Prishtinë, më 1 dhjetor 2022
Nr. Ref.:RK 2085/22
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI01/22
Parashtrues
Nehat Bublica
Vlerësim i kushtetutshmërisë
së Aktgjykimit Ac. nr. 3609/21 të 18 nëntorit 2021 të Gjykatës së Apelit
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Nehat Bublica, me vendbanim në Obiliq (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Ac. nr. 3609/2021] të 18 nëntorit 2021 të Gjykatës së Apelit, në ndërlidhje me Aktgjykimin [C. nr. 3709/2020] e 8 shkurtit 2020 të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të lartcekur, me të cilin parashtruesi i kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Jurdike] dhe 37 [E Drejta e Martesës dhe Familjes] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara], nenin 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesat individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 5 janar 2022, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 17 janar 2022, Kryetarja e Gjykatës caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Radomir Laban dhe Remzije Istrefi-Peci (anëtarë).
Më 18 janar 2022, Gjykata për regjistrimin e kërkesës njoftoi parashtruesin e kërkesës dhe një kopje të kërkesës ia dërgoi Gjykatës së Apelit.
Më 16 nëntor 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës parashtron për herë të dytë kërkesë në Gjykatë. Më parë i njëjti kishte parashtruar kërkesën KI149/21, nëpërmjet së cilës kontestonte: 1) procedurën penale të iniciuar kundër tij; dhe 2) procedurën disiplinore të iniciuar nga ai personalisht, kundër ushtruesit të detyrës së prokurorit në rastin e tij. Kërkesa në fjalë ishte shpallur e papranueshme nga Gjykata, më 10 nëntor 2021, për arsye të mosshterimit të mjeteve jurdike. Nëpërmjet kërkesës së tanishme KI01/22, parashtruesi i kërkesës konteston procedurën për zgjidhjen e martesës të zhvilluar në gjykatat e rregullta.
Në një datë të paspecifikuar, M.H-B. (ish-bashkëshortja) e parashtruesit të kërkesës, në bazë të Ligjit për Familjen e Kosovës, kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nëpërmjet së cilës kishte kërkuar zgjidhjen e martesës me shkurorëzim me parashtruesin e kërkesës.
Më 8 shkurt 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë, me Aktgjykimin C. nr. 3609/2021, (I) aprovoi padinë e M.H-B., (II) zgjidhi me shkurorëzim martesën e lidhur më 8 shtator 2016, bazuar në dispozitat e Ligjit për Familjen e Kosovës, përkatësisht nenin 69 të Ligjit.
Parashtruesi i kërkesës ndaj Aktgjykimit të lartcekur kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, për shkak të (i) vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe (ii) aplikimit të gabuar të së drejtës materiale.
Më 18 nëntor 2021, Gjykata e Apelit me Aktgjykimin [Ac. nr. 3609/21], refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe konfirmoi Aktgjykimin [C. nr. 3709/2020] e 8 shkurtit 2020 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me arsyetimin vijues: “Në të vërtetë me provat e administruara dhe duke u bazuar në faktet jokontestuese gjykata e shkallës së parë bindshëm dhe në mënyrë të sigurtë ka vërtetuar se marrëdhëniet martesore janë çrregulluar seriozisht dhe në mënyrë të vazhdueshme si dhe për shkaqe të tjera për shkak të së cilave bashkësia martesore faktikisht është ndërprerë e cila nuk është rivendosur më vonë dhe kështu me të drejtë gjykata e shkallës së parë ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore të përcaktuara me nenin 69, par. 1 dhe 2 të Ligjit për familje i Kosovës me të cilën dispozitë saktësisht janë përcaktuar shkaqet për shkurorëzim për shkak të së cilave bashkëshorti mund të kërkojë zgjidhjen e martesës. Prandaj, në situatën konkrete të gjitha pretendimet ankimore të paditurës, Gjykata e Apelit i konsideron të pabazuara dhe të paqëndrueshme ngase nuk kanë bazë në prova konkrete”.
Më 17 dhjetor 2021, parashtruesi i kërkesës ka parashtruar kërkesë në Gjykatën e Apelit për rishikimin e Aktgjykimit të 18 nëntorit 2021.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se vendimet e gjykatave të rregullta shkelin të drejtat e tij të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Jurdike] dhe 37 [E Drejta e Martesës dhe Familjes] të Kushtetutës, sepse: (i) në cilësinë e të paditurit nuk ishte njoftuar nga Gjykata Themelore në lidhje me ushtrimin e padisë për zgjidhjen e martesës me shkurorëzim nga ish-bashkëshortja, deri në mbajtjen e seancës dëgjimore, më 8 shkurt 2020, dhe (ii) se ishte maltretuar nga policia e Kosovës, për shkak të kallëzimit penal të ushtruar ndaj tij, më 24 gusht 2020, për të cilin pretendim thekson se kishte parashtruar kërkesën KI149/21 në Gjykatën Kushtetuese.
Përveç kësaj, parashtruesi i kërkesës thekson se pas marrjes së vendimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit për shkeljet e bëra nga gjykata e shkallës së parë, duke shtuar më tej se edhe vendimi i Gjykatës së Apelit ka shumë paqartësi, për faktin se nuk është zbatuar barazia para ligjit, se në vendimin e kësaj gjykate shkruan se në rastin e tij ka vendosur Gjykata Themelore e Gjilanit-dega në Kamenicë, që sipas tij e njëjta nuk është marrë fare me faktet që ai i ka paraqitur, por vetëm e ka kopjuar një vendim të një gjykate tjetër.
Dispozitat relevante
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
“1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj”.
[...]
Neni 32
[E Drejta për Mjete Juridike]
“Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj”.
Neni 37
[E Drejta e Martesës dhe Familjes]
“1. Në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin.
2. Martesa dhe zgjidhja e saj rregullohen me ligj dhe bazohen në barazinë e bashkëshortëve.
3. Familja gëzon mbrojtje të veçantë të shtetit, në mënyrën e rregulluar me ligj”.
LIGJI PËR FAMILJEN I KOSOVËS, Nr. 204/32
Neni 68
[Shkurorëzimi]
(1) Martesa mund të zgjidhet me shkurorëzim vetëm në bazë të vendimit të gjykatës (2) Njëri apo të dy bashkëshortët me marrëveshje të dyanshme mund të kërkojnë shkurorëzim duke parashtruar padi në gjykatën kompetente.
(3) E drejta për ngritjen e padisë për shkurorëzim nuk mund të kalohet te trashëgimtarët, por trashëgimtarët e paditësit mund të vazhdojnë procedurën e filluar për të verifikuar bazën e padisë.
(4) Nëse njëri nga bashkëshortët paraqet padi për shkurorëzim, kurse bashkëshorti tjetër më së voni deri në përfundimin e seancës kryesore gjyqësore, deklaron shprehimisht se nuk e kundërshton bazueshmërinë e kërkesëpadisë, do të konsiderohet se bashkëshortët kanë paraqitur propozimin për shkurorëzim me marrëveshje.
Neni 69
[Shkaqet për shkurorëzim]
(1) Bashkëshorti mund të kërkojë shkurorëzim kur marrëdhëniet martesore janë çrregulluar seriozisht ose në mënyrë të vazhdueshme, ose kur për shkaqe të tjera është zgjidhur në mënyrë të pakthyeshme.
(2) Shkaqet e shkurorëzimit janë mes tjerash: jeta e padurueshme e bashkëshortëve, shkelja e besnikërisë bashkëshortore, veprat penale kundër jetës së bashkëshortit, keqtrajtimi serioz, lënia qëllimkeqe dhe e paarsyeshme, sëmundja psikike e pashërueshme dhe paaftësia e vazhduar për të vepruar, ndërprerja e paarsyeshme e jetës faktike për më shumë se një vit dhe shkurorëzimi me marrëveshje të dyanshme.
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[…]
Gjykata gjithashtu më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor [...]”.
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të autoritetit publik, përkatësisht Aktgjykimin [Ac. nr. 3609/2021] të 18 nëntorit 2021 të Gjykatës së Apelit, pasi që i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj në lidhje me çështjen e tij. Parashtruesi i kërkesës po ashtu ka sqaruar të drejtat dhe liritë themelore që pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe e ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatet e përcaktuara në nenin 49 të Ligjit.
Megjithatë, përveç kësaj, Gjykata shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 39 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht nënrregullin (2) të këtij rregulli të Rregullores së punës, që përcakton:
Rregulli 39
[Kriteret e pranueshmërisë]
(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij.
Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit qartazi duket shkelja e Kushtetutës dhe KEDNj-së (shih, rastin e GjEDNj-së Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendimi i 31 majit 2005; shih gjithashtu Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendimi i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t’ia paraqes Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vet nuk vendos ndryshe (shih, rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43), dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GjEDNj-së, Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykimi i 24 nëntorit 1994, kategoria (i), Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, vendimi i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Aplikimi nr. 4241/03, kategoria (iii).
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se me vendimet e gjykatave të rregullta janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Jurdike] dhe 37 [E Drejta e Martesës dhe Familjes] të Kushtetutës.
Nga shkresat e lëndës, Gjykata vëren se thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës bie në fushëveprimin e nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 të KEDNj-së, sepse ngrenë çështje të (i) barazisë së palëve në procedurë para gjykatës dhe (ii) përkitazi me të drejtën për një vendim gjyqësor të arsyetuar. Në këtë kontekst, Gjykata do t’i shqyrtojë këto pretendime në pajtueshmëri me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GjEDNj), në harmoni me të cilën, bazuar në nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, gjykatat e rregullta dhe Gjykata Kushtetuese janë të detyruara të interpretojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
i. Përkitazi me “barazinë e palëve në procedurë para gjykatës”
Për aq sa është relevante për rrethanat e rastit konkret, Gjykata thekson se parimi i barazisë së palëve (armëve) dhe i kontradiktoritetit procedural është një tipar i qenësishëm i një gjykimi të drejtë. Në parim, ai kërkon që secilës palë në procedurë t'i jepet një mundësi e arsyeshme për të paraqitur rastin e tij në kushte të cilat nuk e vendosin atë në disavantazhë kundrejt kundërshtarit të tij (shih, ndër të tjera, rastet e GjEDNj-së, Öcalan kundër Turqisë, nr. 46221/99, Aktgjykim i 12 majit 2005, paragrafi 140; Foucher kundër Francës, nr. 22209/93, Aktgjykim i 18 marsit 1997, paragrafi 34; Bulut kundër Austrisë, nr. 17358/90, Aktgjykimi i 22 shkurtit 1996; dhe Faig Mammadov kundër Azerbajxhanit, nr. 60802/09, Aktgjykimi i 26 janarit 2017, paragrafi 19). Ky parim është gjithashtu i lidhur ngushtë me të drejtën për një seancë në të cilën mund të kundërshtohen provat e që do të thotë, në parim, mundësinë e palëve që të kenë njohuri dhe të komentojnë mbi të gjitha provat e paraqitura e që mund të ndikojnë në vendimin e gjykatës (shih, ndër të tjera, rastin e GjEDNj-së Brandstetter kundër Austrisë, nr. 13468/87, Aktgjykim i 28 gushtit 1991, paragrafi 67).
Ndërsa, parimi i kontradiktoritetit procedural nënkupton që palët në procedurë duhet të kenë dijeni dhe mundësi të komentojnë dhe kundërshtojnë pretendimet dhe provat që paraqiten gjatë shqyrtimit gjyqësor (shih, ndër të tjera, rastet e GjEDNj-së, Brandstetter kundër Austrisë, cituar më lart, paragrafi 67; Vermeulen kundër Belgjikës, nr. 19075/91, Aktgjykimi i 20 shkurtit 1996). Duke u referuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, Gjykata thekson se parimi i barazisë së armëve dhe parimi i kontradiktoritetit procedural janë të lidhur ngushtë dhe në shumë raste GjEDNj i ka trajtuar së bashku (shih, ndër të tjera, rastet e GjEDNj-së, Jasper kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 27052/95, Aktgjykimi i vitit 2000; Zahirović kundër Kroacisë, nr. 58590/, Aktgjykimi i 25 korrikut 2013, shih për më shumë parimet e përgjithshme të barazisë së palëve, të shtjelluara në rastin KI98/21, me parashtrues: Nexhat Sadiku dhe Gursel Sadiku, Aktvendimi i 3 marsit 2022, paragrafët 46-51, dhe rastet e cituara aty).
Qëllimi kryesor i respektimit të këtyre parimeve është zhvillimi i një ballafaqimi real dhe përmbajtësor ndërmjet palëve ndërgjyqëse, i cili ndikon në pasqyrimin real të rrethanave faktike dhe dhënien e drejtësisë objektive nga gjykatat. GjEDNj ka theksuar disa herë se kërkesat e mësipërme duhet të respektohen jo vetëm në shkallën e parë, por edhe në shkallët e tjera të gjykimit (shih, ndër të tjera, GjEDNj, rastin Alimena kundër Italisë, nr. 11910/85, Aktgjykimi i 19 shkurtit 1991).
Aplikimi i parimeve përkitazi me barazinë e palëve në rrethanat e rastit konkret
Sa i përket aplikimit të parimeve të përgjithshme, përkitazi me barazinë e palëve në një procedurë gjyqësore, Gjykata i referohet pretendimeve të parashtruesit të kërkesës i cili shkeljen e kësaj të drejte e ka ngritur në substancë, duke theksuar se, “ai si i paditur nuk ishte njoftuar nga gjykata e shkallës së parë për inicimin e padisë, për zgjidhjen e martesës me shkurorëzim nga M.H.B., dhe se për këtë kishte kuptuar kur ishte ftuar në seancë dëgjimore”.
Në këtë kontekst, Gjykata i referohet pjesëve relevante të Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, e cila theksoi: “Paditësja në padi dhe në seancën e shqyrtimit kryesor, ka theksuar se me të paditurin kanë lidhur kurorë në vitin 2016 dhe kanë jetuar afër katër vite në bashkësi familjare me prindërit e të paditurit në Obiliq. Që nga fillimi i lidhjes tonë e pastaj edhe martesës kemi pasur probleme të kohëpaskohshme, mirëpo me shpresë se në të ardhmen do të përmirësohen, mirëpo gjendja ka shkuar vetëm duke u përkeqësuar, kështu që përfundimisht me datën 13.07.2020 e kanë shkëputur bashkësinë martesore, ashtu që kam shkuar te prindërit e mi dhe më nuk jam kthyer. Nga kjo bashkësi martesore nuk kemi fëmijë dhe as që pritet se do të kemi. Ka propozuar gjykatës që ta aprovoj padinë dhe kërkesëpadinë e paditësit”. [...] I padituri në seancën e shqyrtimit kryesor ka deklaruar se qëndron fakti se jemi martuar sipas zakoneve me datën 16.09.2016 dhe kurorë kemi lidhur me datën 08.09.2016. Jemi njoftuar me paditësen përmes një familjareje dhe jemi bashkuar. Fillimisht lidhja jonë ishte e mirë ashtu edhe martesa, mirëpo më vonë raportet tona u çrregulluan, ashtu që përfundimisht paditësja është larguar gjatë muajit korrik të vitit 2020 edhe pse përmes familjarëve kemi pasur biseda që të na pajtojnë dhe të bëhemi bashkë prapë, por kjo nuk ndodhi meqenëse kam qenë i kërcënuar nga familjarët e saj. Sa i përket padisë së paditëses për zgjidhjen e martesës, ka propozuar gjykatës që të vendos sipas Ligjit”.
Gjykata, sa më sipër vëren se paditësja dhe parashtruesi i kërkesës janë pajtuar që kontesti mes tyre për zgjidhjen e martesës të zgjidhet sipas ligjit nga vetë gjykata e shkallës së parë, për çfarë e njëjta pasi i kishte dëgjuar veç e veç paditësen dhe të paditurin, konstatoi: “Mbi bazën e të lartcekurave, vlerësimi i gjykatës për bazueshmërinë e kërkesëpadisë për shkurorëzim, bazohet në nenin 69 të Ligjit për Familjen të Kosovës, pasi që bashkësia martesore në mes të palëve ndërgjyqëse nuk është e mundur, duke u bazuar në faktin se bashkëshortët nuk kanë pas përshtatje të karaktereve dhe se lidhja e tyre përkundër se e kanë materializuar në letër nuk ka funksionuar dhe nuk ka gjasa të rivendosjes së bashkëjetesës së tyre, fakti se palët ndërgjyqëse nuk kanë jetuar për më shumë se tetë muaj bashkërisht nuk është kontestuar nga palët ndërgjyqëse, e duke u nisur nga fakti se pala e paditur nuk i ka kontestuar shkaqet për zgjidhjen e martesës për të cilat pretendon paditësja dhe ia ka lënë gjykatës që të vendos, gjykata vlerësoi se janë plotësuar kushtet ligjore për zgjidhjen e martesës me shkurorëzim”.
Gjykata gjithashtu e konsideron të rëndësishme të ritheksojë qëndrimin e përgjithshëm se “drejtësia” e kërkuar nga neni 31 i Kushtetutës në lidhje me nenin 6.1 të KEDNj-së nuk është drejtësi substanciale, por drejtësi procedurale. Në rrafshin praktik, koncepti i drejtësisë procedurale nënkupton: (i) mundësinë e procedurave kontradiktore; (ii) mundësinë e palëve që në faza të ndryshme të procedurës të paraqesin argumente dhe dëshmi që i konsiderojnë të rëndësishme për rastin e tyre; (iii) mundësinë e kontestimit efikas të argumenteve dhe dëshmive të paraqitura nga pala kundërshtare; dhe (iv) të drejtën që argumentet e tyre të dëgjohen dhe shqyrtohen nga gjykatat e rregullta në mënyrë të duhur (shih, ndër të tjera, rastin e GjEDNj-së Barbera, Messeque dhe Jabardo kundër Spanjës, nr.10590/83, Aktgjykim i 6 dhjetorit 1988, paragrafi 68; dhe rastin e Gjykatës KI22/19, me parashtrues: Sabit Ilazi, Aktvendimi i 7 qershorit 2019, paragrafi 42 dhe rastet e cituara aty, po ashtu rastin KI98/21, cituar më sipër paragrafin 59).
Thënë këtë, Gjykata vëren se palët ndërgjyqëse janë dëgjuar në mënyrë të rregullt nga gjykata e shkallës së parë dhe se ata kanë pasur mundësi që t’i kundërshtojnë provat e disfavorshme, si dhe t’i paraqesin provat dhe argumentet e favorshme për zgjidhjen e çështjes së tyre. Për më tepër, Gjykata vëren se në seancën e shqyrtimit kryesor, parashtruesi i kërkesës dhe paditësja janë pajtuar që kontesti për zgjidhjen e martesës mes tyre të zgjidhet, pa ujdi gjyqësore, në bazë të ligjit nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila pasi kishte vlerësuar shkaqet e kërkesëpadisë, ka arritur në përfundimin se janë plotësuar kushtet për zgjidhjen e martesës me shkurorëzim, sipas Ligjit për Familjen e Kosovës.
Andaj, nga këto arsye, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me shkeljen e të drejtës për gjykim të drejtë të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6.1 të KEDNj-së, përkitazi me barazinë e palëve (armëve) i përkasin kategorisë së tretë (iii) të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, sepse kërkesa në këtë pjesë është qartazi e pabazuar, në baza kushtetuese.
ii. Përkitazi me të drejtën për një “vendim gjyqësor të arsyetuar”
Në lidhje me këtë, Gjykata rikujton se ajo tashmë ka shtjelluar në detaje parimet e përgjithshme përkitazi me të drejtën për një “vendim gjyqësor të arsyetuar”, e cila është e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe me nenin 6.1 të KEDNj-së, andaj nuk e konsideron të nevojshme që të njëjtat parime t’i shtjellojë gjerësisht në rrethanat e rastit konkret, pasi ka një praktikë të mirëkonsoliduar, bazuar në standardet e përcaktuara nëpërmjet jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. (shih, për më tepër, rastin e Gjykatës KI225/21, me parashtrues N.T. Spahia Petrol, Aktvendimi i 20 shtatorit 2022, paragrafët 41-44, dhe rastet e cituara aty).
Në këtë drejtim, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës duke e ngritur në mënyrë të nënkuptuar shkeljen e kësaj të drejte, thekson se “Vendimi i Gjykatës së Apelit ka shumë paqartësi, se nuk është zbatuar barazia para ligjit, se në vendimin e kësaj gjykate shkruan se në rastin e tij ka vendosur Gjykata Themelore e Gjilanit - dega në Kamenicë, që sipas tij e njëjta gjykatë nuk është marrë fare me faktet që ai i ka paraqitur, por vetëm ka kopjuar një vendim të një gjykate tjetër”.
Në këtë kontekst, Gjykata i referohet pjesëve relevante të Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, e cila arsyetoi: “Nga shkresat e lëndës rrjedh se, paditësja me dt.21.08.2020, në gjykatën e shkallës së parë ka paraqitur padi kundër të paditurit me bazë juridike zgjidhjen e martesës me shkurorëzim. Gjykata e shkallës së parë ka mbajtur seancën për shqyrtim kryesor, ka administruar provat e propozuara dhe pas vlerësimit të tyre ka nxjerrë aktgjykimin e ankimuar. Gjykata e shkallës së parë ka arsyetuar se për shkak të ndryshimit të karaktereve dhe lidhja e tyre martesore nuk ka funksionuar pa gjasa të rivendosjes së raporteve në mes tyre dhe se i padituri nuk i ka kontestuar shkaqet për zgjidhjen e martesës duke ia lënë në vlerësim gjykatës që të vendos lidhur me çështjen”.
Tutje, Gjykata vëren se Gjykata e Apelit, konkludoi: “Në të vërtetë me provat e administruara dhe duke u bazuar në faktet jokontestuese gjykata e shkallës së parë bindshëm dhe në mënyrë të sigurt ka vërtetuar se marrëdhëniet martesore janë çrregulluar seriozisht dhe në mënyrë të vazhdueshme si dhe për shkaqe të tjera për shkak të të cilave bashkësia martesore faktikisht është ndërprerë e cila nuk është rivendosur më vonë dhe kështu me të drejtë gjykata e shkallës së parë ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore të përcaktuara me nenin 69 par. 1 dhe 2 të Ligjit për familje i Kosovës, me të cilën dispozitë saktësisht janë përcaktuar shkaqet për shkurorëzim për shkak të së cilave bashkëshorti mund të kërkojë zgjidhjen e martesës. Prandaj, në situatën konkrete të gjitha pretendimet ankimore të paditurit Gjykata e Apelit i konsideron të pabazuara dhe të paqëndrueshme ngase nuk kanë bazë në prova konkrete”.
Sa më sipër, Gjykata vëren se Gjykata e Apelit ka marrë në shqyrtim dhe u është përgjigjur të gjitha pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, të ngritura nëpërmjet aneksës, duke arsyetuar secilin pretendim, si sa i përket gjendjes faktike të vërtetuar, e cila nuk ishte kontestuar edhe nga vetë parashtruesi i kërkesës, gjatë shqyrtimit kryesor në shkallë të parë, po ashtu edhe sa i përket aplikimit të së drejtës materiale dhe procedurale në rrethanat e rastit konkret. Fakti që gjykata ka lëshuar ndonjë gabim të natyrës teknike, përgjatë vendimmarrjes nuk e zbehë arsyetimin e saj deri në atë masë saqë arsyetimi të konsiderohet i pamjaftueshëm dhe i papajtueshëm me standardin e të drejtës për një “vendim gjyqësor të arsyetuar”, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6.1 të KEDNj-së.
Andaj, thënë këtë, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me shkeljen e të drejtës për gjykim të drejtë të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6.1 të KEDNj-së, përkitazi me “të drejtën për një vendim gjyqësor të arsyetuar”, i takojnë kategorisë së tretë (iii) të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, sepse kërkesa në këtë pjesë është qartazi e pabazuar, në baza kushtetuese.
iii. Përkitazi me pretendimet tjera
Në kuadër të pretendimeve tjera, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës e ka ngritur sërish pretendimin në lidhje me kallëzimin penal të 24 gushtit 2020, për maltretimin e tij nga autoritetet e policisë. Në lidhje me këtë, Gjykata tashmë kishte vendosur në rastin KI149/21, me Aktvendimin për papranueshmëri, të 10 nëntorit 2021, andaj të njëjtin pretendim parashtruesi i kërkesës nuk mund ta ngrejë sërish në Gjykatë. Gjykata, rikujton se vendimet e saj përbëjnë çështje të gjykuar në kuptim të nenit 116.1 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, që përcakton se: “1. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.
Përveç pretendimeve të lartcekura, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ngrenë dhe pretendime tjera kushtetuese, duke iu referuar neneve 24, 32 dhe 37 të Kushtetutës. Megjithatë, Gjykata përsërit qëndrimin e saj, se vetëm përmendja e neneve të Kushtetutës, të KEDNj-së, ose instrumenteve tjera ndërkombëtare që janë drejtpërdrejtë të aplikueshme në rendin jurdik të brendshëm, nuk nënkupton me automatizëm shkelje të Kushtetutës, dhe të atyre instrumenteve ndërkombëtare, nëse më tej nuk argumentohet dhe shtjellohet në nivel kushtetutshmërie dhe specifikisht se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e tyre. Gjykata, vazhdimisht ka theksuar se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNj-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNj, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës: KI175/20, me parashtrues: Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendimi për papranueshmëri, i 22 prillit 2021, paragrafi 81; dhe së fundmi rastin KI04/21, me parashtruese Nexhmije Makolli, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 majit 2021, paragrafët 38-39). Për këto arsye, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 24, 32 dhe 37 të Kushtetutës, i përkasin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a), të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj, si të tilla, në baza kushtetuese të njëjtat duhet shpallur qartazi të pabazuara.
Përfundim
Si përmbledhje, Gjykata, duke i marrë parasysh të gjitha shtjellimet dhe konstatimet e mësipërme, konkludon se: (I) pretendimet e parashtruesit të kërkesës, lidhur me shkeljen e të drejtës për gjykim të drejtë, të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6.1 të KEDNj-së, sa i përket “barazisë së palëve” dhe “të drejtës për një vendim gjyqësor të arsyetuar”, i përkasin kategorisë së tretë (iii) të pretendimeve të “pambështetura ose të paarsyetuara”, sepse të njëjtat, në baza kushtetuese janë qartazi të pabazuara; (I) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 24, 32 dhe 37 të Kushtetutës, i përkasin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a), të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj si të tilla të njëjtat po ashtu duhet shpallur qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese.
Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, në pajtueshmëri me nenin 116.1 të Kushtetutës dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, duhet shpallur e papranueshme.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 dhe paragrafin 1 të nenit 116 të Kushtetutës, të neneve 20 dhe 47 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 39 (2) dhe 59 (b) të Rregullores së punës, më 16 nëntor 2022, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Bajram Ljatifi Gresa Caka-Nimani
Nehat Bublica
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile