KI79/24, Parashtrues Ali Xhigoli dhe Naser Xhigoli, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev. nr. 290/23, të 22 nëntorit 2023 të Gjykatës Supreme të Kosovës
KI79/24, Aktvendim për Papranueshmëri, i 25 qershorit 2024, publikuar më 17 korrik 2024
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar, shkallë e katërt, kërkesë e pambështetur apo paarsyetuar
Rrethanat e rastit të parashtruesve të kërkesës ndërlidhen me zhvillimin e tri procedurave gjyqësore, por që relevante në rastin konkret, janë ato që ndërlidhen me kërkesëpadinë e tyre për kompensimin e tokës së eksproprijuar, të iniciuar në vitin 2002 nga paraardhësi i tyre, kundër KEK-ut, për kompensimin e pronës së eksproprijuar, pemëve të dëmtuara dhe fitimin e humbur. Gjykata Themelore, pasi rasti ishte kthyer në rishqyrtim, refuzoi kërkesëpadinë parashtruesve të kërkesës, në cilësinë e trashëgimtarëve të paraardhësit të tyre, me arsyetimin se ky i fundit ishte kompensuar në vitin 2004 për pronën e eksproprijuar dhe çështja e njëjtë nuk mund të rigjykohet, ndërsa pretendimet për fitimin e humbur dhe dëmtim “përtej gjysmës” si rezultat i shumës së akorduar për eksproprijim i konsideroi si të pabazuara pasi që paraardhësi i parashtruesve kishte humbur të drejtën e pronësisë mbi pronën e eksproprijuar në momentin kur prona kishte kaluar në pronësi shoqërore bazuar në Ligjin përkatës të Marrëdhënieve Themelore Juridiko-Pronësore të ish-Jugosllavisë. Gjykata e Apelit refuzoi ankesën e parashtruesve të kërkesës dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, të cilin Aktgjykim e vërtetoi edhe Gjykata Supreme, e cila e refuzoi si të pabazuar revizionin e parashtruesve të kërkesës duke arsyetuar se në rastin konkret parashtruesve të kërkesës nuk iu takon kompensimi sepse të njëjtit janë shpërblyer në tërësi për pronën e eksproprijuar në vitin 2004, sipas vendimit gjyqësor res judicata; kompensimi i kërkuar nga parashtruesit nuk rrjedhë nga një raport kontraktues, andaj si i tillë nuk mund të gjejë mbështetje në rregullat që kanë të bëjnë me “dëmtimin përtej gjysmës”, të cilat janë të aplikueshme në kontratat e dyanshme detyruese.
Parashtruesit e kërkesës pretenduan para Gjykatës se me Aktgjykimin e kontestuar atyre iu janë shkelur të drejtat e tyre të mbrojtura me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, si dhe nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 14 (Ndalimi I Diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenin 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për shkak se gjykatat e rregullta nuk iu kanë mundësuar një gjykim të rregullt dhe të paanshëm, si dhe pa diskriminim gjatë procedurës së kompensimit të pronës së eksproprijuar, si dhe duke iu shkelur të drejtën për pronë, përkatësisht kompensim real të pronës së eksproprijuar.
Përkitazi me pretendimin që ndërlidhet me “dëmtimin përtej gjysmës”, Gjykata, në pajtim me praktikën e saj gjyqësore, konstatoi se ky pretendim bie në kategorinë e pretendimeve “të shkallës së katërt”, sepse ngërthen çështje që ndërlidhen me interpretimin dhe aplikimin e ligjit, përkatësisht “ligjshmërisë” dhe jo “kushtetutshmërisë”, respektivisht se pretendimi është qartazi i pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Ndërsa, përkitazi me pretendimin në lidhje me çështjen e zbatimit të ligjeve diskriminuese gjatë kohës së luftës në Kosovë, Gjykata, pasi që elaboroi praktikën e saj gjyqësore relevante për rastin konkret, konsideroi se parashtruesit e kërkesës e kanë identifikuar grupin e personave që sipas tyre janë trajtuar ndryshe, por ata nuk kanë paraqitur asnjë dëshmi e cila do të mund të provonte se përgjatë procesit gjyqësor ka pasur me të vërtetë diskriminim. Andaj, Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtruesve të kërkesës për shkelje të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës janë pretendime “të pambështetura apo paarsyetuara”, dhe rrjedhimisht, të papranueshme si qartazi të pabazuara në bazë kushtetuese ashtu siç është përcaktuar me nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (d) dhe (2) të Rregullores së punës.
Ali Xhigoli dhe Naser Xhigoli
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile