Prishtinë, më 25 janar 2024
Nr. ref.: MM 2321/24
MENDIM MOSPAJTUES
i gjyqtarit
RADOMIR LABAN
në
rastin nr. KO55/23
Parashtrues
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës
Vlerësimi i amendamenteve të propozuara kushtetuese, të referuara nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës më 2 mars 2023, përmes shkresës nr. 08/3509/Do/1493/1
Duke shprehur që në fillim respektin dhe pajtimin tim me mendimin e shumicës së gjyqtarëve në këtë rast me paragrafin I të këtij aktgjykimi se rasti është i pranueshëm për shqyrtim si dhe me vendimin në paragrafët III, IV dhe V përmes të cilëve Gjykata përcaktoi si në vijim:
III. TË KONSTATOJË, njëzëri, që amendamentet e propozuara kushtetuese nr. 27 dhe nr. 28, përmes të cilave propozohet plotësimi i kriterit kushtetues për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për shkak të “mosrespektimit të rëndë të detyrave”, i përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 104 [Emërimi dhe Shkarkimi i Gjyqtarëve] dhe paragrafin 6 të nenit 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës, me formulimet “në mënyrë të vazhdueshme është vlerësuar me performancë të pamjaftueshme” ose “ka bërë shkelje të rënda disiplinore”, nuk pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
IV. TË KONSTATOJË, njëzëri, që amendamentet e propozuara kushtetuese nr. 27 dhe nr. 28, përmes të cilave propozohet plotësimi i kriterit kushtetues për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për shkak të “mosrespektimit të rëndë të detyrave”, i përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 104 [Emërimi dhe Shkarkimi i Gjyqtarëve] dhe paragrafin 6 të nenit 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës, me formulimin “është vërtetuar se ka pasuri të pajustifikueshme” dhe se bazohet në vendim gjyqësor përfundimtar, nuk pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
V. TË KONSTATOJË, njëzëri, që amendamentet e propozuara kushtetuese nr. 27 dhe nr. 28, përmes të cilave propozohet plotësimi i kriterit kushtetues për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për shkak të “mosrespektim të rëndë të detyrave”, i përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 104 [Emërimi dhe Shkarkimi i Gjyqtarëve] dhe paragrafin 6 të nenit 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës, me formulimin “ka integritet të cenueshëm”, pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
Si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, nuk pajtohem me konkluzionin e Gjykatës nga paragrafi II i dispozitivit të këtij aktgjykimi lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së amendamentit 29, ku Gjykata konkludoi si në vijim.
II. TË KONSTATOJË, me shumicë, që amendamenti i propozuar kushtetues nr. 29, përmes të cilit propozohet kontrolli kalimtar i integritetit të „[…] anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, kryetarëve të të gjitha gjykatave dhe të gjithë kryeprokurorëve, si dhe kandidatëve për këto pozita […]“ nga Autoriteti për Kontrollin e Integritetit, nuk pakëson të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Unë si gjyqtar pajtohem me gjendjen faktike siç është deklaruar dhe paraqitur në aktgjykim dhe e pranoj të njëjtën gjendje faktike si të saktë. Gjithashtu, pajtohem me mënyrën se si janë parashtruar dhe paraqitur në aktgjykim pretendimet e parashtruesit të kërkesës, si dhe komentet e palëve të ndryshme të interesit.
Për sa më sipër, dhe në pajtim me rregullin 57 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese, do të paraqes mendimin tim mospajtues me shkrim.
Vlerësimi i kushtetutshmërisë së amendamentit të propozuar kushtetues nr. 29
Para së gjithash, konsideroj se amendamenti nr. 29 përbëhet nga 6 nene të veçanta që synojnë zbatimin e procesit të vetingut në sistemin gjyqësor të Republikës së Kosovës.
Në vazhdim të shqyrtimit dhe vlerësimit të amendamentit të propozuar kushtetues nr. 29, i referohem nenit 161A [Kontrolli i integritetit] të këtij amendamenti të propozuar, i cili përcakton:
1. Pavarësisht dispozitave të tjera të kësaj Kushtetute, kontrolli i integritetit të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, kryetarëve të të gjitha gjykatave dhe të gjithë kryeprokurorëve, si dhe kandidateve për këto pozita, përjashtuar kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, bëhet nga Autoriteti për Kontrollin e Integritetit.
2. Mandati i Autoritetit të Kontrollit të Integritetit është dy (2) vjet nga zgjedhja e të gjithë anëtarëve të Autoritetit. Mandati i Autoritetit mund të zgjatet më së shumti edhe për një (1) vit tjetër, nëse vendoset me ligj të miratuar me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
3. Kontrolli i integritetit nga paragrafi 1 i këtij Neni bëhet vetëm një herë për subjektin e kontrollit dhe përfshin edhe kontrollin e pasurisë, siç përcaktohet me ligj.
4. Procedurat e ankimimit ndaj kontrollit të integritetit nuk llogariten në afatet e përcaktuara në paragrafin 2 të këtij Neni”.
Vërej se neni 161A [Kontrolli i integritetit] i amendamentit të propozuar kushtetues nr. 29 përcakton (i) pozitat e sistemit gjyqësor dhe prokurorial që i nënshtrohen kontrollit të integritetit dhe mandatin e Autoritetit të kontrollit të integritetit, duke specifikuar se (ii) anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës, kryetarët e të gjitha gjykatave dhe të gjithë kryeprokurorët, si dhe kandidatët për këto pozita i nënshtrohen Autoritetit të kontrollit të integritetit, (iii) mandati i Autoritetit të kontrollit të integritetit zgjat 2 (dy) vjet nga zgjedhja e të gjithë anëtarëve të Autoritetit dhe mund të vazhdohet më së shumti edhe për 1 (një) vit, nëse vendoset me ligj të miratuar me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit; dhe (iv) kontrolli i integritetit për pozitat e sipërpërmendura në sistemin gjyqësor bëhet vetëm një herë për subjektin e kontrollit dhe përfshin kontrollin e pasurisë, siç përcaktohet me ligj, ndërsa procedurat e ankimimit ndaj kontrollit të integritetit nuk llogariten brenda afateve të sipërpërmendura.
Përjashtimisht dhe vetëm në kontekst të procesit të vetingut, sipas dispozitave të amendamentit të propozuar kushtetues nr. 29, vërej se qëllimi i procesit të kontrollit të integritetit nga Autoriteti i kontrollit të integritetit [në bazë të nenit 161A] është një proces i veçantë, i cili propozohet që të zhvillohet jashtë dispozitave të Kapitullit VII të Kushtetutës, pra pa pjesëmarrjen e KGJK-së dhe KPK-së.
Megjithatë, amendamenti nr. 29, pra neni 161A [Kontrolli i integritetit] fillon me fjalinë “Pavarësisht dispozitave të tjera të kësaj Kushtetute“ gjë që, sipas mendimit tim juridik, përjashton të gjitha dispozitat e Kushtetutës, madje edhe ato të nenit 56 [Të Drejtat dhe Liritë Themelore gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme] , konsideroj se kjo fjali është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me nenin 56 të Kushtetutës dhe për rrjedhojë me paragrafin 2 të këtij neni i cili parashikon “2. Shmangia nga të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 23, 24, 25, 27, 28, 29, 31, 33, 34, 37 dhe 38, të Kushtetutës nuk është e lejuar në kurrfarë rrethanash“.
Jam i bindur se propozuesi nuk ka pasur për qëllim që t'i zvogëlojë të drejtat e njeriut nga Kapitulli II dhe Kapitulli III i Kushtetutës, por qëllimi i propozuesit është që shmangiet t'i referohen Kapitullit VII të Kushtetutës, përkatësisht neneve 102 deri 110 të Kushtetutës.
Ky formulim i amendamentit nr. 29, gjegjësisht neni 161A [Kontrolli i integritetit] që fillon me fjalinë “Pavarësisht dispozitave të tjera të kësaj Kushtetute“ është përdorur në amendamentin nr. 24. Unë si gjyqtar i vetëm, sinqerisht mendoj se çdo formulim që përjashton të gjitha normat kushtetuese është antikushtetues në vetvete sepse ky formulim e vendos veten mbi vetë Kushtetutën, mendoj se është detyrim që të reagohet ndaj këtij lloj formulimi për të mos krijuar një praktikë të gabuar për të ardhmen, veçanërisht në këtë rast sepse qëllimi i propozuesit është i dukshëm.
Konsideroj se propozuesi ka qëllim të qartë dhe se formulimi “Pavarësisht dispozitave të tjera të Kushtetutës nga Kapitulli VII në lidhje me sistemin gjyqësor“ dhe që, për mendimin tim, do të ishte plotësisht kushtetues dhe do të mundësonte arritjen e të njëjtit qëllim të cilin propozuesi dëshironte ta arrinte, duke shmangur njëkohësisht një formulim që, për mendimin tim, është antikushtetues dhe që herët a vonë nuk do t'i qëndronte testit të kohës.
Më tej, amendamenti nr. 29, përkatësisht neni 161A [Kontrolli i integritetit] që fillon me fjalinë “Pavarësisht dispozitave të tjera të kësaj Kushtetute“ që sipas mendimit tim juridik, i përjashton të gjitha dispozitat e Kushtetutës, për mendimin tim, bie ndesh edhe me nenin 108 [Këshilli Gjyqësor i Kosovës], i cili parasheh garanci të veçanta për komunitetet joshumicë në Kosovë, por edhe me nenin 161B, Autoriteti për Kontrollin e Integritetit, i cili parashikon si në vijim;
1. Për të kryer kontrollin e integritetit nga Neni 161A, themelohet Autoriteti për Kontrollin e Integritetit. Përbërja, përzgjedhja, organizimi, funksionimi, kompetencat dhe imuniteti i Autoritetit përcaktohet me ligj dhe në pajtim me këtë Kushtetutë.
Jam i bindur se propozuesi nuk ka pasur për qëllim t'i zvogëlojë të drejtat e njeriut nga Kapitulli II dhe Kapitulli III i Kushtetutës, por qëllimi i propozuesit është që shmangiet t'i referohen Kapitullit VII të Kushtetutës, pra Sistemit Gjyqësor, përkatësisht neneve 102 deri në 110 të Kushtetutës, por konsideroj se ne si Gjykatë ishim të detyruar të vërtetojmë se të drejtat e përfaqësimit të komuniteteve joshumicë dhe barazisë gjinore të përcaktuara me nenin 108 të Kushtetutës nuk mund të reduktohen në të drejta të përcaktuara me ligj, dhe se shmangia e tyre nga norma kushtetuese për të drejtat e përcaktuara me ligj paraqet shkelje të Kapitullit III të Kushtetutës si dhe të nenit 108 të Kushtetutës.
Mbrojtja e të drejtave nga neni 108 i Kushtetutës, që ka të bëjë me të drejtën për t'i përfaqësuar komunitetet joshumicë në Kosovë, është obligim kushtetues në pajtim me Kapitullin III të kësaj Kushtetute, por në të njëjtën kohë do të ndihmonte vet propozuesin që të zbatonte synimin e tij për vetingun në Kuvendin e Kosovës, ku për kalimin e këtyre amendamenteve, është e domosdoshme që të sigurohen 2/3 e votave të komuniteteve joshumicë.
Është e paqartë se nëse, neni 161A [Kontrolli i integritetit] i cili fillon me fjalinë “Pavarësisht dispozitave të tjera të kësaj Kushtetute“ si do të bëhet formimi i Autoritetit për kontrollin e integritetit në bazë të Kushtetutës kur normat e Kushtetutës, të cilat parashikojnë çelësin e përfaqësimit të komuniteteve joshumicë, janë vënë jashtë fuqisë ligjore.
Më tej, konsideroj se formulimi nga paragrafi 2 i nenit 161A [Kontrolli i integritetit] bie ndesh me nenin 6 të KEDNJ-së dhe nenin 31 të Kushtetutës, sepse i njëjti parashikon shumicë të ndryshme parlamentare për formimin dhe zgjatjen e mandatit të Autoritetit. për kontrollin e integritetit si më poshtë;
2. Mandati i Autoritetit të Kontrollit të Integritetit është dy (2) vjet nga zgjedhja e të gjithë anëtarëve të Autoritetit. Mandati i Autoritetit mund të zgjatet më së shumti edhe për një (1) vit tjetër, nëse vendoset me ligj të miratuar me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
Konsideroj se ky formulim, i cili parashikon shumica të ndryshme parlamentare për formimin dhe zgjatjen e mandatit të Autoritetit të kontrollit të integritetit, nuk është në përputhje me parimin e sigurisë juridike dhe se propozuesi mund të kishte parashikuar shumë thjesht se kohëzgjatja e “Mandatit të Autoritetit të Kontrollit të Integritetit është 3 (tri) vjet nga zgjedhja e të gjithë anëtarëve të Autoritetit. Mandati i Autoritetit nuk mund të zgjatet.” Propozuesi do të kishte fituar të njëjtin efekt dhe do të kishte siguri të plotë juridike për kohëzgjatjen e mandatit dhe mënyrën e zgjedhjes së tij.
Konsideroj se si Gjykatë duhet të jemi të vetëdijshëm se ekziston mundësia e madhe që Republika e Kosovës të bëhet shpejt anëtare e Këshillit të Evropës dhe se Republika e Kosovës shumë shpejt mund të jetë pjesë e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ku vendimet e autoriteteve shtetërore do t'i nënshtrohen shqyrtimit dhe vlerësimit nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të mësuar nga përvoja e vendeve të rajonit që zbatuan proceset e vetingut dhe më pas humbën të gjitha kontestet në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, konsideroj se është në interes të përgjithshëm që në procesin e vetingut të shmangen shkeljet e sipërpërmendura dhe të sigurohet siguria e plotë juridike për të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces.
Konkluzioni në lidhje me amendamentin e propozuar kushtetues nr. 29
Bazuar në sa më sipër, dhe duke marrë parasysh arsyetimet e lartcekura:
KONSIDEROJ SE Gjykata është dashur të KONSTATOJË SE amendamenti i propozuar kushtetues nr. 29, përmes të cilit propozohet kontrolli kalimtar i integritetit në formulimin “Pavarësisht dispozitave të tjera të kësaj Kushtetute“ zvogëlon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 56 dhe 108 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe se i njëjti është në kundërshtim me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] dhe Kapitullin III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
KONSIDEROJ SE Gjykata është dashur të KONSTATOJË njëzëri/me shumicë, se amendamenti i propozuar kushtetues nr. 29, përmes të cilit propozohet kontrolli kalimtar i integritetit në formulimin “ 2. Mandati i Autoritetit të Kontrollit të Integritetit është dy (2) vjet nga zgjedhja e të gjithë anëtarëve të Autoritetit. Mandati i Autoritetit mund të zgjatet më së shumti edhe për një (1) vit tjetër, nëse vendoset me ligj të miratuar me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit“ zvogëlon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 6 të KEDNJ-së, dhe se i njëjti është në kundërshtim me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Mendimi mospajtues është paraqitur nga gjyqtari;
Radomir Laban, gjyqtar
_________________
Më 22 dhjetor 2023 në Prishtinë
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës
KO - Kërkesë nga organet shtetërore
Urdhëra tjerë
Mendim mospajtues