Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Pml. nr. 284/2022] të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 28 korrikut 2022

Nr. të lëndës KI174/22

Parashtruesit: Rafet Ismajli

Shkarko:

KI174/22, Parashtrues Rafet Ismajli, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Pml. nr. 284/2022] të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 28 korrikut 2022

KI174/22, Aktvendim për Papranueshmëri, i 5 prillit 2023, publikuar më 24 prill 2023

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë e papranueshme, qartazi e pabazuar, pretendime të pambështetura apo të paarsyetuara

Rrethanat e rastit të parashtruesit të kërkesës ndërlidhen me atë se i njëjti përmes Aktgjykimit [PS. Nr. 14/2020] të 18 dhjetorit 2020 ishte shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424, paragrafi 1 të KPRK-së pasi që i njëjti në cilësinë  e gjyqtarit në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Dega në Skenderaj në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte pranuar përfitim pasuror nga një person i shpallur fajtor dhe i dënuar nga gjykatat me qëllim që të ushtrojë ndikim te Kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë për shtyrje të ekzekutimit të dënimit. Më 22 prill 2021, si rezultat i ankesës së parashtruesit të kërkesës, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [APS. Nr. 10/2021] kishte aprovuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim në Gjykatën Themelore. Më 11 shkurt 2022,  Gjykata Themelore në procedurë të rigjykimit parashtruesin e kërkesën sërish e shpalli fajtor duke e dënuar atë me 20 muaj burgim dhe duke i shqiptuar gjobë dhe ndalim të ushtrimit të profesionit në administratën publike dhe shërbimin civil. Për pasojë, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë me pretendimin se Aktgjykimet e kontestuara të Gjykatës Themelore dhe të Gjykatës së Apelit janë bazuar në prova të papranueshme. Më 28 korrik 2022, Gjykata Supreme e Kosovës, përmes Aktgjykimit [Pml. nr. 284/2022] refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë të parashtruar nga parashtruesi i kërkesës duke konstatuar se Aktgjykimi i Gjykatës Themelore, i 11 shkurtit 2022, nuk bazohet në prova të papranueshme. Në vijim, Gjykata Supreme përfundoi se elementet e veprës penale të ushtrimit të ndikimit nuk kërkojnë arritjen e rezultatit por që në realizmin e veprës penale mjafton edhe krijimi i përshtypjes tek i dëmtuari [F.Z] se vepra penale do të realizohet.

Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij vetëm ka specifikuar se  përmes Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme dhe atij të Apelit. atij i janë shkelur të drejta të garantuara me nenet 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë],  31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 33 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në Rastet Penale] të Kushtetutës dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. . Megjithatë, Gjykata vë në pah se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij nuk ka specifikuar se si këto të drejta të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNJ janë shkelur në rastin e tij dhe për më tepër i njëjti as nuk ofron asnjë arsyetim përkatës lidhur me shkeljen e tyre.

Gjykata vendosi që kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme, sepse pretendimet e tij përkitazi me shkeljet me nenet 29, 31, 32 dhe 33 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së bien në kategorinë e pretendimeve të pambështetura apo të paarsyetuara dhe rrjedhimisht janë qartazi të pabazuara në bazë kushtetuese ashtu siç është përcaktuar me rregullin 39 (2) të Rregullores së Punës; dhe (ii) përkitazi me nenet 24 dhe 49 të Kushtetutës bien në kategorinë e pretendimeve “të pambështetura apo paarsyetuara”, dhe rrjedhimisht, të papranueshme siç është përcaktuar përmes nenit 48 të Ligjit dhe rregullit 39 (1) (d) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Rafet Ismajli

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale