Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Pml.nr.141/2022] të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të 11 majit 2022

Nr. të lëndës KI 128/22

Parashtruesit: Shqiprim Xheladini

Shkarko:

KI 128/22, Parashtrues:  Shqiprim Xheladini, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Pml.nr.141/2022] të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të 11 majit 2022 

KI128/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 23 majit 2023, publikuar më 9 qershor 2023

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedurë penale, e drejta për gjykim të drejtë, qartazi e pabazuar 

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një çështje penale, ku parashtruesi i kërkesë nga organi i akuzës ishte akuzuar për kryerjen e veprës penale “vrasje në tentativë, në bashkëveprim dhe bashkëkryerje” të sanksionuar me nenin 172, lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Gjykata Themelore me Aktgjykimin e 24 shtatorit 2021, kishte rikualifikuar veprën penale dhe parashtruesi i kërkesës ishte gjetur fajtor për kryerjen e veprës penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm në bashkëveprim dhe bashkëkryerje” të sanksionuar me neni 356, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Ndaj aktgjykimit të lartcekur, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila me aktgjykimin e 11 marsit 2022, refuzoi ankesën e tij dhe konfirmoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Aktgjykimet e instancave më të ulëta ishin kontestuar nga parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Supreme, e cila me Aktgjykimin e 11 majit 2022, refuzoi si të pabazuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, duke konfirmuar kështu përfundimisht aktgjykimet e instancave më të ulëta me arsyetimin se i mbështetet vendimet e tyre, si për nga cilësimi i veprës penale po ashtu edhe për nga sanksioni penal i shqiptuar.

Parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese pretendoi se gjykatat e rregullta, me vendimet e tyre, shkelën të drejtat dhe liritë e tij, të garantuara me nenet: 24.1 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, si dhe nenet 6 [E drejta për një proces të rregullt] dhe 13 të KEDNj-së.

Gjykata në këtë rast shqyrtoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe, bazuar në shkresat e lëndës, vërejti se esenca e pretendimeve të ngritura në kërkesë kishte të bënte kryesisht me shkeljen e të drejtës së tij për “gjykim të drejtë”, e cila ndërlidhej me mungesën e arsyetimit të vendimeve gjyqësore të gjykatave të rregullta. Në shqyrtimin e pretendimit thelbësor dhe aplikimin e parimeve të përgjithshme të mirëpërcaktuara nga jurisprudenca e GJEDNj-së, Gjykata i zbatoi të njëjtat në rrethanat e rasti konkret dhe erdhi ne përfundimin se gjykatat e rregullta kishin nxjerrë vendimet e tyre në përputhje të plotë me standardet e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Kjo për faktin se vendimmarrja e tyre ishte e bazuar në prova të ndryshme, në dëshmi të dëshmitarëve, por edhe në prova të tjera materiale, siç i kishte listuar në mënyrë të detajuar Gjykata Themelore në aktgjykimin e saj, e të cilat si të tilla i kishte pranuar dhe konfirmuar Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme. Sa i përket pretendimeve tjera për shkelje të neneve 24.1 dhe 54 të Kushtetutës, Gjykata përsëriti se vetëm përmendja e neneve të Kushtetutës dhe e neneve të konventave që janë drejtpërdrejtë të zbatueshme në rendin juridik të Republikës së Kosovës ose ndërlidhja e tyre me një nen tjetër të Kushtetutës nuk nënkupton me automatizëm edhe shkelje të atyre neneve respektive, në qoftë se nuk argumentohet dhe shtjellohet më tej se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e tyre.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se (I) pretendimet e parashtruesit të kërkesës, për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6.1 të KEDNj-së, përkitazi me të drejtën për vendim të arsyetuar, i takojnë kategorisë së tretë (iii) të pretendimeve të “pambështetura apo të paarsyetuara” andaj për këtë arsye të njëjtat i shpalli qartazi të pabazuara në baza kushtetuese; (II) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet 24.1 dhe 54 të Kushtetutës, i përkasin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a) të pretendimeve të “pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj për këtë arsye të njëjtat po ashtu shpallen qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese. Rrjedhimisht, kërkesa e parashtruesit të kërkesës, në tërësinë e saj, u deklarua e papranueshme, në pajtueshmëri me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Shqiprim Xheladini

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale