KI09/20, Parashtruesi i kërkesës: “SUVA Rechtsabteilung”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [E.Rev.nr.28/2019] të 1 gushtit 2019 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës
KI09/20, Aktgjykim, vendosur më 28 prill 2021
Fjalët kyç: kërkesë individuale, person juridik, kompani e sigurimeve, e drejta në subrogim, lartësia e kamatëvonesës, vendim i arsyetuar gjyqësor, divergjenca në praktikën gjyqësore kërkesë e pranueshme, në përputhshmëri me nenin 31 të Kushtetutës
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një aksident që kishte ndodhur në vitin 2013, dhe i cili ishte shkaktuar nga i siguruari i Kompanisë “Siguria”, ndërsa i siguruari M.A., i parashtruesit të kërkesës kishte pësuar dëme materiale. Më 12 mars 2014, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesën për riimbursim nga Kompania “Siguria”, dhe marrë parasysh që nuk është arritur marrëveshja, i njëjti kishte ushtruar padi pranë Gjykatës Themelore më 17 qershor 2015, përmes t ëcilës kishte kërkuar kompensim të dëmit material në kuadër të së drejtës për subrogim. Gjykata Themelore, përmes Aktgjykimit [III.Ek.nr. 249/2015] të 12 tetorit 2017, aprovoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës si të bazuar dhe vendosi kamatëvonesën në lartësi prej 12% duke u bazuar në nenin 26 të Ligjit Nr. 04/L-018 për Sigurimin e Detyrueshëm në lidhje me nenin 382, paragrafi 2 të LMD-së. Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ae.nr.265/2017], të 5 shkurtit 2019 refuzoi si të pabazuar ankesën e Kompanisë “Siguria” dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Ndërsa, Gjykata Supreme, përmes Aktgjykimit [E.Rev.Nr.28/2019] të 1 gushtit 2019, pranoi si të bazuar revizionin e Kompanisë “Siguria” përkitazi me kamatëvonesën, dhe bazuar në paragrafin 2 të nenit 382 të LMD-së përcaktoi si detyrim për Kompaninë që të paguaj kamatëvonesën “në lartësi prej 8% në vit” nga data 12 mars 2014, deri në pagesën definitive të borxhit. Në kontekst të kësaj të fundit, Gjykata Supreme, ndër të tjera, arsyetoi se kamata e aprovuara nga gjykata e shkallës së parë dhe ajo e dytë në lartësi prej 12% “ligjërisht nuk aplikohet në kontestet për regresim borxhi, por vetëm për vonesa të trajtimit të kërkesave të personave të dëmtuar për shpërblimin e dëmit në procedurë jashtëgjyqësore ashtu siç parashihet në nenin 26 të Ligjit për Sigurimin e detyrueshëm”. Sipas Gjykatës Supreme kamatëvonesa në lartësi prej 12 % është paraparë për vetëm mostrajtimin dhe rënien në vonesë të trajtimit të kërkesave të personave të dëmtuar dhe në rast të mos dhënies së paradhënies personit të dëmtuar. Rrjedhimisht, Gjykata Supreme konkludoi se parashtruesi i kërkesës ka të drejtë vetëm në kamatën e thjeshtë në lartësi prej 8%, të përcaktuar me paragrafin 2 të nenit 382 të LMD-së.
Parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e lartcekurat të Gjykatës Supreme, duke specifikuar se: (i) neni 26, paragrafi 6 i Ligjit mbi Sigurimin e Detyrueshëm nuk përcakton se në cilat raste aplikohet kamatë e thjeshtë dhe në cilat raste kamatë e kualifikuar; (ii) paragrafi 6 i nenit 26 të Ligjit po ashtu nuk përcakton që lartësia e kamatëvonesës ndryshe përcaktohet përkitazi me kërkesën e kompensimit sipas të drejtës së subrogimit në raport me kërkesat ë “drejtpërdrejta” nga palët e dëmtuara”; (iii) se Gjykata Supreme ka aplikuar paragrafin 6 të nenit 26 të Ligjit në mënyrë selektive, gjegjësisht e ka aplikuar këtë dispozitë vetëm sa i përket momentit kur fillon të aplikohet kamatëvonesa për Sigurimin e Detyrueshëm (që sipas parashtruesit përbën lex specialis), ndërsa në lidhje me lartësinë e kamatëvonesës ka përjashtuar aplikimin e paragrafit 6 të nenit 26 të Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm duke aplikuar nenin 382, paragrafin 2 të LMD-së (i cili për parashtruesin përben lex generalis); dhe si përfundim (iv) Gjykata Supreme devijon nga praktika gjyqësore përkitazi me lartësinë e kamatëvonesës në çështje identike. Parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së si rezultat i (i) mosaryetimit të vendimit gjyqësor dhe (ii) cenim të parimit të sigurisë juridike në kontekst të mungesës së konsistencës., përkatësisht divergjencës së praktikës gjyqësore të Gjykatës Supreme.
Gjykata gjatë vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës konstatoi se parashtruesi i kërkesës plotëson kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara përmes paragrafi 1 të rregullit 39 të Rregullores së punës. E njëjta nuk mund të shpallet e papranueshme mbi bazën e kushteve të përcaktuara përmes paragrafëve 2 dhe 3 të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Gjykata, pas vlerësimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës në merita, duke aplikuar edhe standardet e praktikës gjyqësore të vet Gjykatës dhe asaj të GJEDNJ-së përkitazi me arsyetimin e vendimit gjyqësor dhe konsistencën e praktikës gjyqësore të Gjykatës Supreme konkludoi si në vijim:
Së pari, sa i përket pretendimit që ndërlidhet me mosarsyetim të vendimit gjyqësor, Gjykata ka konstatuar se Aktgjykimi [E.Rev.nr. 28/2019] i 1 gushtit 2019, i Gjykatës Supreme nuk është i përfshirë në shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së ka arsyetuar mjaftueshëm vendimin e saj.
Së dyti, sa i përket parimit të sigurisë juridike në kontekst të mungesës së konsistencës, përkatësisht divergjencës së praktikës gjyqësore të Gjykatës Supreme, Gjykata pasi shtjelloi parimet dhe kriteret themelore të GJEDNJ-së në këtë aspekt, aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret, dhe konstatoi se në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme nuk ka “dallime të thella dhe afatgjata” përkitazi me aplikimin e dispozitave ligjore që ndërlidhen me lartësinë e kamatëvonesës së aplikueshme në rastet të sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia, dhe rrjedhimisht konstato se nuk ishte cenuar parimi i sigurisë juridike, dhe se Aktgjykimi [E.Rev.nr. 28/2019] i 1 gushtit 2019 nuk ishte nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të parashtruesit të kërkesës të garantuara përmes nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Si përfundim, Gjykata, përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së konstatoi se Aktgjykimi i kontestuar [E. Rev. Nr. 28/2019] i 1 gushtit 2019, i Gjykatës Supreme është në përputhshmëri me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
“SUVA Rechtsabteilung”
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim