Prishtinë, më 12 dhjetor 2024
Nr. ref.: MK 2585/24
MENDIM KONKURRUES
i gjyqtarit
RADOMIR LABAN
në
rastin nr. KI139/24
Parashtrues
Avdylvehab Bytyqi
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit PAKR. nr. 43/2024 të 12.03.2024 të Gjykatës së Apelit
Duke shprehur në fillim pajtimin tim me mendimin e shumicës së gjyqtarëve se rasti konkret është i papranueshëm.
Mirëpo, unë si gjyqtar individual kam një mendim konkurrues lidhur me arsyen e papranueshmërisë së këtij rasti dhe nuk pajtohem me mendimin e shumicës se ky rast është i papranueshëm për shkak se parashtruesi i kërkesës nuk i ka shteruar të gjitha mjetet juridike që i ka pasur në dispozicion. Konsideroj se rasti është i papranueshëm si “qartazi i pabazuar”.
Për sa më sipër, dhe në pajtim me rregullin 57 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese, do të paraqes mendimin tim konkurrues shkurtimisht.
Si gjyqtar pajtohem plotësisht me gjendjen faktike siç është deklaruar dhe paraqitur në aktvendim dhe e pranoj të njëjtën gjendje faktike si të saktë. Gjithashtu, pajtohem me mënyrën se si janë parashtruar dhe paraqitur në aktvendim pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe i pranoj të njëjtat si të sakta.
Gjithashtu pajtohem me konkluzionin e shumicës se rasti është i papranueshëm, por konsideroj se parashtruesi i kërkesës i ka shteruar mjetet juridike sepse parashtruesi i kërkesës konteston aktgjykimin e formës së prerë PAKR nr. 43/2024 të 12.03.2024 të Gjykatës së Apelit, dhe parashtruesi i kërkesës i ka shteruar të gjitha mjetet e rregullta juridike.
Lidhur me këtë rikujtoj Kodin 08/L-032 e Procedurës Penale, i cili në nenin 419 i thekson qartë mjetet e jashtëzakonshme juridike dhe ndër të tjera thekson si në vijim:
Neni 419
Mjetet e jashtëzakonshme juridike
1. Procedura penale e përfunduar me aktvendim të formës së prerë ose me aktgjykim të formës së prerë mund të rishikohet me kërkesën e personave të autorizuar vetëm në rastet dhe sipas kushteve të parapara me këtë Kod. Kërkesa për rishikim të procedurës penale i paraqitet gjykatës themelore e cila ka nxjerr vendimin.
2. Pala mund të kërkojë zbutjen e jashtëzakonshme të dënimit në çdo kohë gjatë periudhës së mbajtjes së dënimit. Pala i paraqet kërkesën gjykatës themelore e cila ka nxjerr aktgjykimin në shkallë të parë, e cila ia përcjell të gjitha shkresat e lëndës Gjykatës Supreme.
3. Pala mund të paraqesë kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë brenda tre (3) muajsh nga dita kur është dorëzuar aktgjykimi i formës së prerë ose aktvendimi i formës së prerë kundër të cilit kërkohet mbrojtja e ligjshmërisë. Pala paraqet kërkesën në gjykatën themelore e cila ka nxjerr vendimin në shkallë të parë, e cila ia përcjell të gjitha shkresat e lëndës Gjykatës Supreme.
4. Nenet 375, 376, 377, 378 dhe 379 të këtij Kodi zbatohen për të gjitha kërkesat nga ky nen.
Nga teksti i qartë i këtij neni të ligjit, shihet se mjetet e jashtëzakonshme juridike lejohen vetëm kundër aktvendimeve të formës së prerë dhe aktgjykimeve të formës së prerë të Gjykatës së Apelit dhe numëron tri mjete juridike, përkatësisht
Kërkesën për rishikimin e procedurës penale
Kërkesën për zbutjen e jashtëzakonshme të dënimit dhe
Kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë.
Gjithashtu, ligji përcakton qartë arsyet për të cilat mund të parashtrohet secili nga këto mjete juridike të jashtëzakonshme dhe afatet kohore kur mund të parashtrohet ndonjë nga mjetet e jashtëzakonshme juridike.
Pikërisht për këtë konsideroj se parashtruesit e kërkesës nuk duhet të shterojnë asnjë mjet të jashtëzakonshëm juridik për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, përndryshe atyre do t’u duhej të shteronin secilin nga mjetet e jashtëzakonshme juridike, gjë që do ta vështirësonte edhe më shumë që parashtruesit e kërkesës t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
Gjithashtu i referohem edhe praktikës së GJEDNJ-së e cila thekson si në vijim: “Nuk është e nevojshme të përdoren mjetet juridike diskrecionale ose të jashtëzakonshme kur, për shembull, një gjykate i kërkohet të rishikojë vendimin e saj (Çınar kundër Turqisë (vendim); Prystavska kundër Ukrainës (vendim))“.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Për sa më sipër, konsideroj se parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, i referohem paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.“
[...]
Më tej shqyrtoj nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të cilat përcaktohen me Ligj, përkatësisht nenet 47, 48 dhe 49 të Ligjit, të cilët parashohin:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.“
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj."
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht...”
Përkitazi me plotësimin e kritereve të sipërpërmendura, vlerësoj se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, në pajtim me nenin 113.7. të Kushtetutës; Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e aktit të autoritetit publik, përkatësisht aktgjykimin [PAKR. nr. 43/2024] e 12 marsit 2024 të Gjykatës së Apelit, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të rregullta në dispozicion, në bazë të nenit 113.7 të Kushtetutës dhe nenit 47.2 të Ligjit; saktësoi të drejtat e garantuara me Kushtetutë, për të cilat pretendon se janë shkelur, në përputhje me kërkesat e nenit 48 të Ligjit; dhe kërkesën e ka parashtruar në afatin ligjor prej 4 (katër) muajsh, të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit.
Më tej shqyrtoj nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e përcaktuara me rregullin 34 (2) (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së Punës, i cili parasheh:
Rregulli 34
(Kriteret e pranueshmërisë)
(2) „Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij.“
Bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t'u referohet të njëjtave, si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, atëherë kur plotësohet njëri nga dy nënkriteret, në vijim: a) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës thjesht citon një ose disa dispozita të Konventës apo të Kushtetutës, pa shpjeguar mënyrën se si ato janë shkelur, përveç nëse në bazë të fakteve dhe rrethanave të rastit duket qartë shkelja e Kushtetutës (shih, rastin e GJEDNJ-së Trofimchuk kundër Ukrainës, nr. 4241/03, vendim i 31 majit 2005; shih gjithashtu Baillard kundër Francës, nr. 6032/04, vendim i 25 shtatorit 2008); dhe b) kur parashtruesi/ja i/e kërkesës nuk paraqet ose refuzon të paraqesë prova materiale, me të cilat do t’i mbështeste pretendimet e tij/saj (kjo posaçërisht vlen për vendimet e gjykatave ose të autoriteteve të tjera të brendshme), përveç rasteve kur ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që janë jashtë kontrollit të tij dhe të cilat e pengojnë atë ta bëjë këtë (për shembull, kur administrata e burgut refuzon t'ia paraqesë Gjykatës dokumentet nga dosja e një të burgosuri për të cilin bëhet fjalë) ose nëse Gjykata vetë nuk vendos ndryshe (shih, rastin e Gjykatës KI166/20, parashtrues, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 janarit 2021, paragrafi 43), dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GJEDNJ-së, Kemmache kundër Francës, nr. 17621/91, Aktgjykim i 24 nëntorit 1994, kategoria (i), Juta Mentzen kundër Lituanisë, nr. 71074/01, vendim i 7 dhjetorit 2004, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës), kërkesa nr. 4241/03).
Theksoj se parashtruesi i kërkesës ka pretenduar shkelje të neneve 23, 24, 26, 31 dhe 53 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Megjithatë, vërej se deklaratat në kërkesën e tij i referohen nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, përkatësisht shkeljes së dispozitave të KPPRK-së; dhe nenit 32 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 13 të KEDNJ-së, përkatësisht përdorimin e mjeteve juridike, dhe Gjykata do t'i trajtojë këto pretendime në kuadër të këtyre neneve.
Pretendimi për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së
Parashtruesi i kërkesës pretendon se vendimet e gjykatave të rregullta janë në kundërshtim me të drejtën për gjykim të drejtë, pasi pavarësisht kërkesës së tij, ai nuk është ftuar të marrë pjesë në seancë në Gjykatë të Apelit; dhe nuk ishte dëgjuar nga Prokuroria Themelore në fazën hetimore, kur do të kishte mundur të parashtrojë kundërshtim lidhur me provat e paraqitura.
Më tej vërej se Gjykata Kushtetuese nuk është gjykatë e “shkallës së katërt” në lidhje me vendimet e gjykatave të rregullta. Roli i këtyre të fundit është të interpretojnë dhe zbatojnë dispozitat përkatëse të së drejtës materiale dhe procedurale (shih rastin e GJEDNJ-së, Garcia Ruiz kundër Spanjës, nr. 30544/96, aktgjykim i 21 janarit 1999). Gjykata vazhdimisht ka mbajtur qëndrimin se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e faktit ose ligjit (ligjshmërinë) që pretendohet të jenë kryer nga gjykatat e rregullta, përveç nëse ato shkelin të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe KEDNJ (shih rastin e GJEDNJ, Famullia Greke Katolike e Lupenit kundër Rumanisë, aktgjykim i 29 nëntorit 2016 dhe rasti i Gjykatës, KI70/11, me parashtrues Faik Hima, Magbule Hima, Bestar Hima, aktvendim i 12 dhjetorit 2011, paragrafi 29).
Rikujtoj se neni 31 i Kushtetutës nuk i garanton askujt një rezultat të favorshëm në një gjykim. Pakënaqësia e parashtruesit të kërkesës me rezultatin e procedurave të gjykatave të rregullta nuk mund të ngrejë vetvetiu një pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë (shih rastin e GJEDNJ-së, Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, aktgjykim i 26 korrikut 2005, paragrafi 21; rasti i Gjykatës KI96/21, parashtrues Xhelal Zherka, aktvendim i 10 shtatorit 2021, paragrafi 53).
Në lidhje me këtë, vërej se parashtruesi i kërkesës është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore me aktgjykimin [2022:234101] e 7 dhjetorit 2023 për veprën penale “Dhunim” nga neni 227, paragrafi 4, nën-paragrafi 4.4. lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe është dënuar me gjashtë (6) vjet burgim. Gjykata Themelore arsyetoi se parashtruesi i kërkesës në veturën e tij, duke përdorur forcën e tij fizike dhe nën kërcënimin me thikë, e detyroi viktimën të kryejë marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e saj. Gjykata Themelore paraqiti dhe u mbështet në një sasi të konsiderueshme provash, duke përfshirë deklaratën e palës së dëmtuar, deklaratat e dëshmitarëve, raportet e policisë dhe organeve hetimore dhe raportet mjekësore.
Gjykata e Apelit refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës, përmes së cilës pretendoi se kishte pasur shkelje të dispozitave të procedurës penale dhe ligjit penal dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike. Gjykata e Apelit vlerësoi se Gjykata Themelore në mënyrë të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike duke përshkruar mënyrën dhe vendin e kryerjes së veprës penale. Gjykata e Apelit gjithashtu vlerësoi se arsyetimi i Gjykatës Themelore ishte në përputhje me gjendjen faktike të rastit dhe me provat e paraqitura gjatë seancës gjyqësore.
Në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës se nuk është ftuar në seancën në Gjykatën e Apelit, në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 390 të KPPRK-së, vërej se seanca është mbajtur në Gjykatën e Apelit më 12 mars 2024, ku parashtruesi i kërkesës dhe avokati i tij u ftuan në mënyrë të rregullt. Parashtruesi i kërkesës nuk mori pjesë në seancë për shkak se ishte në paraburgim, ndërsa avokati i tij deklaroi se seanca mund të vazhdojë. Për më tepër, Gjykata e Apelit arsyetoi se sipas paragrafit 4 të nenit 390 të KPPRK-së, seanca mund të mbahet edhe pa praninë e palëve kur ato thirren në mënyrë të rregullt.
Lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës se ai nuk është dëgjuar nga Prokuroria Themelore gjatë procedurës hetimore, vërej se parashtruesi i kërkesës ka dhënë deklaratën e tij në Prokurorinë Themelore më 12 dhjetor 2022, në prani të mbrojtësit të tij. Gjatë shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën Themelore, parashtruesi i kërkesës dha dëshminë e tij dhe mbështeti argumentet ligjore të paraqitura nga mbrojtësi i tij.
Theksoj se Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit vendosën në bazë të provave të paraqitura gjatë procesit gjyqësor dhe se parashtruesi i kërkesës kishte të gjitha mundësitë për të paraqitur argumentet dhe kundërshtimet e tij lidhur me paraqitjen e provave. Parashtruesi i kërkesës ka pasur mundësinë të dëshmojë gjatë gjykimit në Gjykatën Themelore dhe është ftuar rregullisht nga Gjykata e Apelit për të marrë pjesë në seancën e mbajtur më 12 mars 2024. Gjykatat e rregullta nuk ia mohuan parashtruesit të kërkesës të drejtat kushtetuese, por vendosën brenda juridiksionit të tyre dhe nuk bëhet fjalë për vendime arbitrare apo të paarsyeshme.
Prandaj, konstatoj se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së i përkasin pretendimeve të kategorisë (ii) të karakterizuara me “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; dhe të njëjtat duhet të shpallen qartazi të pabazuara.
Pretendimi për shkelje të nenit 32 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 13 të KEDNJ-së
Parashtruesi i kërkesës thekson se nuk kishte mjete të rregullta juridike në dispozicion kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Sipas tij, Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit nuk i kanë shqyrtuar ankesat e tij dhe me këtë ia kanë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Theksoj sërish se çdo person ka të drejtë të përdorë mjete juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative, të cilat i mohojnë të drejtat apo interesat e tij, në mënyrën e përcaktuar me ligj. Bazuar në nenin 32 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 13 të KEDNJ-së, sistemet juridike duhet të kenë në dispozicion mjete juridike efektive për të adresuar thelbin e pretendimeve për shkelje të Kushtetutës dhe KEDNJ-së (shih rastet e Gjykatës, KI193/18, parashtrues Agron Vula, aktgjykim i 22 prillit 2020, paragrafët 129-132).
Në rastin konkret, Gjykata Themelore, me aktgjykimin [2022:234101] e 7 dhjetorit 2023, e shpalli parashtruesin e kërkesës fajtor për veprën penale të “dhunimit” dhe e dënoi me gjashtë (6) vjet burgim. Kundër këtij aktgjykimi, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe vendimit për sanksion penal. Pretendimet e tij ankimore u hodhën si të pabazuara nga Gjykata e Apelit, e cila vlerësoi se aktgjykimi i Gjykatës Themelore ishte i drejtë dhe në përputhje me dispozitat ligjore.
Theksoj se parashtruesi i kërkesës ka përdorur mjetet juridike të përcaktuara me ligj dhe se Gjykata e Apelit i ka adresuar kërkesat e tij ankimore, megjithëse i ka shpallur të pabazuara. Parashtruesi i kërkesës nuk është i kënaqur me rezultatin e procesit gjyqësor, sepse ankesa e tij u refuzua nga Gjykata e Apelit si e pabazuar. Gjykata thekson edhe një herë se efektiviteti i mjetit juridik nuk varet nga rezultati i procesit gjyqësor, por nga fakti nëse parashtruesi i kërkesës ka pasur mundësinë të përdorë formalisht mjetin juridik dhe nëse pretendimet e tij janë adresuar në thelb nga gjykatat e rregullta (shih rastinKI92/23, parashtruese Mimoza Pajaziti, aktvendim për papranueshmëri i 31 janarit 2024, paragrafi 67).
Prandaj, konstatoj se pretendimet e parashtruesit të kërkesës përkitazi me mohimin e të drejtës për të përdorur mjetin juridik, për shkeljen e nenit 32 të Kushtetutës në lidhje me nenin 13 të KEDNJ-së, i përkasin pretendimeve të kategorisë (ii) të karakterizuar me “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; dhe të njëjtat duhet të shpallen qartazi të pabazuara.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 23 [Dinjiteti i Njeriut], 24 [Barazia para Ligjit], 26 [E Drejta e Integritetit Personal] dhe 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës
Në rastin konkret, parashtruesi i kërkesës vetëm përmend shkeljen e neneve 23, 24, 26 dhe 53 të Kushtetutës, por nuk arsyeton dhe nuk shpjegon se si ka ardhur deri te shkelja e këtyre neneve.
Prandaj, në lidhje me këto pretendime të parashtruesit të kërkesës për shkeljen e të drejtave të garantuara me nenet 23, 24, 26 dhe 53 të Kushtetutës, konkludoj se kjo pjesë e kërkesës duhet të shpallet e papranueshme si qartazi e pabazuar sepse këto pretendime kualifikohen si pretendime që bëjnë pjesë në kategorinë e pretendimeve (iii) “të pambështetura apo të paarsyetuara” sepse parashtruesi i kërkesës thjesht deklaroi një ose më shumë dispozita të Konventës ose Kushtetutës, pa shpjeguar se si ato janë shkelur. Prandaj, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Për sa më sipër, konkludoj se pretendimet e parashtruesit të kërkesës duhet të refuzohen në tërësi si qartazi të pabazuara.
Mendimi konkurrues është paraqitur nga gjyqtari:
Radomir Laban, gjyqtar
_________________
Më 6 nëntor 2024 në Prishtinë
Avdylvehab Bytyqi
KI - Kërkesë individuale
Urdhëra tjerë
Nuk janë shterur mjetet juridike
Mendim konkurrues
Penale