Prishtinë, më 14 dhjetor 2023
Nr.ref.: RK 2304/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI32/23
Parashtrues
Albin Avdullahu
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit
të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 276/2022, të 8 gushtit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Albin Avdullahu, nga Komuna e Drenasit (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i përfaqësuar nga Albina Shala-Budakova, avokate në Lipjan.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [Pml. nr. 276/2022] të 8 gushtit 2022, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme), në ndërlidhje me Aktvendimin [PAM. nr. 4/2022] të 26 janarit 2022, të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) dhe Aktvendimin [PM. nr. 323/2019] të 6 dhjetorit 2022 të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për të mitur (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Parashtruesi i kërkesës Aktgjykimin e kontestuar e ka pranuar më 3 tetor 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është shqyrtimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, me të cilin pretendohet se janë shkelur të drejtat e parashtruesit të kërkesës, të garantuara me nenet 23 [Dinjiteti], 31 [E drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 35 [Liria e Lëvizjes] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenin 5 (E drejta për liri dhe siguri) dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pas publikimit të saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë para shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 6 shkurt 2023, parashtruesi i kërkesës përmes postës dorëzoi kërkesën, të cilën Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) e pranoi më 8 shkurt 2023.
Më 9 shkurt 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr. GJR. KI32/23] caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, (kryesuese), Nexhmi Rexhepi dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 13 shkurt 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatë formularin zyrtar të kërkesës me disa dokumente shtesë në mbështetje të kërkesës së tij.
Më 24 shkurt 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe një kopje të saj ia dërgoi Gjykatës Supreme.
Më 24 shkurt 2023, Gjykata kërkoi nga Gjykata Themelore në Prishtinë informata lidhur me datën e pranimit të aktgjykimit të kontestuar nga parashtruesi i kërkesës.
Më 28 shkurt 2022, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë fletëkthesën e kërkuar, që dëshmon se Aktgjykimi i kontestuar i ishte dorëzuar parashtruesit të kërkesës më 3 tetor 2022.
Më 14 nëntor 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës kishte marrë pjesë në një rrahje, si rezultat i së cilës kishin pësuar lëndime disa persona.
Nga shkresat e lëndës rezulton se Policia e Kosovës – Njësia e Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, ndaj parashtruesit të kërkesës kishte paraqitur kallëzim penal me shifër të rastit [2019-AG-0546] nga Stacioni Policor në Drenas, nën dyshimin se ka kryer veprën penale nga neni 187 i Kodit Penal Nr. 06/L-074 të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kodi Penal).
Nga shkresat e lëndës rezulton se Prokuroria Themelore në Prishtinë - Departamenti për të Mitur përmes Aktvendimit [PPM. nr. 310/19] zhvilloi procedurën përgatitore për veprën penale nga neni 187 i Kodit Penal.
Më 13 gusht 2019, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [PPM. nr. 310/2019] i caktoi parashtruesit të kërkesës masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh.
Më 22 gusht 2019, Prokuroria Themelore në Prishtinë i propozoi Gjykatës Themelore vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për 15 (pesëmbëdhjetë) ditë.
Më 23 gusht 2019, Gjykata Themelore, përkatësisht gjyqtari i procedurës paraprake përmes Aktvendimit [PPRM. nr. 146/19] pas kërkesës së prokurorit i vazhdoi edhe për 15 (pesëmbëdhjetë) ditë tjera masën e paraburgimit deri më 9 shtator 2019.
Më 6 shtator 2019, Prokuroria Themelore në Prishtinë i propozoi Gjykatës Themelore zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak.
Më 13 shtator 2019, Prokuroria Themelore në Prishtinë i propozoi Gjykatës Themelore shqiptimin e masës edukative të mbikëqyrjes së shtuar nga organi i kujdestarisë, në kohëzgjatje prej një viti.
Më 6 dhjetor 2021, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [PM. nr. 323/2019] i shqiptoi parashtruesit të kërkesës masën edukative të mbikëqyrjes së shtuar nga organi i kujdestarisë në kohëzgjatje prej një viti.
Kundër aktvendimit të lartcekur, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal, si dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.
Më 26 janar 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [PAM. nr. 4/2022], e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe e vërtetoi aktvendimin e Gjykatës Themelore.
Kundër aktvendimit të lartcekur, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal dhe vendimit mbi dënimin, me propozim që kërkesa të aprovohet si e bazuar, ashtu që aktvendimet e kundërshtuara të ndryshohen dhe i mituri të lirohet nga masa edukative ose aktvendimet të anulohen dhe çështja të kthehet në rigjykim.
Më 12 korrik 2022, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit përmes shkresës [KMLP. II. nr. 169/2022] i ka propozuar Gjykatës Supreme që kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë të refuzohet si e pabazuar.
Më 25 gusht 2022, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Pml. nr. 276/2022] refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë me arsyetimin se “gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejt kur të miturit i ka shqiptuar këtë masë, për faktin se është në interesin më të mirë të të miturit, ashtu siç parashihet në nenin 13.1 të KDM-së dhe nenin 3.1 të Konventës për të Drejtat e Fëmijës”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon që vendimet e gjykatave të rregullta janë nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenin 23 [Dinjiteti i Njeriut], 31 [E drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 35 [Liria e Lëvizjes] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 5 (E drejta për liri dhe siguri) dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Në lidhje me pretendimin për shkelje të neneve 23 dhe 35 të Kushtetutës , parashtruesi i kërkesës thekson se: “Me vet faktin që është urdhëruar nga ana e prokurorisë arrestimi i tij e më pas edhe paraburgimi nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë - Departamenti për të Mitur, më tej arresti shtëpiak dhe përfundimisht edhe masa Edukative e Mbikëqyrjes nga Organi i Kujdestarisë për një vepër penale të cilën nuk e ka kryer dhe nuk del asnjë provë e cila kishte me vërtetuar të kundërtën, del se është cenuar dinjiteti i tij. Sepse tërësia e vlerave morale dhe njerëzore (dinjiteti) të cilat i ka potencuar në anketë edhe QPS, janë zbehur në atë masë sa i mituri është izoluar edhe nga shoqëria për shkak të përqeshjeve dhe stigmatizimeve që i bëhen, sa që rrezikon të mos vazhdojë shkollimin e tij si një prej të drejtave elementare kushtetuese. Andaj, me të drejtë konsiderojmë se me privimin arbitrar të të miturit nga liria e lëvizjes, është shkelur neni 23 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.
Në lidhje me pretendimin për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës thekson se: “Duke qenë se neni 31.7 i Kushtetutës së Kosovës, ka përcaktuar se: "Procedurat gjyqësore që përfshijnë të miturit rregullohen me ligj, duke respektuar rregullat dhe procedurat e veçanta për të miturit.", shihet haptazi që procedurat ligjore ndaj të miturve janë më specifike dhe dallohen nga procedurat ligjore të cilat zhvillohen ndaj personave madhorë. Kjo dispozitë kushtetuese, fillimisht është shkelur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, pasi ka urdhëruar ndalimin e të miturit prej 48 orëve, përkundër që Kodi i Drejtësisë për të Mitur (KDM) në nenin 60.4 përcakton se arresti i përkohshëm apo ndalimi i të miturit nuk mund ta kalojë periudhën 24 orë. Pas kalimit të kësaj periudhe, policia e liron të miturin, përveç nëse gjyqtari për të mitur cakton paraburgim”.
Parashtruesi i kërkesës në vazhdim thekson: “Prokuroria Themelore në Prishtinë ka shkelur nenin 52.2, i cili përcakton se për veprat penale të dënueshme me burgim prej më pak se tre vjet ose me gjobë, Prokurori i Shtetit për të mitur mund të vendosë të mos fillojë procedurën përgatitore edhe pse ekziston dyshim i bazuar se i mituri ka kryer vepër penale, nëse prokurori i shtetit për të mitur mendon se nuk do të ishte e përshtatshme të zbatohet procedura ndaj të miturit për shkak të natyrës së veprës penale, rrethanave në të cilat është kryer ajo, mungesës së dëmit të rëndë ose të pasojave për të dëmtuarin, si edhe të kaluarës së të miturit dhe të karakteristikave të tij personale. Kjo sikur të ekzistonte dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale, mirëpo në rastin konkret në mungesë të provave, ka qenë e domosdoshme të veprojë në bazë të nenit 56 i cili përcakton se Prokurori i Shtetit për të mitur e pushon procedurën përgatitore kurdo që nga provat e mbledhura konstatohet se nuk ka dyshim të bazuar se i mituri ka kryer veprën e caktuar penale".
Parashtruesi i kërkesës tutje pretendon se shkelja e nenit 31.7 të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 dhe 6 të KEDNj-së ka ardhur si rezultat i vendimeve të gjykatave të rregullta, specifikisht si rezultat i vendimit të Gjykatës Supreme, e cila “[...] me Aktgjykimin Pml. nr. 276/2022, pa asnjë bazë refuzon kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë. Aktgjykimi është nxjerrë në kundërshtim me nenin 437 të Kodit të Procedurës Penale sepse, në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, janë të listuara shkeljet ligjore të cilat bazën e kanë në provat që janë administruar në gjykatë gjatë shqyrtimit gjyqësor”.
Në fund, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata “që e njëjta të konstatojë se Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë - Departamenti për të Mitur PM.nr.323/2019, aktvendimi i Gjykatës së Apelit PAM.nr.4/2022 dhe aktgjykimi i Gjykatës Supreme të Kosovës PML.nr. 276/2022, janë nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor dhe interpretimit e zbatimit arbitrar të ligjit, duke e kthyer çështjen për rishqyrtim në Gjykatën Themelore”.
Dispozitat relevante të Ligjit dhe Rregullores së punës
Ligji për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht. Nëse kërkesa është e drejtuar kundër një ligji, atëherë afati fillon të ecë që nga dita kur ligji ka hyrë në fuqi”.
Rregullorja e punës
Rregulli 34
(Kriteret e pranueshmërisë)
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit, dhe
[…].”
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës. Në këtë drejtim, sipas paragrafit 1 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, Gjykata vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar. Ndërsa, sipas paragrafit 7 i të njëjtit nen të Kushtetutës, individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet e pretenduara të të drejtave dhe lirive të tyre individuale të garantuara me Kushtetutë nga autoritetet publike, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Gjykata më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, sipas paragrafit 1 të nenit 47 (Kërkesa individuale), çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik. Sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, që konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Pml. nr. 276/2022] të Gjykatës Supreme, të 8 gushtit 2022, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Megjithatë, Gjykata po ashtu thekson se sipas nenit 49 (Afatet) të Ligjit, kërkesa duhet parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecën që nga dita kur parashtruesit të kërkesës i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Kjo kërkesë është përcaktuar edhe përmes pikës (c) të paragrafit (1) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, që përcakton se kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës.
Në këtë kontekst, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujton se fletëkthesa e dorëzuar nga Gjykata Themelore vërteton që parashtruesi i kërkesës e ka pranuar aktin e kontestuar më 3 tetor 2022. Parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën përmes postës në Gjykatë më 6 shkurt 2023. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës dhe rrjedhimisht është e papranueshme për shqyrtim.
Gjykata rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 34 (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë siguri juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe vendimet e mëparshme të mos jenë vazhdimisht të hapura për t'u kontestuar (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës: KI48/21, me parashtrues Xhavit R. Sadrija, Aktvendim për papranueshmëri, 30 qershor 2021, paragrafi 44; dhe KI45/21, me parashtrues Samedin Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 majit 2021, paragrafi 35. Shih gjithashtu rastin e GJEDNJ-së, Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 10865/09,45886/07 dhe 32431/08, të 17 shtatorit 2014, paragrafi 258).
Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes aktgjykimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenet 20 e 49 të Ligjit dhe në pajtim me rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës, më 14 nëntor 2023, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Bajram Ljatifi Gresa Caka-Nimani
Musli Mehmetaj
KI - Kërkesë individuale
Vendim
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale