Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit E. Rev. nr. 31/2018 të Gjykatës Supreme të Kosovës të 28 janarit 2019

Nr. të lëndës KI 92/19

Parashtruesit: HUBO INTERNATIONAL N.V

Shkarko:

KI92/19, Parashtrues: HUBO INTERNATIONAL N.V., vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit E. Rev. nr. 31/2018 të Gjykatës Supreme të Kosovës të 28 janarit 2019

KI 92/19, aktvendim për papranueshmëri i 25 marsit 2021, publikuar më 6 maj 2021

Fjalët kyç: person juridik, kërkesë individuale, vlerësim i kushtetutshmërisë së vendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, qartazi e pabazuar

Në vitin 2007, parashtruesi i kërkesës lidhi kontratën për shitjen e mallrave me RIVA MARKET, në bazë të së cilës kontratë, parashtruesi i dorëzoi mallrat në RIVA MARKET, megjithatë RIVA MARKET nuk ia pagoi shumën e kontraktuar parashtruesit të kërkesës.

RIVA MARKET nënshkroi një marrëveshje garancie me kompaninë e sigurimeve „SIGAL“ nga Prishtina (në tekstin e mëtejmë: sigurimi SIGAL), në bazë të së cilës sigurimi SIGAL lëshoi ​​ garanci (nr. 10032007/532) për parashtruesin e kërkesës që garanton pagesë të shtyrë për më shumë se 90 ditë deri në një shumë maksimale prej 400,000 euro me një afat kohor që mbulon periudhën prej 2 gushtit 2007 deri më 2 gusht 2008.

Pasi që nuk i ishte paguar shuma kontraktuale e të hollave për mallrat e dorëzuara, parashtruesi i kërkesës u përpoq të dërgoj me faks kërkesë për të aktivizuar garancinë e sigurimit SIGAL, por për shkak të vështirësive të caktuara ai dështoi, prandaj të njëjtën ditë e dërgoi kërkesën për aktivizimin e garancisë përmes postës elektronike në email adresën e personit përgjegjës të sigurimit SIGAL.  Sigurimi SIGAL nuk e aktivizoi garancinë (nr. 10032007/532) duke pretenduar se kërkesa për aktivizimin e garancisë nuk ishte parashtruar në pajtim me detyrimet kontraktuale.

Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi, duke kërkuar që sigurimi SIGAL të marrë përsipër t’i paguajë parashtruesit të kërkesës shumën e paraparë me garanci në lidhje me shlyerjen e borxhit kontraktual të cilin RIVA MARKET i detyrohet parashtruesit të kërkesës.

Kjo ankesë u shqyrtua nga gjykatat e rregullta duke përfunduar me Gjykatën Supreme e cila konkludoi se parashtruesi i kërkesës nuk iu kishte përmbajtur  mënyrës së paraparë me garancinë e kontestuar për aktivizimin e së njëjtës.

Parashtruesi i kërkesës pretendoi që gjykatat e rregullta kishin shkelur të drejtat e tij kushtetuese të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit], neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.

Gjykata konstatoi se argumentet e ngritura në kërkesën e parashtruesit nuk justifikojnë në asnjë mënyrë shkeljet e pretenduara të të drejtave kushtetuese në të cilat thirret parashtruesi i kërkesës dhe ai nuk i ka arsyetuar  pretendimet për shkelje të të drejtave të mbrojtura me Kushtetutë dhe Konventë,  prandaj, Gjykata arriti në përfundimin se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenin 24 të Kushtetutës, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës cilësohen si pretendime që i takojnë kategorisë (iii) së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, dhe sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës cilësohen si pretendime që hyjnë në kategorinë (i) e pretendimeve që cilësohen si pretendime të “shkallës së katërt“. Prandaj, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

 

 

Parashtruesit:

HUBO INTERNATIONAL N.V

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative