paditësit që nga ajo kohë kanë qenë në dijeni të faktit të tillë dhe se marrë për bazë kohën kur paditësit kanë mundur që ta paraqesin këtë fakt të ri apo mjet provues të ri dhe datën kur e paraqiti propozimin në gjykatë, rezulton se është lëshuar afati subjektiv prej 30 ditësh dhe rrjedhimisht kjo e bënë që propozimi të trajtohet si i pasafatshëm.”
Më 18 janar 2023, parashtruesit e kërkesës, kundër Aktvendimit [CPP. Nr. 2/2022] të 27 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme parashtruan ankesë në Gjykatën Supreme.
Më 13 shkurt 2023, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [CN. Nr. 2/2023] ankesën e Isa Tushës dhe dy parashtruesve të kërkesës [Miradije, Tusha dhe Naser Tusha] e kishte hedhur poshtë si të palejuar.
Gjykata Supreme, mbështetur në dispozitat e kreut XIII [Mjetet e Zakonshme të Goditjes] dhe kreut XIV [Mjetet e Jashtëzakonshme të Goditjes] të LPK-së konstatoi se kundër Aktvendimit të lartcekur përmes të cilës propozimi për përsëritje të procedurë është hedhur si i palejuar për shkak se i njëjti ishte i pasafatshëm nuk është paraparë mjeti ligjor i ankesës.
Pretendimet e parashtruesve të kërkesës
A. Pretendimet e ngritura në kërkesën e dorëzuar më 22 maj 2023
Gjykata fillimisht rikujton se në kërkesën e tyre, të dorëzuar më 22 maj 2023, parashtruesit e kërkesës sipas autorizimit të nënshkruar më 3 maj 2023 përfaqësoheshin nga Fitim Shabani, avokat në Ferizaj. Në vijim të kësaj, Gjykata po ashtu sqaron se parashtruesit e kërkesës Artan Tusha, Ajshe Tusha, Hatixhe Tusha, Nadire Tusha dhe Nurhane Vladi-Tusha në autorizimin e nënshkruar më 3 maj 2023 deklaruan se janë trashëgimtarët e të ndjerit Isa Tushës, ky i fundit si palë në procedurë para gjykatave të rregullta dhe njëri nga tre (3) parashtruesit e kërkesës në rastin KI37/21.
Në kërkesën e tyre, parashtruesit e kërkesës kontestojnë vendimet e Gjykatës si në vijim: Aktgjykimin [Rev. nr. 43/2019] të 24 dhjetorit 2020 të Gjykatës Supreme; Aktvendimin [CPP. Nr. 2/2022] të 27 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme dhe Aktvendimin [CN. Nr. 2/2023] të 13 shkurtit 2023 të Gjykatës Supreme.
Në lidhje me Aktgjykimin [Rev. nr. 43/2019] të 24 dhjetorit 2020 të Gjykatës Supreme parashtruesi e kërkesës pretendojnë se i njëjti ka shkelur të drejtën e tyre për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Sipas parashtruesve të kërkesës, Gjykata Supreme ka konstatuar se kërkesëpadia është e parashkruar, bazuar në pretendimin e palës së paditur i cili pretendim për herë të parë është parashtruar në revizionin e tyre kundër Aktgjykimit [Ac. nr. 593/18] të 20 gushtit 2019 të Gjykatës së Apelit. Sipas tyre, ky pretendim nuk ishte ngritur asnjëherë gjatë të procedurës së gjykimit pranë Gjykatës Komunale dhe dy herëve në procedurën e rigjykimit pranë Gjykatës Themelore; tri procedurave të gjykimit pranë Gjykatës së Qarkut në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit dhe në procedurë të revizionit para Gjykatës Supreme [Aktgjykimi [Rev. nr. 62/12] i 16 shtatorit 2013]. Në lidhje me këtë, parashtruesit e kërkesës theksojnë se: “meqë dispozitat ligjore në mënyrë të hapur janë shpërfillur në rastin konkret e që këtë fakt e pohon edhe vetë anëtari i kolegjit që kishte vendosur në këtë çështje, gjyqtari i Gjykatës Suprem, Sh.S., i cili pranon se thirrja në institucionin e parashkrimit pranë Gjykatës Suprem është i pamundshëm, rrjedhimisht nuk mund të bëhet, argument ky i cili në mënyrë të qartë argumenton faktin se Gjykata Supreme me rastin e vendosjes ka shkelur një të drejtë themelore procedurale e që përveq gjykatën dhe gjyqtarin S., një gjë e tillë nuk do duhej të ndodhte [...]”.
Parashtruesit e kërkesës i referohen kërkesës KI37/21, duke pohuar se Gjykata kishte vendosur se kjo kërkesë është e “parakohshme”. Në lidhje me këtë, parashtruesit e kërkesës, pohojnë se pas Aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KI37/21 kishin parashtruar propozim për lejimin e përsëritjes së procedurës pranë Gjykatës Supreme, duke u mbështetur në prova të reja, përkatësisht deklaratën e gjyqtarit Sh.S në intervistën e tij. Parashtruesit e kërkesës sqarojnë se Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [CPP. Nr. 2/2022] të 27 dhjetorit 2022 propozimin e tyre për lejimin e përsëritjes së procedurës në Gjykatë Supreme e kishte hedhur si të pasafatshëm përkundër “që ishin bërë 5 ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetutës.” Në vijim, parashtruesit e kërkesës sqarojnë se kundër Aktvendimit [CPP. Nr. 2/2022] të 27 dhjetorit 2022, të Gjykatës Supreme, të njëjtit kishin parashtruar ankesë në Gjykatën Supreme, ku kjo e fundit ankesën e tyre e kishte hedhur si të palejuar dhe sipas tyre “përkundër që Ligji për Procedurën Kontestimore, përcakton dyshkallshmërinë tek kërkesa për përsëritje të procedurës.”
Në vijim, parashtruesit të kërkesës pretendojnë shkeljen e nenit 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, duke theksuar se: “ky nen qartazi dhe shprehimisht është shkelur nga ana e Gjykatës Supreme me vendimin e nxjerrë, duke e refuzuar kërkesëpadinë ë paditësve me të cilën kanë kërkuar realizmin e të drejtës së tyre, e cila i takon me ligj, ndonëse e njëjta ishte aprovuar paraprakisht në dy shkallë të gjykimit [....]”
Në fund, parashtruesit e kërkesës kërkojnë nga Gjykata që (i) kërkesën e tyre ta shpallë të pranueshme; (ii) të konstatojë shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së; (iii) të konstatojë shkelje të nenit 46 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së; dhe (iv) të shpallë të pavlefshëm vendimet si në vijim: Aktvendimin [CN. Nr. 2/2023] të 13 shkurtit 2023 të Gjykatës Supreme; Aktvendimin [Cpp. Nr. 2/2022] të 27 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme; dhe Aktgjykimin [Rev. Nr. 343/2019] të 24 dhjetorit 2020.
B. Pretendimet e ngritura në “komentet plotësuese në kërkesën KI100/23” të dorëzuara më 7 gusht 2023
Gjykata rikujton se më 7 gusht 2023, parashtruesit kërkesës, përkatësisht Yll Sadiku nga Kompania “Legalis” dorëzoi në Gjykatë “komente plotësuese në kërkesën KI100/23”. Bazuar në dokumentet plotësuese, të dorëzuara në Gjykatë, parashtruesit e kërkesës më 7 gusht 2023 kishin autorizuar Yll Sadikun nga Kompania “Legalis” që t’i përfaqësojë ata në procedurë para Gjykatës duke dorëzuar edhe komente plotësuese në lidhje me kërkesën e tyre.
Në komentet e tyre plotësuese, parashtruesit e kërkesës kontestojnë Aktvendimin [CN. Nr. 2/2023] të 13 shkurtit 2023 të Gjykatës Supreme në lidhje me Aktvendimin [CPP. Nr. 2/2022] të 27 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme.
Në lidhje me lejushmërinë e dorëzimit të komenteve plotësuese në kërkesën e tyre në Gjykatë, parashtruesit e kërkesës duke iu referuar dispozitave të Ligjit dhe të Rregullores së Punës pohojnë se “aktet e mësipërme janë të heshtura sa i përket të drejtës/mundësisë së parashtruesit/parashtruesve për të paraqitur komente në përgjigjen e palës kundërshtare, sikundër edhe në të drejtën e parashtruesit për të plotësuar apo për të sqaruar kërkesën e vet fillestare.” Në lidhje me këtë, parashtruesit e kërkesës duke iu referuar praktikës gjyqësore të Gjykatës [rasteve KI48/18, me parashtrues Arban Abrashi dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, Aktgjykim, i 23 janarit 2019; KI31/18, me parashtrues Komuna e Pejës, Aktgjykim, i 12 prillit 2019; dhe KI34/17 me parashtruese Valdete Daka, Aktgjykim, i qershorit 2017] pohojnë se: “Gjykata Kushtetuese në shumë raste ka pranuar përgjigje nga pala kundërshtare, dhe si dhe ka lejuar paraqitjen e komenteve dhe sqarime plotësuese nga parashtruesit e kërkesës, në disa raste edhe kur nuk ka pasur përgjigje nga pala kundërshtare në procedurë.”
Në vijim të këtyre sqarimeve, parashtruesit e kërkesës “[...] duke pasur parasysh edhe të drejtën për barazi para ligjit, që është e mishëruar në nenet 3 dhe 24 të Kushtetutës, kërkoj[në] nga Gjykata Kushtetuese, që siç ka vepruar në shumë raste të tjera, të marrë parasysh këto komente plotësuese në kërkesën KI100/23.”
Në lidhje me pranueshmërinë e kërkesës së tyre, dhe gjithnjë në kuptim të vendimit të kontestuar, përkatësisht Aktvendimit [CN. Nr. 2/2023] të 13 shkurtit 2023 të Gjykatës Supreme, parashtruesit e kërkesës specifikojnë se ata janë palë të autorizuara, që kontestojnë një akt të autoritetit publik, kanë shteruar mjetet ligjore dhe kanë dorëzuar kërkesën e tyre brenda afatit të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës. Në vijim të kësaj, parashtruesit e kërkesës po ashtu specifikojnë se kërkesa e tyre nuk është përsëritje e kërkesës KI37/21. Në lidhje me këtë, ata theksojnë se kërkesa e tanishme është “paraqitur nga disa parashtrues tjerë (përveç atyre të KI37/21) dhe kundër një akti tjetër (kundër një Aktvendimi tjetër të Gjykatës Supreme, gjegjësisht Aktvendimit CN. Nr. 2/2023); pas zhvillimit të procedurave të tjera/të reja në Gjykatën Supreme, të cila janë iniciuar/pas paraqitjes/zbulimit të fakteve të reja, të cilat janë të një rëndësie qenësore për vendosjen e drejtë të kësaj çështjeje gjyqësore (përkatësisht deklarimeve publike të gjyqtarit të Gjykatës Supreme, i cili i ka konfirmuar se Gjykata Supreme ka vendosur në mënyrë të gabuar rastin e parashtruesve të kërkesës). Në fund, parashtruesit e kërkesës konsiderojnë se kërkesa e tyre plotëson të gjitha kriteret për t’u shqyrtuar në meritat e saj.
Në lidhje me meritat e kërkesës, parashtruesit e kërkesës pretendojnë shkelje të të drejtave të tyre të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së dhe nenin 46 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.
Në lidhje me pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë interpretim qartazi arbitrare të ligjit, që sipas tyre kanë rezultuar në konkluzione “qartazi të gabuara”.
Në lidhje me këtë pretendim, parashtruesit e kërkesës fillimisht specifikojnë se:
përmes Aktgjykimit [Rev. Nr. 343/2019] të 24 dhjetorit 2020, Gjykata Supreme në mënyrë arbitrare ka interpretuar legjislacionin në fuqi për arsye se “ka pranuar si të bazuar revizionin e Komunës së Kaçanikut, duke ndryshuar Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin e Gjykatës Themelore [...] , shënim (i parashtruesve të kërkesës “Gjykata Supreme ka pranuar revizion në një rast që, në thelb, ka të bëj me eksproprijimin ku revizioni nuk është lejuar sipas ligjit i cili ishte në fuqi në atë kohë dhe për më tepër, është lëshuar në çështje të faktit, që nuk lejohet në procedurat sipas mjetit të jashtëzakonshëm juridik.”) Parashtruesit e kërkesës vijojnë me sqarimin se derisa kërkesa KI 37/21 ishte në shqyrtim para Gjykatës “gjyqtari Sh.S [intervistë e publikuar më 22 maj 2021] ka pranuar se Gjykata Supreme ka bërë interpretim qartazi të gabuar të ligjit me rastin e marrjes së vendimit të saj në rastin [e parashtruesve të kërkesës KI37/21]”;
propozimi për lejimin e përsëritjes së procedurës në Gjykatë Supreme është dorëzuar pas nxjerrjes së Aktvendimit për Papranueshmëri në rastin KI37/21 të Gjykatës, për arsye se sipas tyre “kanë pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese do e adresojë këtë çështje. Nuk ka qenë e arsyeshme që të pritej nga parashtruesit e kërkesës që të kërkonin përsëritje të procedurës, ndërkohë që rasti ka qenë në pritje të vendosjes në Gjykatën Kushtetuese.” Në lidhje me këtë, parashtruesit e kërkesës specifikojnë se propozimi i tyre për lejimin e përsëritjes së procedurës është paraqitur në afatin e paraparë tridhjetë ditor dhe vijojnë “Gjykata Supreme ka bërë interpretime të gabuara ligjore, duke arritur në përfundime qartazi arbitrare, kur ka refuzuar propozimin për përsëritje të procedurës për shkak të kalimit të afatit;
dispozitat e LPK-së “përcakto[jnë] dyshkallshmëri në trajtimin e kërkesës për përsëritje të procedurës.” Në këtë kuptim, parashtruesit e kërkesës i referohen neneve 232, 233, 234, 235 dhe 240 të LPK-së. Në vijim të kësaj, parashtruesit e kërkesës specifikojnë se: “Gjykata Supreme ka shpërfillur faktin se LPK përcakton dyshkallshmëri në trajtimin e kërkesës për përsëritje të procedurës.” Në vijim të kësaj, parashtruesit e kërkesës theksojnë se “edhe nëse Gjykata Supreme do të kishte mëdyshje dhe paqartësi rreth aplikimit të dispozitave të mësipërme të LPK-së në rrethanat e rastit aktual, kjo Gjykatë nuk do duhej që jo-fleskibilitetin e saj ta përdorë në dëm te qytetarëve, në këtë rast duke ua mohuar drejtësinë familjes Tusha. Për më tepër kur përballë tyre, si palë në procedurë, është autoriteti publik, përkatësisht shteti.”
Në lidhje me pretendimin për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës
Parashtruesit e kërkesës, fillimisht i referohen praktikës gjyqësore të Gjykatës [KI50/16, 86/18, 44/18; 194/18 dhe KI86/18] dhe të GJEDNJ-së [rastet Sporrong dhe Lonnrot kundër Suedisë; James dhe të Tjerët kundër Mbretërisë së Bashkuar; Presso Compania Naviera S.A. dhe Të Tjerët kundër Belgjikës; Pye LTd dhe J.A. Pye Ltd. kundër Mbretërisë së Bashkuar; Von Maltzan dhe Të Tjerët kundër Gjermanisë dhe Kopecky kundër Sllovakisë].
Në vijim të kësaj, parashtruesit e kërkesës specifikojnë se: “Siç është e dukshme nga dosja e lëndës, në rastin [e parashtruesve të kërkesës], përkatësisht gjykatat, u kanë vënë atyre barrë joproporcionale, duke kërkuar dëshmi përtej asaj që është e mundur të dëshmohet nga ta lidhur me privimin e tyre nga ta drejta pronësore gjatë periudhës së komunizimit dhe gjatë viteve të 90-ta. Pavarësisht se gjykata e shkallës së parë dhe të dytë në disa raste kanë vënë një ekuilibër të drejtë në mes të barrës së të provuarit nga ana e parashtruesve të kërkesës dhe Komunës së Kaçanikut, Gjykata Supreme e ka përmbysur këtë, përmes interpretimeve të saja thellësisht arbitrare dhe të gabueshme.”
Në fund, parashtruesit e kërkesës kërkojnë nga Gjykata që: (i) të pranojë komentet plotësuese në kërkesën KI100/23; (ii) të shpallë kërkesën e pranueshme’ dhe (iii) të konstatojë së Aktvendimi [CN. Nr. 2/2023] i 13 shkurtit 2023 i Gjykatës Supreme “i ka shkelur parashtruesve të kërkesës të drejtën për gjykim të drejtë dhe të drejtë për mbrojtjen e pronës.”
Dispozita relevante Kushtetuese dhe Ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.”
Neni 46
[Mbrojtja e Pronës]
E drejta e pronës është e garantuar.
Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.
Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj ekspropriimin e pronës nëse ky ekspropriim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave ekspropriohet.
Kontestet që lindin nga akti i Republikës së Kosovës ose autoritetit publik të Republikës së Kosovës për të cilat pretendohet se përbëjnë ekspropriimin, do të zgjidhen nga gjykata kompetente.
[...]
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1.Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.”
[...]
LIGJI PËR PROCEDURËN KONTESTIMORE
PËRSËRITJA E PROCEDURËS
Neni 232
Procedura e përfunduar me aktgjykim dhe aktvendim të formës së prerë të gjykatës mund të përsëritet sipas propozimit të palës:
[...]
g) në qoftë se pala merr dijeni për fakte të reja ose gjen prova të reja, ose e fiton mundësinë që t’i përdorë ato, në bazë të të cilave për palën do të mund të merrej vendim përfundimtar më i favorshëm, sikur faktet dhe provat e tilla të ishin përdorur në procedurën e mëparshme.
Neni 233
[...]
233.2 Nga shkaqet e treguara në nenin 232 pika g) e këtij ligji përsëritja e procedurës mund të kërkohet vetëm po që se pala, pa fajin e saj, nuk ka mundur ti parashtroj këto rrethana para se të ketë marrë fund procedura e mëparshme me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Neni 234
234.1 Propozimi për përsëritjen e procedurës paraqitet brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh, dhe atë:
[...]
g) në rastin nga neni 232, pika g) të këtij ligji – nga dita në të cilën pala ka mundur t’i parashtrojë në gjykatë faktet e reja, gjegjësisht mjetet provuese të reja.
234.2 Po që se afati i caktuar në paragrafin 1 të këtij neni do të fillonte të rrjedhë para së vendimi të ketë marrë formë të prerë, ky afat do të llogaritet nga momenti në të cilin vendimi bëhet i formës së prerë, në qoftë se kundër tij nuk është paraqitur ankesa, gjegjësisht nga dita e dorëzimit të vendimit të formës së prerë të gjykatës së lartë të dhënë në shkallë të fundit.
234.3 Pas kalimit të afatit prej pesë vjetësh nga dita kur vendimi bëhet i formës së prerë, propozimi për përsëritjen e procedurës nuk mund të paraqitet, përveçse kur përsëritja kërkohet nga shkaqet e përmendura në nenin 232, pika a dhe b të këtij ligji.
Neni 235
Mbi propozimin për përsëritjen e procedurës vendosë gjykata e shkallës së dytë, dhe atë gjyqtari individual i cili nuk ka marrë pjesë në dhënien e vendimit të shkallës së dytë në procedurën e mëparshme.
Neni 236
236.1 Propozimi për përsëritjen e procedurës i paraqitet gjithmonë gjykatës që e ka dhënë vendimin e shkallës së parë.
236.2 Në propozim duhet treguar sidomos: baza ligjore në mbështetje të të cilës kërkohet përsëritja e procedurës, rrethanat nga të cilat rezulton se propozimi është paraqitur në afatin ligjor dhe mjetet provuese me të cilat arsyetohen thëniet e propozuesit.
Neni 237
237.1 Propozimin për përsëritjen e procedurës të paraqitur pas afatit ligjor, atë jo të plotë, apo të palejueshëm, e hedhë poshtë gjykata e shkallës së parë me anë të aktvendimit pa mbajtur seancë gjyqësore.
[...]
Vlerësimi i kërkesës së parashtruesve për lejimin e plotësimit të kërkesës
Në lidhje me kërkesën e parashtruesve të kërkesës për plotësimin e kërkesës së tyre, Gjykata rikujton se parashtruesit të kërkesës, tashmë të përfaqësuar nga një përfaqësues tjetër ligjor, më 7 gusht 2023 dorëzuan kërkesë për lejimin e plotësimit në kërkesën e tyre të parashtruar në Gjykatë më 22 maj 2023. Në vijim të kësaj, Gjykata rikujton se në dorëzimin e kërkesës së tyre më 22 maj 2023, parashtruesit e kërkesës kishin autorizuar që të përfaqësoheshin nga avokati, z. Fitim Shabani. Megjithatë, më 7 gusht 2023, kërkesa e tyre për plotësime të kërkesës së tyre, u dorëzua nga një përfaqësues tjetër i Kompanisë Ligjore “Legalis” të cilin parashtruesit e kërkesës, më 7 gusht 2023 e kishin autorizuar që ti përfaqësonin ata në Gjykatë.
Sa i përket çështjes së ndërrimit të përfaqësuesit ligjor përgjatë zhvillimit të procedurës para Gjykatës, dhe para se kjo e fundit të nxjerrë vendim në lidhje me kërkesën, kjo çështje, në kuptim të së drejtës së tyre për përfaqësim është në vullnetin e palëve që ata të ndërrojnë përfaqësuesin e tyre ligjore përderisa me kohë njoftojnë Gjykatën dhe dorëzojnë autorizimin përkatës për përfaqësim të tyre. Thënë këtë, Gjykata e respekton këtë vendim të parashtruesve të kërkesës për t’u përfaqësuar nga një përfaqësues tjetër ligjor sipas zgjedhjes së tyre.
Në vijim, Gjykata rikujton se parashtruesit e kërkesës përmes kërkesës së tyre, të 7 gushtit 2023 për lejimin e plotësimit të kërkesës, për dallim nga kërkesa e parashtruar më 22 maj 2023: (i) në mënyrë specifike kontestojnë Aktvendimin [CN. Nr. 2/2023] të 13 shkurtit 2023 të Gjykatës Supreme, si vendim i fundit i nxjerrë nga kjo gjykatë në kuadër të propozimit të tyre për përsëritje të procedurës në Gjykatën Supreme; (ii) në lidhje me këtë Aktvendim të kontestuar të Gjykatës Supreme, parashtruesit e kërkesës kanë elaboruar më tej pretendimin e tyre për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, e që në mënyrë specifike ndërlidhet me hedhjen poshtë të ankesës së tyre ndaj Aktvendimit [CPP. Nr. 2/2022] të 27 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme, të nxjerrë në kuadër të procedurës për përsëritje të procedurës në Gjykatë Supreme, duke pretenduar interpretim arbitrar dhe qartazi të gabuar të dispozitave ligjore në lidhje me paraqitjen e ankesës apo dy-shkallshmërisë së procedurës për përsëritje të procedurës; (iii) të njëjtit kanë elaboruar më tej pretendimin e tyre në lidhje me Aktvendimin [CPP. Nr. 2/2022] të 27 dhjetorit 2022, të Gjykatës Supreme e që ndërlidhet me konstatimin e saj për hedhje si të palejuar të propozimit të tyre për përsëritje të procedurës në Gjykatë Supreme për shkak se i njëjti nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor prej tridhjetë (30) ditësh; (iv) theksojnë që kërkesa tyre para Gjykatës nuk është përsëritje e kërkesës KI37/21; dhe (v) në kuptim të pretendimit të tyre për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës, specifikojnë me tej se gjatë procedurës kontestimore në lidhje me kërkesëpadinë e tyre “Pavarësisht se gjykata e shkallës së parë dhe të dytë në disa raste kanë vënë një ekuilibër të drejtë në mes të barrës së të provuarit nga ana e parashtruesve të kërkesës dhe Komunës së Kaçanikut, Gjykata Supreme e ka përmbysur këtë, përmes interpretimeve të saja thellësisht arbitrare dhe të gabueshme”.
Në dritën e kësaj kërkese për plotësim të kërkesës së tyre, parashtruesit e kërkesës duke iu referuar dispozitave të Ligjit dhe të Rregullores së Punës pohojnë se “aktet e mësipërme janë të heshtura sa i përket të drejtës/mundësisë së parashtruesit/parashtruesve për të paraqitur komente në përgjigjen e palës kundërshtare, sikundër edhe në të drejtën e parashtruesit për të plotësuar apo për të sqaruar kërkesën e vet fillestare.”
Në vijim, parashtruesit e kërkesës duke iu referuar praktikës gjyqësore të Gjykatës [rasteve KI48/18, me parashtrues Arban Abrashi dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, Aktgjykim, i 23 janarit 2019; KI31/18, me parashtrues Komuna e Pejës, Aktgjykim, i 12 prillit 2019; dhe KI34/17 me parashtruese Valdete Daka, Aktgjykim, i qershorit 2017] pohojnë se: “Gjykata Kushtetuese në shumë raste ka pranuar përgjigje nga pala kundërshtare, dhe si dhe ka lejuar paraqitjen e komenteve dhe sqarime plotësuese nga parashtruesit e kërkesës, në disa raste edhe kur nuk ka pasur përgjigje nga pala kundërshtare në procedurë.”
Në lidhje me këtë të fundit, Gjykata ndaj pohimit të parashtruesve të kërkesës se Gjykata në shumë raste ka lejuar paraqitjen e komenteve dhe sqarimeve plotësuese ndaj kërkesave të tyre, duke iu referuar edhe praktikës gjyqësore të Gjykatës, përkatësisht rasteve KI48/18, KI38/18 dhe KI34/17 sqaron se: (i) në lidhje me rastin KI48/18, në procedurë para Gjykatës, parashtruesit e kërkesës janë njoftuar ne lidhje me përgjigjet e palës kundërshtare, dhe në vijim të kësaj i lejoi atyre që të paraqesin komente ndaj përgjigjes së palës kundërshtare (shih paragrafët 8-18 të Aktgjykimit); (ii) në lidhje me rastin KI31/18, në procedurë para Gjykatës, parashtruesja e kërkesës dorëzoi dokumente shtesë, përkatësisht, dorëzoi kërkesën për trajtimin e kërkesës me urgjencë pasi që ndaj saj kishte filluar procedura e përmbarimit, për të cilën procedurë, Gjykata i kishte kërkuar informata se në cilën fazë të procedurës gjendet procedura e përmbarimit (shih paragrafët 21-29 të Aktgjykimit); dhe (iii) në lidhje me rastin KI34/17, ashtu siç është reflektuar në procedurën para Gjykatës, parashtruesja e kërkesës më 31 mars 2017 plotësoi kërkesën e saj me pretendime shtesë, pas njoftimit të Gjykatës për regjistrim, të 17 marsit 2017, përkatësisht brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve pas njoftimit për regjistrim të kërkesës së saj (shih paragrafët 9-15 të Aktgjykimit).
Në vijim, në shqyrtimin e kërkesës së parashtruesve të kërkesës për lejimin e plotësimit të kërkesës së tyre, Gjykata fillimisht i referohet dispozitave përkatëse të Ligjit për Gjykatën dhe Rregulloren e saj të punës.
Paragrafi 4 i nenit 22 [Procedimi i kërkesës] të Ligjit përcakton që : “Nëse kërkesa ose përgjigja në kërkesë nuk është e qartë ose e kompletuar, gjyqtari raportues njofton palët apo pjesëmarrësit përkatës për këtë dhe ia cakton një afat prej jo më shumë se pesëmbëdhjetë (15) ditëve për të qartësuar ose plotësuar kërkesën, përkatësisht përgjigjen në kërkesë. Gjyqtari raportues ka të drejtë të kërkojë prova shtesë, nëse kjo është e nevojshme për të vlerësuar lejueshmërinë dhe themelësinë e kërkesës.”
Në vijim të kësaj, Gjykata vë në pah se më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi 15 ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Megjithatë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët. Thënë këtë, Gjykata i referohet rregullit 33 (Regjistrimi i kërkesës dhe afati i dorëzimit) të Rregullores së punës Nr. 01/2018, i cili ka përcaktuar që:
“(2)Nëse një kërkesë nuk përmban të gjitha dokumentet e nevojshme, Gjyqtari raportues nëpërmjet Sekretariatit e njofton parashtruesin e kërkesës, kontaktet e të cilit janë të njohura, se kërkesa duhet të plotësohet me dokumentet e specifikuara në kërkesë dhe përcakton saktë se këto dokumente duhet të dorëzohen brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditë, nga dita e parashtrimit të kërkesës.
(3) Përveç nëse kërkohet nga Gjykata ose, nëse merret leje me shkrim nga Gjykata, pala nuk mund të dorëzojë asnjë dokument pas pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e parashtrimit të kërkesës. Gjykata mund të urdhërojë një afat më të shkurtër, kur një kërkese i nevojitet trajtim i përshpejtuar.”
[...]
Në vijim, Gjykata po ashtu i referohet rregullit 26 (Regjistrimi i kërkesës dhe afati i dorëzimit të përgjigjeve) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, i cili përcakton që:
(3) Nëse një kërkesë nuk përmban të gjitha dokumentet e nevojshme, gjyqtari/ja raportues/e, nëpërmjet Sekretarisë, e njofton parashtruesin e kërkesës se kërkesa duhet te plotësohet me informata apo dokumente të specifikuara dhe përcakton saktë se informatat apo dokumentet duhet te dorëzohen brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh, nga dita e parashtrimit te kërkesës.
(4) Përveç nëse kërkohet nga Gjykata ose nëse merret leje me shkrim nga Gjykata, pala parashtruese nuk mund të dorëzojë asnjë dokument pas afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e parashtrimit te kërkesës. Gjykata mund te urdhërojë një afat me te shkurtër kur një kërkesë i nevojitet trajtim i përshpejtuar.”
Bazuar në dispozitat e lartcekura të dy Rregulloreve të punës së Gjykatës, kjo e fundit thekson se në thelb, rregullat e të dy Rregulloreve përcaktojnë që parashtruesit e kërkesës nuk mund të dorëzojë asnjë dokument pas afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e parashtrimit te kërkesës.
Prandaj, Gjykata marrë për bazë faktin, që kërkesa është dorëzuar më 22 maj 2023, dhe Gjykata ka njoftuar përfaqësuesin e parashtruesve të kërkesës më 2 qershor 2023 për regjistrimin e kërkesës në Gjykatë, konstaton se kërkesa e parashtruesve të kërkesës, për plotësimin e kërkesës, e 7 gushtit 2023 është dorëzuar jashtë afateve procedurale dhe bie jashtë fushëveprimit të rregullave të sipërcekura (shih në mënyrë të ngjashme edhe kërkesën e Gjykatës në rastin KI133/20, me parashtrues Raiffeisen Bank, Aktgjykim, i 30 marsit 2022).
Në këtë kuptim, Gjykata rithekson se afatet e përcaktuara me Rregulloren e punës, në kuptim të procedurës së shqyrtimit të kërkesës para Gjykatës, i shërbejnë sigurisë juridike, që nënkupton që palët në procedurë para Gjykatës janë paraprakisht të njoftuara në lidhje me (i) kushtet e dorëzimit të një kërkese në Gjykatë, (ii) të drejtës së palës kundërshtare për të paraqitur përgjigje dhe (iii) afatit të dorëzimit të informatave dhe parashtresave tjera brenda afateve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës.
Rrjedhimisht, Gjykata do të vazhdojë më shqyrtimin e pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, ashtu siç janë specifikuar në kërkesën e tyre të dorëzuar më 22 maj 2023 në Gjykatë.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, që përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
[...]
Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen më tutje në Ligj, përkatësisht me nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht...”.
Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, përkatësisht kriterin për të qenë palë e autorizuar para Gjykatës, kjo e fundit vë në dukje se parashtruesit e kërkesës Artan Tusha, Ajshe Tusha, Hatixhe Tusha, Nadire Tusha dhe Nurhane Vladi-Tusha, si në autorizimin e tyre për përfaqësim nga z. Fitim Shabani, të dhënë më 3 maj 2023 ashtu edhe në autorizimin e tyre për përfaqësim nga Kompania Ligjore “Legalis”, të dhënë më 7 gusht 2023 në Gjykatë kanë specifikuar se janë trashëgimtarë të të ndjerit Isa Tusha, palë në procedurë para Gjykatës Supreme, si në procedurën kontestimore ashtu edhe në procedurën për propozimin e ripërsëritjes së procedurës në Gjykatë Supreme. Gjykata vë po ashtu në dukje se të gjithë parashtruesit e kërkesës kanë autorizuar Kompaninë ligjore “Legalis”, që ti përfaqësojë ata në procedurë para Gjykatës. Thënë këtë, Gjykata konsideron se parashtruesit e kërkesës janë palë e autorizuar, në kuptim të nenit 113.7 të Kushtetutës.
Në vijim të kësaj, Gjykata, konstaton se parashtruesit e kërkesës kontestojnë kushtetutshmërinë e akteve të një autoriteti publik, përkatësisht (i) Aktgjykimin [Rev. nr. 43/2019] të 24 dhjetorit 2020 të Gjykatës Supreme, të nxjerrë në procedurë kontestimore dhe (ii) Aktvendimin [CN. Nr. 2/2023] të 13 shkurtit 2023 të Gjykatës Supreme në lidhje me Aktvendimin [CPP. Nr. 2/2022] të 27 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme, të nxjerra në kuadër të procedurës për lejimin e ripërsëritjes së procedurës në Gjykatë Supreme.
Tutje, Gjykata konstaton se parashtruesit e kërkesës i kanë shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; i kanë specifikuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë, të cilat pretendojnë se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe kërkesën e kanë parashtruar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, siç parasheh neni 49 i Ligjit.
Në këtë aspekt, dhe fillimisht, Gjykata rikujton që rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me atë se parashtruesit e kërkesës në vitin 2007, në Gjykatën Komunale në Kaçanik , në kuadër të procedurës kontestimore kishin parashtruar kërkesëpadi për (i) vërtetimin e pronësisë së një pjese të ngastrës kadastrale dhe (ii) kompensimin për eksproprijimin e një sipërfaqeje të ngastrës së lartcekur kadastrale. Procedura e zhvilluar kontestimore, kishte rezultuar në nxjerrjen e Aktgjykimit nga Gjykata Komunale, përmes së cilës pjesërisht ishte aprovuar kërkesëpadia e parashtruesve të kërkesës, dhe Komuna e Kaçanikut ishte obliguar që të paguajë një shumë të caktuar për kompensim për shpronësim. Aktvendimi i Gjykatës Komunale ishte aprovuar nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, dhe si rezultat i aprovimit të revizionit nga ana e Gjykatës Supreme, lënda ishte kthyer në rigjykim në Gjykatën Komunale. Në procedurë të rigjykimit, Gjykata Themelore sërish pjesërisht kishte aprovuar kërkesëpadinë e parashtruesve, dhe si rezultat i aprovimit të ankesës së palës së paditur nga ana e Gjykatës së Apelit, çështja ishte kthyer sërish në rigjykim në Gjykatën Themelore. Në procedurë të dytë të rigjykimit, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C. nr. 58/17] 20 dhjetorit 2017, pjesërisht aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës, dhe ky vendim u vërtetua edhe përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 593/18] të 20 gushtit 2019 të Gjykatës së Apelit. Si rezultat i paraqitjes së revizionit nga ana e Komunës së Kaçanikut në Gjykatë Supreme, përmes të cilit kjo e fundit kishte pretenduar se kërkesëpadia e parashtruesve ishte parashkruar. Si rrjedhojë, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit të kontestuar [Rev. nr. 43/2019] e kishte pranuar si të bazuar revizionin e Komunës së Kaçanikut dhe kishte ndryshuar Aktgjykimin [Ac. nr. 593/18] të 20 gushtit 2019, të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimin [C. nr. 58/17] të 20 dhjetorit 2017 të Gjykatës Themelore, duke refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës. Gjykata Supreme, ndër tjerash, kishte arsyetuar se kërkesëpadia e tyre ishte parashkruar, ashtu siç përcaktohet më nenin 379 të LMD-së në lidhje me nenet 28 dhe 29 të LTHMPJ-së.
Në vijim, Gjykata po ashtu rikujton se parashtruesit e kërkesës [Isa Tusha, Miradije Tusha dhe Naser Tusha] kishin parashtruar kërkesë në Gjykatë, e regjistruar më numër KI37/21, përmes të cilës kontestuan Aktgjykimin e lartcekur [Rev. nr. 343/2019], të Gjykatës Supreme duke pretenduar se i njëjti kishte shkelur të drejtat e tyre të garantuara me nenet 31 dhe 46 të Kushtetutës. Si rrjedhojë, Gjykata më 8 shtator 2021, kërkesën e parashtruesve të kërkesës në rastin KI37/21 e shpalli si të papranueshme për arsye se e njëjta ishte qartazi e pabazuar në bazë kushtetuese.
Tutje, Gjykata rikujton, më 11 tetor 2021, në Gjykatën Supreme, parashtruesit e kërkesës [Miradije Tusha dhe Naser Tusha] dhe Isa Tusha parashtruan propozim për ripërsëritje të procedurës në Gjykatën Supreme.
Në kuadër të këtij propozimi për ripërsëritje të procedurës, Gjykata Supreme, përmes Aktvendimit [CPP. Nr. 2/2022] të 27 dhjetorit 2022, pasi e shpalli vetën kompetente si gjykatë për të vendosur në lidhje me propozimin e tyre, të njëjtin e hodhi poshtë si të pasafatshëm. Si rezultat i këtij vendimi, parashtruesit e kërkesës kundër këtij Aktvendimi të Gjykatës Supreme paraqitën ankesë në Gjykatën Supreme, dhe kjo e fundit përmes Aktvendimit të kontestuar [CN. Nr. 2/2023] të 13 shkurtit 2023 ankesën e tyre e hodhi si të palejuar, duke konstatuar se dispozitat e LPK-së në rrethanat konkrete nuk parashohin mundësinë e paraqitjes së ankesës.
Në dritën e të lartcekurave, parashtruesit e kërkesës, përmes kërkesës së tyre specifikojnë se kontestojnë (i) Aktgjykimin [Rev. nr. 43/2019] të 24 dhjetorit 2020 të Gjykatës Supreme, të nxjerrë në procedurë kontestimore dhe (ii) Aktvendimin [CN. Nr. 2/2023] të 13 shkurtit 2023 të Gjykatës Supreme në lidhje me Aktvendimin [CPP. Nr. 2/2022] të 27 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme, të nxjerra në kuadër të procedurës për lejimin e ripërsëritjes së procedurës në Gjykatë Supreme, për të cilat pretendojnë se të njëjtat kanë shkelur të drejtat e tyre të garantuara me nenet 31 dhe 46 të Kushtetutës.
Në vijim, të pretendimeve të lartcekura të parashtruesve të kërkesës, Gjykata fillimisht do të shqyrtojë dhe vlerësojë kërkesën e tyre që ndërlidhet me (i) Aktgjykimin [Rev. nr. 43/2019] të 24 dhjetorit 2020 të Gjykatës Supreme, për të vazhduar më shqyrtimin dhe vlerësimin e (ii) Aktvendimit [CN. Nr. 2/2023] të 13 shkurtit 2023 të Gjykatës Supreme në lidhje me Aktvendimin [CPP. Nr. 2/2022] të 27 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme, të nxjerra në kuadër të procedurës për lejimin e ripërsëritjes së procedurës në Gjykatë Supreme.
Në lidhje me Aktgjykimin [Rev. nr. 43/2019] të 24 dhjetorit 2020, të Gjykatës Supreme
Gjykata fillimisht sqaron se parashtruesit e kërkesës në kërkesën e tyre të dorëzuar në Gjykatë specifikojnë se kontestojnë Aktgjykimin [Rev. nr. 343/2019] të 24 dhjetorit 2020 të Gjykatës Supreme, i cili ishte objekt i vlerësimit të kërkesës KI37/21, për të cilin pretendojnë se i njëjti ka shkelur drejtat e tyre të garantuara me nenet 31 dhe 46 të Kushtetutës.
Në dritën e të lartcekurave, Gjykata thekson se pretendimet e parashtruesve të kërkesës që ndërlidhen me Aktgjykimin [Rev. nr. 43/2019] të 24 dhjetorit 2020, të Gjykatës Supreme, i cili ishte objekt i vlerësimit të kushtetutshmërisë nga Gjykata përmes kërkesës KI37/21 janë pretendime të cilat përbëjnë përsëritje të kërkesës, tashmë të gjykuar dhe të vendosur nga Gjykata.
Në lidhje më këtë, Gjykata i referohet nenit 116 (1) [Efekti Juridik i Vendimeve] te Kushtetutës, i cili parasheh se: "Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës" (shih rastet e Gjykatës, rastin KI102/1g, parashtrues Bedri Gashi, Vendimi për refuzim te kërkesës të datës 5 dhjetor 2019, paragrafët 21 dhe 22, dhe gjithashtu, rastin KI105/16, parashtrues Feti Gashi, i cituar me lart, paragrafi 22).
Tutje, Gjykata i referohet edhe rregullit 54 (2) (b) te Rregullores se punës, i cili parasheh: ''(2) Gjykata mund te vendose ta refuzoje një kërkesë me procedure te shkurtër në qoftë se: [...] (b) kërkesa është përsëritje e një kërkese te mëparshme të vendosur nga Gjykata; ose [...]”
Në këtë kuptim, Gjykata, përmes praktikës së saj gjyqësore në vazhdimësi ka theksuar se ankimimi individual në kuptim të nenit 113 (7) të Kushtetutës nuk duhet të shikohet nga parashtruesit e kërkesës si një mundësi për të kërkuar në mënyrë të përsëritur nga Gjykata që të rihapë vendimet e saj dhe të gjykojë sërish çështjen e njëjtë (shih, në këtë kuptim, rastet e Gjykatës: KI105/16, parashtrues Feti Gashi, Vendimi për refuzim të kërkesës, i 10 majit 2017, paragrafi 21 dhe KI96/23, me parashtrues Muhamet Miftari, Vendim për refuzim të kërkesës, i 31 gushtit 2023).
Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesve të kërkesës se përmes Aktgjykimit [Rev. nr. 43/2019] të 24 dhjetorit 2020, të Gjykatës Supreme iu janë shkelur të drejtat e tyre të garantuara me nenet 31 dhe 46 të Kushtetutës përbëjnë përsëritje të kërkesës tashmë të gjykuar dhe të vendosur nga Gjykata në rastin KI37/21, dhe duhet të refuzohen ashtu siç është përcaktuar me pikën b, paragrafin (2) të rregullit 54 të Rregullores së punës.
Në lidhje me Aktvendimet e Gjykatës Supreme, të nxjerra në kuadër të procedurës për lejimin e përsëritjes së procedurës në Gjykatën Supreme
Në dritën e konstatimit të lartcekur, Gjykata në vijim do të shqyrtojë dhe vlerësojë Aktvendimet e kontestuara të Gjykatës Supreme, të nxjerra në kuadër të procedurës që ndërlidhet me propozimin për ripsërsëritje të procedurës në Gjykatë Supreme.
Gjykata fillimisht rikujton që parashtruesit e kërkesës pretendojnë se Aktvendimi kontestuar [CN. Nr. 2/2023] të 13 shkurtit 2023 të Gjykatës Supreme në lidhje me Aktvendimin [CPP. Nr. 2/2022] të 27 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme, të nxjerra në kuadër të procedurës për lejimin e ripërsëritjes së procedurës në Gjykatë Supreme kanë shkelur të drejtën e tyre për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës. Në kuptim të pretendimit të tyre për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës specifikisht:
pretendojnë interpretim të gabuar të dispozitave të LPK-së që ndërlidhet me konstatimin e Gjykatës Supreme të dhënë përmes Aktvendimit [CPP. Nr. 2/2022] të 27 dhjetorit 2022 se propozimi i tyre për përsëritje të procedurës në Gjykatë Suprem ishte i pasafatshëm; dhe
në lidhje me konstatimin e Gjykatës Supreme përmes Aktvendimit [CN. Nr. 2/2023] të 13 shkurtit 2023 se ankesa kundër Aktvendimit [CPP. Nr. 2/2022] të 27 dhjetorit 2022 ishte e palejuar, theksojnë se dispozitat e LPK-së garantojnë dyshkallshmëri të vendimeve në procedurë për ripërsëritje të procedurës. Në lidhje këtë të fundit, parashtruesit e kërkesës nuk kanë specifikuar se pretendojnë shkelje të së drejtës së tyre për mjet juridik, të garantuar me nenin 32 të Kushtetutës.
Në dritën e pretendimit të parashtruesve të kërkesës për shkelje të së drejtës së tyre për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të garantuar me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ) e që ndërlidhet me Aktvendimin e kontestuar, të Gjykatës Supreme, përmes të cilit propozimi i tyre për ripërsëritje të procedurës në Gjykatën Supreme ishte hedhur si i pasafatshëm, Gjykata duhet që fillimisht të vlerësojë plotësimin e kritereve të përcaktuara përmes pikës (b) të paragrafit 3 te rregullit 34 të Rregullores së punë s, sipas të cilës, Gjykata mund të konsiderojë një kërkesa të papranueshme nëse e njëjta nuk është ratione materiae në pajtim me Kushtetutën.
Gjykata, bazuar në praktikën e saj tashmë të konsoliduar gjyqësore, e cila bazohet në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, thekson se gjykatat e rregullta në procedurën sipas propozimit/kërkesës për përsëritje te procedurës vendosin vetëm lidhur me çështjen nëse kërkesa për përsëritje të procedurës plotëson kushtet procedurale për miratimin e saj, dhe jo për "të drejtat dhe detyrimet civile" të parashtruesit të kërkesës brenda kuptimit të së drejtës për gjykim të drejtë të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së.
Në këtë kuptim, Gjykata përmes praktikës së saj gjyqësore ka vlerësuar se neni 31 i Kushtetutës, i ndërlidhur me nenin 6 të KEDNJ-se konsiderohet i pazbatueshëm në rastet e procedurës, përmes të cilës është refuzuar propozimi/kërkesa për përsëritje të procedurës (shih rastin e Gjykatës: KI63/21, me parashtrues Hysen Metahysa, Aktvendim për Papranueshmëri i 11 nëntorit 2021, paragrafi 72; shih gjithashtu rastin e GJEDNJ-së: KI07/17, Pashk Mirashi, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 qershorit 2017, paragrafi 64; KI80/15, 81/15 dhe 82/15, Rrahim Hoxha, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 dhjetorit 2016, paragrafi 31; shih, ndër të tjera edhe rastet e GJEDNJ-se, Oberschlick kundër Austrisë, nr. 23727/94, Vendim, i 21 marsit 1994, Doësett kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 8559/08, Vendim, i 4 janarit 2011; dhe Sablon kundër Belgjikës, nr. 36445/97, Aktgjykim i 10 prillit 2001, paragrafi 86).
Përveç kësaj, Gjykata duke iu referuar praktikës gjyqësore të GJEDNJ-se, gjegjësisht rastit Bochan kundër Ukrainës (nr.2) [DHM], kërkesa nr. 22251/08, Aktgjykim, i 5 shkurtit 2015, përmes të cilit kishte vënë në dukje se: “[...] në linjë me parimet e lartcekura, mbështetur në praktikën e vazhdueshme dhe mirë të konsoliduar, Konventa nuk garanton të drejtën për rihapjen e një rasti të përfunduar. Ankesat e jashtëzakonshme që kanë për synim rihapjen e procedurave gjyqësore të përfunduara si rregull nuk përfshijnë përcaktimin e “të drejtave dhe obligimeve civile” ose të “akuzës penale” dhe si rrjedhojë neni 6 nuk është i zbatueshëm në to.” [paragrafi 44 i Aktgjykimit në rastin Bochan kundër Ukrainës, dhe referencat e përdorura në këtë rast, ndër të tjera, rastet e GJEDNJ-së X kundër Austrisë, nr. 7761/77, Vendim i 8 majit 1978, paragrafi 171; Surmont, De Meurechy dhe Të Tjerët kundër Belgjikës, nr. 13601/88 dhe13602/88, Vendim i 6 korrikut 1989, paragrafi. 284; J.F. kundër Francës, nr. 39616/98, Vendim, i 20 prillit 1999; Zaëadzki kundër Polonisë, nr. 34158/96, Vendim, i 6 korrikut 1999; Sonnleitner kundër Austrisë, nr. 34813/97, Vendim, i 6 janarit 2000; Sablon kundër Belgjikës, nr. 36445/97, Vendim, i 10 prillit 2001, paragrafi 86; Gorizdra kundër Moldavisë, nr. 53180/99, Vendim, i 2 korrik 2002; Hurter kundër Zvicrës nr. 48111/07, 15 maj 2012; Dybeku kundër Shqipërisë, nr. 557/12, Vendim i 11 marsit 2014, paragrafi 30).
GJEDNJ kishte specifikuar se: “Kjo sepse, për aq kohë sa çështja mbulohet nga parimi i res judicata të një vendimi përfundimtar në procedurat vendore, në parim nuk mund të arsyetohet se një kërkesë apo ankesë e jashtëzakonshme vijuese që synon rishikimin e këtij vendimi shpie në një pretendim të argumentuar për ekzistencën e një të drejte të njohur sipas ligjit vendor apo se rezultati i proceduarve në të cilat është vendosur që të rishqyrtojë të njëjtën çështje apo jo është përcaktuese për “të vendosur në lidhje me të drejtat dhe detyrimet civile ose të një akuze penale”. (paragrafi 44, i Aktgjykimit në rastin Bochan kundër Ukrainës).
Tutje, GJEDNJ ka specifikuar se: “[...] megjithatë, nëse një ankesë e jashtëzakonshme përfshin apo në të vërtetë rezulton në rishikim e rastit, neni 6 [i Konventës] zbatohet në procedurat e “rishikimit” në mënyrën e rregullt .“ (shih rastin, Sablon kundër Belgjikës, të cituar më lart, paragrafët 88-89, Vanyan kundër Rusisë, nr. 53203/99, 15 dhjetor 2005, paragrafi56, Zasurtsev kundër Rusisë, nr. 67051/01, 27 prill 2006, paragrafi 62; Alekseyenko kundër Rusisë, nr. 74266/01, 8 janar 2009, paragrafi 55; Rizi kundër Shqipërisë nr. 49201/06, 8 nëntor 2011, paragrafi 47,).
Gjykata, pikërisht duke pasur parasysh pretendimin e parashtruesve të kërkesës në kontekstin e garancive procedurale të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së, vëren se procedura gjyqësore e zhvilluar në Gjykatën Supreme, në kuadër të të cilës propozimi për përsëritje të procedurës në këtë gjykatë ishte refuzuar si i pasafatshëm kishte te bënte vetëm me vlerësimin e përmbushjes se kërkesave procedurale të cilat duhet t'i përmbushë një kërkesë për përsëritje te procedurës, në mënyrë që të jetë e pranueshme, dhe të rezultojë në rihapjen procedurës gjyqësore.
Gjykata, vë në dukje se në rastin Bochan kundër Ukrainës, GJEDNJ, po ashtu kishte specifikuar se përderisa nenin 6, paragrafi 1 i KEDNJ-së në parim nuk është i zbatueshëm në rastet e ankesave të jashtëzakonshme që synojnë rihapjen e procedurave gjyqësore të përfunduara, natyra, fushëveprimi dhe veçoritë specifike të një procedure përkitazi me kërkesën e jashtëzakonshme në një sistem specifik juridik në fjalë mund të jenë të tilla ku procedura në kuadër të një ankese të hyjë në fushëveprimin e nenit 6 të KEDNJ-së ku garancitë e gjykimit të drejtë mund të aplikohen ndaj palëve ndërgjyqëse. Në vijim të kësaj, Gjykata specifikoi se “[GJEDNJ] duhet të shqyrtojë në këtë mënyrë natyrën, fushëveprimin dhe veçoritë specifike të ankesës së jashtëzakonshme në fjalë në rrethanat e rastit konkret.“ (shih paragrafin 50 të rastit të lart cituar Bochan kundër Ukrainës). Në kuptim të kësaj të fundit, Gjykata duke marrë për bazë fushëveprimin dhe veçoritë e mjetit të jashtëzakonshëm juridik në rrethanat e rastit konkret, përkatësisht propozimit për lejimin e ripërsëritjes së procedurës, vëren se ky mjet i jashtëzakonshëm juridik i referohet mundësisë së rihapjes së procedurës nën kushtet e përcaktuara me ligj, pas përfundimit të procedurës gjyqësore me vendim përfundimtar gjyqësor.
Prandaj, Gjykata bazuar në praktikën e vet gjyqësore dhe të atë të GJEDNJ -së rithekson se neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNJ-se nuk zbatohen në kërkesat për përsëritjen e procedurës.
Rrjedhimisht, si rezultat i këtij konstatimi Gjykata konsideron se kërkesa e parashtruesve të kërkesës që ndërlidhet pretendimet e parashtruesit të kërkesës ne lidhje me procedurën gjyqësore te zhvilluar nga gjykatat sipas propozimit të tyre për rishikimin e procedurës duhet të shpallen të papranueshme, për shkak se është e papajtueshme ratione materiae me Kushtetutën, ashtu siç është përcaktuar me rregullin 34 (3) (b) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, nenin 20 të Ligjit dhe në pajtim me pikën (b) të paragrafit 3 të rregullit 34 dhe pikën (b) të paragrafit 2 të rregullit 54 të Rregullores së punës, më 13 shkurt 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË, kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË, këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË, këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Safet Hoxha Gresa Caka-Nimani
Miradije Tusha, Naser Tusha, Artan Tusha, Ajshe Tusha, Hatixhe Tusha, Nadire Tusha dhe Nurhane Vladi-Tusha
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës
Civile