Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit E. Rev. nr. 17/2023] të 5 tetorit 2023 të Gjykatës Supreme

Nr. të lëndës KI293/23

Parashtruesit: Musa Shabani

Shkarko:

KI293/23, Parashtrues: Musa Shabani, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit E. Rev. nr. 17/2023] të 5 tetorit 2023 të Gjykatës Supreme

KI293/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 marsit 2024, publikuar më 30 korrik 2024

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta për mjete juridike, mbrojtja gjyqësore e të drejtave, kërkesë e papranueshme, kërkesë e dorëzuar pas afatit ligjor

Esenca e këtij rasti ndërlidhet me Urdhrin për shitje të Përmbaruesit Privat përmes të  cilit si blerës ishte caktuar “NLB Banka” Prishtinë SH.A., për pronën e parashtruesit të kërkesës, pasi që kishte dështuar që të përmbushë borxhin nga kontrata mbi kredinë. Kundër Urdhrit për shitje, parashtruesi i kërkesës dorëzoi ankesë në Gjykatën Komerciale-Dhoma e Shkallës së Dytë ankesë e cila u refuzua si pathemeltë nga kjo e fundit përmes aktvendimit. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu parashtroi propozim për inicimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, në Zyrën e Prokurorit të Shtetit, kundër Aktvendimit të lartpërmendur. Zyra e Prokurorit të Shtetit përmes Njoftimit e informoi parashtruesin e kërkesës se, sipas Ligjit për Gjykatën Komerciale, kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë nuk është e lejuar.  Më tej, parashtruesi i kërkesës paraqiti revizion në Gjykatën Supreme kundër Aktvendimit të Gjykatës Komerciale – Dhoma e Shkallës së Dytë, të cilin Gjykata Supreme përmes aktvendimit e hodhi poshtë si të palejuar me arsyetimin se revizioni nuk është i lejuar në procedurë përmbarimore.

Në procedurë para Gjykatës Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës pretendoi se vendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme shkel të drejtat e tij të garantuara me nenet  31, 32 dhe 54 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

Në këtë kontekst, Gjykata vlerësoi se parashtruesi i kërkesës kishte përdorur mjetin juridik, revizionin, i cili nuk ishte parashikuar me ligj dhe se asgjë nuk e kishte penguar atë për t’iu drejtuar Gjykatës. Në këtë drejtim, Gjykata konstatoi se “vendim i fundit”, sipas nenit 49 të Ligjit është Aktvendimi i Gjykatës Komerciale-Dhoma e Shkallës së Dytë, me të cilin ishte refuzuar si e pathemeltë ankesa e parashtruesit të kërkesës kundër Urdhrit për shitje dhe se nga koha në mes të pranimit të aktvendimit në fjalë dhe datës së dorëzimit të kërkesës së tij në Gjykatës, kishin kaluar më shumë se 4 (katër) muaj.

Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe pikën (c) të paragrafit 1 të rregullit 34 të Rregullores së punës, dhe se është e papranueshme për shqyrtim.

Në fund, Gjykata, në pajtim me paragrafin 1 të nenin 27 të Ligjit dhe rregullin 45 të Rregullores së punës, refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës për masë të përkohshme.

Parashtruesit:

Musa Shabani

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile