Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev.nr.192/2022 i 12 majit 2023 të Gjykatës Supreme

Nr. të lëndës KI59/24

Parashtruesit: Milazim Blakçori

Shkarko:

KI59/24, Parashtrues: Milazim Blakçori, vlerësim i kushtetutshmërisë së  Aktgjykimit Rev.nr.192/2022 i 12 majit 2023 të Gjykatës Supreme

KI59/24, Aktvendim për papranueshmëri i 17 korrikut, publikuar më 20 gusht 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, fitimi i pronësisë, kërkesë e papranueshme   

 Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e këtij rasti ndërlidhet me lidhjen e marrëveshjes ndërmjet parashtruesit të kërkesës me palën M.N., me ç ‘rast parashtruesi i kërkesës si blerës do ta blinte nga M.N., si shitës i paluajtshmërisë, disa ngastra kadastrale ku përfshihej një objekt hotelier dhe trualli i parkingut. Ndërkohë kishte pasur mosmarrëveshje lidhur me kohën dhe kushtet e pagesës për çka pala M.N., e kishte dëbuar parashtruesin e kërkesës nga paluajtshmëria ndërsa parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur padi civile  duke kërkuar vërtetim të pronësisë dhe dorëzim në posedim të paluajtshmërisë të kontestuar. Gjykata Themelore e refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës me të cilën ka kërkuar që të obligohet pala e paditur që atij t’ia njeh të drejtën e pronësisë dhe t’i dorëzon në posedim të qetë dhe faktik paluajtshmërinë e kontestuar. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit me propozim që e njëjta ta prish aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe çështja të kthehet në rigjykim. Gjykata e Apelit e refuzoi të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës ndërsa e vërtetoi aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë.  Gjykata e Apelit theksoi se gjykata e shkallës së parë ka vlerësuar provat e ofruara nga parashtruesi i kërkesës por po ashtu ka vlerësuar edhe provat tjera që gjenden në shkresat e lëndës për zgjidhjen e drejtë të kësaj çështje juridike kontestimore. Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për revizion duke pretenduar shkelje të rregullave të procedurës civile dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale me propozim që të anulohet aktgjykimi i shkallës së dytë dhe çështja të kthehet për rishqyrtim në gjykatën e shkallës së parë. Gjykata Supreme  refuzoi të pathemeltë revizionin e parashtruesit të kërkesës të paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Gjykata Supreme theksoi se parashtruesi i kërkesës është i detyruar të provojë ekzistimin e fakteve juridike në bazë të të cilave mund të fitohet e drejta e kërkuar e pronës; gjë që, në rastin konkret civil-juridik, parashtruesi i kërkesës nuk e ka provuar as bazën juridike e as mënyrën e fitimit të pronësisë në paluajtshmërinë e kontestuar.

Në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës në thelb pretendoi shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (1) të KEDNJ-së.  Parashtruesi i kërkesës pretendoi se për shkak se gjykatat e rregullta nuk kanë vërtetur faktet dhe nuk kanë zbatuar drejtë të drejtën materiale ndaj fakteve të vërtetuara ka rezultuar shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit  të kërkesës, Gjykata vlerësoi se në procedurat e zhvilluara në gjykatat e rregullta e në veçanti në Gjykatën Supreme: (i) është interpretuar marrëveshja e parashtruesit të kërkesës me palën e paditur; (ii) interpretimi i marrëveshjes së parashtruesit të  kërkesës me palën e paditur është bërë duke u mbështetur në bazë ligjore të qartë dhe specifike; (iii) është vërtetuar se parashtruesi i kërkesës nuk ka përmbushur kushtet e parashikuara me ligj për të pasur në posedim të qetë dhe faktik të paluajtshmërisë së kontestuar; ngase; (iv) parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur të provojë as bazën juridike dhe as mënyrën e fitimit të pronësisë të paluajtshmërisë së kontestuar sipas mënyrës dhe kushteve të parashikuar me ligj; dhe, rrjedhimisht, (v) e drejta materiale e mbështetur në bazë ligjore specifike dhe mjaftueshëm të parashikueshme është zbatuar ndaj  të gjitha fakteve që ishin qendrore për administrim të drejtë të drejtësisë në rastin e parashtruesit të kërkesës.

Për pasojë dhe bazuar në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se se pretendimet  e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm siç garantohen me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me dhe nenin 6 (1) të KEDNJ-së, janë pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara” dhe duhet të  refuzohen  qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç specifikohet në rregullin  34 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Milazim Blakçori

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile