Prishtinë, më 25 prill 2024
Nr.ref.: RK 2416/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI271/23
Parashtrues
Adem Hoti
Vlerësim i kushtetutshmërisë
së Aktgjykimit Rev.nr.362/22, të 4 prillit 2023, të Gjykatës Supreme të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar,
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Adem Hoti, me vendbanim në Komunën e Podujevës (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin Rev.nr.362/22, të 4 prillit 2023, të Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në ndërlidhje me Aktgjykimin [Ac.nr. 3929/20] të 24 qershorit 2022, të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit), dhe Aktgjykimin [C.nr. 376/2019] të 14 korrikut 2020, të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Dega në Podujevë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Parashtruesi i kërkesës Aktgjykimin e kontestuar e ka pranuar më 10 maj 2023.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuara me nenet: 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 54 [Mbrojtja e të Drejtave Gjyqësore] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Nr. 03/2023 (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 8 dhjetor 2023, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 15 dhjetor 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatë formularin e plotësuar zyrtar të Gjykatës dhe dokumente shtesë.
Më 27 dhjetor 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës.
Më 28 dhjetor 2023, Kryetarja e Gjykatës, përmes Vendimit [Nr.GJR.KI.271/23] caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi Gjyqtar raportues, ndërsa përmes Vendimit [Nr.KSH.KI.271/23] Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Safet Hoxha (kryesues), Nexhmi Rexhepi dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 12 janar 2024, një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës Supreme dhe e njoftoi Gjykatën Themelore për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi që të dorëzojë në Gjykatë fletë-kthesën që dëshmon se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar vendimin e kontestuar.
Më 22 janar 2024, Gjykata Themelore e dorëzoi në Gjykatë fletë-kthesën e kërkuar dhe kopjen e autorizimit të përfaqësuesit ligjor të parashtruesit të kërkesës, i cili kishte pranuar Aktgjykimin e kontestuar për parashtruesin e kërkesës më 10 maj 2023.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 21 mars 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se më 30 janar 2013 në Gjykatën Themelore është arritur Ujdia Gjyqësore [C.nr. 4333/11], përmes së cilës Drejtoria për Arsim e Komunës së Podujevës (në tekstin e mëtejmë: DAK - Podujevë) u detyrua që parashtruesit të kërkesës: (i) t’ia paguajë pagat për muajt korrik, gusht, tetor, nëntor, dhjetor dhe janar nga 215.90 € (dyqind e pesëmbëdhjetë euro e nëntëdhjetë cent) për muaj, gjegjësisht në shumën prej gjithsej 1295,4 € (një mijë e dyqind e nëntëdhjetë e pesë euro e katër cent); (ii) t’ia vazhdojë kontratën mbi vepër deri më 30 qershor 2013 me pagë mujore 215.90 € (dyqind e pesëmbëdhjetë euro e nëntëdhjetë cent); si dhe (iii) të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që ta sistemojë në sistemin e pagave në fillimin e vitit akademik 2013-2014.
Më 28 qershor 2016, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesëpadi kundër DAK- Podujevë në Gjykatën Themelore për kompensim të dëmit për shkak të moszbatimit të Ujdisë Gjyqësore të lartcekur, dhe kërkoi nga Gjykata Themelore që t’ia aprovojë kërkesëpadinë dhe ta obligojë DAK- Podujevë t’ia paguajë kompensimin në vlerë prej 20,000 € (njëzet mijë euro) në emër të dëmit material dhe jomaterial.
Nga vendimet gjyqësore të lëndës rezulton se më 16 gusht 2016, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C.nr. 328/19] e hodhi poshtë kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës si të palejueshme.
Më 9 shtator 2016, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktvendimit [C.nr. 328/19], të 16 gushtit 2016, të Gjykatës Themelore.
Në një datë të paspecifikuar, DAK- Podujevë parashtroi përgjigje në ankesë kundër ankesës së lartcekur të parashtruesit të kërkesës.
Më 20 maj 2019, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac.nr.3601/16] e: (i) aprovoi ankesën e parashtruesit të kërkesës; (ii) prishi Aktvendimin e lartcekur të Gjykatës Themelore; si dhe (iii) ktheu lëndën në rishqyrtim dhe rivendosje në gjykatën e shkallës së parë.
Nga vendimet gjyqësore të lëndës rezulton se më 14 korrik 2020, pas procedurës së rishqyrtimit, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr. 376/2019] refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës.
Më 4 gusht 2020, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit [C.nr. 376/2019] të 14 korrikut 2020, të Gjykatës Themelore.
Më 24 qershor 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac.nr.3929/20] e: (i) refuzoi si të pathemeltë ankesën e parashtruesit të kërkesës të 4 gushtit 2020; dhe (ii) e vërtetoi Aktgjykimin [C.nr. 376/2019] e 14 korrikut 2020, të Gjykatës Themelore.
Më 22 gusht 2022, parashtruesi i kërkesës parashtroi revizion kundër Aktgjykimit [Ac.nr.3929/20] të 24 qershorit 2022 të Gjykatës së Apelit.
Më 4 prill 2023, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev.nr.362/2022], e refuzoi si të pabazuar revizionin e parashtruesit të kërkesës.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar, është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij kushtetuese, konkretisht të neneve: 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.
Në lidhje me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës thekson se: “Shkelja e këtij neni konsiston në faktin se për shkak të lëshimeve të bëra nga Gjykatat kompetente në Kosovë edhe pse me ankesë dhe revizion kemi kërkuar prishjen e atyre aktgjykimeve për të gjitha arsyet e dhëna, kjo nuk ka ndodh por vetëm janë vërtetuar ashtu të kundërligjshme”.
Ndërsa, përkitazi me shkeljen e nenit 54 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës pohon si në vijim: “Me të gjitha vendimet e kundërshtuara më është bërë shkelja e të drejtave të mia, e gjithë kjo nga arsyeja se faktet dhe provat më janë vlerësuar drejtë dhe plotësisht, duke marr parasysh marrëveshjen konkretisht ujdinë gjyqësore dhe moszbatimi i saj atëherë ka ardhur deri te ushtrimi i padisë për kompensimin e dëmit material dhe jo material që të ia kompensoj dëmin e shkaktuar në vlerë prej 20,000.00 euro (njëzetmijë euro)”.
Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga kjo Gjykatë që “[...] edhe ankesën si dhe revizionin sepse me ato kemi kërkuar që të shqyrtohen drejtë dhe të merret vendim i drejtë e jo të mirret kundërligjshëm dhe unë të zhveshëm nga e drejta e dëmit material dhe jo material dhe të zhveshëm nga e drejta ime si kategori juridike dhe kushtetuese e cila bie ndesh edhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”
Dispozitat relevante të Ligjit dhe Rregullores së punës
Ligji
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht. Nëse kërkesa është e drejtuar kundër një ligji, atëherë afati fillon të ecë që nga dita kur ligji ka hyrë në fuqi.”
Rregullorja e punës
Rregulli 34
(Kriteret e pranueshmërisë)
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
c) Kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit; dhe
[…].”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës. Në këtë drejtim, sipas paragrafit 1 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, Gjykata vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar. Ndërsa, sipas paragrafit 7 i të njëjtin nen të Kushtetutës, individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet e pretenduara të të drejtave dhe lirive të tyre individuale të garantuara me Kushtetutë nga autoritetet publike, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Gjykata më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, sipas paragrafit 1 të nenit 47 (Kërkesa individuale), çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik. Sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Rev.nr.362/22], të 4 prillit 2023, të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Megjithatë, Gjykata po ashtu thekson se sipas nenit 49 (Afatet) të Ligjit, kërkesa duhet parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit të kërkesës i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Kjo kërkesë është përcaktuar edhe përmes pikës (c) të paragrafit (1) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, që përcakton se kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës.
Në këtë kontekst, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [Rev.nr.362/22], e 4 prillit 2023, të Gjykatës Supreme, i cili është edhe vendimi i fundit në procedurën para gjykatave të rregullta. Fletë-kthesa e dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore, vërteton që parashtruesi i kërkesës e ka pranuar aktin e kontestuar më 10 maj 2023. Parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë më 8 dhjetor 2023, më shumë se 5 (pesë) muaj pas pranimit të aktit të kontestuar. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës, dhe rrjedhimisht është e papranueshme për shqyrtim.
Në rastet kur parashtruesi i kërkesës ka të drejtë që kopja e vendimit të plotfuqishëm të organeve gjyqësore vendase t’i dorëzohet në mënyrë automatike, qëllimit dhe synimit të nenit 49 të Ligjit më së miri do t’i shërbehej nëse afati katërmujor llogaritet nga data kur është dorëzuar kopja e atij vendimi (shih, rastin e Gjykatës, KI144/22, me parashtruese Sebahate Dervishi, Aktvendim për papranueshmëri, i 16 nëntorit 2022, paragrafi 52; dhe shih, rastin e GJEDNJ-së, Worm kundër Austrisë, kërkesa nr. 83/1996/702/894, Aktgjykim i 29 gushtit 1997, paragrafi 33).
Gjykata rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 34 (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë siguri juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe vendimet e mëparshme të mos jenë vazhdimisht të hapura për t'u kontestuar (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI61/23, me parashtrues, Hedie Bylykbashi, Aktvendim për Papranueshmëri, i 25 majit 2023, paragrafi 33; KI24/23, me parashtrues, Sami Nuredini, Aktvendim për Papranueshmëri, i 27 prillit 2023, paragrafi 21; dhe rastin e GJEDNJ-së, Lekić kundër Sllovenisë, kërkesat nr. 10865/09, 45886/07 dhe 32431/08 Aktgjykim i 11 dhjetorit 2018, paragrafi 64).
Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes Aktvendimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, të nenit 49 të Ligjit dhe në pajtim me rregullin 34 (1) (c) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 21 mars 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit; dhe
TË KONSTATOJË që ky Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Bajram Ljatifi Gresa Caka-Nimani
Adem Hoti
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile