Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Ac. nr. 3609/21 të 18 nëntorit 2021 të Gjykatës së Apelit

Nr. të lëndës KI01/22

Parashtruesit: Nehat Bublica

Shkarko:

KI01/22, Parashtrues: Nehat Bublica, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Ac. nr. 3609/21 të 18 nëntorit 2021 të Gjykatës së Apelit  

KI01/22, Aktvendim i 16 nëntorit  2022, i publikuar më 9 dhjetor 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, person fizik, procedurë civile, e drejta për gjykim të drejtë, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Rrethanat e rastit konkret kanë të bëjnë me një kontest civil, përkatësisht me një padi për zgjidhjen e martesës e cila ishte iniciuar nga ish-bashkëshortja e parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës edhe më parë kishte parashtruar kërkesë në Gjykatë, por për çështje të ndryshme, nga kjo aktualja. Në kontestin e iniciuar në gjykatë, parashtruesi i kërkesës ishte palë e paditur. Padia ishte parashtruar nga ish-bashkëshortja e parashtruesit të kërkesës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila me Aktgjykimin C. nr. 3709/2020, aprovoi padinë e saj, për zgjidhjen e martesës me shkurorëzim, bazuar në dispozitat e Ligjit për Familjen e Kosovës, përkatësisht nenin 69 të Ligjit. Ndaj këtij Aktgjykimi parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila me Aktgjykimin [Ac. nr. 3609/20], refuzoi ankesën e tij dhe konfirmoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore.

Parashtruesi i kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese, pretendoi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimi i Gjykatës Themelore janë marrë në shkelje të të drejtave të tij, të garantuara me nenet  24, 31, 32 dhe 37 të Kushtetutës, sepse (i) në cilësinë e të paditurit ai nuk ishte njoftuar nga Gjykata Themelore, në lidhje me ushtrimin e padisë për zgjidhjen e martesës me shkurorëzim nga ish-bashkëshortja, deri në mbajtjen e seancës dëgjimore, më 8 shkurt 2020, dhe (ii) se ishte maltretuar nga Policia e Kosovës, për shkak të kallëzimit penal të ushtruar ndaj tij, më 24 gusht 2020, për të cilin pretendim thekson se kishte parashtruar kërkesën KI149/21 në Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese, fillimisht, vlerësoi kriteret e pranueshmërisë së kërkesës sipas Kushtetutës, Ligjit dhe Rregullores së punës, duke konsideruar se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, kishte shteruar mjetet juridike në dispozicion, kishte saktësuar nenet e Kushtetutës dhe aktin e autoritetit publik që kontestohej në Gjykatë, dhe kërkesën e kishte dorëzuar brenda afatit kohor parej 4 (katër) muajve. Në adresimin e pretendimeve të parashtruesit të kësaj kërkese, Gjykata vërejti se thelbi i pretendimeve të tij ndërlidhej me të drejtën për gjykim të drejtë, respektivisht me shkeljen (i) e parimit të barazisë së palëve në procedurë dhe (ii) të drejtën për një vendim gjyqësor të arsyetuar. Në lidhje me pretendimin e parë (i), Gjykata pasi shtjelloi parimet e përgjithshme në përputhje me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNj), përkitazi me “barazinë e palëve në procedurë”, konsideroi se parashtruesi i kërkesës ishte dëgjuar në mënyrë të rregullt nga gjykata e shkallës së parë dhe se i njëjti ka pasur mundësi që t’i kundërshtojë provat e disfavorshme, si dhe t’i paraqesë provat dhe argumentet e favorshme për zgjidhjen e çështjes së tij. Për më tepër, Gjykata rikujtoi faktin se në seancën e shqyrtimit kryesor, parashtruesi i kërkesës dhe ish-bashkëshortja janë pajtuar që zgjidhja e martesës, mes tyre të bëhej, pa ujdi gjyqësore, në bazë të ligjit nga vetë Gjykata Themelore, e cila pasi kishte vlerësuar shkaqet e kërkesëpadisë, kishte konstatuar se janë plotësuar të gjitha kushtet për zgjidhjen e martesës me shkurorëzim, sipas Ligjit për Familjen e Kosovës. Ndërsa sa i përket pretendimit të dytë (ii) për të drejtën për një vendim gjyqësor të arsyetuar, Gjykata konsideroi se Gjykata e Apelit kishte marrë në shqyrtim dhe u ishte përgjigjur të gjitha pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, të ngritura nëpërmjet ankesës së tij në këtë të fundit, duke arsyetuar secilin prej tyre, si dhe sa i përket gjendjes faktike të vërtetuar, të cilën nuk e kishte kontestuar edhe vetë parashtruesi i kërkesës, gjatë shqyrtimit kryesor të zhvilluar në shkallë të parë, po ashtu edhe sa i përket aplikimit të ligjit material dhe procedural. Tutje, Gjykata theksoi se fakti që Gjykata e Apelit kishte lëshuar ndonjë gabim të natyrës teknike, përgjatë vendimmarrjes nuk e zbehë arsyetimin e saj deri në atë masë saqë arsyetimi të konsiderohet i pamjaftueshëm dhe i papajtueshëm me standardin e të drejtës për një “vendim gjyqësor të arsyetuar”, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6.1 të KEDNj-së. Përveç këtyre pretendimeve parashtruesi i kërkesës kishte ngritur edhe pretendime të tjera, ku njeri prej tyre, ishte pretendim i përsëritur i ngritur në kërkesën e mëparshme KI149/21, për të cilën gjykata kishte vendosur më 10 nëntor 2021, andaj të njëjtin nuk e mori në shqyrtim, duke rikujtuar se vendimet e saj përbëjnë çështje të gjykuar në kuptim të nenit 116.1 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës. Sa u përket pretendimeve për shkelje të neneve 24, 32 dhe 37 të Kushtetutës, Gjykata përsëriti qëndrimin e saj, se vetëm përmendja e neneve të Kushtetutës, ose e instrumenteve ndërkombëtare, drejtpërdrejtë të aplikueshme në rendin juridik të brendshëm, nuk nënkupton vetvetiu shkelje të Kushtetutës, dhe të atyre instrumenteve ndërkombëtare, nëse më tej nuk argumentohet dhe shtjellohet në nivel kushtetutshmërie, se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e atyre neneve konkrete.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata, duke i marrë parasysh të gjitha shtjellimet dhe konstatimet e mësipërme, konkludoi se: (I) pretendimet e parashtruesit të kërkesës, lidhur me shkeljen e të drejtës për gjykim të drejtë, të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6.1 të KEDNj-së, sa i përket barazisë së palëve dhe të drejtës për një vendim gjyqësor të arsyetuar, i përkasin kategorisë së tretë (iii) të pretendimeve të “pambështetura ose të paarsyetuara” sepse të njëjtat, në baza kushtetuese ishin qartazi të pabazuara; (I) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 24, 32 dhe 37 të Kushtetutës, i përkasin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a), të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj, si të tilla, të njëjtat po ashtu duhet shpallur qartazi të pabazuara, në baza kushtetuese. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, në pajtueshmëri me nenin 116.1 të Kushtetutës dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, është shpallur e papranueshme.

Parashtruesit:

Nehat Bublica

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile