Prishtinë, më 7 korrik 2023
Nr. ref.: RK 2235/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI219/22
Parashtrues
Drita Morina
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme Rev. nr. 152/2022 të 11 tetorit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendës kryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Drita Morina nga Prishtina (në tekstin e mëtejmë: parashtruesja e kërkesës), të cilën e përfaqëson Florim H. Shefqeti, avokat nga Prishtina.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesja e kërkesës konteston kushtetutshmërinë e aktgjykimit [Rev. nr. 152/2022] të Gjykatës Supreme të 11 tetorit 2022, në lidhje me aktvendimin [AC. nr. 10274/2021] e Gjykatës së Apelit të 05 janarit 2022 dhe aktvendimin [C. nr. 5901/2021] të Gjykatës Themelore të 04 nëntorit 2021.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimeve të kontestuara të gjykatave të rregullta, përmes të cilave pretendohet se parashtrues së kërkesës i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], nenin 46 [Mbrojtja e Pronës], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6.1 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në nenin 113 (1) dhe (7) [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 30 dhjetor 2022, përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 11 janar 2023, Kryetarja e Gjykatës me Vendimin [nr. GJR. KI219/22] caktoi gjyqtarin Safet Hoxha Gjyqtar raportues, ndërsa me Vendimin [nr. KSH. KI219/22], caktoi Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Radomir Laban, dhe Nexhmi Rexhepi, anëtarë.
Më 24 janar 2023, Gjykata njoftoi përfaqësuesin e parashtrueses së kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën ditë i dërgoi një kopje të kërkesës Gjykatës Supreme.
Më 25 maj 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Gjykata që në fillim të përmbledhjes së fakteve të kërkesës vlerëson se ka nevojë për sqarimin e gjendjes faktike në lidhje me veprimet dhe procedurat që janë zhvilluar pranë organeve kompetente, në mënyrë që vetë thelbi i kësaj kërkese para gjykatës do të ishte më i qartë. Duke pasur parasysh këtë, Gjykata vëren se thelbi i procedurave që u zhvilluan para organeve kompetente dhe gjykatave të rregullta ishte çështja e ushtrimit të së drejtës pronësore mbi banesën që ndodhet në Prishtinë. Rrjedhimisht, për realizimin e këtyre të drejtave, parashtruesja e kërkesës ka zhvilluar procedurë pranë Drejtorisë për Kërkesa Pronësore dhe Banesore (në tekstin e mëtejmë: Drejtoria), si dhe para gjykatave të rregullta.
Procedura pranë Drejtorisë lidhur me njohjen e të drejtave pronësore
Gjatë vitit 2002, nëna e parashtrueses së kërkesës bleu një banesë në Prishtinë nga personi R. D., dhe më 18 shtator 2002, ata lidhën kontratën e shitblerjes, e cila ishte vërtetuar në Gjykatën Komunale në Prishtinë me numër [Vr. nr. 5208/2002]. Megjithatë, më 12 gusht 2003, H.S. ngriti një kërkesëpadi kundër R.D. dhe nënës së parashtrueses së kërkesës, përmes së cilës ajo kërkoi anulimin e kontratës. Procedura lidhur me kërkesëpadinë e H.S. është pezulluar për arsye se H.S. ka paraqitur të njëjtën kërkesë në Drejtori si autoriteti kompetent në të cilën ka kërkuar njohjen e të drejtave pronësore mbi banesën në fjalë.
Më 22 tetor 2005, Komisioni për Kërkesa Pronësore i Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KKPK), si organ kompetent i Drejtorisë, nxori aktvendimin [HPCC/D/226/226/2005-A-&C], me të cilin ia njohu H.S. të drejtat e kategorisë A, pra të drejtën pronësore mbi banesën në fjalë, ndërsa personit R.D., KPPK-ja i njihte të drejtat e kategorisë C, pra të drejtën e kompensimit.
Gjatë vitit 2008, nëna e parashtrueses së kërkesës, e cila gjatë asaj periudhe jetonte në banesën në fjalë, dhe personi R.D., kanë bërë ankesë në KKPK, në të cilën kanë kontestuar aktvendimin e shkallës së parë [HPCC/D/226/2005- A&C].
Më 19 qershor 2008, KKPK-ja nxori aktvendimin [HPCC/REC/101/2008], përmes të cilit refuzoi ankesën e nënës së parashtrueses së kërkesës dhe personit R.D., duke konfirmuar aktvendimin e shkallës së parë në tërësi, duke zgjidhur kështu çështjen e mbajtësit të të drejtave pronësore të zgjidhur me vendim të formës së prerë.
Procedura pranë Agjencisë Kosovare për Krahasimin dhe Verifikimin e Pronës (në tekstin e mëtejmë: AKKVP)
Gjatë vitit 2019, H.S. parashtroi kërkesë në KKPK, me të cilën kërkoi njohjen e së drejtës pronësore mbi banesën në fjalë, lirimin e banesës nga personat dhe sendet, si dhe mundësimin e regjistrimit të së drejtës së tij pronësore mbi banesën. në fjalë në kadastër.
Më 13 dhjetor 2019, KKPK-ja nxori vendimin grupor [HPCC/D/COMP/02/2019], me të cilin konfirmohet e drejta pronësore e parashtruesit të kërkesës, urdhëroi personin që ndodhet në banesë të lirojë banesën dhe miratoi regjistrimin e pronës në kadastër.
Gjatë vitit 2020, AKKVP-ja si pasardhës i Drejtorisë nxori urdhrin e parë me të cilin ka kërkuar lirimin e banesës në fjalë dhe regjistrimin në kadastër të të drejtave pronësore të H.S.
Më 14 korrik 2020, kadastra njoftoi parashtruesen e kërkesës se shërbimi kompetent ka ndërmarrë veprime në lidhje me zbatimin e aktvendimit [HPCC/D/226/2005/A-C], të 22 janarit 2005.
Më 28 tetor 2020, AKKVP-ja nxori vendimin për zbatimin e aktvendimit [nr. DS 002241], përmes të cilit kërkoi që „është urdhëruar parashtruesja e kërkesës e cila jeton me familjen e saj, ta liroj banesën“, dhe parashtruesja e kërkesës në ndërkohë edhe e bëri këtë.
Procedura në gjykatat e rregullta
Gjykata konstaton se parashtruesja e kërkesës, për të vazhduar ushtrimin e të drejtave të saj pronësore mbi banesën në fjalë, ka iniciuar dy procedura gjyqësore pranë gjykatave të rregullta, përkatësisht procedurën në Gjykatën Themelore dhe procedurën në Gjykatën Supreme, e cila është parashikuar në bazë të ligjit për AKKVP. Megjithatë, duke pasur parasysh se ato janë iniciuar në një periudhë të shkurtër kohore dhe se janë të ndërlidhura proceduralisht, Gjykata do t'i paraqesë më poshtë në mënyrë kronologjike në mënyrën në të cilën gjykatat kanë vendosur për to.
Më 30 tetor 2020, parashtruesja e kërkesës parashtroi në Gjykatën Themelore propozim për vendosjen e masës së sigurisë mbi banesën në fjalë, për anulimin e njoftimit nga kadastra të 14 korrikut 2020, si dhe anulimin e vendimit [HPCC/D /226/2005/A-C], të 22 janarit 2005.
Ndërkohë, parashtruesja e kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën Supreme kundër njoftimit të AKKVP-së, [DS002241] të 28 tetorit 2020, në lidhje me zbatimin e aktvendimit [ nr. HPCC/D/226/2005/A&C] të KKPK-së të 22 tetorit 2005.
Më 18 nëntor 2020, Gjykata Themelore, duke vepruar sipas kërkesës së parashtrueses të 30 tetorit 2020, nxori aktvendimin [C. nr. 4760/20], me të cilin është refuzuar në tërësi kërkesëpadia e parashtrueses së kërkesës, duke pretenduar;
“Duke u bazuar në këtë gjendje faktike të vërtetuar kjo Gjykatë vlerëson se arsyeja pse nuk mund të caktohet masa e sigurisë në këtë rast ka të bëj me faktin se si është parashtruar kërkesa për masën e sigurisë paraqet ndërhyrje në procedurën tjetër në këtë rast në procedurën e zhvilluar pran Komisionit të Kërkesave Pronësore të Kosovës e cila siç shihet nga shkresat e lëndës është duke u zhvilluar ndërmjet palëve ndërgjyqëse, sipas inicimit të bërë nga e paditura-kundërshtarja e sigurimit për ekzekutimin e vendimit Nr. HPCC/D/226/200SI A&C, i dt. 22.10.2005. Mbi këtë bazë e për raste të tilla është siguruar mbrojtja juridike në procedurën e zhvilluar pran Komisionit të Kërkesave Pronësore të Kosovës të Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës dhe nuk mundet që gjatë zhvillimit të procedurës pran Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, të ndërhyhet me procedura tjera”.
Më 24 dhjetor 2020, Gjykata Supreme, bazuar në ankesën e parashtrueses së kërkesës së bërë kundër njoftimit të AKKVP-së, [DS002241] të 28 tetorit 2020, nxori aktvendimin [GJSK-KPA-A-004/2020], përmes të cilit ankesa e parashtrueses së kërkesës është hedhur poshtë si e papranueshme. Në arsyetimin e aktvendimit, Gjykata Supreme konkludoi:
“Në kuptim të nenit 15.1 të Ligjit të AKKVP kundër vendimit të Komisionit për Verifikim dhe vendosje të pronës dhe kundër vendimit të Komisionit për kërkesa pronësore palët brenda afatit prej 30 ditësh mund të paraqesin ankesë në Gjykatën Supreme përmes Sekretarisë së Agjencisë.
Vendimi HPCC/D/226/200S/ A&C të datës 22.10.2005 është i plotfuqishëm dhe i formës së prerë në pajtim me nenin 2 paragrafi 7 të Rregullores së lartcekur numër nr. 999/23. I njëjti nuk mund të ankimohet, në këtë fazë, as sipas rregullores së UNMIK-ut numër 2000/60, sepse dispozitat e këtyre dy rregulloreve të cekura si më lartë, si dhe aktet ligjore të mëvonshme dhe tani në fuqi që e rregulloj këtë lëmi, nuk parashohin ndonjë mjet juridik të rregullt apo të jashtëzakonshëm të goditjes së vendimeve përfundimtare të Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe Banesore.
Ngjashëm është edhe jurisprudenca e gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, sa u përket vendimeve të formës së prerë të Komisionit për Kërkesa Pronësore - Banesore, (shih aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin me numër, KI 104/10, i datës 23.04.2012, e në mënyrë specifike paragrafët 64-7S të këtij aktgjykimi).
Parashtruesja e kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktvendimit [C. nr. 4760/20] të Gjykatës Themelore.
AKKVP-ja në përgjigjen në padi kontestoi kërkesëpadinë e paditësit si dhe propozimin e masës së sigurisë, duke kontestuar kompetencën lëndore të gjykatës së shkallës së parë, duke pretenduar se aktvendimi [HPPCC/D/226/2005/A&C] e 22 tetorit 2005, është vendim përfundimtar.
Më 15 mars 2021, Gjykata e Apelit nxori aktvendimin [CA. nr. 6028/2020], përmes të cilit aprovoi ankesën e parashtrueses së kërkesës, duke anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë numër [C. nr. 4760/20] dhe ta kthejë rastin në procedurë të përsëritur.
Në arsyetimin e aktvendimit [CA. nr. 6028/2020], Gjykata e Apelit, ndër të tjera theksoi:
“Kolegji konstaton se aktvendimi ankimor është dhënë me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182.2 n) i LPK-së, e cila konsiston në faktin se arsyetimi nuk përmban arsye të plota dhe të qarta lidhur me kompetencën e gjykatës për të vendosur lidhur me këtë çështje kontestimore.
Gjykata e shkallës së parë në procedurë të sërishme ka për detyrë ti eliminojë shkeljet procedurale, ashtu që paditëses t'ia kthejë padinë që ta përcaktojë kërkesëpadinë, duke shënuar të dhënat kadastrale për banesën objekt i këtij kontesti.
Të hapë shqyrtim për faktin se vendimi i HPCC/D/226/2005/A-C i datës 22.10.2005 është vendim përfundimtar, si dhe vendimet e Agjencisë Kadastrale nuk janë vendime përfundimtare në procedurë administrative, po ashtu duhet të hapë shqyrtim për faktin se kërkesa e paraardhëses së saj juridike Xhevahire Morine, si dhe personit Radislav Dekić ndaj palës përgjegjëse Halit Sinani, nr. DS002241 dhe DS001970, a kishte përfunduar me vendimet përfundimtare nr. HPCC/REC/101/2008 të dt. 19.06.2008.
Vendimet e lartë cekura janë kopje të pa vërtetuara sipas ligjit, andaj gjykata duhet të kërkojë nga palët që kopjet e vendimeve përkatëse të jenë origjinal ose të vërtetuara sipas ligjit.
Pas vërtetimit të këtyre fakteve, do të krijoheshin kushtet ligjore për vlerësimin e kompetencës, përkatësisht juridiksionit gjyqësor, në këtë kontest, si kusht ligjor për vendimmarrje të ligjshme dhe të drejtë në këtë çështje kontestimore, përfshirë edhe vendimin për masën e sigurisë”.
Më 14 maj 2021, Gjykata Themelore nxori aktvendimin [Ac. nr. 4760] në procedurë të përsëritur, duke refuzuar si të palejueshëm propozimin për vendosjen e masës së sigurimit ndaj parashtrueses së kërkesës.
Në arsyetimin e aktvendimit, Gjykata Themelore ndër të tjera deklaroi:
“Duke vepruar sipas udhëzimeve të gjykatës së Apelit të Kosovës […]
[…] gjate seancave dëgjimore i autorizuari i paditëses - propozueses së sigurimit ka deklaruar se mbetemi pranë propozimit për caktimin e masës së sigurisë duke konsideruar që në tërësi janë përmbushur kërkesat nga LPK lidhur me caktimin e masës së sigurisë nga neni 297, 300, 301 dhe 304 te LPK-së. Ka shtuar se propozuesja është pronare e regjistruar në regjistrat kadastral në banesën e cila evidentohet në ngastrën Kadastrale 0-71914059-06327-1-14-0-4 dhe kjo ka ardhur si rezultat që këtë banesë të drejtën e pronësisë në të e ka fituar nga e ëma e saj X. M. e cila të drejtën c pronësisë e kishte fituar nga R. D. sipas kontratës VR. nr. 5208/2002….”.
“...Nga të lartcekurat e në kuptim të dispozitës së nenit 391 paragrafi 1, pika c) dhe d) nenit 393 dhe nenit 166 paragrafi 2 të Ligjit për Procedurën Kontestimore, e lidhur me nenin 1.2, 2.5 dhe 2.7 të Rregullores së UNMIK-ut numër 1999/23 dhe nenit 17 dhe 19, të Ligjit 05/L-010 për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës u vendosë si në dispozitiv të këtij aktvendimi me qenë se gjykata në këtë çështje juridike kontestimore vendosi si në dispozitiv të këtij aktvendimi duke iu referuar dispozitave ligjore të cekura si më lartë, palët ndërgjyqëse kërkesat e tyre mund t'i kërkojnë në proceduara tjera dhe me mjete tjera juridike pasi që për objektin e kësaj çështjeje juridike është vendosur me vendime të formës së prerë...”
Parashtruesja e kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktvendimit [Ac. nr. 4760] të Gjykatës Themelore.
Më 21 korrik 2021, Gjykata e Apelit nxori aktvendimin [AA.C. nr. 4962/2021], i cili pranoi ankesën e parashtrueses së kërkesës, anuloi aktvendimin e Gjykatës Themelore dhe e ktheu lëndën në rigjykim.
Në arsyetimin e aktvendimit, Gjykata e Apelit ndër të tjera theksoi:
“Gjykata e shkallës së pare në arsyetimin e aktvendimit të atakuar ndër të tjera e ka arsyetuar se […] nuk ka juridiksion për të shqyrtuar dhe vendosur lidhur me kërkesën e kësaj padie sepse lidhur me këtë çështje është vendosur sipas vendimit numër HPCC/D/226/A&C të datës 22.10.2005, vendimit mbi kërkesën për rishqyrtim HPCC/REC/101/2008, të datës 19.06.2008 dhe vendimi përfundimtar numër KPCC/D/CAMP/02/2019 të datës 13.12.2019, për të cilat vendime kjo gjykatë nuk ka kompetencë për të vendosur lidhur me to...”, ndërsa në dispozitiv të aktvendimit të atakuar ka konstatua vetëm lidhur me vërtetimin e pronësisë, askund nuk përmenden vendimet e të paditurës për të cilat vendime është arsyetuar aktvendimi i atakuar, dhe të cilat vendime është kërkuar anulimi i tyre me padinë e paditëses.
“Gjykata e shkallës së parë është e,detyruar që në procedim të sërishëm të evitojë të metat e sipërpërmendura fillimisht nëse padia nuk i përmban të dhënat e parapara në nenin 253 par. 1 dhe 99 të Ligjit nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore, fillimisht ta ftojë paditësen qe ta rregullojë padinë bazuar në nenin 99, 102 par. 1 dhe 3 të Ligjit nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore, pasi ti evitojë këtë shkelje të ketë parasysh edhe pretendimet ankimore të paditëses, dhe pas vërtetimit të drejtë dhe të plotë të gjendjes faktike dhe rrethanave të sipërpërmendura të merr vendim të drejtë, i cili vendim duhet të përmbajë dispazitiv të kuptueshëm, arsyetim të kuptueshëm , cilat fakte i ka vërtetuar, nëse ato fakte i ka vërtetuar me prova, cilat prova i ka shfrytëzuar, dhe të merrë vendim të bazuar në Ligj.”
Më 4 nëntor 2021, Gjykata Themelore nxori aktvendim të ri në procedurë të përsëritur [C. nr. 5901/21] përmes të cilit refuzoi si të papranueshme kërkesëpadinë dhe propozimin për vendosjen e masës së sigurimit të parashtrueses së kërkesës, duke konstatuar:
“pas shqyrtimit të shkresave të lëndës vlerëson se nuk ka juridiksion për të shqyrtuar dhe vendosur lidhur me kërkesën e kësaj padie sepse lidhur me këtë çështje është vendosur sipas vendimit numër HPCC/D/226/2005/ A&C të datës 22.10.2005, vendimit mbi kërkesën për rishqyrtim HPCC/REC/101/2008, të datës 19.06.2008 dhe vendimit përfundimtar numër KPCC/O/CAMP/02/2019 të datës 13.12.2019, për të cilat vendime kjo gjykatë nuk ka kompetencë për të vendosur lidhur me to.
Sipas ligjit në fuqi numër O5/L-010 për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës nuk është paraparë që Vendimet e Drejtorisë për Çështje Banesore dhe Pronësore apo aktet tjera lidhur me këto vendime që mundë të jenë objekt i kontestimit me padi gjersa sipas neneve 17-19 të këtij ligji, AKKVP ka kompetenca të ekzekutoj vendimet e plotfuqishme të Komisionit për kërkesa pronësore, aktgjykimet e Gjykatës Supreme dhe vendimet e Komisionit për Kërkesa Pronësore-Banesore dhe të bëjë lëshimin dhe ekzekutimin e urdhrit për dëbim të çdo personi që është duke qëndruar në mënyrë të paligjshme në një pronë të vendosur me vendim të plotfuqishëm.
Sipas nenit 2.7 të Rregullores së UNMIK-ut numër 1999/23, të datës 15.11.1999, vendimet përfundimtare të komisionit janë të detyrueshme për tu zbatuar dhe nuk janë me subjekt i ri shqyrtimi nga asnjë organ tjetër gjyqësor apo administrativ në Kosovë.”
Parashtruesja e kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktvendimit [C. nr. 5901/21] të Gjykatës Themelore.
Më 5 maj 2022, Gjykata e Apelit nxori aktvendimin [Ac. nr. 10274/21], duke refuzuar ankesën e parashtrueses së kërkesës si të pabazuar, duke deklaruar:
“[...] nga shkresat e lëndës vërtetohet së lidhur me padinë gjegjësisht çështjen e njëjtë te paditëses-propozueses së sigurimit, është vendosur njëherë me aktvendimin e Gjykatës Supreme e Kosovës GJSK-KPA-A-004/2020 të datës 24.1.2.2020, me të cilin është hedhur poshtë si e palejueshme ankesa e Drita Morina, e parashtruar kundër Njoftimit DS002241, të datës 28.10.2020, lidhur me zbatimin e Vendimit të Komisionit për Çështje Pronësore Banesore, HPCC/D/226/2005, të datës 22.10.2005. Në këtë kontekst kjo gjykatë vlerëson se një përfundim i tillë i gjykatës së shkallës së parë mbi hedhjen si të palejuar të padisë - propozimit është i drejtë dhe i ligjshëm, pasi që lidhur me këtë kërkesë është vendosur njëherë nga Gjykata Supreme e Kosovës me aktvendimin GJSK.-KPA-A-004/2020 të datës 24.12.2020, me çka edhe procedura është përfunduar, andaj në këtë situatë lidhur me atë kërkesëpadi nuk mund të vendoset dy herë pasi që është vendosur lidhur me të njëherë, andaj mbi këtë bazë gjykata e shkallës së parë me të drejtë e ka hedhur poshtë si të palejuar padinë dhe propozimin për caktimin e masës së perkohshme të sigurimit të paditëses-propozueses dhe në këtë drejtim pretendimet ankimore të paditëses u refuzuan si të pathemelta ndërsa aktvendimin e atakuar vendosi që ta vërtetoje”.
Parashtruesja e kërkesës parashtroi revizion në Gjykatën Supreme kundër aktvendimit [Ac. nr. 10274/2021] të Gjykatës së Apelit.
Më 11 tetor 2022, Gjykata Supreme nxori aktgjykimin [Rev. nr. 152/2022], duke refuzuar revizionin e parashtrueses së kërkesës si të pabazuar.
Në mbështetje të arsyetimit të aktgjykimit, Gjykata Supreme ndër të tjera konkludoi:
“Për të njëjtën çështje ka vendosur edhe Gjykata Supreme e Kosovës me aktvendimin GJSK KPA-A004/2020 të datës 24.12.2020, me të cilin ka hedhur poshtë si të pa lejueshme, ankesën e paditëses, të paraqitur kundër Njoftimit DS002241 të datës 28.10.2020, lidhur me zbatimin e vendimit të Komisionit për Çështje Pronësore Banesore HPCC/D/226/2005, të datës 22.10.2022.
Nuk qëndrojnë pretendimet e paditëses në revizion se gjykata e shkallës së parë dhe gjykata e shkallës së dytë kanë bërë shkelje të dispozitave ligjore, Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të konventave evropiane, ashtu siç pretendohet me revizion, për faktin se paditëses nuk i ka dhënë mbrojtje gjyqësore, pasi bazuar në nenin 2.5 të Rregullores së UNMIK-ut 1999/23 përcakton se: “Si përjashtim nga juridiksioni i gjykatave lokale; Komisioni ka kompetence ekskluzive për të zgjidhur kategoritë e kërkesave të theksuara në paragrafin 1.2 të kësaj Rregulloreje, ndërsa neni 2.7 përcakton se vendimet përfundimtare të Komisionit janë të detyrueshme për t’u zbatuar dhe nuk janë subjekt i rishqyrtimit nga asnjë organ tjetër gjyqësor apo administrativ në Kosovë.”
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesja e kërkesës pretendon se aktgjykimet e gjykatave të rregullta shkelin të drejtat e saj të përcaktuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], neni 46 [Mbrojtja Pronësore], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Pretendimet për shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së
Parashtruesja e kërkesës konsideron se me aktgjykimet e gjykatave janë shkelur neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, në lidhje me mungesën e arsyetimit adekuat të vendimeve gjyqësore. Parashtruesja e kërkesës konsideron se vendimet përmbajnë mangësi serioze në pjesën që lidhet me çështjen e të drejtave të saj pronësore […].
Në mbështetje të kësaj, parashtruesja e kërkesës pretendon, “se gjykatat, në veçanti Gjykata Supreme, si organ gjyqësor i instancës së fundit, është dashur ti kushtojë vëmendje të veçante arsyetimit të vendimit, sidomos nëse merret parasysh fakti se është vendim i instancës së fundit dhe vendimet e tilla themelojnë precedentë - që mund të jenë me rendësi të veçantë për gjykatat e instancave më të ulëta. Dështimi i Gjykatës Supreme, për të dhënë arsyetim adekuat dhe të mjaftueshëm në bazë të ligjit, cenon edhe parimin e sigurisë juridike për palët dhe pamundëson zhvillimin e një praktike konstante të interpretimit gjyqësor për çështje të ngjashme”.
Rrjedhimisht, parashtruesja e kërkesës i referohet rasteve të Gjykatës në kërkesat KI 138/15, parashtrues Sharr Beteiligungs GmbH sh.p.k., dhe KI 87/18 parashtrues If Skadeforsikirining.
Parashtruesja e kërkesës vë në pah se GJEDNJ tanimë ka vendosur në mënyrë të përsëritur se nocioni i gjykimit të drejtë kërkon në mes tjerash nga gjykatat nacionale të të gjitha instancave që të adresojnë të gjitha çështjet esenciale të rastit gjyqësor kur shqiptojnë vendimet e tyre gjyqësore (shih rastin Boldea kundër Rumanisë [2007] GJEDNJ, Hiro Balani kundër Spanjës, Ruiz Torija kundër Spanjës, etj.
Parashtruesja e kërkesës si shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, gjithashtu pretendon “aplikimin e gabuar të Ligji për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikimin e Pronës sepse neni 31 i cili përcakton që nga hyrja në fuqi e këtij Ligji janë shfuqizuar Rregulloja e UNMIK-u nr. 2000/60, Rregullorja e UNMIK-u nr. 2006/50, Rregullorja e UNMIK-u nr. 2006/10, Rregullorja e UNMIK-u nr. 2000/60, dhe Rregullorja e UNMIK-u nr. 1999/23. Aplikimi i gabuar i Rregullores së Unmik nr. 1999/23 dt. 15.11.1999 neni 2.5 neni 2.7, është kundërligjor sepse është në kundërshtim me Ligjin për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikimin e Pronës sepse neni 4,15 dhe 31”.
Pretendimet për shkelje të nenit 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës
Lidhur me pretendimet për shkelje të nenit 32 të Kushtetutës, parashtruesja e kërkesës vlerëson se qëndrimet e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme janë të paqëndrueshme, “sepse nisur nga kjo analogji, krijohet pasiguria juridike e kufizimit dhe pamundësimit të inicimit të procedurës gjyqësore edhe në rastet që kemi vendime administrative, aq më tepër kur asnjëherë nuk kemi asnjë vendim që ka bërë vendosjen lidhur me vërtetimin e të drejtës së pronësisë [...]. Nisur nga kjo del n[ pah që edhe nëse ndodh në praktikë që të ketë gabime në p.sh. numrin e ngastrës kadastrale, apo forma të tjetra që mund të vërehen pasi që aktgjykimi të merr formën e prerë, apo që pala të humb afatin për ushtrimin e mjetit juridik, apo çfarëdo forme tjetër, kjo nuk do të mund të ndryshohej, e ky qëndrim juridik i gjykatës është në kundërshtim me parimin e të vërtetës materiale“.
Pretendimet për shkelje të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës
Në mbështetje të pretendimeve për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës, parashtruesja e kërkesës thekson se “Pretenduesi i të drejtës së pronësisë të H.S. banesën objekt i kësaj procedure e kishte pasur në posedim për një kohë si shkak i pozitës së punës, për përdorimin zyrtar e që kjo rrethanë paraqet pengesë absolute ligjore që H.S. të shpallet pronare/të i takoj e drejta e pronësisë”.
Pretendimet për shkelje të nenit 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës
Lidhur me pretendimin për shkelje të nenit 54 të Kushtetutës, parashtruesja e kërkesës konsideron se “Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur. neni 54 i kësaj Kushtetute përmban dispozitën e cila ia garanton çdo individi edhe të drejtën për masa efikase juridike, nëse konstatohet se e drejta i është shkelur“.
Në fund, parashtruesja kërkon nga Gjykata që të konstatojë shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë në pajtim me nenin 31 të Kushtetutës së Kosovës, dhe pas shqyrtimit dhe vlerësimit të kërkesave kushtetuese të parashtruesve për anulimin e aktvendimit të Gjykatës Supreme. Rev. nr. 152/2022 të 31.10.2022, aktvendimi i Gjykatës së Apelit CA nr. 10274 të 05.01.2022 dhe aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë C. nr. 5901/21, të 11.04.2021, për shkak të shkeljes së nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 [E drejta për një proces të rregullt] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe shkelje e të drejtave pronësore nga neni 46 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 1 të Protokollit 1 të KEDNJ-së, me propozim që lënda t'i kthehet Gjykatës Themelore për rigjykim.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj”.
Neni 32 [E Drejta për Mjete Juridike]
“Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj.”
Neni 46 [Mbrojtja e Pronës]
“1. E drejta e pronës është e garantuar.
2. Shfrytëzimi i pronës rregullohet me ligj, në pajtim me interesin publik.
3. Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona. Republika e Kosovës ose autoriteti publik i Republikës së Kosovës mund të bëj ekspropriimin e pronës nëse ky ekspropriim është i autorizuar me ligj, është i nevojshëm ose i përshtatshëm për arritjen e qëllimit publik ose përkrahjen e interesit publik, dhe pasohet me sigurimin e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për personin ose personat prona e të cilave ekspropriohet.
[...]”
Neni 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
“Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.”
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6.1
(E drejta për një proces të rregullt)
“Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj.
[...]”
Rregullorja e UNMIK-ut nr. 1999/23 për themelimin e drejtorisë për çështje pronësore dhe banesore dhe komisionit për kërkesa pronësore dhe banesore
Neni 2. Komisioni për kërkesa pronësore dhe banesore
[...]
“2.7 Vendimet përfundimtare të Komisionit janë të detyrueshme për tu zbatuar dhe nuk janë subjekt i rishqyitimit nga asnjë organ tjetër gjyqësor apo administrativ në Kosovë”.
Rregullorja e UNMIK-ut nr. 200/60 mbi kërkesat pronësore dhe banesore dhe rregullat e procedurës dhe të provave të drejtorisë për çështje pronësore dhe banesore si dhe të komisionit për kërkesa pronësore dhe banesore
Neni 4 [Rikthimi i të drejtës së banimit në banesa shoqërore të humbura si pasojë e diskriminimit]
“4.1 Ky nen vlen për çfarëdo të drejte banimi në banesat shoqërore, të cilat janë anuluar si pasojë e diskriminimit. “
LIGJI Nr. 05/L-010 PËR AGJENCINË KOSOVARE PËR KRAHASIM DHE VERIFIKIM TË PRONËS
KAPITULLI II
AGJENCIA KOSOVARE PËR KRAHASIM DHE VERIFIKIM TË PRONËS
“Neni 4. Detyrat dhe përgjegjësitë e Agjencisë Kosovare për krahasim dhe verifikim të pronës
“[...]
2. Përgjegjësitë e Agjencisë janë:
[...]
të zbatojë vendimet e KKP, KVVP dhe Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore;”
[...]”
Neni 15 E drejta në ankesë
“Brenda tridhjetë (30) ditëve nga njoftimi i palëve nga Agjencia për vendimin e KKP mbi kërkesën apo për vendimin e KVVP, çdo palë mund të paraqesë ankesë ndaj vendimit të tillë në Gjykatën Supreme të Kosovës përmes Sekretarisë të Agjencisë.
Përveç nëse me këtë ligj apo me ndonjë akt nënligjor me të cilën zbatohet ky Ligj parashihet ndryshe, dispozitat e Ligjit mbi procedurën kontestimore zbatohen përshtatshmërish në procedurën e ankesës pranë Gjykatës Supreme.
Ankesa mund të paraqitet nëse:
3.1. vendimi përmban ndonjë gabim të rëndë apo moszbatim serioz të së drejtës lëndore a procedurale; ose
3.2. vendimi bazohet në fakte jo të plota apo në vlerësimin e gabuar të fakteve.
4. Pas marrjes së ankesës, Agjencia përmes Sekretarisë i dërgon kopjen palës ose palëve të tjera dhe ankesën me dosjen e Komisionit lidhur me të ia dërgon Gjykatës Supreme të Kosovës.
5. Pasi të paraqitet ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës nga pala, vendimi i Komisionit nuk mund të ekzekutohet derisa rasti të jetë në pritje për t’u zgjidhur në Gjykatën Supreme të Kosovës.”
[...]
KAPITULLI V
EKZEKUTIMI I VENDIMEVE
Neni 17 Ekzekutimi i vendimeve
“1. Vendimi i Komisionit përkatës ekzekutohet tridhjetë (30) ditë pas datës së njoftimit të palëve për vendimin nëse në Gjykatën Supreme të Kosovës nuk parashtrohet ankesë.
Neni 19 Dëbimi
“1. Në rast se vendimi ka të bëjë me dëbimin e personave, Agjencia ia dërgon vendimin poseduesit aktual të pronës kontestuese me të cilin vërtetohet urdhri për dëbim.
2. Vendimi me të cilin vërtetohet urdhri për dëbim zbatohet pas dorëzimit të tij. Urdhri për dëbim mund të zbatohet kundër çdo personi që ndodhet në atë pronë në kohën e dëbimit.
[...]”
Neni 31 Shfuqizimet
“Pas hyrjes në fuqi, ky ligj shfuqizon:
1.1. Ligjin nr. 03/L-079, për ndryshimin e Rregullores së UNMIK-ut Nr. 2006/50 për zgjidhjen e kërkesave lidhur me pronën e paluajtshme private, duke përfshirë pronën bujqësore dhe atë komerciale i ndryshuar dhe plotësuar me nenin 5 të Ligjit Nr. 04/L-115 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës..
1.2. Rregulloren e UNMIK-ut nr. 2006/50, mbi zgjidhjen e kërkesave lidhur me pronën e paluajtshme private, duke përfshirë pronën bujqësore dhe atë komerciale.
1.3. Rregulloren e UNMIK-ut nr. 2006/10 mbi zgjidhjen e kërkesave lidhur me pronën e paluajtshme private, duke përfshirë pronën bujqësore dhe atë komerciale.
1.4. Rregulloren e UNMIK-ut nr. 2000/60 mbi kërkesat pronësore dhe banesore dhe rregullat e procedurës dhe provave të drejtorisë për çështje pronësore dhe banesore si dhe të komisionit për kërkesa pronësore dhe banesore.
1.5. Rregulloren e UNMIK-ut nr. 1999/23 për themelimin e Drejtorisë për Çështje Pronësore Banesore dhe Komisionit për kërkesa pronësore dhe banesore.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parapara me Ligj dhe të specifikuara më tej dhe Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[...]
Gjykata gjithashtu i referohet neneve 47 [Kërkesa individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngrejë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht secilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...“.
Lidhur me plotësimin e këtyre kërkesave, Gjykata konstaton se parashtruesja e kërkesës është palë e autorizuar, e cila konteston aktin e autoritetit publik, përkatësisht aktgjykimin [Rev. nr. 152/2022] të Gjykatës Supreme të 11 tetorit 2022, pasi janë shteruar të gjitha mjetet juridike. Parashtruesja e kërkesës gjithashtu ka theksuar të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë, për të cilat pretendon se janë shkelur në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe e ka parashtruar kërkesën në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.
Gjykata gjithashtu i referohet rregullit 39 (2) të Rregullores së punës, i cili përcakton:
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
Gjykata së pari thekson se rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih rastet e GJEDNJ-së, Kemmachev kundër Francës kërkesa nr. 17621/91, kategoria (i), Mentzen kundër Lituanisë, kërkesa nr. 71074/01, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës kërkesa nr. 4241/03, kategoria (iii)).
Me qëllim të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht vlerësimit nëse e njëjta është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata, fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Duke iu rikthyer rastit konkret, Gjykata rikujton se parashtruesja e kërkesës ka iniciuar disa procedura pranë autoriteteve kompetente dhe gjykatave të rregullta, të gjitha me qëllim të realizimit të të drejtave pronësore mbi banesën në fjalë. Të gjitha ato procedura përfunduan me vendime të formës së prerë. Në mënyrë që Gjykata të jetë në gjendje t'i përgjigjet plotësisht pretendimeve të parashtrueses së kërkesës, së pari duhet të përcaktojë se cilën procedurë gjyqësore po e konteston në gjykatë.
Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se procedura e parë është zhvilluar në Drejtori dhe se ajo ka zgjatur në periudhën prej vitit 2005 deri në vitin 2008. Në atë periudhë KKPK-ja si organ kompetent i Drejtorisë ka nxjerrë 2 aktvendime, nga të cilat aktvendimi i shkallës së parë [HPCC/D/226/2005-A-&C] dhe aktvendimi i shkallës së dytë [HPCC/D/226. /2005-A&C], i cili u bë i formës së prerë.
Gjykata vëren se në këto aktvendime, KKPK-ja ia caktoi të drejtën pronësore mbi banesën në fjalë personit H.S., bazuar në nenin 4 të Rregullores së UNMIK-ut nr. 200/60, ndërsa parashtrueses së kërkesës i është dhënë e drejta e kategorisë C.
Procedura e dytë gjyqësore në të cilën parashtruesja e kërkesës ka qenë palë, është iniciuar nga personi H.S., gjatë vitit 2019, në AKKVP, e cila, në pajtim me ligjin Nr. 05/L-010, u bë pasuese e Drejtorisë, duke marrë një pjesë të autorizimeve që kishte Drejtoria. Gjykata, duke shqyrtuar nenin 4, paragrafi 2.3, të ligjit të përmendur, konstaton se AKKVP-ja, si pasardhëse e Drejtorisë, ka marrë përsipër detyrimet e ekzekutimit të vendimeve të KKPK-së. Në lidhje me këtë, personi H.S., në kërkesë, ka kërkuar nga AKKVP-ja zbatimin e aktvendimeve [HPCC/D/226/2005-A-&C] dhe [HPCC/D/226/2005-A&C], në lidhje me të drejtat e tij pronësore.
Gjykata vlerëson se AKKVP-ja, me kërkesë të H.S., lëshoi dy njoftime për njohjen e të drejtave pronësore, ndër të cilat ishte njoftimi [nr. DS 002241], të 28 tetorit 2020, i cili përmbante një urdhër që personi (parashtruesja e kërkesës) ta lëshojë banesën në fjalë, si dhe ta miratojë regjistrimin e të drejtave pronësore në kadastër të personit H.S.
Parashtruesja e kërkesës duke kontestuar pikërisht njoftimin [Nr. DS 002241], të AKKVP-së të 28 tetorit 2020, ka iniciuar dy procedura gjyqësore, të cilat janë zhvilluar paralelisht në Gjykatën Themelore dhe në Gjykatën Supreme.
Procedura në gjykatat e rregullta
Duke shqyrtuar procedurat e zhvilluara pranë gjykatave të rregullta, Gjykata nuk mund të mos vërë re se parashtruesja e kërkesës fillimisht filloi procedurën në Gjykatën Themelore përmes së cilës ajo kërkoi vendosjen e një mase sigurie mbi banesën në fjalë, dhe derisa ajo procedurë ishte duke u zhvilluar, ajo, në bazë të nenit 15 [E drejta në ankesë], të Ligjit Nr. 05/L-010, për AKKVP, parashtroi ankesë në Gjykatën Supreme kundër njoftimit të AKKVP -së [Nr. DS 002241] të 28 tetorit 2020.
Gjykata rikujton se neni 15 i ligjit nr. 05/L-010 për AKKVP-në në pjesën përkatëse thekson;
“Brenda tridhjetë (30) ditëve nga njoftimi i palëve nga Agjencia për vendimin e KKP mbi kërkesën apo për vendimin e KVVP, çdo palë mund të paraqesë ankesë ndaj vendimit të tillë në Gjykatën Supreme të Kosovës përmes Sekretarisë të Agjencisë.
Prandaj, duke shqyrtuar procedurën e zhvilluar në Gjykatën Themelore në lidhje me vendosjen e masës së sigurimit, Gjykata konstaton se Gjykata Themelore dy herë e refuzoi propozimin e parashtrueses së kërkesës përmes aktvendimeve duke arritur në përfundimin se nuk ishte kompetente për t'u marrë me çështjen në fjalë. Gjykata konstaton gjithashtu se Gjykata e Apelit ka aprovuar dy herë ankesat e parashtrueses së kërkesës, duke e kthyer çështjen në rigjykim. Gjykata duhet të konstatojë këtu se aktvendimet e Gjykatës së Apelit, e cila e ktheu lëndën në Gjykatën Themelore, kanë qenë ekskluzivisht në lidhje me gabimet procedurale në zhvillimin e procedurës në Gjykatën Themelore, dhe jo në lidhje me vendosjen për thelbin e propozimit të parashtrueses së kërkesës.
Gjykata më tej konstaton se më 24 dhjetor 2020, Gjykata Supreme, duke vepruar sipas ankesës së parashtrueses së kërkesës të paraqitur nga ajo duke iu referuar nenit 15 të Ligjit nr. 05/L-010, nxori aktvendimin [GJSK-KPA-A-004/2020 ], me të cilën e hodhi poshtë ankesën e saj, duke përfunduar “se vendimi HPCC/D/226/200S/ A&C të datës 22.10.2005 është i plotfuqishëm dhe i formës së prerë në pajtim me nenin 2 paragrafi 7 të Rregullores së lartcekur numër nr. 999/23. I njëjti nuk mund të ankimohet, në këtë fazë, as sipas rregullores së UNMIK-ut numër 2000/60”.
Gjykata konstaton se me këtë aktvendim të Gjykatës Supreme është përcaktuar edhe rezultati i mëtutjeshëm i procedurës lidhur me kërkesën për masë të sigurimit që për herë të tretë është paraqitur në Gjykatën Themelore për vendosje. Gjykata vëren se rezultati i kësaj procedure të tretë të përsëritur, e cila përfundoi me aktgjykimin e Gjykatës Supreme, është në fakt procedura mbi bazën e së cilës parashtruesja e kërkesës pretendon shkelje të neneve 31, 32, 46, 54 dhe 55 të Kushtetutës, si dhe nenin 6 të KEDNJ-së. Duke pasur parasysh këtë, Gjykata do të shqyrtojë pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkeljen e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së ekskluzivisht në lidhje me këtë procedurë gjyqësore.
Në lidhje me shkeljet e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së
Prandaj, Gjykata, duke shqyrtuar pretendimet konkrete të parashtrueses së kërkesës në lidhje me procedurën e kontestuar gjyqësore, konstaton se parashtruesja e kërkesës konsideron se i janë shkelur të drejtat e saj sipas nenit 31 të Kushtetutës për arsye se: i) aktvendimet dhe aktgjykimet e gjykatave të rregullta përkitazi me vendimin lidhur kërkesën për vendosjen e masës së sigurimit nuk kanë arsyetimet e duhura në lidhje me të drejtat e saj pronësore dhe, ii) për shkak se gjykatat e rregullta në këtë pjesë të procedurës kanë zbatuar gabimisht Rregulloren e UNMIK-ut nr. 1999/23 të 15 nëntorit 1999, nenin 2.5 dhe nenin 2.7, që është në kundërshtim me Ligjin për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim.
Sa i përket pretendimit për vendimet e paarsyetuara gjyqësore
Prandaj, duke shqyrtuar pretendimet e parashtrueses së kërkesës, në lidhje me vendimet gjyqësore të paarsyetuara, parashtruesja e kërkesës thekson faktin se gjykatat e rregullta nuk arsyetuan çështjet që lidhen me të drejtat e saj pronësore. Gjykata thekson se sipas praktikës së vendosur të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës Kushtetuese, neni 6, paragrafi 1 i KEDNJ-së i detyron gjykatat, ndër të tjera, që të arsyetojnë aktgjykimet e tyre. Megjithatë, ky detyrim nuk mund të kuptohet si detyrim për të paraqitur të gjitha detajet në aktgjykim dhe për të dhënë përgjigje në të gjitha pyetjet dhe argumentet e paraqitura. Shkalla në të cilën ekziston ky detyrim varet nga natyra e vendimit (shih aktgjykimin e GJEDNJ-së Ruiz Torija kundër Spanjës, kërkesa nr. 18390/91 e 9 dhjetorit 1994, paragrafi 29). GJEDNJ dhe Gjykata Kushtetuese kanë theksuar në vendime të shumta se gjykatat e brendshme kanë një liri të caktuar vlerësimi në lidhje me atë se cilat argumente dhe prova do të pranojnë në një rast të caktuar, por në të njëjtën kohë kanë detyrimin të arsyetojnë vendimin e tyre duke shprehur arsye të qarta dhe të kuptueshme në të cilat e kanë bazuar atë vendim (shih aktgjykimin e GJEDNJ-së, Suominen kundër Finlandës, kërkesa nr. 37801/97 i 1 korrikut 2003).
Megjithatë, edhe pse GJEDNJ pohon se neni 6, paragrafi 1 i KEDNJ-së, obligon gjykatat të japin arsyet për vendimet e tyre, ajo gjithashtu ka konstatuar se kjo nuk mund të kuptohet si kërkesë për një përgjigje të hollësishme në çdo argument. (Shih: rastet e GJEDNJ-së, aktgjykimi Van de Hurk kundër Holandës, kërkesa nr. 16034/90, e 19 prillit 1994, par. 61., aktgjykimi Higgins dhe të tjerët kundër Francës, kërkesa nr. 134/1996/753/952, e 19 shkurtit 1998, paragrafi 42).
Rrjedhimisht, duke analizuar përmbajtjen e vendimeve gjyqësore nga procedura e kontestuar mbi bazën e të cilave parashtruesja e kërkesës pretendon shkelje, Gjykata vëren se çështja thelbësore që gjykatat vendosën në atë procedurë lidhej ekskluzivisht me kompetencën e tyre për t'u marrë dhe për të vendosur përkitazi me propozimin për vendosjen e masës së sigurimit. Prandaj, çështja e të drejtave pronësore të parashtrueses së kërkesës nuk ishte objekt i vendosjes dhe për këtë arsye gjykatat as nuk e arsyetuan këtë çështje në vendimet e tyre.
Gjykata konsideron se qëndrimi i tillë i gjykatave të rregullta është i drejtë dhe kjo është për arsye se çështja e të drejtave pronësore mbi pronën në fjalë është zgjidhur res judicata me vendimin e KKPK-së, i cili në momentin e vendosjes kishte autoritetin për t'u marrë me këtë çështje dhe për të vendosur në lidhje me të. Gjykata rikujton se me çështjen e plotfuqishmërisë së aktvendimit të KKPK-së është marrë edhe Gjykata Kushtetuese dhe se me këtë rast në rastin KI 104/10, parashtrues Draža Arsić, nxori aktgjykimin përmes të cilit konkludoi:
“[…] duke vendosur për kërkesën e parashtruesit Arsić Draža, Gjykata Kushtetuese pas shqyrtimit të procedurës në tërësi, konstatoi se kërkesa e parashtruesit është e pranueshme. Sipas mendimit të Gjykatës, vendimi HPCC/REC/66/2006 i 15 korrikut 2006. ishte i formës së prerë dhe në pajtim me nenin 2, paragrafin 7 të Rregullores së UNMIK-ut 1999/23 nuk mund t'i nënshtrohej rishqyrtimit nga asnjë gjykatë apo organ administrativ në Kosovë. Pasi që konkluzioni i KKPB-së i 15 korrikut 2006 u bë res judicata më 4 shtator 2006, parashtruesi i kërkesës e ka gëzuar të drejtën e posedimit të pronës, siç garantohet me nenin 46 të Kushtetutës dhe nenin 1 të Protokollit 1 të KEDNJ-së, dhe se çdo ndërhyrje në këtë të drejtë, nga cilado gjykatë apo organ administrativ, do të duhej konsideruar shkelje e asaj të drejte.”
Rrjedhimisht, duke iu rikthyer pretendimit të parë të parashtrueses së kërkesës, Gjykata arrin në përfundimin se pretendimi i saj se shkelja e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së ishte për shkak të vendimeve të paarsyetuara të gjykatave të rregullta lidhur me çështjen e të drejtave të saj pronësore, është i pabazuar, dhe se për arsye se gjykatat e rregullta në procedurën e kontestuar gjyqësore nuk janë marrë me të drejtat e saj pronësore dhe për rrjedhojë nuk i kanë arsyetuar ato në vendimet e tyre..
Në lidhje me pretendimin për zbatimin e gabuar të dispozitave ligjore
Lidhur me zbatimin e gabuar të dispozitave ligjore, Gjykata konstaton se parashtruesja e kërkesës pretendon se këto shkelje kanë ndodhur, për faktin se gjykatat e rregullta kanë aplikuar gabimisht “Rregullores së UNMIK-ut nr. 1999/23 të 15.11.1999, neni 2.5, neni 2.7 kur kanë vendosur për propozimin e saj për caktimin e masës së sigurisë”.
Më konkretisht, zbatimi i pretenduar i gabuar i së drejtës materiale, sipas parashtrueses së kërkesës, reflektohet në faktin se gjykatat e rregullta në vendimet e tyre iu referuan neneve të Rregullores së UNMIK-ut, si bazë mbi të cilën nuk mund të vendosin lidhur me propozimin e saj për vendosjen e masës së sigurimit dhe që sipas pretendimeve të saj është në kundërshtim me ligjin nr. 05/L-010 për AKKVP-në.
Gjykata e konsideron këtë pretendim të parashtrueses së kërkesës si të pabazuar, për arsye se, duke parë përmbajtjen e neneve të kontestuara 2.5 dhe 2.7 të Rregullores së lartpërmendur të UNIMIK-ut, dhe arsyetimet e vendimeve të gjykatave të rregullta, konstatoi se gjykatat e rregullta iu referuan neneve të përmendura ekskluzivisht në lidhje me faktin se vendimet e KKPK-së, në përputhje me dispozitat e lartpërmendura, u bënë të formës së prerë dhe se si të tilla ato u bënë të ekzekutueshme që nga momenti i miratimit të tyre, dhe se ato nuk mund t'i nënshtrohen shqyrtimit as prej tyre si autoritete gjyqësore. Gjykata konstaton se ky kufizim është përcaktuar saktësisht me nenin 2.7 të Rregullores së lartpërmendur të UNMIK-ut, i cili në pjesën përkatëse parasheh se vendimet e Komisionit “nuk janë subjekt i rishqyrtimit nga asnjë organ tjetër gjyqësor apo administrativ në Kosovë”.
Gjykata konsideron se referimi në këto dispozita ligjore nga gjykatat e rregullta është i justifikuar në pikëpamje procedurale, për arsye se natyra e çështjeve para tyre lidhur me të drejtat pronësore të cilat ishin zgjidhur me aktgjykim të formës së prerë, dhe si të tilla ato nuk mund të bëheshin objekt i shqyrtimit, dhe me këtë as objekt i kufizimeve të mundshme, përkatësisht nuk mund t'i nënshtroheshin as masës së sigurimit, siç ka propozuar parashtruesja e kërkesës.
Sipas mendimit të kësaj Gjykate, një qëndrim i tillë i gjykatave të rregullta është në përputhje me parimin e sigurisë juridike të përcaktuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Gjykata vëren se vetë fakti se ka pasur një ndryshim në rregulloret ligjore dhe se rregulloret e përmendura të UNMIK-ut janë zëvendësuar me Ligjin Nr. 05/L-010 për AKKVP, nuk përfshin mundësinë e rishqyrtimit të pakushtëzuar të vendimeve të formës së prerë, e as të ndërmarrjes së masave që do të kufizonin të drejtat e njohura të personave të tjerë.
Duke pasur parasysh sa më sipër, Gjykata vlerëson se pretendimet e parashtrueses së kërkesës, se gjykatat e rregullta kanë zbatuar gabimisht të drejtën materiale kur kanë vendosur për propozimin e saj për vendosjen e masës së sigurimit, janë të pabazuara.
Në lidhje me pretendimet për shkelje të nenit 32, nenit 46 dhe nenit 54 të Kushtetutës
Në mbështetje të pretendimeve për shkelje të nenit 32 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 13 të KEDNJ-së, Gjykata vëren se parashtruesja e kërkesës i sjell ato në lidhje me një gjykim të drejtë.
Në këtë kontekst, Gjykata rikujton se neni 13 i KEDNJ-së i garanton çdo personi të drejtën për një mjet juridik efektiv brenda rendit juridik kombëtar kundër shkeljeve të të drejtave të njohura me KEDNJ. E drejta për mjet efektiv juridik është e drejtë plotësuese, por edhe e drejtë procedurale autonome. Natyra aksesore e kësaj të drejte do të thotë se shkelja saj mund të referohet vetëm si pjesë dhe në lidhje me shkeljen e një të drejte tjetër të njohur me KEDNJ. Nga ana tjetër, autonomia e saj do të thotë se zbatimi i kësaj dispozite nuk nënkupton domosdoshmërisht se më parë është bërë shkelje e ndonjë të drejte tjetër thelbësore nga KEDNJ. Në fakt, edhe në rastin kur Gjykata nuk ka vërtetuar se ka pasur shkelje të një të drejte thelbësore, ajo është e detyruar të verifikojë nëse ligji kombëtar përmban dispozita për mjetin efektiv juridik nga neni 13 i KEDNJ-së. Gjykata rikujton më tej se, sipas praktikës së GJEDNJ-së, neni 13 i KEDNJ-së duhet të interpretohet në atë mënyrë që të garantojë një mjet efektiv përpara autoriteteve shtetërore” për këdo që pretendon se është viktimë e shkeljes së të drejtave dhe lirive të numëruara në KEDNJ (shih aktgjykimet e GJEDNJ-së, Klass kundër Gjermanisë, kërkesa nr. 5029/71, Aktgjykimi i 6 shtatorit 1978, Seria A, nr. 28, f. 29, para. 64; dhe Boyle dhe Rice kundër Mbretërisë së Bashkuar, kërkesa nr. 9659/82 dhe 9658/82 Vendimi i 27 marsit 1988, seria A, numër 131, paragrafi 52).
Gjykata rikujton se në pjesën e mëparshme u mor në mënyrë të detajuar me pretendimet e parashtrueses së kërkesës në lidhje me shkeljet e mundshme të së drejtës për një gjykim të drejtë. Me atë rast, Gjykata, duke u marrë me shkeljet e mundshme të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së, gjithashtu përshkroi në mënyrë të detajuar të gjitha veprimet procedurale që parashtruesja e kërkesës i ndërmori për të ushtruar të drejtat e saj. Kjo çon në përfundimin se ajo në çdo kohë ka pasur në dispozicion mjetet juridike që parashihen me ligj, se ajo i ka përdorur ato mjete juridike, se gjykatat kanë vendosur në bazë të tyre në mënyrën e parashikuar me dispozitat ligjore përkatëse, gjë që nuk lë asnjë dyshim për ekzistencën e shkeljeve të mundshme si të nenit 32 të Kushtetutës, po ashtu edhe të nenit 54 të Kushtetutës, të cilëve ajo u referohet në kërkesë.
Rrjedhimisht, Gjykata vlerëson se pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje të neneve 32 dhe 54 të Kushtetutës janë të pabazuara.
Gjykata gjithashtu i konsideron të pabazuara pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkeljen e nenit 46 të Kushtetutës, për arsye se në procedurën e kontestuar nga parashtruesja e kërkesës, gjykatat e rregullta nuk janë marrë me çështjen e të drejtave të saj pronësore, dhe për këtë arsye nuk kanë vendosur për to.
Më konkretisht, gjykatat e rregullta në vendimet e tyre kanë trajtuar të drejtat pronësore të parashtrueses së kërkesës pikërisht aq sa ishte e nevojshme, në kontekst të natyrës së çështjes për të cilën ato kishin vendosur.
Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se kërkesa e parashtrueses së kërkesës duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar në tërësinë e saj, për arsye se pas analizës u konstatua se pretendimet e saj kualifikohen si pretendime që bëjnë pjesë në kategorinë (iii) e pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara”, prandaj këto pretendime të parashtrueses së kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Prandaj, kërkesa duhet të refuzohet si e papranueshme në baza kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113 (7) të Kushtetutës, parashikohet me nenet 47 dhe 48 të Ligjit dhe specifikohet më tej në rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 47 dhe 48 të Ligjit, si dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, më 25 maj 2023, njëzëri
VENDOS
TA DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë vendim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Safet Hoxha Gresa Caka Nimani
Drita Morina
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale