KI137/19, Parashtrues: Arlind Morina, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit K. nr. 6-1022/18 të Gjykatës Themelore në Pejë, të 18 korrikut 2018
KI137/19, Aktvendim për papranueshmëri, i 2 shtatorit 2020, publikuar më 24 shtator 2020
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, kallëzim penal, kundërvajtje, mbrojta gjyqësore e të drejtave
Më 29 qershor 2018, në rrugën “Eliot Engel” në Pejë, personi A. N., derisa po ngiste automjetin e saj, kishte goditur parashtruesin e kërkesës në pjesën e majtë të trupit, duke i shkaktuar lëndime trupore. Lidhur me këtë, Stacioni Policorë i Trafikut në Pejë, kishte paraqitur në Gjykatën Themelore kërkesën DR03004-396-18, për fillimin e procedurës kundërvajtëse kundër personit A. N., duke kërkuar që e njëjta të shpallet përgjegjëse dhe të dënohet për aksident trafiku, sipas dispozitave ligjore nga neni 149 [Detyrimet e shoferëve ndaj këmbësorëve], paragrafi 1, i Ligjit nr. 05/l-088 për Rregullat e Trafikut Rrugor (në tekstin e mëtejmë: Ligji për Trafikun Rrugor). Gjykata Themelore, përmes Aktgjykimit K. nr. 06-1022/18, shpalli përgjegjëse për kundërvajtjen personin A. N., sipas nenit 149 [Detyrimet e shoferëve ndaj këmbësorëve], paragrafi 1, të Ligjit për Trafikun Rrugor dhe e dënoi me gjobë.
Parashtruesi i kërkesës konteston para Gjykatës Kushtetuese Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, të 18 korrikut 2018, që kishte dënuar personin A. N., me kundërvajtje si dhe faktin që Gjykata Themelore, Policia Regjionale dhe Prokuroria Themelore nuk kanë trajtuar veprimet e personit A. N., që i kishte shkaktuar parashtruesit të kërkesës lëndime trupore me veturën e saj, si vepër penale por si kundërvajtje. Andaj, parashtruesi pretendon se si pasojë atij i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 54 [Mbrojta Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.
Gjykata sa i përket pretendimeve të parashtruesit lidhur me Aktgjykimin K. nr. 6-1022/18, të Gjykatës Themelore, vërejti se Gjykata Themelore kishte shpallur përgjegjës personin A. N. për kundërvajtje dhe e kishte dënuar të njëjtën me gjobë dhe në këtë procedurë parashtruesi i kërkesës nuk kishte qenë palë pasi kërkesa nuk ishte iniciuar nga parashtruesi i kërkesës. Andaj, Gjykata konstatoi se kërkesa për vlerësimin e kushtetushmërisë së Aktgjykimit K. nr. 6-1022/18, të Gjykatës Themelore, nuk është paraqitur në mënyrë ligjore nga një palë e autorizuar siç përcaktohet me nenin 113, paragrafi 1 dhe 7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit, rregullin 39 (1) (a) të Rregullores së punës, dhe si e tillë është e papranueshme.
Ndërsa lidhur me pretendimin se Gjykata Themelore, Policia Regjionale dhe Prokuroria Themelore nuk kanë trajtuar veprimet e personit A. N., që i kishte shkaktuar parashtruesit të kërkesës lëndime trupore me veturën e saj, si vepër penale por si kundërvajtje, Gjykata vërejti se parashtruesi nuk ka paraqitur ndonjë dëshmi që ai ka ndërmarrë ndonjë veprim për të bërë kallëzim penal ndaj personit A. N., apo nëse lidhur me veprimet apo mosveprimet e Policisë Regjionale dhe Prokurorisë Themelore që ka të bëjë me akuzën e mundshme penale ndaj personit A. N. ka ndërmarrë ndonjë veprim ligjor. Andaj, Gjykata vlerësoi se kjo pjesë e kërkesës të shpallet e papranueshme, për shkak të mosshterimit të mjeteve juridike në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafin 2 të nenit 47 të Ligjit dhe specifikohet më tej përmes pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Arlind Morina
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa nuk është paraqitur nga një palë e autorizuar, Nuk janë shterur mjetet juridike
Civile, Tjetër