Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit E. Rev. nr. 17/2023] të 5 tetorit 2023 të Gjykatës Supreme

Nr. të lëndës KI293/23

Parashtruesit: Musa Shabani

Shkarko:

Prishtinë, më​​ 25​​ korrik 2024

Nr. Ref.:​​ RK 2479/24

 

 

 

AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI

 

 

rastin nr. KI293/23

 

Parashtrues

 

Musa Shabani

 

 

Vlerësim i kushtetutshmërisë së​​ Aktvendimit​​ E.​​ Rev. nr.​​ 17/23

të Gjykatës Supreme, të​​ 5 tetorit​​ 2023

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

e përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban, gjyqtar​​ 

Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare​​ 

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar

Enver Peci, gjyqtar dhe

Jeton Bytyqi, gjyqtar

 

 

Parashtruesi i kërkesës

 

  • Kërkesa është dorëzuar nga​​ Musa Shabani, me vendbanim në Komunën e Mitrovicës​​ (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i​​ përfaqësuar nga​​ Safet Voca, avokat në​​ Komunën e Mitrovicës.​​ ​​ 

 

Vendimi i kontestuar

 

  • Parashtruesi i kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e​​ Aktvendimit​​ [E.​​ Rev. nr.​​ 17/2023] të​​ 5 tetorit​​ 2023 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në ndërlidhje me​​ Aktvendimin​​ [K.​​ DH.​​ SH.​​ II. nr.​​ 269/22] e​​ 7​​ marsit​​ 2023​​ të Gjykatës​​ Komerciale të Kosovës​​ - Dhoma e Shkallës së Dytë​​ (në tekstin e mëtejmë: Gjykata​​ Komerciale-Dhoma e Shkallës së Dytë).​​ 

 

Objekti i çështjes

 

  • Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së​​ aktvendimit​​ të kontestuar të Gjykatës Supreme, përmes të cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë​​ shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm],​​ 32​​ [E Drejta për Mjete Juridike] dhe​​ 54​​ [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt)​​ të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ). ​​ 

 

  • Përveç kësaj, parashtruesi i kërkesës​​ para Gjykatës​​ kërkon​​ edhe vendosjen e masës së përkohshme​​ për të ndaluar​​ procedurën përmbarimore të​​ lejuar sipas Urdhrit​​ përmbarimor​​ [P. Nr. 773/2023]​​ të 23 nëntorit 2023, me arsyetimin se​​ atij do t’i shkaktohet​​ dëm i pariparueshëm​​ për faktin se​​ nuk ka pronë tjetër për banim,​​ se​​ është​​ i moshuar dhe ka gjendje jo të​​ mirë​​ shëndetësore.​​ 

 

Baza juridike

 

  • Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës), 27 (Masa e​​ ​​ përkohshme)​​ dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe të rregullit 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve)​​ dhe 44 (Kërkesa për masë të përkohshme)​​ të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).​​ 

 

Procedura në Gjykatën Kushtetuese

 

  • Më​​ 29 dhjetor​​ 2023,​​ Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) pranoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës të cilën e kishte dorëzuar në postë më​​ 22 dhjetor 2023.

 

  • ​​ 16 janar 2024, Kryetarja e​​ Gjykatës, përmes Vendimit [nr.​​ GJR.​​ KI293/23]​​ caktoi gjyqtaren​​ Selvete Gërxhaliu-Krasniqi​​ gjyqtare​​ raportuese​​ ndërkaq përmes Vendimit​​ [Nr. KSH.KI293/23] caktoi​​ Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët:​​ Gresa Caka-Nimani​​ (kryesuese),​​ Bajram Ljatifi​​ dhe​​ Safet Hoxha​​ (anëtarë).

 

  • ​​ 24​​ janar 2024, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës dhe Gjykatën Supreme për regjistrimin e kërkesës.​​ 

 

  • Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me​​ ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.

 

  • ​​ 26 qershor​​ 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.

 

Përmbledhja e fakteve

 

  • Nga shkresat e lëndës rezulton se​​ më 20 mars 2023, Gjykata Themelore në Mitrovicë​​ (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore)​​ përmes Aktvendimit [E. nr. 36/2011] kishte lejuar përmbarimin sipas Aktgjykimit [C. nr. 147/2006] të Gjykatës Komunale në Mitrovicë, me të cilin parashtruesi i kërkesës ishte detyruar që në emër të përmbushjes së borxhit nga kontrata mbi kredinë t’i paguante​​ paditëses Banka e Re e Kosovës, shumën prej 180.973,80 euro, me kamatën në lartësi mujore prej 1.3%.​​ Ndërkaq, më 18 prill 2013,​​ Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [E. nr. 36/2011],​​ refuzoi si të pabazuar kundërshtimin e parashtruesit të kërkesës​​ ​​ paraqitur kundër​​ aktvendimit të lartcekur të Gjykatës Themelore.​​ Më 14 maj 2014, Gjykata e Apelit nëpërmjet Aktvendimit [CA. nr. 1369/2013] refuzoi si të pabazuar ankesën​​ e parashtruesit të kërkesës​​ dhe vërtetoi Aktvendimin​​ [E. nr. 36/2011]​​ e​​ 18 prillit 2013.​​ 

 

  • Më tej, nga shkresat e rastit rezulton se,​​ më 13 janar 2016, Zyra e Përmbaruesit Privat​​ A.M.,​​ kishte pranuar lëndën​​ [E. nr. 36/2011] nga Gjykata Themelore,​​ sipas kërkesës së kreditorit,​​ “NLB Banka”​​ SH.A., për transferimin e lëndës tek përmbaruesi.​​ Gjatë procedurës tek përmbaruesi privat ishin mbajtur dy ankande publike, ku në ankandin e dytë borxhi që debitori kishte ndaj kreditorit​​ ishte precizuar në shumën prej 165.000 euro dhe kreditori kishte ofertuar shumën prej 54.300,00 euro për blerjen e pronës së debitorit. ​​ 

 

  • Më​​ 30 korrik 2021,​​ përmes Urdhrit [P.​​ nr. 09/16], Përmbaruesi Privat​​ (i)​​ caktoi blerës​​ NLB Banka​​ Prishtinë​​ SH.A., që kishte ofertuar​​ 54.300,00 euro, sipas Aktvendimit për regjistrimin e Hipotekës të Gjykatës Komunale në Mitrovicë, nr. 198/2003, ​​ të 19 nëntorit 2003,​​ si gjykatë​​ e intabulacionit,​​ për ngastrat kadastrale P-71208072-03002-9 dhe P-71208072-03003-7; (ii) urdhëroi parashtruesin e kërkesës që paluajtshmërinë t’ia dorëzojë kreditorit brenda shtatë (7) ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së Urdhrit; (iii) urdhëroi Drejtorinë për Gjeodezi, Pronë dhe Kadastër që paluajtshmërinë ta regjistrojë​​ ​​ emër të kreditorit; si dhe (iv)​​ konstatoi se pas blerjes së patundshmërisë, shumën e mbetur nga borxhi prej 165.000 euro, kreditori mund ta realizonte me mjete të tjera përmbarimore nga pasuria e debitorit. ​​ 

 

  • Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës​​ dorëzoi ankesë​​ në Gjykatën​​ Komerciale-Dhoma e Shkallës së Dytë,​​ kundër Urdhrit për shitje [P. nr. 09/16] të​​ Përmbaruesit Privat, për shkak të​​ shkeljes së​​ dispozitave të​​ procedurës përmbarimore, vërtetimit të​​ gabuar dhe jo të​​ plotë​​ të​​ gjendjes faktike, zbatimit të​​ gabuar të​​ së​​ drejtës materiale dhe​​ shkeljes së​​ nenit 31 të​​ Kushtetutës në​​ lidhje me paragrafin 1 të​​ nenit 6 të​​ KEDNJ-së.​​ 

 

  • Më​​ 7 mars 2023,​​ Gjykata Komerciale-Dhoma e Shkallës së Dytë, përmes​​ Aktvendimit​​ [K. DH. SH. II. nr. 269/22],​​ refuzoi si të pathemeltë ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Urdhrin për shitje të nxjerrë nga Përmbaruesi Privat.​​ Gjykata Komerciale-Dhoma e Shkallës së Dytë​​ vlerësoi​​ se Urdhri për shitje ishte i rregullt dhe i ligjshëm, nuk ishte i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës përmbarimore​​ dhe kontestimore dhe ​​ se drejtë ishte vërtetuar gjendja faktike dhe zbatuar e drejta materiale.​​ 

 

  • Më 17 mars 2023, parashtruesi i kërkesës​​ parashtroi​​ propozim për inicimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, në Zyrën e Prokurorit të Shtetit,​​ kundër​​ Aktvendimit​​ ​​ lartpërmendur.

 

  • Më​​ 22 mars​​ 2023, Zyra e Prokurorit të Shtetit përmes Njoftimit [KMLC. nr.​​ 32/2023] e njoftoi parashtruesin e kërkesës se mbështetur në paragrafin​​ 3​​ të nenit 14 të Ligjit​​ Nr. 08/L-015​​ për Gjykatën Komerciale​​ (GZ.​​ numër 7,​​ 10 shkurt 2022)​​ (në tekstin e mëtejmë: Ligji për Gjykatën Komerciale),​​ kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë​​ nuk​​ është​​ e lejuar.​​ ​​ 

 

  • Më​​ 28 mars 2023, parashtruesi i kërkesës parashtroi revizion në Gjykatën Supreme kundër​​ Aktvendimit​​ [K. DH. SH. II. nr. 269/22] të​​ 7 marsit 2023​​ të Gjykatës​​ Komerciale​​ -​​ Dhoma e Shkallës së Dytë,​​ përmes së cilit ishte vërtetuar​​ Urdhri​​ për shitje​​ i​​ 30 korrikut 2021 i​​ nxjerrë nga Përmbaruesi Privat,​​ ku blerës ishte caktuar​​ NLB Banka​​ Prishtinë​​ SH.A. Përmes revizionit, parashtruesi i kërkesës​​ pretendoi​​ shkelje esenciale të dispozitave të procedurës​​ përmbarimore,​​ zbatim të gabuar të së drejtës materiale​​ dhe shkelje të nenit 31 të Kushtetutës.

 

  • Më 9 qershor 2023,​​ NLB Banka​​ Prishtinë​​ SH.A.​​ dorëzoi përgjigje​​ ndaj​​ revizionit të parashtruesit të kërkesës,​​ përmes së cilës kërkoi që Gjykata Supreme të hedhë poshtë revizionin,​​ pasi që nuk është i lejuar sipas​​ Ligjit Nr. 04/L-139 për Procedurën Përmbarimore​​ (GZ.​​ numër 3,​​ 31 janar 2013)​​ (në tekstin e mëtejmë: Ligji për Procedurën Përmbarimore).​​ 

 

  • Më​​ 5​​ tetor​​ 2023, Gjykata Supreme përmes​​ Aktvendimit​​ [E.​​ Rev.​​ nr.​​ 17/2023]​​ hodhi poshtë si të palejuar​​ revizionin e parashtruesit të kërkesës​​ me arsyetimin se revizioni nuk është i lejuar në procedurë përmbarimore sipas paragrafit 1 të nenit 68 të Ligjit​​ për Procedurën Përmbarimore.​​ 

 

  • Nga shkresat e rastit rezulton se më 23 nëntor 2023, përmes Urdhrit Përmbarimor [P. nr. 773/2023], Përmbaruesi Privat B.T., lejoi përmbarimin e propozuar​​ nga kreditori​​ për lirimin e ngastrave kadastrale nga njerëzit dhe sendet​​ dhe se,​​ kundër​​ tij, parashtruesi i kërkesës ka paraqitur prapësim pranë​​ Gjykatës Komerciale.​​ ​​ 

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës

 

  • Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se vendimi i kontestuar është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të përcaktuara me​​ nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54​​ [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]​​ ​​ Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt të KEDNJ- së. ​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendon se​​ Gjykata Komerciale-Dhoma e Shkallës së Dytë​​ ka dështuar që drejtë të vlerësojë faktin se​​ dispozitivi i​​ Urdhrit​​ Përmbarimor [P.nr. 09/2016]​​ është në kundërshtim me arsyetimin e tij, se nuk janë dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me faktet vendimtare dhe se nuk janë vlerësuar provat veç e veç dhe së bashku.​​ Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës thekson se Përmbaruesi Privat ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Procedurën Përmbarimore pasi që ka skaduar afati kohor brenda së cilës mund të kërkohet përmbarimi.​​ Për më tepër, parashtruesi i kërkesës shton se Aktvendimi për Regjistrimin e Hipotekës nr. 198/2003 i Gjykatës Komunale në Mitrovicë​​ nuk kishte cilësinë e dokumentit përmbarimor.​​ 

 

  • Tutje, parashtruesi i kërkesës thekson se​​ përmes Aktvendimit të Gjykatës Komerciale​​ -Dhoma e Shkallës së Dytë, nuk ishte vlerësuar drejtë fakti se në procedurën para gjykatës si dhe para Përmbaruesit Privat, kreditori nuk ishte përfaqësuar nga persona të autorizuar sipas ligjit.​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës pretendon se i është shkelur e drejta e tij e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës,​​ pasi që atij dhe bashkëshortes së tij, bashkëpronare në paluajtshmëri, nuk u ishte mundësuar që çështja e​​ tyre të dëgjohej drejtë, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm kohor​​ si dhe nuk u ishte mundësuar mbrojtja e barabartë e të drejtave në procedurë përmbarimore.

 

  • Parashtruesi i kërkesës po ashtu shton se aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme​​ është joligjor pasi që sipas tij është nxjerrë në kundërshtim me paragrafin 2 të​​ nenit 14 të​​ Ligjit për Gjykatën Komerciale​​ dhe se Gjykata Supreme gabimisht ka zbatuar paragrafin 1 të nenit 68 të Ligjit për Procedurën Përmbarimore.​​ 

 

  • Në fund, parashtruesi i kërkesës​​ nga Gjykata kërkon që: (i)​​ të​​ deklarojë kërkesën të pranueshme; (ii)​​ të konstatojë se​​ ka shkelje të nenit 31, 32 dhe 54 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 dhe 13 të KEDNJ-së; (iii) të shpallë të pavlefshëm Aktvendimin [E. Rev nr. 17/2023] ​​ e 5 tetorit 2023 të​​ Gjykatës Supreme;​​ (iv) të​​ caktojë masën e përkohshme me të cilën e ndalon përmbarimin e Urdhrit Përmbarimor​​ [P. nr. 773/2023]​​ të 23 nëntorit 2023, deri në marrjen e mendimit nga Gjykata Supreme në rishqyrtim;​​ dhe (v) të​​ kthejë​​ në rishqyrtim Aktvendimin [E. Rev nr. 17/2023] e Gjykatës Supreme dhe ta obligojë atë që të nxjerrë ​​ vendim të drejtë dhe të ligjshëm.  ​​​​ 

 

Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës

 

  • Gjykata​​ së pari​​ shqyrton​​ nëse​​ janë​​ përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me​​ Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me​​ Ligj dhe Rregullore të punës.

 

  • Në këtë​​ drejtim, Gjykata​​ i referohet paragrafëve 1 dhe 7​​ të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:

 

“1.​​ Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

 

​​ […]

 

7.​​ Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

  • Në vazhdim, Gjykata​​ gjithashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, siç përcaktohen me Ligj.​​ Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet nenit 47 (Kërkesa individuale), nenit 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:​​ 

 

Neni 47

(Kërkesa individuale)

 

“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.

 

2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

Neni 48

(Saktësimi i kërkesës)

 

Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht​​ se​​ cilat​​ të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.

 

​​ Neni 49​​ 

​​ (Afatet)

 

“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.

 

  • Gjykata më tej i referohet edhe rregullit 29 (Llogaritja e periudhës kohore) dhe rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës:

 

Rregulli 29

(Llogaritja e periudhës kohore)

 

 ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Periudha kohore, e përcaktuar në Kushtetutë, në Ligj dhe në këtë Rregullore, llogaritet si më poshtë:​​ 

[...]

 

(d) Kur periudha shprehet me muaj, ajo përfundon me kalimin e ditës së njëjtë kalendarike të muajit me ditën gjatë të cilës ka ndodhur ngjarja ose veprimi për të cilin duhet të llogaritet periudha kohore.

 

[...]

 

(g) përjashtimisht, nëse periudha përfundon të shtunën, të dielën ose në ndonjë festë zyrtare, ajo do të vazhdojë deri në fund të ditës së parë të punës që vjen pas saj.

 

Rregulli 34​​ 

(Kriteret e pranueshmërisë)

 

“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:​​ 

 

[...]

​​ 

(c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit​​ ;dhe

 

  • Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një​​ autoriteti​​ publik, përkatësisht​​ Aktvendimin​​ [E. Rev.​​ nr. 17/2023]​​ e​​ 5 tetorit​​ 2023 të Gjykatës Supreme,​​ pasi ka shteruar mjetet juridike të parapara me ligj.

 

  • Në vlerësimin nëse janë përmbushur kriteret e nenit 49 të Ligjit në lidhje me rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së​​ punës, Gjykata duhet të shqyrtojë nëse kriteri për afatin katër (4) mujor, i përcaktuar me Ligj është respektuar në​​ raport me “vendimin përfundimtar, të nxjerrë​​ si rezultat i “mjetit juridik​​ efektiv”, siç kërkohet me kriteret e pranueshmërisë të​​ përcaktuara​​ në​​ Rregullore të​​ punës.​​ 

 

  • Gjykata po ashtu rikujton se parashtruesi duhet t'i shterojë të gjitha mjetet juridike të cilat pritet të jenë efektive dhe të mjaftueshme. Vetëm mjetet efektive mund të merren parasysh nga Gjykata, pasi parashtruesi nuk mund të zgjasë afatet kohore të parapara me Ligj dhe Rregullore të punës, duke u përpjekur të ushtrojë mjete juridike që nuk janë të lejuara ose duke u ankuar në institucionet të cilat nuk kanë kompetencë që të ofrojnë mbrojtje të të drejtave për të cilat ankohet parashtruesi i kërkesës (shih, rastet e Gjykatës​​ KI06/23, parashtrues​​ Hizri Haxhiu, Aktvendim për​​ papranueshmëri i 17 janarit 2024, paragrafi 20;​​ KI112/19, parashtrues​​ Ilir Kabashi,​​ Aktvendim për​​ papranueshmëri i 7 nëntorit 2019, paragrafi 38; si dhe rastin e GJEDNJ-se,​​ Fernie​​ kundër​​ Mbretërisë së​​ Bashkuar, nr. 14881/04, Vendim i 5​​ janarit 2006).

 

  • Gjykata vëren se më​​ 17 mars 2023,​​ parashtruesi i kërkesës parashtroi propozim për inicimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, në Zyrën e Prokurorit të Shtetit, kundër Aktvendimit​​ [K. DH. SH. II. nr. 269/22] të Gjykatës Komerciale, kërkesë e cila u refuzua si e palejuar përmes Njoftimit[KMLC. nr. 32/2023].​​ Megjithatë,​​ parashtruesi​​ i kërkesës nuk​​ e konteston​​ Njoftimin e lartcekur​​ të​​ Zyrës së​​ Prokurorit të​​ Shtetit​​ para Gjykatës.

 

  • Në këtë drejtim, Gjykata duhet të​​ vlerësojë​​ nëse​​ vendimi që​​ kontestohet,​​ përkatësisht​​ Aktvendimi​​ [E. Rev nr. 17/2023] i 5 tetorit 2023​​ i​​ Gjykatës​​ Supreme,​​ është​​ nxjerrë​​ si rezultat i mjetit juridik efektiv, respektivisht,​​ nëse​​ revizioni i​​ ushtruar nga parashtruesi i​​ kërkesës​​ kundër​​ Aktvendimit​​ [K. DH. SH. II. nr. 269/22] të 7 marsit 2023​​ ​​ Gjykatës​​ Komerciale-​​ Dhoma e Shkallës së Dytë​​ ishte mjet​​ juridik efektiv,​​ i​​ përcaktuar​​ me ligj.​​ 

 

  • Gjykata​​ rikujton​​ se Gjykata Supreme​​ me Aktvendimin​​ [E. Rev nr. 17/2023]​​ e​​ 5 tetorit 2023, hodhi​​ poshtë si të​​ palejuar​​ revizionin e​​ parashtruesit të​​ kërkesës​​ ​​ paraqitur kundër Aktvendimit​​ të​​ Gjykatës Komerciale-Dhoma e Shkallës së Dytë​​ duke arsyetuar:​​ Me nenin 68,​​ paragrafi 1​​ të Ligjit Nr.04/L-139 për Procedurën Përmbarimore përcaktohet se:​​ nuk është i lejuar revizioni dhe përsëritja e procedurës në procedurë përmbarimore” dhe duke marrë parasysh faktin se revizioni është ushtruar kundër Aktvendimit të Gjykatës Komerciale, Dhoma e Shkallës së Dytë në Prishtinë,​​ K. DH. SH. II. nr. 269/22, të datës 07.03.2023, i cili vendim është marrë në procedurën e përmbarimit, revizioni​​ është i palejuar, për çka revizioni i debitorit është dashur të hedhet poshtë”.

 

  • Në lidhje me këtë, Gjykata i referohet paragrafit 1 të nenit 68 të Ligjit nr. 04/L-139 për Procedurën Përmbarimore, i cili përcakton:​​ 

 

1.“Nuk është i lejuar revizioni dhe përsëritja e procedurës në procedurën përmbarimore”.

[...]

 

  • Gjykata​​ vëren​​ që​​ në​​ rastin e​​ parashtruesit të kërkesës, pas pranimit të​​ Aktvendimit​​ të Gjykatës Komerciale-Dhoma e Shkallës së Dytë,​​ asgjë​​ nuk e ka penguar parashtruesin e​​ kërkesës​​ për​​ t'iu drejtuar​​ Gjykatës​​ Kushtetuese.​​ Megjithatë, ai​​ përdori​​ mjete juridike,​​ përkatësisht revizionin, i​​ cili nuk ishte parashikuar me ligj.​​ 

 

  • Rrjedhimisht, si “vendim i fundit”, sipas nenit 49​​ të Ligjit është​​ Aktvendimi​​ [K. DH. SH. II. nr. 269/22] i Gjykatës Komerciale-Dhoma e Shkallës së Dytë, me të cilin ishte refuzuar si e​​ pathemeltë ankesa e parashtruesit të kërkesës kundër Urdhrit për shitje [P. nr. 09/16] të Përmbaruesit Privat (shih, rastin e Gjykatës​​ KI240/19, parashtrues​​ Enver Latifi, Aktvendim për​​ papranueshmëri,​​ i ​​ 26 marsit 2021, paragrafi 49).​​ 

 

  • Gjykata rikujton se​​ Aktvendimi​​ [K. DH. SH. II. nr. 269/22] i​​ Gjykatës​​ Komerciale​​ ishte nxjerrë​​ më​​ 7 mars 2023. Edhe pse parashtruesi nuk ka cekur​​ datën​​ e pranimit të​​ këtij​​ vendimi, nga faktet e rastit,​​ është​​ e qartë​​ se koha në​​ mes të​​ pranimit të​​ aktvendimit të​​ lartcekur​​ dhe​​ datës​​ së​​ dorëzimit​​ të​​ kërkesës​​ së​​ tij, më​​ 22 dhjetor​​ 2023,​​ në​​ Gjykatë, ka kaluar periudhën kohore prej 4 (katër) muajsh (shih,​​ rastin e​​ Gjykatës​​ KI112/19,​​ parashtrues​​ Ilir Kabashi, cituar më​​ lart, paragrafi 44).​​ 

 

  • Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se kërkesa e parashtruesit në lidhje me​​ Aktvendimin​​ [K. DH. SH. II. nr. 269/22]​​ e Gjykatës​​ Komerciale-Dhoma e Shkallës së Dytë​​ është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh.

 

  • Më tej,​​ Gjykata rikujton se rregulli i afatit katër-mujor është autonom dhe duhet kuptuar dhe aplikuar bazuar në faktet e secilit rast veç e veç për të siguruar ushtrimin efektiv të së​​ drejtës për të paraqitur kërkesën para Gjykatës.​​ Gjykata thekson se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, të përcaktuar në nenin 49 të Ligjit dhe​​ pikën (c) të paragrafit 1 të rregullit 34​​ të Rregullores së punës,​​ i shërben sigurisë juridike dhe siguron që çështjet që ngrenë çështje kushtetuese​​ të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme si dhe parandalon autoritetet dhe personat e tjerë të afektuar që të mos mbahen në një gjendje pasigurie për një periudhë të gjatë (shih, rastin e GJEDNJ-së​​ Lekic kundër Sllovenisë, nr. 36480/07, Aktgjykim i 11 dhjetorit 2018, paragrafi 65). Ky rregull gjithashtu i jep kohë parashtruesit potencial nëse do të paraqes një kërkesë në Gjykatë, dhe, nëse po, të vendosë për argumentet specifike që do i paraqes si dhe rrjedhën e fakteve, pasi që me kalimin e kohës bëhet i vështirë shqyrtimi i çështjeve të ngritura nga parashtruesi i kërkesës (shih, rastin e GEDNJ-së,​​ Sabri Güneş kundër Turqisë,​​ nr. 27396/06, Aktgjykim i 29 qershorit 2012, paragrafi 52 dhe 55).

 

  • Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe​​ pikën (c) të paragrafit 1 të rregullit 34​​ të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes Aktgjykimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.

 

Lidhur me kërkesën​​ për​​ masë​​ të përkohshme

 

  • Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës kërkon​​ vendosjen e masës së​​ përkohshme nga Gjykata​​ me arsyetimin​​ se​​ si rezultat i përmbarimit​​ atij do​​ t’i shkaktohet​​ dëm i pariparueshëm​​ për faktin se nuk ka pronë tjetër për banim, se​​ është​​ i moshuar dhe ka gjendje jo të​​ mirë​​ shëndetësore.​​ 

 

  • Gjykata më sipër ka​​ konstatuar​​ se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme. Prandaj, në pajtim me paragrafin 1 të nenit 27 (Masat e përkohshme) të Ligjit dhe me rregullin 45​​ (Vendimmarrja lidhur me kërkesën​​ për masë të përkohshme)​​ të Rregullores së punës, kërkesa për masë të përkohshme, është pa objekt shqyrtimi dhe, si e tillë, refuzohet.​​ 

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin​​ 113.7 të Kushtetutës, të neneve​​ 27 dhe​​ 49 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 34 (1) (c)​​ dhe​​ 45​​ të Rregullores së punës, më​​ 26 qershor 2024, njëzëri

 

VENDOS

 

  • TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;

  • T'UA KUMTOJË​​ këtë​​ aktvendim palëve;

  • TË REFUZOJË, ​​ kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme;

  • TË PUBLIKOJË​​ këtë​​ aktvendim në Gazetën Zyrtare, në​​ pajtim me​​ paragrafin 4 të​​ nenit 20​​ të Ligjit;

  • TË​​ KONSTATOJË​​ që​​ ky aktvendim hyn në​​ fuqi në​​ ditën e shpalljes në​​ Gazetën Zyrtare të​​ Republikës së​​ Kosovës, në​​ pajtim me paragrafin 5 të​​ nenit 20 të​​ Ligjit.

 

 

Gjyqtarja​​ raportuese ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese

 

 

 

 

Selvete Gërxhaliu-KrasniqiGresa Caka-Nimani​​ 

 

1

Parashtruesit:

Musa Shabani

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile