Prishtinë, më 1 shtator 2022
Nr. ref.:MM 2044/22
MENDIM MOSPAJTUES
i gjyqtarit Radomir Laban në
rastin nr. KI230/21
Parashtrues
Global Trade-af, SH.P.K.
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ-UZVP-nr. 45/2021, të 28 prillit 2021
- Që në fillim, unë si gjyqtar dëshiroj të shpreh respektin tim për mendimin e shumicës së gjyqtarëve në këtë rast, të cilët kanë konstatuar se ka shkelje lidhur me të drejtën për një vendim të arsyetuar nga neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
- Gjithashtu, unë si gjyqtar pajtohem me gjendjen faktike siç është reflektuar dhe paraqitur në aktgjykim dhe të njëjtën gjendje faktike e pranoj si të saktë.
- Por, unë si gjyqtar, nuk pajtohem me pretendimet e parashtruesit në mënyrën se si janë reflektuar dhe paraqitur pretendimet e parashtruesit në aktgjykim, sepse konsideroj se ato nuk janë reflektuar dhe paraqitur besnikërisht, porse shumica e gjyqtarëve, bazuar në të gjitha shkresat e lëndës, konkludoi atë që parashtruesi ka dashur të kontestojë, gjë që për mendimin tim është e gabuar.
- Më tej, unë si gjyqtar nuk pajtohem me mendimin e shumicës së gjyqtarëve në lidhje me kriteret e pranueshmërisë, ku shumica e gjyqtarëve konstatoi se ky rast duhet të shpallet i pranueshëm, dhe arsyeja kryesore pse e kundërshtoj një konstatim të tillë të shumicës së gjyqtarëve është se në Gjykatë në çdo seancë shqyrtohen me dhjetëra raste që janë të arsyetuara shumë më mirë dhe më saktë sesa ky rast dhe të njëjtat nuk shpallen të pranueshme dhe as nuk hyjmë në meritat e çështjes, ndërsa në këtë rast që, për mendimin tim modest, është krejtësisht i paarsyetuar, u shpall i pranueshëm edhe pse nuk i plotësonte kushtet themelore.
- Duke u kthyer në rastin konkret, parashtruesi i kërkesës pretendon se janë shkelur të drejtat e tij të mbrojtura me nenin 3 [Barazia para Ligjit], nenin 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së, por nuk thekson se në çfarë mënyre ka ndodhur shkelja e këtyre të drejtave dhe përgjatë gjithë kërkesës nuk arrin të ndërlidhë ndonjë pretendim për shkelje me një nen konkret të Kushtetutës.
- Në tërë kërkesën e tij, parashtruesi i kërkesës, sipas mendimit tim si gjyqtar , nuk arriti të tregojë se cilat shkelje janë bërë gjatë procedurës së rregullt para gjykatave të rregullta dhe ku saktësisht konsistojnë shkeljet, përkundrazi parashtruesi i kërkesës ndryshoi përmbajtjen e formularit të obligueshëm të Gjykatës dhe largoi nga ajo pjesën më të rëndësishme të këtij formulari, përkatësisht pjesën nën III – Arsyetimi i kërkesës dhe shkeljet e pretenduara të Kushtetutës.
- Në vend të kësaj, parashtruesi i kërkesës bëri një zëvendësim joadekuat për formularin e Gjykatës dhe në vend që të shpjegonte në detaje se ku dhe në çfarë mënyre ka ndodhur shkelja e Kushtetutës, ai udhëzon Gjykatën se çfarë është kompetenca e Gjykatës, udhëzon Gjykatën se çfarë është juridiksioni, udhëzon Gjykatën se çfarë është lejueshmëria e kërkesës, i shpjegon Gjykatës se çfarë është akti i autoritetit publik, udhëzon Gjykatën se çfarë është shterimi i mjeteve juridike dhe natyra e tyre iluzore, dhe në vazhdim shpjegoi se kërkesën e ka dorëzuar brenda afatit dhe në fund të kërkesës u thellua në pjesën që vetë e sajoi dhe e quajti “ ANALIZA MATERIALE“ e cila nuk është kompatibile me formularin zyrtar të Gjykatës, dhe për të treguar se sa absurde është kjo analizë, unë do ta citoj në tërësi:
“B. ANALIZA MATERIALE
Andaj, bazuar në faktin se në rastin konkret është respektuar afati ligjor prej katër (4) muajve nga aktvendimi i fundit gjyqësor i mundshëm për sfidim, kërkohet me respekt nga Gjykata Kushtetuese që të pranojë këtë rast dhe të shqyrtojë në përmbajtje shkeljet e pretenduara nga Parashtruesi.
Analiza në vijim është ndarë në tre pjesë përmbajtësisht të rëndësishme. Pjesa e parë adreson çështjen e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme kur e refuzon Kërkesën për shqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor.
- Aktgjykimet në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Konventën Evropiane për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut dhe Praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, përmes nenit 53 i cili përcakton zbatimin e drejtpërdrejtë të Praktikës së GJEDNJ-së gjegjësisht vendimeve të GJEDNJ-së. Kjo Kushtetutë në qendër të vëmendjes vendos lirinë, demokracinë dhe paqen[1], dhe nxjerr në pah respektimin e të drejtave dhe lirive për të gjithë, qytetarët dhe individët e tjerë që gjenden brenda kufijve të vet[2]. Të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të konsideruara si të pandashme, të patjetërsueshme dhe të paprekshme përcaktohen si “bazat e rendit ligjor” të Republikës[3], të mbrojtura nga Shteti dhe të respektuara nga të gjithë. Konventa Evropiane dhe zbatimi i saj kanë rëndësi vendimtare dhe qendrore në sistemin e dizajnuar nga Kushtetuta e Kosovës jo vetëm se zbatimi direkt i saj garantohet me nenin 22 por edhe se në përputhje me nenin 53 “të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të garantuara me anë të kësaj Kushtetute do të interpretohen në përputhje me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”. Me fjalë të tjera, për ligjvënësin kushtetues të Kosovës, Konventa Evropiane e vitit 1950 ka një profil aq të lartë saqë të gjitha të drejtat dhe liritë e njeriut, madje edhe ato të përmendura me anë të marrëveshjeve apo instrumenteve të ndryshme ndërkombëtare do të interpretohen në përputhje me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane mbi të Drejtat e Njeriut.
- Aktgjykimet e lëshuara nga gjykatat (Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme) janë në kundërshtim me parimet themelore të definuara në Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën Evropiane të Drejtave të Njeriut ashtu që me aktgjykimet të kundërligjshëm të nxjerrë nga gjykatat e rregullta i është cenuar e drejta për gjykim të drejtë dhe të pa anshëm dhe barazia para ligjit.
- Republika e Kosovës ka interes shtetëror që Gjykata Kushtetuese të e adresojë këtë çështje
- Jemi të vetëdijshëm se në kuadër të praktikës së Gjykatës Evropiane, çështja lidhur me shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm në procedurën administrative konsiderohet/vlerësohet si shkelje e të drejtave themelore individuale.
Andaj trajtimi i këtij rasti dhe konstatimi i kësaj Gjykate të nderuar se Gjykata e Apelit, ka cenuar të drejtat e Paraqitësit të Kërkesës, ka edhe përmasa parimore. Me një aktgjykim të tillë, kjo Gjykatë e nderuar përpos konstatimit të cenimit të të drejtave të palës.
Së fundmi, deklarimi i kësaj Gjykate rreth kësaj çështjeje ndërlidhet drejtpërdrejtë edhe me obligimin dhe inkurajimin e institucioneve shtetërore për të marrë parasysh më tepër çështjen jo-kushtetutshmërisë në çështjen e drejtë për proces të rregullt në procedurë dhe ndërmarrjen e masave të duhura për respektimin e të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe Konventat ndërkombëtare. Pra, kjo Gjykatë e nderuar mund të krijojë precedentë për gjykatat e rregullta të Republikës së Kosovës se si të veprojnë në rastet kur ballafaqohen me të drejtën për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të cilët janë palë në procedurën administrative.
- PËRFUNDIMI DHE KËRKESA
Mbështetur në faktet dhe interpretimet juridike të parashtruara në këtë kërkesë, Parashtruesi kërkon me respekt nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës që:
– Kërkesën e Paraqitësit të Kërkesës ta konstatojë të pranueshme;
– të konstatojë se dështimi për të ofruar një gjykim të drejtë paraqet shkelje të të drejtave individuale të Paraqitësit të Kërkesës të garantuara me Nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Nenin 6 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokolleve të saj;
– Të përcaktojë çfarëdo të drejte ose përgjegjësie për palët në këtë Kërkesë që kjo Gjykatë e Nderuar i vlerëson si të arsyeshme dhe të bazuara juridikisht.
Kërkesa e hartuar dhe e paraqitur me respekt nga:
Prishtinë, 17 dhjetor 2021 Albana KELMENDI, Avokat“.
- Një kërkesë e tillë konfuze duhej të refuzohej me dy tre paragrafë si e papranueshme, sepse e njëjta është e ngatërruar, e paqartë dhe e paarsyetuar, ose gjyqtari raportues do duhej të kërkonte nga parashtruesi i kërkesës të qartësonte kërkesën dhe të arsyetonte të njëjtën në detaje, sepse parashtruesi i kërkesës është ai që mban barrën e provës në procedurë.
- Unë konsideroj se Gjykata duhej të rikujtonte se, sipas praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata e shpall kërkesën të papranueshme si qartazi të pabazuar, në pajtim me kriterin e pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara” kur plotësohet një nga dy kushtet karakteristike, përkatësisht:
- kur parashtruesi/parashtruesja e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës ose të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse kjo është qartazi e dukshme në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit (shih, në këtë drejtim, rastin e GJEDNJ-së: Trofimčuk kundër Ukrainës 4241/03, Vendim i 31 majit 2005; shih, gjithashtu, rastin: Baillard kundër Francës nr. 6032/04, Vendim i 25 shtatorit 2008);
- kur parashtruesi/parashtruesja e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë provat materiale me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij/saj (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij/saj dhe të cilat e pengojnë ta bëjë këtë (për shembull, nëse autoritetet e burgut refuzojnë të paraqesin në Gjykatë dokumentet nga shkresat e lëndës së të burgosurit për të cilin bëhet fjalë) ose nëse vetë Gjykata nuk vendos ndryshe.
- Lidhur me këtë, unë si gjyqtar konsideroj se Gjykata duhej të konstatonte se parashtruesi i kërkesës vetëm i përmend nenet përkatëse, por nuk shtjellon më tutje se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e këtyre neneve relevante të Kushtetutës. Unë, si gjyqtar, konsideroj se Gjykata duhet të kishte rikujtuar se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe KEDNJ-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje të Kushtetutës. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, rastin KI175/20, parashtrues: Agjencia Kosovare e Privatizimit, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 marsit 2020. godine, paragrafët 79-82).
- Në vend të kësaj, shumica e gjyqtarëve vendosi të konkludojë vetë se cilat janë pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe në bazë të një fjale të parashtruesit të kërkesës në pjesën hyrëse të kërkesës, shumica e gjyqtarëve gjeti se parashtruesi i kërkesës ankohet ndaj vendimit të paarsyetuar të Gjykatës Supreme lidhur me pretendimet e parashtruesit se Gjykata e Apelit do të duhej të mbante një seancë publike. Në bazë të kësaj fjale të vetme kërkesa u bë e pranueshme dhe shumica në Gjykatë konkludoi se ky është pretendimi kryesor i parashtruesit dhe se Gjykata Supreme nuk iu përgjigj në mënyrë adekuate këtij pretendimi.
- Unë si gjyqtar konsideroj se kjo është një mënyrë e gabuar e të konkluduarit dhe se me këtë as vetë parashtruesi i kërkesës nuk përfiton asgjë, sepse, sipas mendimit tim, pretendimi kryesor i parashtruesit kishte të bënte me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike. Në këtë mënyrë Gjykata nuk do të përmirësojë shkeljen e të drejtave të parashtruesit të kërkesës, por vetëm do të zgjasë procedurën, në atë mënyrë që Gjykata Supreme gjatë procedurës së përsëritur do të shtojë një ose dy fjali të tjera me të cilat do t’i referohet pretendimeve të parashtruesit të kërkesës.
- Konstatimi i shkeljes së të drejtës për një vendim të arsyetuar ka kuptim vetëm nëse një arsyetim i tillë shtesë do të çonte në një rezultat të ndryshëm të rastit.
- Rikujtoj se kur një parashtresë e palës është vendimtare për rezultatin e procedurës, ajo kërkon një përgjigje specifike dhe pa vonesë (shih, Aktgjykimin e GJEDNJ-së, Ruiz Torija kundër Spanjës, të 9 dhjetorit 1994, kërkesa nr. 18390/91, paragrafi 30; Aktgjykimin Hiro Balani kundër Spanjës, të 9 dhjetorit 1994, kërkesa nr. 18064/91, paragrafi 28).
Prandaj, gjykatat e rregullta janë të detyruara:
- të shqyrtojnë argumentet më të rëndësishme të palëve (shih, Aktgjykimin Buzescu kundër Rumanisë, të 24 gushtit 2005, kërkesa nr. 61302/00, paragrafi 67; Aktgjykimin Donadzekundër Gjeorgjisë, të 7 qershorit 2006, kërkesa nr. 74644/01, paragrafi 35);
- të shqyrtojnë me kujdes të veçantë dhe rigorozitet deklarimet që lidhen me të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë, KEDNJ dhe protokollet e saj (shih, Aktgjykimin Fabris kundër Francës, të 7 shkurtit 2013, kërkesa nr. 16574/08, paragrafi 72; Aktgjykimin Wagner dhe J.M.W.L. kundër Luksemburgut, të 28 shtatorit 2007, kërkesa nr. 76240/01, paragrafi 96).
- Në rastin konkret, pretendimi i parashtruesit të kërkesës nuk është vendimtar për rezultatin e procedurës, dhe rrjedhimisht nuk kërkohet një përgjigje specifike dhe pa vonesë ndaj këtij pretendimi (shih, Aktgjykimin e GJEDNJ-së, Ruiz Torija kundër Spanjës, cituar më lart, paragrafi 30; Aktgjykimin Hiro Balani kundër Spanjës, cituar më lart, paragrafi 28).
- Bazuar në sa më sipër, unë si gjyqtar konsideroj se lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e të drejtave të garantuara me nenin 3, nenin 22, nenin 24 dhe nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata do duhej të konstatonte se kjo pjesë e kërkesës duhet të shpallet e papranueshme si qartazi e pabazuar, sepse këto pretendime kualifikohen si pretendime që i përkasin kategorisë së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, ngase parashtruesi i kërkesës vetëm i ka përmendur nenet e Kushtetutës, pa shpjeguar se si dhe pse janë shkelur këto nene. Rrjedhimisht, ato janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Mendimin mospajtues e dorëzoi gjyqtari:
Radomir Laban, gjyqtar
_________________
[1] Shiko Parathënien e Kushtetutës
[2] Neni 1.2 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës
[3] Neni 21 dhe 24 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës