Prishtinë, më 22 maj 2023
Nr. Ref.:RK 2184/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI66/22
Parashtrues
Luljeta Aliu
Vlerësim i kushtetutshmërisë
së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës,
Rev. nr. 462/2021 të 22 janarit 2021
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Luljeta Aliu, nga Prishtina (në tekstin e mëtejmë: parashtruesja e kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesja e kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Rev. nr. 462/2021] të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 22 nëntorit 2021, në lidhje me Aktgjykimin [Ac. nr. 4010/2020] të Gjykatës së Apelit të 6 majit 2021, dhe Aktgjykimin [C. nr. 3527/17] e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të 9 marsit 2020.
Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme i është dorëzuar parashtrueses së kërkesës më 17 janar 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kësaj kërkese është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimeve të kontestuara të gjykatave të rregullta, përmes të cilave pretendohet se parashtrueses së kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me nenin 7 [Vlerat], paragrafët 1 dhe 2, nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], nenin 37 [E Drejta e Martesës dhe Familjes], par. 2, nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), si dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 17 maj 2022, parashtruesja e kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 23 maj 2022, Kryetarja e Gjykatës, me Vendimin [GJR. KI66/22] caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Bajram Ljatifi, gjyqtar (kryesues), Safet Hoxha dhe Radomir Laban (anëtarë).
Më 27 maj 2022, Gjykata e njoftoi parashtruesen për regjistrimin e kërkesës dhe i dërgoi një kopje të kërkesës Gjykatës Supreme.
Të njëjtën ditë, Gjykata i dërgoi një shkresë Gjykatës Themelore duke kërkuar nga ajo që të dorëzojë dëshmi se kur i është dorëzuar Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme parashtrueses së kërkesës.
Më 1 qershor 2022, Gjykata Themelore dërgoi në Gjykatë fletëkthesën, përmes së cilës vërtetohet se Aktgjykimi i kontestuar i është dorëzuar parashtrueses së kërkesës më 17 janar 2022.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 12 prill 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Parashtruesja e kërkesës dhe B. K. kanë lidhur martesë në vitin 2004, nga e cila kanë lindur dy fëmijë, përkatësisht L. K dhe E. K.
Më 22 dhjetor 2017, parashtruesja e kërkesës, përmes përfaqësuesit të saj, dorëzoi në Gjykatën Themelore në Prishtinë padi për “zgjidhjen e martesës, besimin e fëmijëve, alimentacion dhe mbështetje financiare të saj”. Më konkretisht, parashtruesja në kërkesëpadi ka kërkuar:
“i) që të zgjidhet martesa e lidhur në mes të saj dhe personit B. K.,
ii) që kujdesi ndaj fëmijëve të mitur t’i besohet asaj,
iii) që në emër të mbështetjes financiare të fëmijëve të mitur, secilit fëmijë t’i ndahet shuma mujore në të holla duke filluar nga 300 deri në 375 euro, për secilin fëmijë veçmas, në shumën e përgjithshme mujore prej 750 eurosh për të dy fëmijët, që në emër të alimentacionit asaj t’i ndahet shuma mujore prej 750 eurosh, si dhe shuma në të holla në lartësinë prej 18,000 eurosh në emër të shpenzimeve të saj për studimet e doktoratës”.
Më 5 shkurt 2019, i padituri B. K., përmes përfaqësuesit të tij, parashtroi përgjigje në padi, ndërsa gjatë shqyrtimit gjyqësor parashtroi edhe kundërpadi me të cilën, përveç shkurorëzimit, ka kërkuar që “paditësit t'i besohen në ruajtje dhe edukim fëmijët e mitur dhe të obligohet paditësja që të paguaj mbajtje financiare për fëmijët në shumë prej 150 euro për secilën […]”.
Më 13 shkurt 2020, Gjykata Themelore mbajti shqyrtimin kryesor dhe më 9 mars 2020 nxori Aktgjykimin [C. nr. 3527/17], me të cilin vendosi:
“Në pikën I të Aktgjykimit zgjidhet martesa me shkurorëzim në mes të parashtrueses së kërkesës dhe të paditurit B. K., në pikën II të Aktgjykimit, Kujdestaria ndaj fëmijëve të mitur i besohet parashtrueses së kërkesës si nënë, në pikën III të dispozitivit është obliguar paditësja - kundër e paditura (parashtruesja e kërkesës) që t’ia mundësojë të paditurit-kundërpaditësit B.K., kontaktin e lirë me fëmijët e mitur, dhe atë:
Javën e parë dhe të tretë të çdo muaji, nga dita e premte nga ora 15 :00 deri në orën 18:00 të ditës së diele, si dhe të mërkurën e javës së dytë dhe të katër të muajit nga ora 15:00 deri në orën 19:00;
Gjatë pushimeve verore dhe gjatë pushimeve dimërore të shkollës, për dhjetë ditë pa ndërprerë;
Ditën pasuese të ditëlindjes së secilit fëmijë dhe për ditëlindjen e të paditurit - kundër paditësit gjatë tërë ditës nga ora 09:00 deri në orën 19:00;
Në ditën pasuese të çdo feste zyrtare (festat shtetërore dhe fetare), nga ora 09.00 deri në orën 19:00;
Vendtakimi i kontaktit i të paditurit kundër paditësit me fëmijët, në mungesë të një marrëveshje mes palëve ndërgjyqëse, të realizohet në QPS.
Në pikën IV të dispozitivit është obliguar i padituri-kundërpaditësi, B. K., që në emër të mbajtjes financiare për fëmijët e mitur t’ia paguajë shumat prej 300 € (treqind euro) në muaj për secilën veç e veç, apo shumën e përgjithshme prej 600 € (gjashtëqind euro), në llogarinë bankare të paditëses më së largu deri me datën 5 të muajit vijues, derisa të ekzistojnë kushtet ligjore”.
Me të njëjtin Aktgjykim në pikën V, Gjykata Themelore refuzoi si të pabazuar pjesën e dytë të padisë së parashtrueses së kërkesës në lidhje me pagesën e mbështetjes financiare për fëmijën e parë duke filluar nga 300 deri në 375 euro dhe për fëmijën e dytë duke filluar po ashtu nga 300 deri në 375 euro, duke përfshirë kërkesën për alimentacion për paditësen (parashtruesen e kërkesës), në shumën prej 750 eurosh në muaj, si dhe mbështetjen financiare në shumën prej 18,000 eurosh në emër të shpenzimeve për studimet e doktoratës.
Ndërsa në pikën VI, Gjykata Themelore refuzoi si të pabazuar edhe kërkesëpadinë e B. K., me të cilën ka kërkuar që t'i besohen fëmijët e mitur në ruajtje, edukim dhe mbajtje dhe që paditësja, kundër e paditura Luljeta Aliu-Krasniqi të detyrohet të paguajë alimentacion në shumën 150 euro për çdo fëmijë individualisht si mbajtje financiare, jo më së largu se data 5 e muajit pasues.
Në arsyetimin e Aktgjykimit [C. nr. 3527/17], Gjykata Themelore, ndër të tjera, theksoi:
Përkitazi me vendimin “Besimi i fëmijëve” në kujdes
“Nga vlerësimi i të gjitha provave relevante që kanë të bëjnë me besimin e fëmijëve, Gjykata i ka marrë parasysh të gjitha rrethanat që ndikojnë në zhvillimin e drejtë psiko-social të fëmijëve të mitur. Në veçanti janë marrë parasysh faktorët e afërsisë emocionale që fëmijët i kanë krijuar me nënën gjatë kësaj periudhe kohore sa bashkësia faktike martesore ka qenë e ndarë”.
Gjykata gjen se në këtë shqyrtim gjyqësor u dëshmua se fëmijët e mitur, në periudhën kohore prej afro tre vitesh që nga koha kur palët kanë pohuar se e kanë shkëputur bashkësinë faktike, kanë jetuar me nënën. Këto rrethana lënë të kuptohet se fëmijët e mitur kanë krijuar lidhje më të forta emocionale me nënën dhe janë në përkujdesje të vazhdueshme nga ajo. Këto fakte Gjykata i ka vërtetuar edhe nga raportet e QPS-së, të cilat kanë dhënë rekomandimin që fëmijët e mitur t’i besohen në rruajtje, edukim dhe kujdes nënës së tyre. Gjykata e mori parasysh edhe vullnetin dhe dëshirën e vajzës së mitur […]”.
“[…] nga raporti i QPS-së, rrjedh se është në interesin më të mirë të fëmijëve që të njëjtit t'i besohen në ruajtje dhe edukim nënës së tyre. Për këto arsye dhe duke marrë parasysh moshën dhe nevojat e vajzave të mitura, gjykata vlerëson se besimi i fëmijëve nënës së tyre është në interesin më të mirë të tyre dhe do të ndikoj në zhvillimin e drejt psiko-social të fëmijëve”.
Sa i përket vendimit në lidhje me “kontaktet e fëmijëve me prindin”
“Për të vendosur rreth mënyrës së kontaktit të prindit - babait me fëmijët e mitur, gjykata ka marrë për bazë fillimisht interesin e vajzave për të mbajtur kontakte të rregullta dhe të mjaftueshme me babain e tyre. Në lidhje me këtë, Gjykata si fakt vendimtar e mori deklaratën e vajzës së mitur, e cila në shqyrtim gjyqësor i ka përshkruar raportet me babain si shumë të mira dhe ka shprehur interesimin që të kalojë kohë me babain. Po ashtu, fakt i rëndësishëm është vullneti i babait që të mbaj kontakte më të shpeshta me vajzat dhe gatishmëria për të kaluar më shumë kohë me fëmijët. Vlen të theksohet se paditësja nuk e ka kundërshtuar mbajtjen e kontakteve të rregullta dhe ka qenë e gatshme që të mundësojë kontaktet e vajzave me babain.
Përkitazi me të drejtën e fëmijëve për mbajtjen e kontakteve me prindërit Gjykata Evropiane për të drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në praktikën e saj gjyqësore ka konfirmuar se “Gëzimi i ndërsjellë nga fëmija dhe prindërit i shoqërisë së njëri-tjetrit përbën një element thelbësor të jetës familjare" (GJEDNJ, rasti Levin v. Sweden, nr. 35141106, 15 mars 2012, parag. 57; rasti K. dhe T. v. Finland [GC], nr. 25702/94, 12 korrik 2001, parag. 151; rasti Penchevi v. Bullgarisë, Application nr. 77818/12)”.
Përkitazi me mbajtjen financiare të fëmijëve
“Për vendosjen rreth mbajtjes financiare të vajzave të mitura, Gjykata mbi bazën e gjendjes faktike të vërtetuar, vlerëson se i padituri ka obligim ligjor për dhënie të alimentacionit për fëmijët e mitur, të cilët tani i ka në përkujdesje paditësja”.
“Në rastin konkret, gjykata ka vërtetuar se i padituri realizon pagë të mjaftueshme për të dhënë mbajtjen financiare për vajzat. Gjykata me rastin e vlerësimit të mundësive të dhënësit të mbajtjes merr parasysh tërë masën pasurore të tij që nuk kufizohet vetëm në të ardhura likuide që realizon nga paga. Në këtë drejtim, gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se i padituri ka në pronësi edhe pasuri të paluajtshme, e cila hyn në masën pasurore të tij. Rrjedhimisht, Gjykata vlerëson se paditësi ka mundësi të mjaftueshme për të dhënë mbajtje financiare për të përmbushur një pjesë të konsiderueshme të nevojave të jetesës dhe shkollimit të vajzave të tij”.
Gjykata, duke shqyrtuar nevojën e fëmijëve për mbajtje financiare, mori parasysh mundësitë e të ardhurave personale të palës së paditur. Mbi bazën e nevojave të fëmijëve të mitur dhe shpenzimeve për shkollim, jetesë dhe veshmbathje - në proporcion me masën pasurore të paditurit, shuma prej 300 euro për secilën prej vajzave të mitura respektivisht shuma e përgjithshme prej 600 euro është shumë e cila mundëson mesatarisht mbulimin e afro gjysmës së shkollimit për secilën nga vajzat. Në këtë drejtim, duke u bazuar në të hyrat e të paditurit, por edhe masën pasurore që disponon, Gjykata vlerëson se shuma e lartcekur është shumë e përballueshme, […]”.
“Në drejtim të vlerësimit të pagesës së shpenzimeve për shkollimin dhe rritjen e vajzave, përfshirë ushqimin, veshmbathjen dhe nevojat për jetesë, Gjykata nuk e përjashtoi edhe gjendjen e të hyrave të paditëses-gjë që me kontributin e të dy palëve (sipas nenit 290, të LF) mund të sigurohet shkollimi dhe cilësia e jetesës për fëmijët. Gjykata nuk përjashton mundësinë se palët të kenë pasur standard më të lartë të jetesës, gjatë kohës sa ata kanë qenë në bashkësi martesore. Megjithatë, rënia e standardit të jetesës nuk është medoemos rrethanë e lidhur me shkurorëzimin, por varet nga faktorë të ndryshëm, të cilën gjykata e vlerëson në momentin e vendosjes”.
“[…] Gjykata me asnjë provë të prezantuar nga palët dhe as nga provat e nxjerra sipas detyrës zyrtare nga regjistri i bizneseve, nuk ka arritur të vërtetoj faktet e pretenduara nga pala paditëse se i padituri B. K., është pronar i ndërmarrjes "Minimax", me seli në Prishtinë. Në bazë të të dhënave nga ARBK, nuk evidentohet se i padituri është pronar i këtij subjekti juridik, apo se është pronar në ndonjë subjekt tjetër”.
Sa i përket caktimit të alimentacionit për parashtruesen e kërkesës
“Lidhur me kërkesën e paditëses që ka të bëjë me shumën prej 750 euro në muaj në emër të alimentacionit dhe shumën prej 18.000 euro për mbulimin e shpenzimeve të doktoratës, Gjykata vlerëson se kjo kërkesë është e pabazuar në ligj, andaj e njëjta u refuzua si në pikën V të dispozitivit të këtij aktgjykimi.
Qëndron parimi se bashkëshortët ofrojnë mbajtje financiare për njeri-tjetrin (Neni 297 i LF). Megjithatë, ky parim gjen zbatim nëse plotësohen kushtet ligjore nga Neni 298, par. 1 i LF-së, i cili parasheh se "Bashkëshorti i cili nuk ka mjete të mjaftueshme për mbajtje financiare, i cili nuk është i aftë të punojë ose që për arsye tjera nuk mund të punësohet, ka të drejtë në mbajtje financiare nga bashkëshorti tjetër në proporcion me mundësitë e tij financiare”.
Pra, kjo e drejtë ka efekt juridik vetëm me plotësimin e kushteve nga Neni 298 i LF-së - kur ish-bashkëshorti nuk ka mjete të mjaftueshme për mbajtje, nëse nuk është i aftë për punë apo për arsye të tjera nuk mund të punojë. Në rastin konkret, paditësja do të fitonte të drejtën për alimentacion, sipas ligjit-vetëm nëse nuk do të realizonte të hyra të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e jetesës, e në qoftë se do të ishte e paaftë apo në pamundësi të punojë.
Fakti se paditësja është e punësuar dhe realizon të hyra të mjaftueshme për jetesë, rezulton se paditësja nuk hyn në kategorinë e personave të kualifikuar për ushqimi. Nga provat e administruara në këtë shqyrtim gjyqësor, Gjykata gjeti se paditësja ka pagë të mjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve të jetesës. Siç u theksua më lart, pretendimi se gjatë bashkësisë martesore ka pasur standard më të lartë të jetesës nuk mund të jetë faktor determinues për t’u plotësuar kushti i pamjaftueshmërisë së mjeteve financiare. Kjo për faktin se standardi i jetesës është rrethanë që ndryshon bazuar në të hyrat dhe gjendjen materiale të familjes dhe nuk mund të ndiqet si kriter për përcaktimin e mbajtjes martesore. Tjetër është fakti nëse dhe sa këto të hyra janë të mjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve të ish-bashkëshortit”.
Përkitazi me vendimin për kundërpadinë
“Duke marrë parasysh vendimin që fëmijët e mitur t'i besohen në edukim, rritje dhe kujdes nënës së tyre, gjithmonë duke pasur parasysh interesin më të mirë të fëmijëve. Gjykata e ka refuzuar kundërpadinë e të paditurit si në pikën VI të dispozitivit të këtij Aktgjykimi”.
Kundër pikave IV dhe V të Aktgjykimit [C. nr. 3527/17] të Gjykatës Themelore, parashtruesja e kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.
I padituri gjithashtu parashtroi ankesë për shkak të zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që ankesa e tij të aprovohet në tërësi kundër pikës IV të Aktgjykimit të Gjykatës Themelore [C. nr. 3527/17] si e bazuar dhe të ndryshohet pika IV e Aktgjykimit “duke e zvogëluar lartësinë e përcaktuar ashtu që tani i padituri të obligohet që në emër të mbajtjes financiare për fëmijët e mitur t’ia paguaj shumat nga 120 euro për secilën apo në shumën e përgjithshme prej 240 euro në muaj”.
Më 6 maj 2021, Gjykata e Apelit nxori Aktgjykimin [Ac. nr. 4010/20], me të cilin në pikën I të dispozitivit refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtrueses së kërkesës, si dhe ankesën e të paditurit B. K., ndërsa vërtetoi në tërësi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore [C. nr. 3527/17], në pikat II, III, IV, V, VI dhe VII të dispozitivit.
Në arsyetimin e Aktgjykimit [Ac. nr. 4010/20], Gjykata e Apelit ndër të tjera theksoi:
“Gjykata e Apelit e aprovon në tërësi edhe qëndrimin juridik të gjykatës së shkallës së parë të dhënë në arsyetimin e aktgjykimit të atakuar, sa i përket vendosjes lidhur me aprovimin e kërkesëpadisë së paditëses-kundërpaditurës për detyrimin e të paditurit-kundërpaditësit që të paguaj alimentacion në shumën e cekur sikurse në pikën IV të dispozitivit të Aktgjykimit të atakuar. Kjo për faktin se me nenin 290, par. 1 të Ligjit për Familjen i Kosovës (LFK), është e paraparë se "Prindërit janë të detyruar të ofrojnë mbajtje financiare për fëmijët e tyre të mitur”. Në nenin 290, par. 2 të këtij ligji thuhet se “Nëse fëmija nuk e ka përfunduar shkollimin deri në moshën madhore, prindërit kanë detyrim të ofrojnë mbështetjen e nevojshme për të siguruar shkollimin, respektivisht edukimin në fakultet derisa fëmija të arrin moshën 26 vjeç”.
Në nenin 330, par. 1 të këtij ligji parashihet se “Detyrimi për të dhënë mbajtje financiare ose alimentacion përcaktohet në proporcion me të gjitha mjetet e të paditurit dhe brenda kufijve të nevojave të paditësit”. Një detyrim të tillë, për pagimin e alimentacionit fëmijëve të tyre të mitur, prindi e ka edhe me nenin 27, parag. 2 të Konventës për të Drejtat e fëmijës, e miratuar dhe hapur për nënshkrim, për ratifikim dhe për aderim nga Asambleja e Përgjithshme, me Rezolutën e saj 44/25, të datës 20 nëntor 1989, e zbatueshme drejtpërdrejt në Kosovë, përmes nenit 22 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
Kundër pikave IV dhe V të dispozitivit të Aktgjykimit [Ac. nr. 4010/20] të Gjykatës së Apelit, parashtruesja e kërkesës parashtroi kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme duke pretenduar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Po ashtu kundër pikës IV të dispozitivit të Aktgjykimit [Ac. nr. 4010/20] të Gjykatës së Apelit kërkesë për revizion ka parashtruar edhe i padituri, duke kërkuar zvogëlimin e shumës monetare të akorduar për mbështetjen e fëmijëve të mitur ose anulimin vetëm në lidhje me pikën IV të dispozitivit.
Më 22 nëntor 2021, Gjykata Supreme nxori Aktgjykimin [Rev. nr. 462/2021], me të cilin i refuzoi si të pabazuara kërkesat për revizion të parashtrueses së kërkesës dhe të paditurit, të parashtruara kundër Aktgjykimit [Ac. nr. 4010/2020] të Gjykatës së Apelit.
Në arsyetimin e Aktgjykimit [Rev. nr. 462/2021], Gjykata Supreme ndër të tjera deklaroi:
“Gjykata Supreme vlerëson se gjykata e shkallës së parë me rastin e caktimit të alimentacionit ka marrë parasysh mundësitë materiale të paditësit dhe nevojat e fëmijëve të mitur në kuptim të nenit 330 të Ligjit për familjen i Kosovës lidhur me nenin 290, paragrafi 1 ku është e paraparë se: “Prindërit janë të detyruar të ofrojnë mbajtje financiare për fëmijët e tyre të mitur”. Ndërsa në nenin 290, par. 2 të këtij ligji është paraparë: “Nëse fëmija nuk e ka përfunduar shkollimin deri në moshën madhore, prindërit kanë detyrim të ofrojnë mbështetjen e nevojshme për të siguruar shkollimin, respektivisht edukimin në fakultet deri sa fëmija të arrin moshën 26 vjeç”, nga fakti se i padituri realizon pagë të mjaftueshme dhe se i padituri ka në pronësi edhe pasuri të paluajtshme, e cila hyn në masën pasurore të tij për të dhënë mbajtje financiare për vajza. Shuma e caktuar në emër të alimentacionit për fëmijët e mitur në lartësi prej 300 € është reale dhe atë sipas mundësive të paditëses dhe nevojave të miturit dhe nga fakti se edhe i padituri ka detyrim ushqimin e fëmijëve të mitur.
Gjykata Supreme ka vlerësuar si të pabazuara thëniet e paditëses në revizion se aktgjykimi i goditur është marrë me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182,2 (n) të LPK-së, ngase siç theksohet shuma e caktuar në emër të mbajtjes financiare për secilin fëmijë të mitur prej 300 € është e vogël duke marrë për bazë nevojat e fëmijëve të mitur dhe mundësitë materiale të paditurit, gjykata e shkallës së parë ka arsyetuar marrjen e vendimit në lidhje me shumën e mbajtjes financiare për fëmijët vetëm në bazë të të ardhurave të paditurit -kundër-paditësit pa marrë parasysh tërë mjetet dhe masën pasurore të paditurit të cilat disponon i padituri, nuk qëndrojnë nga fakti se si gjykata e shkallës së parë dhe ajo e shkallës së dytë me rastin e caktimit të shumës së mbajtjes për fëmijët e mitur, përveç pagës që realizon i padituri, kanë marrë parasysh tërë masën pasurore të paditurit, pa u kufizuar vetëm në të ardhura likuide që realizon nga paga i padituri.
Gjykatat e instancës më të ulët me rastin e vendosjes për mbajtjes financiare të fëmijëve të mitur kanë marrë parasysh moshën e fëmijëve të mitur, vijimin e tyre në shkollën private ILG, nevojën për edukim në këtë fazë të jetës, shpenzimet e veshmbathjes që kërkon kushte të favorshme për zhvillimin dhe arsimimin e tyre, kanë marrë parasysh kriteret e përcaktuara në nenin 330 të Ligjit mbi Familjes së Kosovës duke marrë për bazë mundësinë materiale të palës së paditur dhe nevojat e fëmijëve të mitur dhe detyrimin edhe të paditëses që të kontribuoj në mbajtjen e fëmijëve të mitur. Prandaj, pretendimet e revizionit të paditëses se gjykatat e instancës më të ulët nuk kanë marrë parasysh moshën e fëmijëve të mitur, nevojën për arsimimin e tyre, për edukimin e tyre si dhe veshmbathjen e tyre, nuk qëndrojnë.
Pretendimet e palës paditëse se i padituri është pronar i Ndërmarrjes “Minimax” nuk qëndrojnë nga fakti se gjykata e shkallës së parë me asnjë provë nuk ka arritur të vërtetojë faktet e pretenduara nga pala paditëse, se i padituri është pronar i ndërmarrjes “Minimax”, me seli ne Prishtinë. Nga të dhënat te ARBK, konstatohet se nuk evidentohet i padituri pronar i këtij subjekti juridik, apo se është pronar në ndonjë subjekt tjetër”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Gjykata rikujton se parashtruesja e kërkesës pretendon shkelje të të drejtave dhe lirive të garantuara me nenin 7 [Vlerat], paragrafët 1 dhe 2, nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], nenin 37 [E Drejta e Martesës dhe Familjes], nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, si dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Në kërkesën e parashtrueses, Gjykata konstaton se ajo nuk ka shpjeguar individualisht shkeljet e pretenduara të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së të cilave u referohet në kërkesë, por i arsyeton të gjitha së bashku me pretendimet e mëposhtme.
“GJTHP, si ajo e Apelit dhe Gjykata Supreme, kanë dështuar që në këtë rast ta zbatojnë ligjin sipas dispozitave ligjore në lidhje me mbajtjen financiare nga nenet 285, 299, 305 dhe 330 të LFK-së, si dhe detyrimin ligjor të gjykatës që sipas detyrës zyrtare të bëjë hetimet e nevojshme për caktimin e mbajtjes financiare […].
Gjykatat nuk i kanë përfillur dispozitat ligjore 285, 305 dhe 330 të LFK-së, por kanë zgjedhur që sipas vlerësimit të tyre personal arbitrar të caktojnë se shuma 600.00 euro duhet të jetë e mjaftueshme, duke theksuar se kjo shumë «sado pak do të ndihmojnë të miturat që të përmbushin nevojat elementare», duke shkelur dispozitat ligjore që kërkojnë që nevojat e tyre të përmbushen sipas standardit që kanë pasur, e jo vetëm «sado pak» dhe jo vetëm «nevojat elementare». Gjykata nuk e ka përfillur as nenin 299 të LFK-së, i cili ia njeh të drejtën paditëses për ushqimi për shkak të kujdesit ndaj fëmijëve, gjë që ia pamundëson të punojë, dispozitë që gjykata nuk e ka përfillur”.
Parashtruesja e kërkesës pretendon më tej se “Neni 299, shprehimisht e rregullon të drejtën e pakontestueshme për ushqimi për prindin që kujdeset për fëmijët e përbashkët Pra, vetë fakti i kujdesit ndaj fëmijës sipas nenit 299 ia bën të pamundur të punojë dhe për këtë arsye i takon ushqimia. Po ashtu, nëse bashkëshorti ka qenë duke vijuar shkollimin apo arsimim të mëtejmë, siç është rasti i doktoraturës, neni 305 e rregullon “Vëllimi i ushqimisë varet nga standardi jetësor në martesë. Mbajtja e gjendjes së jetesës kërkon gjithashtu shpenzime për sigurim të përshtatshëm shëndetësor dhe shpenzimet për arsimim të mëtejmë apo rikualifikim në përputhje me nenin 306, paragrafi (3)”.
Në këtë rast, parashtruesja pretendon se gjykatat nuk kanë bërë shqyrtimin e gjendjes faktike financiare nga njëra anë dhe përcaktimin e një shume adekuate sipas standardit jetësor të familjes, nga ana tjetër dy detyrat e vetme që kishte në këtë rast të caktimit të alimentacionit. E gjithë kjo ka ndodhur duke diskriminuar paditësen dhe favorizuar të paditurin.
Gjykatat nuk e kanë marrë fare parasysh faktin që paditësja ka dhënë prova për shpenzime të larta jetese, si faturat e energjisë elektrike mbi 300 euro në shtëpinë ku paditësja jeton me vajzat e saj, shtëpia luksoze e ndërtuar gjatë martesës, për të cilën paditësja ka kërkuar masa sigurie për shkak të tentativës së të paditurit për ta tjetërsuar, dhe se i padituri i kryen të gjitha këto veprime të fshehjes së të ardhurave dhe tjetërsimit të pronës duke ditur se gjendja financiare e paditëses është e paqëndrueshme dhe se ajo detyrohet të largohet nga shtëpia për shkak të pamundësisë për të paguar shpenzimet, gjykata nuk merr parasysh se shpenzimet e shkollës për vajzat shkojnë mbi 10.000.00 euro në vit.
Vendimet e gjykatave, krahas cenimit të së drejtës për një gjykim të drejtë, sipas ligjit, kanë detyruar paditësen, në pamundësi për të mbajtur veten dhe vajzat e saj, ta lë anash shkollimin e mëtejshëm (doktoratën) dhe të punësohet në mënyrë që ajo mund të mbijetojë.
Parashtruesja e kërkesës kërkon nga Gjykata: “Të deklarojë kërkesën të pranueshme; Të konstatojë se ka pasur shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës si dhe nenit 6 [E drejta për një proces të rregullt] të KEDNJ-së; Të shpallë të pavlefshëm Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Rev. nr. 462/2021, Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës Ac. nr. 4010/2020, dhe Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, C. nr. 3527/17, Të kthejë për rishqyrtim në pajtim me Aktgjykimin e kësaj Gjykate.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Dispozitat relevante kushtetuese dhe dispozitat e KEDNJ-së
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të medieve, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
6. Ndihma juridike falas do t’u mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi.
7. Procedurat gjyqësore që përfshijnë të miturit rregullohen me ligj, duke respektuar rregullat dhe procedurat e veçanta për të miturit”.
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTA TË NJERIUT
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt)
“1. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij [...]”.
Ligji nr. 2004/32 për Familjen i Kosovës
Neni 285
Shtrirja e mbajtjes
“(1) Shtrirja e mbajtjes duhet të jetë adekuate me kushtet nën të cilat ka jetuar personi që ka të drejtë në mbajtje. Në rast se personi ka jetuar në kushte të rënda, mbajtja duhet të sigurojë së paku minimumin që nevojitet për të mbajtur një jetë të rëndomtë dinjitoze.
(2) Mbajtja përfshin të gjitha kërkesat e domosdoshme për jetë, duke përfshirë të gjitha shpenzimet e domosdoshme për trajnim dhe shkollim për të fituar profesion”.
II. MBAJTJA FINANCIARE DHE USHQIMI (ALIMENTACIONI)
Mbajtja Financiare e Fëmijëve
[...]
Neni 290
Mbajtja financiare
“Prindërit janë të detyruar të ofrojnë mbajtje financiare për fëmijët e tyre të mitur.
(2) Nëse fëmija nuk e ka përfunduar shkollimin deri në moshën madhore, prindërit kanë detyrim të ofrojnë mbështetjen e nevojshme për të siguruar shkollimin, respektivisht edukimin në fakultet deri sa fëmija të arrin moshën 26 vjeç”.
Neni 297
Definicioni i ushqimisë
Ushqimia është mbajtje financiare e bashkëshortëve apo ish-bashkëshortëve.
Neni 298
E drejta e bashkëshortëve në ushqimi
Bashkëshorti i cili nuk ka mjete të mjaftueshme për mbajtje financiare, i cili nuk është i aftë të punojë ose që për arsye tjera nuk mund të punësohet, ka të drejtë në mbajtje financiare nga bashkëshorti tjetër në proporcion me mundësitë e tij financiare”.
Neni 299
Ushqimia për kujdesin e fëmijës
“Bashkëshorti i ndarë mund të kërkojë ushqiminë nga bashkëshorti tjetër përderisa ai do të kujdeset dhe e mban fëmijën e përbashkët dhe për këtë arsye i bëhet e pamundur të punoj”.
Neni 330
Parimet e përcaktimit të mbajtjes dhe alimentacionit
“(1) Detyrimi për të dhënë mbajtje financiare ose alimentacion përcaktohet në proporcion me të gjitha mjetet e të paditurit dhe brenda kufijve të nevojave të paditësit.
(2) Gjykata duhet të ketë parasysh gjendjen financiare të të paditurit, aftësinë për të punuar, mundësinë faktike për punësim, kushtet shëndetësore, nevojat personale, detyrimet ligjore dhe të gjitha kushtet tjera relevante.
(3) Kur alimentacioni kërkohet për fëmijën, gjykata merr parasysh moshën e fëmijës dhe të gjitha nevojat për edukim dhe arsimimin”.
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata fillimisht shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
(…)
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Në vazhdim, Gjykata gjithashtu shqyrton nëse parashtruesja e kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohet me Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet nenit 47 [Kërkesa individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngrejë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
"Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësojë saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestojë”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se parashtruesja e kërkesës është palë e autorizuar, e cila konteston aktin e autoritetit publik, përkatësisht Aktgjykimin [Rev. nr. 462/2021] të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 22 nëntorit 2021, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike. Parashtruesja e kërkesës gjithashtu ka theksuar të drejtat dhe liritë kushtetuese të cilat ajo pretendon se i janë shkelur, në pajtim me nenin 48 të Ligjit, si dhe e ka dorëzuar kërkesën në kohë, në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.
Përveç kësaj, Gjykata i referohet edhe rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. Rregulli 39 (2) i Rregullores së punës përcakton:
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
Gjykata së pari thekson se rregulli i lartcekur, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) dhe të Gjykatës, i mundëson kësaj të fundit, që të shpallë kërkesa të papranueshme për arsye që ndërlidhen me meritat e një rasti. Më saktësisht, bazuar në këtë rregull, Gjykata mund të shpallë një kërkesë të papranueshme bazuar në dhe pas vlerësimit të meritave të saj, përkatësisht nëse e njëjta vlerëson se përmbajta e kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GJEDNJ-së, Kemmachev kundër Francës, kërkesa nr. 17621/91, kategoria (i), Mentzen kundër Lituanisë, kërkesa nr. 71074/01, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, kërkesa nr. 4241/03, kategoria (iii)).
Me qëllim të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht vlerësimit nëse e njëjta është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit që ngërthen kjo kërkesë dhe pretendimet përkatëse të parashtrueses së kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Duke iu rikthyer rastit konkret, Gjykata rikujton se thelbi i kërkesës i referohet procedurës së zgjidhjes së martesës me shkurorëzim, të cilën parashtruesja e kërkesës ka zhvilluar me qëllim të zgjidhjes së bashkësisë martesore me bashkëshortin e saj B.K. Me aktgjykimet e gjykatave të rregullta, bashkësia martesore e parashtrueses së kërkesës dhe bashkëshortit të saj ka përfunduar dhe gjykatat kanë përcaktuar shtrirjen e të drejtave dhe detyrimeve që ata, si ish-bashkëshortë, kanë ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj fëmijëve të mitur.
Në kontekstin e mësipërm, Gjykata po ashtu rikujton se parashtruesja në kërkesën e parashtruar para Gjykatës nuk ngre pretendime në bazë të nenit 50 [Të Drejtat e Fëmijës] të Kushtetutës, as në bazë të nenit 8 (E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të KEDNJ-së.
Parashtruesja e kërkesës konsideron se të drejtat të cilat ajo i ka realizuar lidhur me pjesën financiare të kërkesëpadisë janë të pamjaftueshme dhe se gjykatat e rregullta kanë vërtetuar gabimisht gjendjen faktike në lidhje me gjendjen financiare të ish-bashkëshortit të saj, dhe për këtë arsye kanë zbatuar gabimisht të drejtën materiale, përkatësisht nenet 285, 297, 299, 305 dhe 330 të LFK-së, me çka asaj i cenohen të drejtat dhe liritë e garantuara me nenet 7, 31, 32, 37, 53 dhe 54 të Kushtetutës, si dhe nenin 6 të KEDNJ-së.
Megjithatë, pavarësisht faktit se parashtruesja në kërkesë ka pretenduar shkelje të disa neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së, ajo në kërkesë nuk i ka arsyetuar ato individualisht. Gjykata konstaton se thelbi i pretendimeve të saj i referohet shkeljes së nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, dhe atë ekskluzivisht në lidhje me pikën IV dhe pikën V të dispozitivit të Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, e më pas Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës Supreme, me të cilat përcaktohet me saktësi shtrirja e të drejtave të saj financiare, si dhe shuma e alimentacionit të dhënë për fëmijët e mitur.
Duke pasur parasysh këtë, Gjykata do të shqyrtojë pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, lidhur me pikat IV dhe V të dispozitivit të Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, si dhe aktgjykimet e Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës Supreme, përmes të cilëve vërtetohen pikat IV dhe V të Aktgjykimit të Gjykatës Themelore.
Pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, në kontekst të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimit e interpretimit të gabuar të së drejtës materiale gjatë përcaktimit të të drejtave nga pjesa financiare e kërkesëpadisë
Gjykata, duke e pasur parasysh se thelbi i procedurës gjyqësore të cilën e ka zhvilluar parashtruesja e kërkesës ka të bëjë me çështjen e zgjidhjes së martesës, si dhe të drejtat që dalin nga kjo zgjidhje e martesës, rikujton se praktika e GJEDNJ-së, përkitazi me çështjen e kujdesit ndaj fëmijëve, mbajtjes së tyre si komponentë të procedurës së shkurorëzimit, dhe dhënies së tyre në besim dhe në mbajtje njërit prind, apo në raste të jashtëzakonshme, ndonjë enti, e konsideron çështje të lirisë së gjerë të organeve kompetente në vlerësimin e të gjitha fakteve relevante në kuadër të legjislacionit pozitiv vendor. Gjithnjë është primare të vlerësohet cili është interesi konkret i fëmijëve. GJEDNJ ua njeh autoriteteve kompetente të drejtën e vlerësimit të lirë të asaj se çfarë është vendimi në interes të fëmijëve dhe nuk konsideron se është e domosdoshme t’i ndryshojë vendimet e gjykatave vendore duke i pasur parasysh rrethanat mbizotëruese shoqërore dhe kulturore. Gjykata është posaçërisht e vetëdijshme për faktin se vendimet për dhënien në besim dhe përkujdesje të fëmijëve njërës apo palës tjetër, janë për nga natyra jo vetëm shumë të ndjeshme por, me kalimin e kohës, çojnë deri tek krijimi i lidhjeve të reja shoqërore, të cilat nuk mund të ndërpriten as me kontaktet e ripërtërira me prindër. Për këtë arsye, gjykata në të tilla raste rolin e vet e sheh “në rend të parë në mbikëqyrjen e ligjshmërisë në procesin e vendimmarrjes dhe sjelljes së vendimeve cilësore për dhënien në besim të fëmijëve në kujdes dhe ruajtje të mëtejshme” (shih, inter alia, Aktgjykimin e GJEDNJ-së Olsson kundër Suedisë, numri i kërkesës 13441/81 i 27 nëntorit 1992, seria A, numër 250, paragrafi 90, dhe Aktgjykimin e GJEDNJ-së, Johansen kundër Norvegjisë i 7 gushtit 1996, 23 ECHR 33, paragrafi 64).
Gjykata, duke shqyrtuar thelbin e pretendimeve të parashtrueses së kërkesës, gjen se ajo i konsideron të paligjshme vendimet e gjykatave të rregullta lidhur me çështjen e të drejtave të cilat kanë dalë nga pjesa financiare e kërkesëpadisë së saj, me të cilat sipas pretendimeve të saj shkelen nenet përkatëse të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së. Më konkretisht, paligjshmërinë e vendimeve gjyqësore, parashtruesja e kërkesës e ndërton mbi bazën e vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike në lidhje me gjendjen financiare të të paditurit, si dhe në zbatimin arbitrar të së drejtës materiale, konkretisht neneve 285, 297, 299, 305 dhe 330 LFK-së, gjë që sipas pretendimeve të saj ka vënë në pikëpyetje drejtësinë e procedurës. Gjykata rikujton se sipas praktikës së GJEDNJ-së dhe të Gjykatës Kushtetuese, nuk është detyrë e tyre të rishqyrtojnë gjetjet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale (shih GJEDNJ, Pronina kundër Rusisë, vendim për pranueshmëri, i 30 qershorit 2005, kërkesa numër 65167/01). Në të vërtetë, Gjykata Kushtetuese nuk është kompetente që t’i zëvendësojë gjykatat e rregullta në vlerësimin e fakteve dhe provave, por, është detyrë e gjykatave të rregullta që t’i vlerësojnë faktet dhe provat të cilat i kanë administruar (shih Aktgjykimin e GJEDNJ-së, Thomas kundër Mbretërisë së Bashkuar, të 10 majit 2005, kërkesa nr. 19354/02). Detyrë e Gjykatës Kushtetuese është që të shqyrtojë nëse, eventualisht, ka ardhur deri te shkelja apo shpërfillja e të drejtave kushtetuese (e drejta për gjykim të drejtë, e drejta për qasje në gjykatë, e drejta për mjete efektive juridike, etj.), si dhe nëse zbatimi i ligjit ka qenë arbitrar apo diskriminues.
Gjykata rikujton se parashtruesja e kërkesës i ndërlidh shkeljet e pretenduara të Kushtetutës dhe KEDNJ-së jo vetëm me Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, por edhe me aktgjykimet e Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës Supreme, që pikërisht vendos detyrimin e kësaj Gjykate që pikat IV dhe V të dispozitivit të aktgjykimeve “t'i shqyrtojë në tërësinë e tyre”, në kontekst të shkeljeve të pretenduara të nenit 31 të Kushtetutës, gjë që është në pajtim edhe me praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, e cila thotë se është “detyrë e Gjykatës që të shqyrtojë procedurat në tërësi, që në rastin konkret përfshin të gjitha vendimet e gjykatave të rregullta në një procedurë të vetme” (shih, ndër të tjera, Aktgjykimin e GJEDNJ-së në rastin Helmers kundër Suedisë, e 29 tetorit 1991, kërkesa nr. 11826/85, Seria A nr. 212, fq. 15, paragrafi 31).
Duke marrë parasysh pretendimin e parashtrueses së kërkesës për vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimin e gabuar të së drejtës materiale në lidhje me pikat IV dhe V të dispozitivit të Aktgjykimit [C. nr. 3527/17] të Gjykatës Themelore, Gjykata rikujton se në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në pikat e përmendura të dispozitivit theksohet:
“IV. Obligohet i padituri-kundërpaditësi, B. K., që në emër të mbajtjes financiare për fëmijët e mitur [...] t’ia paguajë shumat prej 300 € (treqind euro) në muaj për secilën veç e veç, apo shumën e përgjithshme prej 600 € (gjashtëqind euro), në llogarinë bankare të paditëses (parashtrueses së kërkesës) më së largu deri me datën 5 të muajit vijues, deri sa të ekzistojnë kushtet ligjore.
V. Pjesa tjetër e kërkesëpadisë së paditëses mbi shumat e gjykuara nga pika IV e dispozitivit të këtij aktgjykimi dhe atë në emër të mbajtjes financiare për [fëmijën e parë] mbi shumën prej 300 euro deri në shumën e kërkuar prej 375 euro, dhe për [fëmijën e dytë] mbi shumën e gjykuar prej 300 euro deri në shumën e kërkuar prej 375 euro, si dhe kërkesa që ka të bëj me alimentacion për paditësen (parashtruesen e kërkesës), në shumën prej 750 euro dhe mbajtja financiare në shumën 18.000 euro për shpenzimet e studimeve të doktoratës refuzohen si e pabazuar”.
Gjykata, duke analizuar arsyetimin e dhënë nga Gjykata Themelore për konkluzionet e saj nga pika IV e Aktgjykimit, dhe në lidhje me vërtetimin e gjendjes faktike përkitazi me gjendjen financiare të të paditurit, që ka rezultuar në përfundimin e nxjerrë nga Gjykata Themelore në pikën IV që i padituri duhet të japë “mbështetje financiare në shumë prej 300 € (treqind euro) në muaj”, konstaton se Gjykata Themelore nxori një përfundim të tillë vetëm pas vërtetimit të gjendjes faktike nga, siç thuhet në Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, “provat materiale të bashkangjitura lidhur me gjendjen materiale të të paditurit B.K.”. Në mbështetje të kësaj, Gjykata posaçërisht dëshiron të theksojë faktin se nga Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Themelore mund të konstatohet që me rastin e vërtetimit të gjendjes faktike lidhur me gjendjen financiare të të paditurit, ajo ka trajtuar provat e administruara, analizën e raportit të Qendrës për Punë Sociale, si dhe pronën e luajtshme dhe të paluajtshme të të paditurit dhe se për secilën prej tyre ka dhënë arsyetim të detajuar. Gjykata gjen se pikërisht një qasje e tillë e Gjykatës ka rëndësi të madhe për vetë natyrën e procedurës si dhe ndjeshmërinë e saj, duke pasur parasysh moshën e palëve indirekte në procedurë.
Prandaj, Gjykata vëren se Gjykata Themelore është marrë me vërtetimin e gjendjes financiare dhe materiale të të paditurit, gjë e cila mund të vërehet edhe në bazë të faktit se gjatë shqyrtimit gjyqësor, Gjykata Themelore e ka vërtetuar se parashtruesi i kërkesës posedon edhe prona të paluajtshme të cilat hyjnë në hartën e tij pasurore, të cilën ai e ka shfrytëzuar gjatë përcaktimit të shumës së alimentacionit të ndarë. Një fakt i tillë mund të vërehet në pjesën e arsyetimit të Aktgjykimit [C. nr. 3527/17] të Gjykatës Themelore në të cilin ai thotë: “[…] gjatë shqyrtimit gjyqësor është konstatuar se i padituri posedon edhe paluajtshmëri që përbëjnë tërësinë e tij pasurore. Në përputhje me këtë, Gjykata konsideron se i padituri ka mundësi të mjaftueshme për të ofruar mbajtje financiare në mënyrë që t’i përmbushë një pjesë të rëndësishme të nevojave jetësore dhe shkollore të [...]”.
Pra, kjo në thelb do të thotë se, përpara se të përcaktojë lartësinë e shumës përfundimtare të të paditurit që ai duhet t'u paguajë në baza mujore fëmijëve të mitur, Gjykata Themelore ka hartuar një hartë të pronësisë që nuk përbëhej vetëm nga të ardhurat likuide që merrte nga të ardhurat e tij të rregullta mujore, por dhe nga prona e paluajtshme për të cilën gjykata gjatë paraqitjes së provave në shqyrtimin gjyqësor ka konstatuar se ekziston dhe se si e tillë është përfshirë në hartën pasurore në bazë të së cilës më vonë ka përcaktuar shumën e kompensimit mujor për fëmijët e mitur.
Gjykata vëren më tej se në lidhje me vlerësimin e shpenzimeve të shkollimit dhe edukimit të fëmijëve të mitur, duke përfshirë ushqimin, veshmbathjen dhe nevojat e jetës, Gjykata Themelore përfshiu edhe parashtruesen e kërkesës, duke konsideruar se ajo gjithashtu duhet të merr pjesë aktive në to, për shkak “që është e punësuar dhe ka të ardhura të rregullta personale”. Gjykata Themelore kishte arritur në këtë përfundim, duke marrë parasysh nenin 290 të LFK-së, i cili parasheh detyrimin e të dy prindërve për të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në mbajtjen e fëmijëve të tyre.
Në mbështetje të zbatimit të dispozitës së kontestuar të nenit 290 të LFK-së, e cila thotë: “Prindërit janë të detyruar të ofrojnë mbajtje financiare për fëmijët e tyre të mitur”, Gjykata Themelore theksoi se “Sipas këtij parimi ligjor ekziston detyrimi i përbashkët i prindërve që t'i mbajnë financiarisht (ofrojnë ushqiminë) fëmijët e mitur, pavarësisht asaj se cili nga prindërit ushtron të drejtën e besimit, rritjes dhe edukimit të fëmijës. Nga kjo rrjedh se edhe prindi i cili është kufizuar në të drejtën prindërore të besimit të fëmijës, nuk lirohet nga detyrimi që të ofrojë ushqiminë. Lidhur me këtë neni 293 i LF-së, parasheh se: “Prindit të cilit i është hequr kujdesi prindëror nuk lirohet nga detyrat për t’i mbajtur fëmijët e tij”.
Gjykata më tutje vëren se Gjykata Themelore, me rastin e përcaktimit të shumës, i është referuar dispozitave të nenit 330 të Ligjit për Familjen i Kosovës, sipas të cilit: “(1) Detyrimi për të dhënë mbajtje financiare ose alimentacion përcaktohet në proporcion me të gjitha mjetet e të paditurit dhe brenda kufijve të nevojave të paditësit; (2) Gjykata duhet të ketë parasysh gjendjen financiare të të paditurit, aftësinë për të punuar, mundësinë faktike për punësim, kushtet shëndetësore, nevojat personale, detyrimet ligjore dhe të gjitha kushtet tjera relevante; (3) Kur alimentacioni kërkohet për fëmijën, gjykata merr parasysh moshën e fëmijës dhe të gjitha nevojat për edukim dhe arsimimin”.
Rrjedhimisht, Gjykata gjen se në zbatimin e dispozitave ligjore të neneve 290 dhe 330 të LFK-së, të cilave u është referuar Gjykata Themelore me rastin e përcaktimit të shumës monetare si dhe detyrimit të të dy prindërve që në mënyrë të barabartë në mënyrë aktive të marrin pjesë në të, nuk gjen asgjë që do të tregonte se këto dispozita ligjore në ndonjë mënyrë janë interpretuar në mënyrë të gabuar apo arbitrare.
Më tej, për sa i përket pikës V të dispozitivit të Aktgjykimit, Gjykata vëren se parashtruesja e kërkesës konsideron se janë zbatuar gabimisht dispozitat ligjore të nenit 297 të LPK-së, kur Gjykata Themelore e refuzoi kërkesën e saj për ndarjen e 750 eurove të ndihmës financiare mujore, si dhe mbështetje financiare në vlerë prej 18.000 euro, në emër të shpenzimeve të studimeve të doktoraturës.
Në mbështetje të kësaj, Gjykata rikujton se neni 297 i lartpërmendur [Definicioni i ushqimisë] i LFK-së thotë;
“Ushqimia është mbajtje financiare e bashkëshortëve apo ish-bashkëshortëve”
Gjykata vëren se Gjykata Themelore, në arsyetimin e saj duke refuzuar kërkesën e saj financiare, arriti në përfundimin se neni 297 i lartpërmendur i LFK-së nuk mund të zbatohet në rastin e parashtrueses, sepse nuk janë plotësuar kushtet nga neni 298, paragrafi 1 i LFK-së.
Gjykata rikujton se neni 298 (E drejta e bashkëshortëve në ushqimi) në paragrafin 1, thekson:
“(1) Bashkëshorti i cili nuk ka mjete të mjaftueshme për mbajtje financiare, i cili nuk është i aftë të punojë ose që për arsye tjera nuk mund të punësohet, ka të drejtë në mbajtje financiare nga bashkëshorti tjetër në proporcion me mundësitë e tij financiare”.
Nga dispozitat e cituara ligjore del se të drejtat nga neni 297 i LFK-së, mund të zbatohen vetëm me kushtin e përmbushjes së dispozitave ligjore të parapara në nenin 298, paragrafi 1, respektivisht: a) nëse bashkëshorti nuk ka mjete për të mbajtur veten, b) nëse nuk është i aftë të punojë, c) ose që për arsye tjera nuk mund të punësohet.
Duke i sjellë në vëmendje kushtet e cekura të përcaktuara në nenin 298, paragrafi 1 të LFK-së, në lidhje me konkluzionet e Gjykatës Themelore, Gjykata vëren se në rastin e parashtrueses së kërkesës nuk ishte plotësuar kushti i parë, për arsye se gjykata kishte ardhur në konstatimin se ajo ka mjete për mbajtje, si dhe gjithashtu nuk plotësohej as kushti i dytë sepse ajo kishte të themeluar një marrëdhënie pune nga e cila realizonte të ardhura mujore. Mosplotësimi i dy kushteve të para sjellë automatikisht mosplotësimin e kushtit të tretë nga dispozita ligjore e lartpërmendur.
Bazuar në sa më sipër, Gjykata është gjithashtu e mendimit se Gjykata Themelore në pikën V të Aktgjykimit ka zbatuar drejt dispozitat ligjore të nenit 297 të LFK-së në lidhje me nenin 298, paragrafi 1 i LFK-së, dhe për këtë arsye pretendimet e parashtrueses së kërkesës për zbatimin e gabuar të këtyre dispozitave ligjore i konsideron si pretendime të pabazuara.
Duke shqyrtuar procedurën e mëtejshme në Gjykatën e Apelit në lidhje me kontestimin e pikave IV dhe V të Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, Gjykata konstaton se Gjykata e Apelit kishte analizuar pretendimet përkitazi me zbatueshmërinë e neneve të kontestuara 290 dhe 297 të LFK-së. Në këtë kuptim, për sa i përket zbatueshmërisë së nenit 290 të LFK-së, Gjykata e Apelit ishte e mendimit, “se është i drejtë qëndrimi ligjor i gjykatës së shkallës së parë në vlerësimin e pagesës së shpenzimeve për shkollimin dhe edukimin e vajzave, përfshirë ushqimin, veshmbathjen dhe nevojat e jetesës, aq më tepër që në vlerësim nuk ka përjashtuar të ardhurat e paditëses, pasi nga kontributet e të dyja palëve (sipas nenit 290 të LFK-së) mund të sigurohet arsimimi dhe cilësia e jetës së fëmijëve”.
Gjithashtu për sa i përket zbatueshmërisë së nenit 297 të LFK-së, qëndrimi i Gjykatës së Apelit ishte se neni 298 i LFK-së parashikon se bashkëshorti që nuk ka mjete të mjaftueshme për mbështetje materiale, është i paaftë për punë ose për arsye të tjera nuk mund të punësohet, ka të drejtë për mbajtje financiare nga bashkëshorti tjetër në raport me mundësitë e tij financiare. Mbi këtë bazë, rezulton se gjykata e shkallës së parë e ka refuzuar në mënyrë të arsyeshme kërkesëpadinë e paditëses në pikën V të dispozitivit të Aktgjykimit të kontestuar. Kjo pasi nga provat e paraqitura rezultonte se paditësja është në marrëdhënie të punës dhe realizon të ardhura të mjaftueshme për nevojat e saj. Prandaj, në këtë rast nuk plotësohen kërkesat ligjore nga neni 298 i LFK-së për miratimin e një kërkese të tillë.
Për më tepër, Gjykata nuk mund të mos vërejë se kërkesa e parashtrueses për revizion bazohej ekskluzivisht në dy fakte, përkatësisht: i) se shuma e caktuar në emër të mbajtjes financiare për secilin fëmijë të mitur prej 300 € është e vogël duke marrë për bazë nevojat e fëmijëve të mitur dhe mundësitë materiale të të paditurit, dhe, ii) se nuk realizon të ardhurat të rregullta dhe të ardhurat që i realizon ajo, nuk janë të mjaftueshme për mbulimin e nevojave të saj dhe fëmijëve, dhe se edhe ajo i plotëson kushtet për ushqimi.
Gjykata vlerëson se Gjykata Supreme i shqyrtoi pretendimet e parashtrueses së kërkesës, duke i konsideruar ato të pabazuara, për arsyet vijuese: i) sepse gjykatat me rastin e vendosjes për mbajtje financiare morën parasysh moshën e fëmijëve të mitur, shkuarjen e tyre në shkollën private ILG, nevojën për shkollimin në këtë fazë të jetës, shpenzimet për veshje që kërkojnë kushte të favorshme për zhvillimin dhe edukimin e tyre, ka marrë parasysh kriteret nga neni 330 i Ligjit për familjen të Kosovës, duke marrë parasysh mundësitë materiale të të paditurit dhe nevojat e fëmijëve, si dhe detyrimin e paditëses për të kontribuar në mbajtjen e fëmijëve të mitur dhe, ii) që ajo nuk i plotëson kërkesat e nenit 298, paragrafi 1, të LFK-së, për të fituar të drejtat nga neni 297 i LFK-së.
Megjithatë, Gjykata konstaton se Gjykata Supreme në Aktgjykimin e saj nuk u ndal vetëm në dhënien e përgjigjeve në lidhje me këto dy pretendime ankimore, por gjithashtu kishte prekur çështjet që lidhen me pretendimin e parashtrueses së kërkesës, se i padituri është “pronar i ndërmarrjes M”, dhe se mundësia e tij financiare është shumë më e mirë se sa ajo e vërtetuar” dhe se përgjigja e Gjykatës Supreme ishte se ato pretendime nuk qëndronin për arsye se në bazë “të të dhënave të ARBK-së, nuk mund të konkludohet se i padituri është pronar i subjektit juridik M, apo se është pronar i ndonjë subjekti tjetër”.
Përveç kësaj, Gjykata Supreme po ashtu kishte vlerësuar edhe çështjen e moszbatimit të nenit 299 të LFK-së, në kuadër të shpjegimit të ofruar të një pjese të Aktgjykimit, duke e lidhur nenin në fjalë me nenet tjera të zbatueshme të LFK-së, konkretisht në pjesën e shpjegimit ku thuhet:
“[…] se paditësja është e punësuar drejtoreshë e Organizatës Joqeveritare (INJECT). Prandaj, në bazë të neneve 286, 287, 290 dhe 299 të LFK-së ka vendosur që në emër të mbajtjes të caktojë shumën prej 300 eurosh në muaj për secilin fëmijë veç e veç […]”.
Gjykata rikujton se dispozita përkatëse e nenit 299 [Ushqimia për kujdesin e fëmijës] thotë: “Bashkëshorti i ndarë mund të kërkojë ushqiminë nga bashkëshorti tjetër përderisa ai do të kujdeset dhe e mban fëmijën e përbashkët dhe për këtë arsye i bëhet e pamundur të punoj”.
Prandaj, nga përmbajtja e dispozitës ligjore del se e njëjta në bazë të përmbajtjes parasheh të drejta të cilat i takojnë bashkëshortit të ndarë në emër të mbajtjes së fëmijëve, por po ashtu e njëjta e vendos edhe kushtin se si mund të realizohen ato të drejta. Në pajtim me konstatimin e Gjykatës Supreme, fakti që ajo ka marrëdhënie të themeluar të punës, është diçka që e bën të pazbatueshëm në rastin konkret.
Duke pasur parasysh të gjitha të lartcekurat, Gjykata konstaton se përkitazi me pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, në kontekst të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale në lidhje me pikat IV dhe V të aktgjykimeve të gjykatave të rregullta, Gjykata konsideron se ato duhet të deklarohen të papranueshme si qartazi të pabazuara, pasi këto pretendime cilësohen si pretendime që i takojnë kategorisë (iii) së pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara”. Prandaj, këto pretendime të parashtrueses së kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Pretendimet për shkelje të neneve 7, 32, 53 dhe 54 të Kushtetutës
Sa i përket pretendimeve për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet 7, 32, 53 dhe 54 të Kushtetutës, Gjykata rikujton se sipas praktikës së themeluar gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata e shpall kërkesën të papranueshme si qartazi të pabazuar në pajtim me kriterin (iii) e pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara” kur plotësohet një nga dy kushtet karakteristike, përkatësisht:
a) kur parashtruesi i kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse kjo është qartazi e dukshme në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit (shih: në këtë drejtim, rasti i GJEDNJ-së Trofimchuk kundër Ukrainës (vendimi) nr. 4241/03 i 31 majit 2005, shih, po ashtu, Baillard kundër Francës (vendimi) nr. 6032/04 i 25 shtatorit 2008);
b) kur parashtruesi i kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë provat materiale me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse vet Gjykata nuk vendos ndryshe (shih rastin KI166/20 , parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 42).
Në rastin konkret, parashtruesja e kërkesës vetëm i përmend shkeljet e neneve 7, 32, 53 dhe 54 të Kushtetutës, por ajo më tej në kërkesë nuk jep një arsyetim më të detajuar se si janë shkelur këto nene.
Përkitazi me këto pretendime, Gjykata vëren se parashtruesja e kërkesës vetëm i përmend nenet relevante, por nuk shtjellon më tutje se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e këtyre neneve relevante të Kushtetutës. Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi i neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së dhe përmendja e tyre nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, në këtë kontekst, rastet KI175/20, paragrafi 81, KI166/20, paragrafi 52, KI 04/21, paragrafët 38- 39).
Prandaj, Gjykata konstaton se përkitazi me pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkeljen e të drejtave të garantuara me nenet 7, 32, 53 dhe 54 të Kushtetutës, Gjykata konkludon se kërkesa duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar, pasi këto pretendime cilësohen si pretendime që i takojnë kategorisë (iii) së pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara” sepse parashtruesja e kërkesës thjesht citoi një ose më shumë dispozita të Konventës ose të Kushtetutës, pa shpjeguar se si ato janë shkelur. Prandaj, këto pretendime të parashtrueses së kërkesës janë qartazi te pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 48 të Ligjit, si dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 12 prill 2023, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka-Nimani
Luljeta Aliu
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile