Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Ac. nr. 331/21 të 19 shtatorit 2022, të Gjykatës së Apelit të Kosovës

Nr. të lëndës KI28/23

Parashtruesit: Rrahim Haliti

Shkarko:

KI28/23, Parashtrues: Rrahim Haliti, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Ac. nr. 331/21 të 19 shtatorit 2022, të Gjykatës së Apelit të Kosovës

KI28/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 qershorit 2023, publikuar më 29 qershor 2023

Fjalët kyç: e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, pagat jubilare, kërkesë e papranueshme, kërkesë qartazi e pabazuar

Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e këtij rasti ndërlidhet me padinë që parashtruesi i kërkesës e kishte paraqitur kundër punëdhënësit të tij, në rastin konkret Korporatës Energjetike të Kosovës, duke kërkuar që pas daljes në pension punëdhënësi i tij, t’ia njohë pagesën në emër të shpërblimit për pagat jubilare e paraparë me Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive të Kosovës në nivel vendi. Gjykata Themelore refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se e njëjta është parashkruar. Pas ankesës së parashtruesit të kërkesës në Gjykatën e Apelit, edhe kjo e fundit refuzoi ankesën duke e mbështetur qëndrimin e shkallës së parë. Parashtruesi i kërkesës më pas parashtroi propozim për inicimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë pranë Zyrës së Prokurorit të Shtetit, ku ky i fundit përmes njoftimit e njoftoi parashtruesin se nuk kishte bazë të mjaftueshme ligjore për ngritjen e një kërkese të tillë.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës Kushtetuese pretendoi se përmes vendimit të kontestuar i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me 21 [Parimet e Përgjithshme], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.

Në thelb esenca e pretendimit të parashtruesit të kërkesës ndërlidhej me pretendimin e tij se gjykatat e rregullta, në mënyrë specifike Gjykata e Apelit, kanë vendosur ndryshe në dy raste të ngjashme, respektivisht kanë interpretuar në mënyrë jokonsistente nenin 87 të Ligjit të punës. Gjykata vlerësoi se thelbi i ankesës së parashtruesit të kërkesës kishte të bënte: (i) me mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të ligjit material, sepse nuk është interpretuar drejtë dhe është zbatuar gabimisht neni 87 i Ligjit të punës me rastin e refuzimit të kërkesës së tij, si të parashkruar; (ii) pretendimin për moskonsistencën e vendimeve gjyqësore. Gjykata këto dy pretendime të parashtruesit i trajtoi si të ndara.

Përkitazi me prtendimin e parashtruesit lidhur me mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të ligjit material, Gjykata konsideroi se ky prtendim i parashtruesit është i pambështetur, andaj e konsideroi si pretendim “të shkallës së katërt”, dhe si të tillë, në baza kushtetuese e deklaroi qartazi të pabazuar.

Përkitazi me pretendimin për moskonsistencën e vendimeve gjyqësore, Gjykata pasi shtjelloi parimet dhe kriteret e vendosura përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Gjykatës përkitazi me mungesën e konsistencës të vendimeve gjyqësore dhe aplikoi të njëjtat në rastin konkret dhe konsideroi se të njëjtat janë pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara” në baza kushtetuese.

 

 

Parashtruesit:

Rrahim Haliti

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative