Prishtinë, më 14 dhjetor 2023
Nr.ref.: RK 2301/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI68/23
Parashtrues
Fadil Bajraktari
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.413/21] të Gjykatës Supreme të Kosovës të 19 tetorit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Fadil Bajraktari nga Prishtina (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i cili përfaqësohet nga Zef Berisha, avokat nga Prishtina (në tekstin e mëtejmë: përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Rev.nr.413/2021] të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), i 19 tetorit 2022.
Aktgjykimi [Rev.nr.413/2021] i Gjykatës Supreme i 19 tetorit 2022, i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës më 4 nëntor 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.413/2021] të Gjykatës Supreme të 19 tetorit 2022, përmes të cilit pretendohet se janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të parashtruesit të kërkesës të garantuara me nenin 3 paragrafi 2 [Barazia para Ligjit], nenin 7 paragrafi 1 [Vlerat], nenin 21 paragrafi 1 dhe 3 [Parimet e Përgjithshme], nenin 22 paragrafi 1 dhe 2 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], nenin 23 [Dinjiteti i Njeriut], nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit Shtesë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenin 22 (Procedimi i kërkesës) dhe nenin 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Me 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatë
Më 24 mars 2023, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 31 mars 2023, Kryetarja e Gjykatës, përmes Vendimit [Nr.GJR.KI68/23], caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi gjyqtar raportues dhe përmes Vendimit [Nr.KSH.KI68/23] Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Safet Hoxha (kryesues), Nexhmi Rexhepi dhe Enver Peci, anëtarë.
Më 4 prill 2023, Gjykata e (i) njoftoi përfaqësuesin e parashtrueses së kërkesës për regjistrimin e kërkesës; (ii) kërkoi nga i njëjti që të dorëzon të gjitha kopjet e vendimeve/ankesave që ndërlidhen me rastin ngase vendimet e dorëzuara ishin të pa lexueshme; dhe (iii) kërkoi nga i njëjti që të dorëzon autorizimin specifik për Gjykatën Kushtetuese që dëshmon se e përfaqëson parashtruesin e kërkesës.
Më 24 prill 2023, Gjykata pranoi nga përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës dokumentet e kërkuara dhe autorizimin specifik për Gjykatën Kushtetuese.
Më 10 korrik 2023, Gjykata, (i) i dërgoi një kopje të kërkesës Gjykatës Supreme ; dhe (ii) kërkoi nga Gjykata Themelore në Prishtinë që të dorëzojë fletëkthesën që dëshmon ditën se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar Aktgjykimin [Rev.nr.413/2021] të Gjykatës Supreme të 19 tetorit 2022.
Më 18 korrik 2023, Gjykata Themelore e dorëzoi në Gjykatë dosjen e plotë të lëndës dhe në bazë të fletë-kthesës së kërkuar, Gjykata u informua se Aktgjykimi [Rev.nr.413/2021] i Gjykatës Supreme i 19 tetorit 2022, i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës më 4 nëntor 2022.
Më 14 nëntor 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës ta refuzojë kërkesën me procedurë të shkurtë.
Përmbledhja e fakteve të rastit
Nga shkresat e lëndës, Gjykata vëren se procedura pranë gjykatave të rregullta ka të bëjë me vërtetimin e së drejtës pronësore të sipërfaqës 23 m2 të ngastrës kadastrale nr.7317-0 në vendin e quajtur “Perandori Justinian”, në Prishtinë, për të cilën pronë, parashtruesi i kërkesës dhe palët kundërshtare në këtë çështje juridike, e të cilëve Gjykata do të ju drejtohet me inicialet e tyre për shkak të ruajtjes së privatësisë, F.V dhe B.V, pretendojnë se u takon ngastra e lartëcekur.
Më 24 prill 2015, parashtruesi i kërkesës paraqiti padinë kundër H.K dhe F.V, për shkak të pretendimit se të njëjtit janë fqinjët e tij dhe i kanë uzurpuar ngastrën kadastrale në sipërfaqe prej 23 m2 nr.7317-0 pa ndonjë bazë ligjore. Këtë padi, parashtruesi i kërkesës e zgjeroi në seancën e datës 19 maj 2016 në kuptim subjektiv duke e përfshirë edhe personin tjetër B.V, ndërsa me personin e parë H.K, procedura ishte ndërprerë dhe ishte vazhduar në një kontest tjetër me numër tjetër të lëndës.
Bazuar në rrjedhën kronologjike të kësaj çështje juridike, Gjykata vëren se personi B.V ka parashtruar kundërpadi ndaj parashtruesit të kërkesës dhe ndaj F.V, por meqënëse se para Gjykatës është paraqitur vetëm parashtruesi i kërkesës, kjo e fundit do të bazojë përmbledhjen e fakteve vetëm në ato fakte që ndërlidhen me parashtruesin e kërkesës.
Më 21 tetor 2016, është nxjerrë ekspertiza gjeodezike nga dy ekspertë A.A dhe Q.H, të cilët konstatuan se kufinjtë e ngastrave 7317-0 me pronar parashtruesin e kërkesës dhe 7318-2 me pronar të paditurën B.V, janë të vjetër dhe se një gjendje e tillë kishte ekzistuar edhe në kohën e pronarëve paraprak, por të njëjtit nuk kishin parashtruar ndonjë vërejtje.
Gjykata Themelore refuzoi propozimin e përfaqësuesit të parashtruesit të kërkesës për nxjerrjen e superekspertizës, pasi që i njëjti nuk ka arritur të provojë pretendimet-kundërshtimet që i kishte pasur në ekspertizën e ekspertëve të gjeodezisë A.A dhe Q.H.
Më 28 dhjetor 2016, i padituri F.V paraqiti përgjigjen në padi në Gjykatën Themelore, duke kundërshtuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se të njëjtit i mungon legjitimiteti pasiv në këtë çështje juridike.
Më 16 janar 2017, parashtruesi i kërkesës ka bërë precizimin e kërkesëpadisë me të cilën ka kërkuar që Gjykata t’i detyrojë F.V dhe B.V që të dorëzojnë në posedim dhe shfrytëzim të lirë parashtruesit të kërkesës sipërfaqen prej 23 m2 të pjesës kadastrale nr. 7317-0 ZK Prishtinë.
Më 29 mars 2018, Gjykata Themelore nxori Aktgjykimin [C.nr.1015/13], përmes të cilit (i) e refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës me të cilën ka kërkuar që të detyrohen të paditurit – kundërpaditësit F.V dhe B.V, t’ia lirojnë dhe dorëzojnë në posedim dhe shfrytëzim të lirë sipërfaqen prej 23 m2 të pjesës ngadastrale, nr.7317-0, në vendin e quajtur “Perandori Justinian” ; (ii) aprovoi kundërpadinë e të paditurëve – kundërpaditëses B.V, ashtu që vërtetoi se e paditura – kundërpaditësia B.V është pronare e paluajtshmërisë në bazë të posedimit me mirëbesim e pjesës të ngastrës kadastrale nr.7317-0, ZK Prishtinë me sipërfaqe prej 23 m2, e regjistruar në certifikatën pronësore nr.71914059-07317-0 ZK Prishtinë; si dhe (iii) detyroi parashtruesin e kërkesës që të paditurit dhe kundërpaditëses t’ua paguaj shpenzimet e procedurës në shumë prej 2.813,00 € në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh nga marrja e aktgjykimit. Në arsyetimin e saj, Gjykata Themelore kishte vlerësuar se parashtruesi i kërkesës ka qenë i informuar në lidhje me gjendjen faktike të mospërputhshmërisë së kufirit të ngastrave, ashtu që nuk është provuar se është iniciuar ndonjëherë procedurë gjyqësore nga paraardhësit e pronave lidhur me këtë çështje dhe në këtë mënyrë personi B.V është poseduese me mirëbesim e pronës në fjalë.
Brenda afatit ligjor, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur ankesë kundër Aktgjykimit [C. nr. 1015/13] të Gjykatës Themelore të 29 marsit 2018 në Gjykatën e Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë : Gjykata e Apelit), për shkak të: (i) shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore ; (ii) vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike; si dhe (iii) zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Në një datë të paspecifikuar, e paditura – kundërpaditësja B.V dhe i padituri F.V, parashtruan përgjigje me shkrim në ankesë në Gjykatën e Apelit, me propozimin që : (i) Ankesa e parashtruesit të kërkesës të refuzohet si e pabazuar; dhe (ii) Aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.
Më 26 prill 2021, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac.nr.3898/18] e kishte (i) refuzuar si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës; dhe (ii) vërtetuar Aktgjykimin [C. nr. 1015/13] të Gjykatës Themelore të 29 marsit 2018. Gjykata e Apelit ishte pajtuar me qëndrimin juridik të Gjykatës Themelore dhe kishte vlerësuar se dispozitivi dhe arsyetimi ishte mjaftë i qartë dhe i mjaftueshëm për mënyrën e vendosjes.
Brenda afatit ligjor, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur revizion në Gjykatën Supreme kundër aktgjykimeve të shkallës së parë dhe të dytë, për shkak të: (a) shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore dhe (b) zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.
Më 19 tetor 2022, Gjykata Supreme nëpërmjet Aktgjykimit [Rev.nr.413/2021], e refuzoi si të pabazuar revizionin e paraqitur nga parashtruesi i kërkesës kundër Aktgjykimit [Ac.nr.3898/2018] të Gjykatës së Apelit të 26 prillit 2021. Gjykata Supreme kishte vlerësuar se Gjykata e Apelit ka dhënë arsye të mjaftueshme në mbështetje të konstatimeve të saja dhe se ishte pajtuar me vlerësimin e Gjykatës Themelore lidhur me fitimin e të drejtës së pronësisë në bazë të parashkrimit fitues, e cila ishte baza e aprovimit të kërkesës nga kundërpadia e personit B.V.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës në kërkesën e parashtruar para Gjykatës, pretendoi se gjykatat e rregullta kanë nxjerrë aktgjykime në shkelje të të drejtave të parashtruesit të kërkesës, të garantuara me nenin 3 paragrafi 2 [Barazia para Ligjit], nenin 7 paragrafi 1 [Vlerat], nenin 21 paragrafi 1 dhe 3 [Parimet e Përgjithshme], nenin 22 paragrafi 1 dhe 2 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], nenin 23 [Dinjiteti i Njeriut], nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 46 paragrafi 1 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit Shtesë të KEDNj-së.
Përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës thekson se “ lënda nuk është nënshtruar një procesi analitik. Nuk është nënshtruar analizës që përfshinë përcaktimin e secilit element të rregulle të caktuar e cila mund të aplikohet për faktet...”. Si rezultat i kësaj parashtruesi i kërkesës pretendoi se i është shkelur e drejta e pronës e garantuar me Kushtetutë.
Për më tepër, Gjykata nga arsyetimi i shkeljeve të pretenduara, vëren se parashtruesi i kërkesës edhe pse nuk e specifikon, një ndër pretendimet është edhe “e drejta për një vendim gjyqësor të arsyetuar” e cila parashihet me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës. Lidhur me këtë, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës thekson se “ Lënda nuk është gjykuar sipas Kushtetutës, Ligjeve LMTHPJ, Ligjit Nr.03/L-006 për Procedurën Kontestimore (...) Aktgjykimet e shkruara nuk kanë një sqarim kronologjik dhe vlerësim si të analizës dhe fakteve ashtu edhe në analizën e zbatueshmërisë së normave ligjore. Gjykatat nuk i kanë sqaruar rrethanat e rastit në proces kronologjik sipas provave materiale, gjykata është shmangë nga provat materiale dhe Aktgjykimin e ka bazuar në deklaratën të dëshmitarëve. (...) Pra gjykata nuk e ka përmbush detyrën për një vendim të ligjshëm të drejtë dhe të besueshëm.”
Megjithatë, Gjykata vëren se pretendimet për shkelje të neneve 3, 7, 21, 22, 23 dhe 24, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës vetëm i ka përmendur dhe nuk ka elaboruar apo dhënë ndonjë arsyetim konkret e të detajuar lidhur me shkeljet e pretenduara të këtyre neneve.
Dispozitat relevante të Ligjit dhe Rregullores së punës
Ligji
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht. Nëse kërkesa është e drejtuar kundër një ligji, atëherë afati fillon të ecë që nga dita kur ligji ka hyrë në fuqi.”
Rregullorja e punës
Rregulli 34
(Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve)
[...]
“Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[...]
Kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit, dhe [...]”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata, së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara me Kushtetutës dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë se:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Përtej kritereve të përcaktuara më lart, Gjykata do t’i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata neni 47 (Kërkesa individuale) i Ligjit parasheh që:
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Rev.nr.413/21] të Gjykatës Supreme të 19 tetorit 2022, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Megjithatë, Gjykata në vazhdim shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës ka parashtruar kërkesën brenda afatit prej katër (4) muajve ashtu siç përcaktohet në nenin 49 (Afatet) të Ligjit dhe specifikohet më tutje përmes pikës (c) të paragrafit (1) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullorës së punës, që përcakton se kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës.
Në këtë kontekst dhe në rrethanat e rastit konkret, Gjykata fillimisht rikujton se parashtruesi i kërkesës ka deklaruar në kërkesën e dorëzuar pranë Gjykatës se Aktgjykimin [Rev.nr.413/21] të Gjykatës Supreme të 19 tetorit 2022 e ka pranuar më 4 dhjetor 2022. Por, në mënyrë që të vërtetohet një pretendim i tillë i parashtruesit të kërkesës, Gjykata më 10 korrik 2023 i është drejtuar Gjykatës Themelore me një shkresë, në të cilën ka kërkuar që të dorëzojë fletë-kthesën e cila do të dëshmonte saktësisht se kur parashtruesit të kërkesës i është dorëzuar Aktgjykimi [Rev.nr.413/21] i Gjykatës Supreme të 19 tetorit 2022.
Më 18 korrik 2023, Gjykata pranoi dosjen e plotë të rastit konkret nga Gjykata Themelore dhe nga shkresat e lëndës, respektivisht fletë-kthesës, vërtetoi se parashtruesi i kërkesës e ka pranuar Aktgjykimin [Rev.nr.413/21] të Gjykatës Supreme të 19 tetorit 2022, më 4 nëntor 2022. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të Punës, dhe rrjedhimisht është e papranueshme.
Në rastet kur parashtruesi i kërkesës ka të drejtë që kopja e vendimit të plotfuqishëm të organeve gjyqësore vendase t’i dorëzohet në mënyrë automatike, qëllimit dhe synimit të nenit 49 të Ligjit më së miri do t’i shërbehej nëse afati katërmujor llogaritet nga data kur është dorëzuar kopja e atij vendimi (shih, ndër të tjera, rastin GJEDNJ-së Worm kundër Austrisë, nr. 83/1996/702/894, aktgjykim i 29 gushtit 1997, paragrafi 33).
Gjykata rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 34 (1) (c) të Rregullorës së Punës, është që të promovojë siguri juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe vendimet e mëparshme të mos jenë vazhdimisht të hapua për t’u kontestuar (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës: KI48/21, me parashtrues Xhavit R.Sadrija, Aktvendimi për papranueshmëri, i 30 qershorit 2021, paragrafi 44; dhe KI45/21, me parashtrues Samedin Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 majit 2021, paragrafi 35; shih gjithashtu, ndër të tjera, rastsin e GjEDNj-së Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 10865/09, 45886/07 dhe 32431/08, të 17 shtatorit 2014, paragrafi 258).
Si përfundim, Gjykata konsideron se kërkesa e parashtruesit të kërkesës nuk i përmbush kriteret procedurale për shqyrtim të mëtejmë, për shkak se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor, ashtu siç kërkohet me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës. Prandaj, Gjykata vlerëson se kërkesa duhet të refuzohet me procedurë të shkurtër.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 14 nëntor 2023, njëzëri
VENDOS
TË REFUZOJË kërkesën;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Vendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Bajram Ljatifi Gresa Caka-Nimani
Fadil Bajraktari
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile