Prishtinë, më 26 maj 2023
Nr. ref.: MK 2202/23
MENDIM KONKURRUES
gjyqtari
RADOMIR LABAN
në
rastin nr. KI69/21
parashtrues
Partia Liberale Egjiptiane (PLE)
Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK)
Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit AA. nr. 29/2021 të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 12 marsit 2021
Duke shprehur që në fillim respektin dhe pajtimin tim me mendimin e shumicës së gjyqtarëve se në këtë rast, aktgjykimi [AA. nr. 29/2021] i Gjykatës Supreme i 12 marsit 2021 nuk ka shkelur të drejtën e parashtruesit të kërkesës për t'u zgjedhur në përputhje me paragrafin 1 të nenit 45 [Të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes] të Kushtetutës në lidhje me nenin 3 (E drejta për zgjedhje të lira ) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Unë si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, besoj se ka një shkelje të të drejtave të njeriut të garantuara me Kushtetutë, që i është bërë parashtruesit të kërkesës dhe që i referohet shkeljes së të drejtave të parashtruesit të garantuara nga paragrafi 4 i nenit 58 [Përgjegjësitë e shtetit] të Kushtetutës në lidhje me nenin 15 të Konventës Kornizë të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave kombëtare (në tekstin e mëtejmë: Konventa kornizë), të cilën do të përpiqem ta arsyetoj në tekstin më poshtë.
Unë si gjyqtar pajtohem me gjendjen faktike siç është deklaruar dhe paraqitur në aktgjykim dhe e pranoj të njëjtën gjendje faktike si të saktë. Unë gjithashtu pajtohem me mënyrën se si pretendimet e kërkuesit janë parashtruar dhe paraqitur në aktgjykim. Megjithatë, Unë plotësisht nuk pajtohem me analizën juridike të paraqitur në aktgjykim si dhe me dispozitivin e aktgjykimit.
Për atë që u tha më lart, dhe në përputhje me rregullat 62 dhe 63 të Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese, do të paraqes me shkrim mendimin tim konkurrues. Për ta bërë sa më të lehtë dhe të qartë ndjekjen e arsyetimit të mendimit Tim konkurrues, do të shpjegoj (I) Kornizën kohore të nxjerrjes së aktgjykimit; (II) Lidhur me kërkesën e paraqitur nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK), e përfaqësuar nga Albert Kinolli; (III) Lidhur me kërkesën e paraqitur nga Partia Liberale Egjiptiane (PLE), e përfaqësuar me prokurë nga Veton Berisha; (IV) Lidhur me pretendimin (PLE) për shkeljen e të drejtave nga neni 45 i Kushtetutës në lidhje me nenin 3 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së; (V) Çështja e parë e pasqaruar në lidhje me pretendimin (PLE) për shkeljen e të drejtave nga neni 45 i Kushtetutës në lidhje me nenin 3 të Protokollit nr. 1 i KEDNJ-së; (VI) Një tjetër çështje e pasqaruar lidhur me pretendimin (PLE) për shkeljen e të drejtave nga neni 45 i Kushtetutës në lidhje me nenin 3 të Protokollit nr. 1 i KEDNJ-së; (VII) Lidhur me pretendimin (PLE) për shkeljen e paragrafit 4 të nenit 58 të Kushtetutës në lidhje me nenin 15 të Konventës Kornizë; (VIII) Lidhur me efektin e aktgjykimit; (IX) Konkluzioni në lidhje me shkeljet e pretenduara të të drejtave të parashtruesit të kërkesës.
Korniza kohore për nxjerrjen e aktgjykimit
Unë si gjyqtar i vetëm nuk pajtohem me kornizën kohore të nxjerrjes së këtij aktgjykimi, besoj se këtë dhe çdo aktgjykim tjetër lidhur me procesin zgjedhor është dashur ta bëjë Gjykata më së largu brenda periudhës prej 6 (gjashtë) muajsh. Këtë qëndrim timin e kam theksuar edhe para shqyrtimit të parë të këtij rasti në rastin KO61-21, që kishte të bënte me kushtetutshmërinë e përfaqësimit të komuniteteve joshumicë në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Se Gjykata është në gjendje të nxjerrë aktgjykim në një periudhë shumë të shkurtër kohore Gjykata ka dëshmuar në rastet KO54-20, ku parashtruesi i kërkesës ishte Presidenti i Republikës së Kosovës dhe KO61-20, ku parashtruesi i kërkesës ishte Uran Ismaili dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Të dyja këto lëndë u zgjidhën nga Gjykata brenda më pak se 30 ditësh.
Kam konsideruar se meqenëse ky rast shtron çështjen e përfaqësimit të komuniteteve joshumicë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ndërsa lënda KO61-21 ka ngritur çështjen e përfaqësimit të komuniteteve në Qeverinë e Republikës së Kosovës, është logjike që këto dy raste të shqyrtohen së bashku, veçanërisht pasi në të dyja rastet u përmend termi demokraci kushtetuese ose demokraci konsocionale ("consotiational democracy'').
Gjithashtu, këto dy lëndë janë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese brenda një periudhe kohore prej 15 ditësh, kështu që logjika e ka diktuar që, duke qenë se të dyja kanë të bëjnë me të drejtat zgjedhore dhe përfaqësimin e komuniteteve joshumicë, të zgjidhen në të njëjtën ose afërsisht të njëjtat korniza kohore.
Për fat të keq sugjerimet e mia mbetën në pakicë dhe rasti KO61-21 u zgjidh më 8 tetor 2021, ndërsa ky rast mbeti në proces shqyrtimi për një periudhë shumë më të gjatë kohore, ku Gjykata lejoi që për shkak të zgjidhjes së vonuar të rastit, ai u bë objekt i diskutimeve publike, të cilat morën një konotacion politik e jo juridik.
Gjykata posaçërisht nuk ka arsyetim për periudhën nga 30 marsi 2022 deri në momentin e vendimmarrjes përfundimtare, ku Gjykata për mbi një vit ka kryer ekskluzivisht një analizë ligjore të çështjes, sepse në këtë periudhë Gjykata nuk ka marrë çdo informacion të ri, ka kërkuar mendime apo ndërmarr ndonjë veprim që do të ndikonte në rrjedhën e procedurës, në këtë periudhë është dashur të bënim më shumë përpjekje, përfshirë edhe mua, për të bërë një analizë juridike cilësore të çështjes dhe për ta zgjidhur lëndën shumë më herët.
Në këtë mënyrë do të shmangnim të gjitha spekulimet dashakeqe dhe konotacionet politike që i jepeshin këtij rasti në opinionin publik dhe njëkohësisht, duke zgjidhur shpejt këtë rast, si dhe çdo rast tjetër që lidhet me të drejtat zgjedhore, do të kontribuonim ndjeshëm në sigurinë juridike dhe reduktonim paqartësinë në lidhje me të drejtat e vetë parashtruesve të kërkesës.
Për të gjitha këto që u thanë më sipër, konsideroj se Gjykata është dashur të gjente një mënyrë për të zgjidhur këtë lëndë dhe çdo tjetër që ka të bëj me të drejtat zgjedhore brenda një kornize kohore jo më të gjatë se 6 (gjashtë) muaj.
Përkitazi me kërkesën e parashtruar nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK), të cilën e përfaqëson Albert Kinolli
Plotësisht pajtohem me qëndrimin e shumicës se parashtruesi i kërkesës, gjegjësisht subjekti politik PBREK nuk i ka shteruar mjetet juridike, të përcaktuar me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës për të kontestuar Aktgjykimin AA.nr.29/2021, të Gjykatës Supreme. Për pasojë, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës, përkatësisht PBREK nuk e ka plotësuar kriterin e pranueshmërisë së shterimit të mjeteve juridike të përcaktuar me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafin 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikën (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës, dhe rrjedhimisht kërkesa e parashtruesit përkatësisht subjektit politik PBREK duhet të shpallet e papranueshme.
Përkitazi me kërkesën e parashtruar nga Partia Liberale Egjiptiane (PLE), të cilën me autorizim e përfaqëson Veton Berisha
Plotësisht pajtohem me qëndrimin e shumicës se parashtruesi i kërkesës, përkatësisht subjekti politik PLE, i ka shteruar të gjitha mjetet juridike për të kontestuar në Gjykatë edhe Aktgjykimin [AA.nr.29/2021] e Gjykatës Supreme në lidhje me Vendimin e PZAP-së të 7 marsit 2021, por vetëm në pjesën që i përket refuzimit të ankesës së tij në lidhje me Komunën e Kamenicës dhe Graçanicës, për arsye se i njëjti nuk kishte parashtruar ankesë kundër Vendimit plotësues të PZAP-it të 10 marsit 2021, me të cilin ishte vendosur përkitazi me refuzimin e anulimit të fletëvotimeve të subjektit politik Romani Iniciyativa në Komunën e Mitrovicës së Veriut
Përkitazi me pretendimet (PLE) për shkelje të të drejtave nga neni 45 i Kushtetutës në lidhje me nenin 3 të Protokollit nr. 1 KEDNJ-së
Për sa u përket këtyre pretendimeve, pjesërisht pajtohem me qëndrimin e shumicës se Aktgjykimi [AA.nr.29/2021] i 12 marsit 2021 i Gjykatës Supreme nuk ka cenuar të drejtën e parashtruesit të kërkesës për tu zgjedhur sipas paragrafit 1 të nenit 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës në lidhje me nenin 3 (E drejta për zgjedhje të lira) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Fillimisht rikujtoj se për aq sa është relevante për rrethanat e rastit konkret, është e rëndësishme të theksohet që sipas praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së (i) nuk është roli i gjykatave që të përcaktojnë vullnetin e votuesëve; (ii) në vlerësimin nëse fletëvotimet në një zonë zgjedhore mund të shpallen të pavlefshme, autoritetet përkatëse duhet të bazohen në dispozita të qarta të ligjore; dhe (iii) ndër tjerash, në rastin Kovach kundër Ukrainës, GJEDNJ kishte konstatuar shkelje të nenit 3 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së edhe në rrethanat kur autoritetet përkatëse ishin referuar në një bazë ligjore e cila mundësonte shpalljen e pavlefshme të votave, por e cila sipas GJEDNJ-së nuk ishte mjaftueshëm e qartë për të pamundësuar arbitraritetin e autoriteteve përkatëse në anulimin, përkatësisht shpalljen e pavlefshme të fletëvotimeve dhe të cilat e kishin afektuar rezultatin zgjedhor.
Më tej, rikujtoj se kriteret mbi bazën e të cilave votat mund të shpallen të pavlefshme, janë të përcaktuara në rregullativën e KQZ-së, përkatësisht, (i) Rregullën Zgjedhore nr. 06/2013 lidhur me Qendrat e Numërimit dhe e Rezultateve; dhe (ii) Rregullën Zgjedhore nr. 09/2013 lidhur me Votimin, Numërimin në Vendvotim dhe Menaxhimin e Qendrës së Votimit. Rregulli i parë, në nenin 7 (Numërimi i fletëvotimeve në QNR) të saj saktëson rastet kur një fletëvotim konsiderohet i pavlefshëm, përkatësisht nëse (i) në fletëvotim është shënuar më shumë se një subjekt politik; (ii) mënyra se si është shënuar fletëvotimi e bën qëllimin e votuesit të paqartë; (iii) nuk është vulosur me vulën zyrtare të fletëvotimeve, përveç nëse është fletëvotim për votim përmes postës, i cili nuk kërkohet të vuloset; dhe (iv) është fletëvotim për votim përmes postës që nuk është fletëvotim i pranueshëm siç përcaktohet në Rregullën e Zgjedhjeve nr. 03/2013, Votimi jashtë Kosovës. Ndërsa rregulli dytë, në nenin 21 (Procesi i numërimit në vendvotimet e rregullta), përkatësisht pikën 21.10 përcakton saktë rrethanat në të cilat një fletëvotim duhet të konsiderohet i pavlefshëm, përkatësisht nëse (i) në fletëvotim është shënuar më shumë se një subjekt politik; (ii) mënyra se si është shënuar fletëvotimi e bën qëllimin e votuesit të paqartë; (iii) nuk është vulosur me vulën zyrtare të fletëvotimeve, kur është nxjerrë nga kutia e votimit; dhe (iv) votuesi e shënon vetëm kandidatin dhe jo subjektin politik. As Ligji as rregullativa e KQZ-së, nuk përcakton asnjë kriter tjetër mbi bazën e të cilit mund të shpallen të pavlefshme fletëvotimet dhe aq më pak kriter të bazuar në përkatësi etnike të votuesve.
Më pas, pajtohem me qëndrimin e shumicës që neni 45 i Kushtetutës është neni themelor që rregullon të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes. I njëjti përcakton që (i) çdo shtetas i Republikës së Kosovës që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, gëzon të drejtën të zgjedhë dhe të zgjedhet, me përjashtim kur kjo e drejtë i kufizohet me vendim gjyqësor, duke garantuar kështu të drejtën aktive dhe pasive të zgjedhjes siç është përcaktuar edhe përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës dhe të GJEDNJ-së; (i) që vota është “personale”, e “barabartë”, “e lirë” dhe “e fshehtë”; dhe (iii) institucionet shtetërore mbështesin mundësitë për pjesëmarrjen e çdonjërit në aktivitete publike dhe të drejtën e secilit për të ndikuar në mënyrë demokratike në vendimet e organeve publike.
Pajtohem që në bazë të sqarimeve të mësipërme, në kuadër të sistemit aktual zgjedhor në Republikën e Kosovës, nuk ekziston asnjë bazë ligjore mbi të cilën fletëvotimet mund të shpallen të pavlefshme në vendvotime të caktuara në bazë të supozimeve për përkatësinë etnike të votuesve, duke përfshirë edhe marrëdhënien ndërmjet numrit të votave që mund të fitojë një parti, një koalicion, një nismë qytetare dhe një kandidat i pavarur që pretendon se përfaqëson një komunitet dhe numrit të llogaritur të votuesve të të njëjtit komunitet në qendra të caktuara votimi. Gjykata rikujton se sipas GJEDNJ-së (i) nuk është roli i gjykatave që të përcaktojnë vullnetin e votuesëve duke përfshirë edhe shpalljen e fletëvotimeve të pavlefshme pa një bazë të qartë ligjore; dhe (ii) çdo shpallje e fletëvotimeve të pavlefshme duhet të bazohet në një bazë të qartë ligjore, një kërkesë që buron nga vetë Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rregullativa e KQZ-së në kuptim të kompetencës së PZAP-së, për të anuluar/deklaruar të pavlefshme fletëvotimet.
Rrjedhimisht, dhe në kontekstin e kërkesës së parashtruesit për të vërtetuar se aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme ka rezultuar në shkelje të së drejtës së parashtruesit për t'u zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, si rezultat i refuzimit të anulimit të fletëvotimeve në komunën e Graçanicës dhe të Kamenicës, pajtohem me mendimin e shumicës se Gjykata duhet të konstatojë se nuk është kështu. Kjo pasi, sipas sqarimeve të lartpërmendura të bazuara në Kushtetutë, instrumentet e vlefshme ndërkombëtare, praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, nuk ekziston asnjë bazë ligjore mbi të cilën fletëvotimet mund të shpallen të pavlefshme në bazë të përkatësisë etnike të votuesit, përfshirë edhe deklarimin e pretenduar të përkatësisë etnike që përfaqësojnë votuesit.
Rrjedhimisht, konsideroj se refuzimi i anulimit, gjegjësisht shpalljes së pavlefshme të fletëvotimeve në vendvotimet e përmendura në komunën e Graçanicës dhe Kamenicës, gjegjësisht pjesa e kontestuar e aktgjykimit të Gjykatës Supreme, nuk ka rezultuar në shkelje të të drejtave të parashtruesit të kërkesës për t'u zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës, siç garantohet me paragrafin 1 të nenit 45 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Për të gjitha që u thanë më sipër, pajtohem me analizën juridike në lidhje me konkluzionin e shumicës se shpallja e fletëvotimeve të pavlefshme nuk përcaktohet me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme apo/dhe rregullativën në fuqi të KQZ-së, e cila në fakt është shumë e qartë dhe specifike kur përcakton rrethanat në të cilat mund të anulohen fletëvotimet, fakt që vetë KQZ-ja e ka theksuar në përgjigjen përkatëse në PZAP ndaj ankesës së parashtruesit të kërkesës. Thënë këtë, duke pasur parasysh se PZAP-ja dhe Gjykata Supreme, duke i shpallur të pavlefshme fletëvotimet në pesë komunat e përmendura, iu referuan paragrafit 4 të nenit 58 dhe paragrafit 2 të nenit 64 të Kushtetutës, duke anashkaluar nenin 45.
Megjithatë, konsideroj se edhe pse ky konkluzion është në përputhje me analizën juridike të garancive kushtetuese të parapara me nenin 45 të Kushtetutës, ai është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe se ai duhet lexuar së bashku me nenet 58 dhe 64 të Kushtetutës.
Domethënë, unë konsideroj se hartuesit e Kushtetutës së Kosovës me rastin e shkrimit të saj e kanë pasur parasysh një demokraci parlamentare, e cila është multietnike dhe duhet të sigurojë përfaqësim reprezentues të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
Jam i bindur se qëllimi i të gjithë atyre që e kanë shkruar Kushtetutën e Kosovës ka qenë që përfaqësuesit reprezentues të komunitetit shqiptar në Kuvendin e Kosovës të përfaqësojnë shqiptarët, që përfaqësuesit reprezentues të komunitetit serb të përfaqësojnë serbët, që përfaqësuesit reprezentues të boshnjakëve përfaqësojnë boshnjakët, se përfaqësuesit reprezentues të komunitetit REA përfaqësojnë komunitetin REA, si dhe përfaqësuesit reprezentues të komunitetit goran që përfaqësojnë goranët në Kuvend, vetëm me këtë interpretim ka kuptim demokracia multietnike parlamentare kushtetuese. Pak a shumë këtë qëndrim për nevojën e përfaqësimit reprezentues Gjykata e kishte mbajtur tashmë në aktgjykimin KO119/14.
Përndryshe, të drejtat e komuniteteve joshumicë, të cilat janë të garantuara me Kushtetutën e Kosovës, bëhen joefektive dhe të pazbatueshme, ato mbeten vetëm një shkronjë në letër që komunitetet nuk mund të realizojnë sepse nuk ka mekanizma për mbrojtjen e tyre
Prandaj, konsideroj se, pavarësisht se shpallja e fletëvotimeve të pavlefshme, nuk përcaktohet me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme apo/dhe rregullativën në fuqi të KQZ-së, unë konsideroj se vendime të tilla të PZAP-së dhe Gjykatës Supreme janë në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës sepse mbrojnë të drejtat e garantuara me Kushtetutë të komuniteteve joshumicë, të cilat janë të përcaktuara në nenin 64 të Kushtetutës dhe kanë të bëjnë me përfaqësimin reprezentues të komuniteteve joshumicë. Konsideroj se me vendime të tilla PZAP-ja dhe Gjykata Supreme me interpretimin e tyre u përpoqën të plotësonin boshllëkun juridik në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve joshumicë, i cili lindi si rezultat i mos nxjerrjes së mekanizmave të duhur mbrojtës të kërkuar nga neni 58 i Kushtetutës.
Në bazë të gjithë asaj që u tha më lart, konsideroj që Aktgjykimi [AA.nr.29/2021] i 12 marsit 2021 i Gjykatës Supreme nuk ka cenuar të drejtën e parashtruesit të kërkesës për tu zgjedhur sipas paragrafit 1 të nenit 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës në lidhje me nenin 3 (E drejta për zgjedhje të lira) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Çështja e parë e pasqaruar në lidhje me pretendimin (PLE) për shkelje të të drejtave nga neni 45 i Kushtetutës në lidhje me nenin 3 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së
Përveç faktit që Gjykata sqaroi në detaje se sipas sqarimeve të lartpërmendura bazuar në Kushtetutë, instrumentet ndërkombëtare në fuqi, praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, nuk ka bazë ligjore mbi të cilën fletëvotimet mund të shpallen të pavlefshme bazuar në përkatësinë etnike të votuesve, duke përfshirë deklarimin e supozuar të përkatësisë etnike që përfaqësojnë votuesit, me të cilën jam plotësisht dakord.
Unë konsideroj se Gjykata e sheh procesin si një tërësi dhe këtë Gjykata e ka theksuar në rastet të cilat i ka shqyrtuar deri tani, duke marrë parasysh këtë dhe faktin se parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [AA.nr.29/2021] e 12 marsit 2021 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme) në lidhje me Vendimin [A.nr.736/2021] të 7 marsit 2021 të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Më tej vërej se me Vendimin [A. nr. 736/2021] e 7 marsit 2021, Paneli zgjedhor për ankesa dhe parashtresa vendosi që:
Të PRANOHEN pjesërisht apelet e parashtruesve të kërkesës dhe subjekteve politike PAI dhe PDAK duke vendosur që të anulohen fletëvotimet [e specifikuara në këtë pikë] për subjektin politik Romani Iniciyativa në dyzet e një (41) vendvotimet e specifikuara në këtë Vendim në Komunën e Leposaviqit [234 fletëvotime në 10 vendvotime], Komunën e Novobërdës [209 fletëvotime në 11 vendvotime], Komunën e Ranillugut [159 fletëvotime në 8 vendvotime] Komunën e Parteshit [88 fletëvotime në 7 vendvotime] dhe Komunën e Kllokotit [147 fletëvotime në 5 vendvotime];
Të URDHËROHET KQZ që fletëvotimet e anuluara sipas pikës I të dispozitivit të Vendimit t’i largojë nga rezultati përfundimtar të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvend të Republikës së Kosovës, të publikuara përmes Vendimit të KQZ-së nr. 860-2021 të 4 marsit 2021;
REFUZOHEN si pjesërisht të pabazuara apelet e parashtruesve të kërkesës [PLE dhe PBREK], dhe subjekteve politike PAI dhe PDAK për anulimin e fletëvotimeve për subjektin Romani Iniciyativa në vendvotimet e specifikuara [50 vendvotimet e specifikuara në këtë pikë të dispozitivit, faqe 2 e Vendimit të PZAP-it] në këtë vendim. Në këtë pikë, nuk ishte vendosur përkitazi me kërkesën e parashtruesve të kërkesës për anulimin e fletëvotimeve në Komunën e Mitrovicës së Veriut.
Me këtë vendim PZAP-ja ka anuluar një numër të madh të votave duke i shpallur të pavlefshme në bazë të përkatësisë etnike të votuesve, mendoj se Gjykata është dashur të japë një shpjegim lidhur me këto vota sepse Gjykata tashmë ka vërtetuar se në bazë të instrumenteve ndërkombëtare në fuqi, praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, nuk ka bazë ligjore mbi të cilën fletëvotimet mund të shpallen të pavlefshme në bazë të përkatësisë etnike të votuesit, duke përfshirë deklarimin e supozuar të përkatësisë etnike që përfaqësojnë votuesit.
Konsideroj se ky ishte obligim i Gjykatës për dy arsye, së pari sepse vendimi [A. nr. 736/2021] i 7 marsit 2021 i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ishte objekt i vlerësimit të kushtetutshmërisë, ndaj Gjykata është dashur të nxjerrë një konkluzion lidhur me këtë vendim dhe së dyti për hir të publikut dhe disa proceseve të ardhshme zgjedhore, që të mos na përsëritet më kjo situatë.
Për më tepër, parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [AA.nr.29/2021] e 12 marsit 2021 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, me të cilin vërtetohet vendimi [A. nr. 736/2021] i 7 marsit 2021 i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, me të cilin u anulua një numër i madh votash duke i shpallur të pavlefshme në bazë të përkatësisë etnike të votuesve, mendoj se Gjykata është dashur të jepte një arsyetim për këto vota, sepse Gjykata tashmë ka konstatuar se në bazë të instrumenteve ndërkombëtare në fuqi, praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, nuk ka bazë ligjore mbi të cilën fletëvotimet mund të shpallen të pavlefshme në bazë të përkatësisë etnike të votuesit, kështu që është e palogjikshme që Gjykata pas konkluzioneve të tilla të lë këto vendime të kontestuara në fuqi.
Konsideroj se pas konkluzioneve të Gjykatës për pamundësinë e shpalljes së fletëvotimeve të pavlefshme në bazë të përkatësisë etnike, Gjykata është dashur që vendimin [A. nr. 736/2021] e 7 marsit 2021 të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, dhe aktgjykimin [AA. nr. 29/2021] të 12 marsit 2021 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës t’i shpallë kundërkushtetuese dhe konstatojë se shkelja është e natyrës DEKLARATIVE dhe se nuk ka efekt prapaveprues, sepse vendimet nuk cenojnë të drejtat e parashtruesit të kërkesës. Në këtë mënyrë, Gjykata do të siguronte sigurinë juridike dhe Gjykata nuk do të shkonte përtej kërkesës së parashtruesit të kërkesës. Sipas meje, kjo ka qenë e nevojshme sepse vetëm dispozitivi i aktgjykimit i obligon juridikisht të gjithë personat dhe institucionet, e jo arsyetimi, edhe pse këto konkluzione nuk janë shpjeguar në mënyrë adekuate as në arsyetim.
Çështja e dytë e pasqaruar në lidhje me pretendimin (PLE) për shkeljen e të drejtave nga neni 45 i Kushtetutës në lidhje me nenin 3 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.
Rikujtoj se parashtruesit e kërkesës në Gjykatë kanë dorëzuar edhe vendimin e PZAP-së [A.nr.565/2021] të 7 marsit 2021 dhe Aktgjykimin [AA.nr.30/2021] e Gjykatës Supreme që i referohen ankesave të subjekteve politike që përfaqësojnë komunitetin boshnjak Nasha Iniciyativa; Lista Boshnjake Unioni Social Demokrat dhe Nova Demokratksa Stranka kundër Vendimit të KQZ-së të 4 marsit 2021 dhe ankesës së subjektit politik Ujedinjena Zajednica-Adrijana Hodžić kundër Vendimit të PZAP-së në Gjykatën Supreme. Në lidhje me këto vendime, parashtruesit e kërkesës theksojnë se në rastin e subjekteve politike, që përfaqësojnë subjektet e lartcekura, të cilat kishin parashtruar ankesa kundër Vendimit të KQZ-së dhe kishin kërkuar anulimin e fletëvotimeve të subjektit politik Ujedinjena Zajednica-Adrijana Hodžić, PZAP përmes Vendimit kishte anuluar fletëvotimet në të gjitha vendvotimet të cilat ishin kontestuar nga katër (4) subjektet politike të lartcekura.
Gjithashtu, në përgjigjen e tij Avokati i Popullit i referohet përmbajtjes së nenit 45 të Kushtetutës dhe nenit 3 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, nenit 58 të Kushtetutës, nenit 15 të Konventës Kornizë. Në këtë kontekst, Avokati i Popullit, thekson se: “në këtë drejtim, Avokati i Popullit konsideron se është përgjegjësi e institucioneve të Republikës së Kosovës që duke organizuar procesin zgjedhor të garantojnë realizimin e të drejtave zgjedhore dhe të pjesëmarrjes për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, duke i përfshirë edhe pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë. Avokati i Popullit ka vërejtur që edhe standardet ndërkombëtare (KEDNj dhe KKKEMPK) përcaktojnë qartë obligimin institucional për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve me qëllim që të sigurojnë shprehjen e lirë të mendimit të popullit për zgjedhjen e organit ligjvënës. Avokati i Popullit vlerëson se obligimi institucional i institucioneve të Republikës së Kosovës shtrihet bie mbi të gjitha institucionet të cilat janë kompetente të organizojnë dhe të vendosin lidhur me të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes, të garantuara me kushtetutë dhe instrumente ndërkombëtare”.
Më tej, Avokati i Popullit po ashtu specifikon se: “Avokati i Popullit duke pasur parasysh kompetencat e tij, nuk lëshohet në vlerësimin dhe komentimin e vendimeve të PZAP dhe GjS. Përkundër këtij fakti, Avokati i Popullit vlerëson se për raste të njëjta organet vendimmarrëse duhet të nxjerrin vendime të njëjta. Në këtë mënyrë garantohet realizimi pa dallim i të drejtave zgjedhore dhe të pjesëmarrjes, të garantuara me Kushtetutë dhe instrumente ndërkombëtare, në të kundërtën, nëse për raste të njëjta nxjerrën vendime të ndryshme, atëherë krijohet situatë e pabarazisë dhe standardeve të dyfishta të vendosura nga organet vendimmarrëse”.
Avokati i Popullit po ashtu vendos theksin në argumentet e paraqitura të parashtruesve të kërkesës në kërkesën e tyre në Gjykatë, duke theksuar se: “Në rastin e ankuesve, Avokati i Popullit vëren se PZAP dhe GjS kanë përdorur argumentet e paraqitura nga ankuesit, dhe në bazë të tyre kanë nxjerrë vendimet sipas të cilave disa janë aprovuar pjesërisht, ndërsa disa të tjera janë refuzuar. Lidhur me këtë çështje, Avokati i Popullit ka vërejtur se në të gjitha rastet e ankimuara nga ankuesit, argumentet kanë qenë të njëjta (mospërputhje në mes të numrit të votuesve dhe votave të fituara nga subjektet politike). Prandaj, Avokati i Popullit e konsideron të rëndësishëm vlerësimin e kësaj çështje nga Gjykata Kushtetuese”.
Unë edhe në këtë pjesë nuk pajtohem me shumicën, gjegjësisht me mënyrën se si shumica iu përgjigj pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Unë këto pretendime dhe përgjigjen e Avokatit të Popullit i shoh si pretendime që tregojnë për praktikë të ndryshme gjyqësore të Gjykatës Supreme dhe PZAP-së në situata të ngjashme ose pothuajse identike, megjithatë Gjykata u përgjigj me një paragraf që po e citoj:
“... parashtruesi i kërkesës në parashtresën e tij i është referuar edhe një Aktgjykimi të Gjykatës Supreme, përkatësisht [AA.nr.30/2021], që është nxjerrë pas apeleve subjekteve politike që përfaqësojnë komunitetin boshnjak Nasha Iniciyativa; Lista Boshnjake Unioni Social Demokrat dhe Nova Demokratksa Stranka, dhe i cili, sipas parashtruesit të kërkesës, bazuar në të njëjtin interpretim të paragrafit 4 të nenit 58 të Kushtetutës, ka anuluar/shpallur të pavlefshme fletëvotimet në të gjitha vendvotimet të cilat ishin kontestuar nga subjektet politike ankuese. Gjykata thekson që ky Aktgjykim asnjëherë nuk është kontestuar para Gjykatës dhe për pasojë, nuk i është nënshtruar vlerësimit të kushtetutshmërisë së saj.”
Unë konsideroj se parashtruesi i kërkesës nuk i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të marrë përgjigje nëse Aktgjykimi i Gjykatës Supreme [AA. br. 30/2021], kontestohet para Gjykatës apo nëse ka qenë objekt shqyrtimi para Gjykatës Kushtetuese, ngase bëhet fjalë për dokumente publike për të cilat parashtruesi ka mundur të marrë vesh shumë lehtë.
Konsideroj se parashtruesi i ka përmendur, përkatësisht i ka dorëzuar edhe vendimet e PZAP-së [A. nr. 565/2021] të datës 7 mars 2021 dhe Aktgjykimin [AA. nr. 30.2021] të Gjykatës Supreme, për të dëshmuar vendimet e ndryshme të PZAP-së dhe Gjykatës Supreme në situata shumë të ngjashme dhe pothuajse të njëjta. Se ky lexim i imi është i drejtë, këtë e vërtetojnë edhe përgjigjet e Avokatit të Popullit, i cili po ashtu konsideron se ka pasur procedim të ndryshëm dhe praktikë të ndryshme gjyqësore nga ana e Gjykatës Supreme dhe PZAP-së.
Konsideroj se Gjykata është dashur të përgjigjet në mënyrë të qartë për hir të opinionit publik lidhur me këto pretendime të parashtruesit lidhur me praktikën e ndryshme gjyqësore ose të KONSTATOJË se edhe vendimi [A. nr. 736/2021] i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i datës 7 mars 2021, edhe Aktgjykimi [AA. nr. 29/2021] i Gjykatës Supreme të Kosovës, i datës 12 mars 2021, janë dy vendime të kontestuara në kundërshtim me Kushtetutën dhe të konstatojë se shkelja është e natyrës DEKLARATIVE dhe nuk ka efekt prapaveprues, në mënyrë që të sigurohej siguria juridike. Në këtë mënyrë, Gjykatës nuk do t’i duhej t’i arsyetonte pretendimet lidhur me procedimet e ndryshme si dhe praktikën e ndryshme gjyqësore të Gjykatës Supreme dhe të PZAP-së.
Sa u përket pretendimeve (të PLE-së) lidhur me shkeljen e par. 4 të nenit 58 të Kushtetutës, në kuptim të nenit 15 të Konventës Kornizë
Në lidhje me pretendimet për shkelje të par. 4 të nenit 58 të Kushtetutës, në kuptim të nenit 15 të Konventës Kornizë, unë nuk pajtohem në asnjë pikë me mendimin, arsyetimin dhe konkludimin e shumicës dhe konsideroj se pretendimet e parashtruesit në këtë pjesë janë të bazuara se ka pasur shkelje të nenit 58 të Kushtetutës gjatë procedurës së zgjedhjes, shikuar në tërësi. Për këtë shkak, së pari do t’i përsëris pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe pastaj do të prezantoj konstatimin tim lidhur me pretendimet e parashtruesit.
Jua përkujtoj se parashtruesit e kërkesës, sa i përket par. 4 të nenit 58 të Kushtetutës, në kuptim të nenit 15 të Konventës Kornizë, në fillim theksojnë se “në rendin juridik kosovar ekziston e drejta kushtetuese ligjore e komuniteteve në përfaqësim dhe pjesëmarrje efikase në jetën politike” dhe në atë kontekst i referohen Kapitullit III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre], kapitull në të cilin, sipas pretendimeve të tyre, “bën pjesë edhe e drejta e komuniteteve në pjesëmarrje efikase në procesin politik, që i përgjigjet obligimit shtetëror për të garantuar këtë pjesëmarrje, siç parashihet me Konventën Kornizë të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave kombëtare”. Në atë kontekst, parashtruesit e kërkesës në mënyrë eksplicite i referohen par. 4 të nenit 58 të Kushtetutës (i cili është ndryshuar me Amendamentin nr. 1 të Amandamentimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës lidhur me përfundimin e Mbikëqyrjes Ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës, të publikuar në Gazetën Zyrtare të datës 7 shtator 2012).
Sipas pretendimeve të parashtruesit të kërkesës: “Republika e Kosovës dhe të gjitha autoritetet shtetërore të saj e kanë për obligim kushtetues konform nenit 58 (4) të Kushtetutës që, mes tjerash, të garantojnë pjesëmarrjen efektive të të gjitha komuniteteve në jetën publike dhe vendimmarrje. Një obligim i tillë për Kosovën derivon edhe nga neni 15 i Konventës Kornizë të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, e cila, konform nenit 22 (4) të Kapitullit II të Kushtetutës [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], ka status kushtetues dhe është direkt e aplikueshme në Kosovë dhe, në rast konflikti, ka epërsi ndaj dispozitave ligjore dhe akteve tjera të autoriteteve publike.”
Parashtruesit e kërkesës më tej theksojnë: “Jo vetëm që të drejtat nga kapitulli III janë të zbatueshme dhe secili individ nga komuniteti mund të kërkojë zbatimin e tyre (përfshirë të drejtat nga neni 58 (4), të cilat shprehimisht u garantohen pos komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre), por e drejta për pjesëmarrje efektive në rastin konkret është e garantuar edhe me kapitullin II të Kushtetutës [Të Drejtat dhe Liritë Themelore], përmes dispozitave të Konventës Kornizë të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare (zbatimi i së cilës garantohet me nenin 22 të Kushtetutës). Kështu edhe përmbushen kërkesat e pranueshmërisë nga neni 113 (7) i Kushtetutës sa i përket pretendimeve për shkelje të këtyre dispozitave, duke qenë se ne si parashtrues të kërkesës, pos si përfaqësues të subjekteve politike jemi edhe pjesëtarë të komuniteteve, të drejtat për përfaqësim efektiv të të cilëve preken nga Vendimet e atakuara.”
Më tej, sipas parashtruesve të kërkesës “Njëzet ulëse nga gjithsej 120 janë të garantuara për komunitetet joshumicë sipas nenit 64 (2) të Kushtetutës. Ky garancion kushtetues i njëzet vendeve të garantuara (dhjetë për serbët dhe dhjetë për joserbët) është i sanksionuar me faktin që as Kushtetuta e as Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk përcaktojnë prag për fitimin e këtyre vendeve, por mjafton plotësimi i dy kushteve: e para, që ata që konkurrojnë të deklarohen se i takojnë dhe përfaqësojnë komunitetin përkatës; dhe dy, se, pa marrë parasysh votën e fituar, njëzet vendet janë të garantuara për shkak se vota supozohet se vjen pikërisht nga komuniteti i njëjtë me atë që deklarohet se përfaqëson komunitetin që konkurron për deputet.” Në bazë të këtij arsyetimi, parashtruesit e kërkesës theksojnë se ky është një variant i demokracisë së konsoliduar.
Në kontekstin e rrethanave të rastit konkret, parashtruesit e kërkesës pretendojnë se: “Në rastin konkret të zgjedhjeve të datës 14 shkurt 2021, përfaqësuesit të Romani Inicijativas që momentalisht ka zënë ulësen në Kuvend i mungon lidhja objektive me komunitetin rom, duke qenë se votat që ky subjekt politik ka marrë në komunën e Graçanicës, Kamenicës dhe Mitrovicës së Veriut janë gjithashtu në numër më të madh sesa banorët e komunitetit rom në këto komuna, andaj ato vota janë marrë nga votuesit e komuniteteve të tjera. Pa këto vota të parregullta ky përfaqësues nuk do të ushtronte këtë funksion aktualisht në Kuvend. Përfaqësuesi nga komuniteti rom ka arritur të zgjidhet deputet në ulëse të garantuara si rezultat i votave të një komuniteti tjetër, për faktin e thjeshtë që ai komunitet është numerikisht më i madh sesa ai rom. Rrjedhimisht, ekziston një shkëputje mes përfaqësuesit dhe elektoratit të këtij komuniteti që sipas Kushtetutës supozohet t’i japë legjitimitetin përfaqësues deputetit në rend të parë. Një deformim i tillë i këtij mekanizmi përfaqësues mohon përfaqësimin efektiv të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian dhe pjesëtarëve të tyre në Kosovë edhe bie ndesh me nenin 58 (4) dhe 64 (2) të Kushtetutës së Kosovës”.
Në lidhje me vendimet e kontestuara të PZAP-së dhe Gjykatës Supreme, parashtruesit e kërkesës pretendojnë se me rastin e interpretimit të tyre: “Kjo logjikë e interpretimit nga PZAP dhe Gjykata Supreme ishte në rrugën e duhur që të përbënte një "masë adekuate" në rrethanat e rastit konkret për garantimin e pjesëmarrjes efektive të komuniteteve në jetën politike. Fatkeqësisht, për arsye të paqarta për ne, PZAP dhe pastaj Gjykata Supreme, mbase edhe në mungesë të standardeve precize ligjore, nuk anuluan edhe votat që Romani Inicijativa kishte fituar në tri komunat e lartpërmendura, megjithëse edhe në këto komuna vlenin të njëjtat parregullsi, duke shfaqur kështu mungesë të adekuatshmërise së masave dhe përpjekjeve të shtetit të Kosovës për të garantuar pjesëmarrjen efektive të komuniteteve në jetën politike.”
Në kontekstin e shtjellimit të mësipërm, i cili sipas parashtruesve të kërkesës ka të bëjë me mungesën e mekanizmave konkretë për garantimin e pjesëmarrjes efektive të komuniteteve joshumicë në jetën politike, duke theksuar, mes tjerash, se duhet pranuar se “nuk ka praktika dhe norma precize ndërkombëtare, as në kuadër të Këshillit të Evropës e as gjetiu, të cilat në mënyrë shprehimore përcaktojnë që në ulëse të garantuara duhen zgjedhur në çdo vend dhe çdo rast përfaqësues vetëm me vota që vijnë nga pjesëtarët e komunitetit të cilit ai përfaqësues i takon. Zaten, nuk ka as standarde precize ndërkombëtare përgjithësisht të pranuara që kërkojnë ulëse të garantuara në rend të parë,” e si pasojë e kësaj, mes tjerash, propozojnë që: “Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës duhet ta rregullojë këtë gjendje. Ne vlerësojmë që Gjykata Kushtetuese do ta rregullonte gjendjen aktuale të pjesëmarrjes së mangët të komuniteteve në çështjet publike dhe vendimmarrje në Kosove, ku një komunitet ia cakton përfaqësuesin komunitetit tjetër në ulëse të garantuara, duke gjetur fillimisht që masat aktuale për të garantuar këtë pjesëmarrje, përkundër kërkesave të nenit 58 (4) të Kushtetutës dhe nenit 15 të Konventës Kornizë, nuk janë adekuate - dhe rrjedhimisht kemi të bëjmë me shkelje kushtetuese të këtyre neneve.”
Në vazhdim të propozimit të sipërpërmendur, parashtruesit e kërkesave precizojnë si vijon: “[...] Gjykata Kushtetuese do duhej që të obligonte Kuvendin e Republikës së Kosovës që sa më parë të ndërmerrte këto masa adekuate dhe të krijonte kushtet e nevojshme, duke rregulluar kornizën ligjore në këtë fushë, ashtu që komuniteteve joshumicë në vend t'u mundësohet përfaqësimi efektiv në ulëse të garantuara, dhe, si rezultat, përfaqësimi efektiv në çështje publike dhe vendimmarrje në përgjithësi. Këto masa adekuate do duhej të garantonin që komunitetet në mënyrë substanciale të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, duke mos lejuar shndërrimin e ulëseve të garantuara në mekanizma iluzore të përfaqësimit. Gjykata Kushtetuese, konform standardeve dhe praktikave ndërkombëtare, do duhej t'i linte Kuvendit një margjinë te gjerë vlerësimi që të përcaktojë se cilat masa do të ishin adekuate për të arritur këtë pjesëmarrje efektive. Një masë e tillë adekuate, për kontekstin kushtetues kosovar, do të ishte, shembull, përcaktimi ligjor që komunitetet të regjistrohen në lista zgjedhore të veçanta (separate communal/electoral rolls) ashtu që vetëm votuesit e komuniteteve që gjenden në ato lista të mund të votojnë për përfaqësuesit që janë deklaruar se do t'i përfaqësojnë ato komunitete në ulëse të garantuara. Askush jashtë atyre listave nuk do të mund të votonte për ulëset e garantuara për komunitetin tjetër. Kështu do të pamundësohej votimi manipulativ mes komuniteteve në shkallën siç ka ndodhur ne Zgjedhjet e 14 Shkurtit. (Megjithëse, siç thamë, standardet ndërkombëtare precize dhe shprehimore mungojnë, të paktën në një rast është sugjeruar nga Komisioni i Venecias që një masë e tillë e listave te veçanta zgjedhore të komuniteteve të implementohej, duke marrë parasysh specifikat e situatës në atë shtet.) Kuptohet, regjistrimi në këto lista zgjedhore nuk do të ishte i detyrueshëm: secili pjesëtar i komunitetit joshumicë, konform standardeve dhe praktikave ndërkombëtare, do mund të vendoste se a të regjistrohej ne listat e veçanta të komuniteteve (për të votuar për komunitetin e vet), apo në listën e përgjithshme të votuesve (për të votuar për 100 ulëset tjera në Kuvendin e Kosovës). Regjistrimi i etnicitetit të pjesëtareve të komuniteteve joshumicë në lista zgjedhore do të bëhej me kritere objektive të përkatësisë, konform Kushtetutës dhe praktikës gjyqësore të GjEDNJ-së, gjithnjë duke ruajtur privatësinë e deklaruesve siç përcaktohet edhe me standarde të Komisionit të Venecias.”
Në fund, parashtruesit e kërkesës pohojnë se vendimi i PZAP-së dhe Gjykatës Supreme për mosanulimin e votave edhe në tri komunat, Graçanicë, Kamenicë dhe Mitrovicë Veriore, “përbën shkelje të nenit 58 (4) të Kushtetutës së Kosovës dhe të nenit 15 të Konventës Kornizë të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave kombëtare, zbatimi i së cilës garantohet me nenin 22 të Kushtetutës së Kosovës”.
Parashtruesit e kërkesës më tej theksojnë se: “vendimet e kontestuara kanë shkelur, përveç komponentit tjetër te nenit 58 ( 4) të Kushtetutës (barazinë efektive) në lidhje me nenin 4 (2) të Konventës Kornizë, edhe nenin 24 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili përcakton një ndalim të përgjithshëm të diskriminimit për të gjitha të drejtat e garantuara me kushtetutë dhe ligj.”
Duke shikuar në thelbin e pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, ai shkurtimisht thekson se të drejtat të cilat proklamohen për komunitetet joshumicë në Kushtetutën e Kosovës do të duhej të mbroheshin me garanci ligjore të cilat i parasheh neni 58 i Kushtetutës, që një mbrojtje e tillë ligjore për momentin nuk ekziston, edhe pse është obligative sipas nenit 58 të Kushtetutës, për çfarë parashtruesi i kërkesës kërkon që Gjykata Kushtetuese ta obligojë Kuvendin e Kosovës që ta përmbushë detyrimin e saj sipas nenit 58 të Kushtetutës dhe të sjellë masat përkatëse ligjore me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të proklamuara me Kushtetutë të komuniteteve joshumicë.
Këtyre pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, Gjykata Kushtetuese iu është përgjigjur me tre paragrafët në vijim, në të cilët në të vërtetë nuk jep përgjigje në pretendimet e parashtruesve të kërkesës;
“Në kontekstin e kërkesës së parashtruesit që Gjykata ta obligojë Kuvendin e Republikës së Kosovës në ndërmarrjen e masave adekuate, përmes sjelljes së ligjeve, të cilat do të siguronin pjesëmarrje efektive të komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë, ashtu që, mes tjerash, vendet e garantuara me par. 2 të nenit 64 të Kushtetutës në Kuvendin e Kosovës, do të fitoheshin vetëm nëse do të votoheshin nga votuesit e të njëjtit komunitet që nuk është shumicë dhe të cilin janë deklaruar se e përfaqësojnë, e drejtë e cila do të mund të realizohej përmes listave të posaçme zgjedhore për qëllime të vendeve të garantuara në kuptim të dispozitës së përmendur më lart, Gjykata në fillim i thekson dy çështje, përkatësisht (i) natyrën e kërkesës së parashtruesit; dhe (ii) juridiksionin dhe kompetencën e Gjykatës Kushtetuese.
Në këtë kontekst, Gjykata shpjegon se kërkesa e parashtruesit është parashtruar si kërkesë individuale, në përputhje me par. 7 të nenit 113 të Kushtetutës, sipas të cilit individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Para Gjykatës, parashtruesi i kërkesës ka kontestuar pjesërisht aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës, dhe atë vetëm sa i përket refuzimit për t’i anuluar/shpallur të pavlefshme fletëvotimet në komunat Graçanicë, përkatësisht Kamenicë. Gjykata tashmë ka shpjeguar që refuzimi për t’i anuluar/shpallur të pavlefshme fletëvotimet në vendvotimet e precizuara në komunat Graçanicë, përkatësisht Kamenicë, në mungesë të bazës përkatëse ligjore të precizuar me Kushtetutë, instrumente ndërkombëtare dhe/ose ligje të aplikueshme, nuk ka rezultuar me shkelje të së drejtës për t’u zgjedhur të parashtruesit të kërkesës, në përputhje me garancitë nga par. 1 i nenit 45 të Kushtetutës.
Gjykata tutje thekson se në bazë të nenit 63 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, Kuvendi është institucioni ligjvënës i Republikës së Kosovës. Kuvendi i Republikës së Kosovës ka kompetenca të plota për ta përcaktuar modelin dhe specifikat e sistemit zgjedhor si dhe procedurat përkatëse përmes ligjeve të miratuara. Në bazë të parimit të ndarjes së pushteteve dhe kontrollit e balancimit në mes tyre, ligjet e miratuara nga Kuvendi mund të jenë objekt i vlerësimit të kushtetutshmërisë nga Gjykata Kushtetuese në qoftë se kontestohen në bazë të dispozitave të nenit 113 të Kushtetutës.”
Plotësisht nuk pajtohem me këtë pjesë të aktgjykimit sepse fillimisht konsideroj se është pikërisht Gjykata Kushtetuese e Kosovës rojtarja kryesore e Kushtetutshmërisë kosovare, dhe duke qenë instanca e fundit, ajo është e obliguar t’i mbrojë të gjitha të drejtat e proklamuara me Kushtetutë, të individëve, të komuniteteve dhe të personave juridikë.
Të drejtat kushtetuese të proklamuara nuk kanë kuptim në qoftë se nuk janë efektive dhe në qoftë se për të njëjtat nuk ekzistojnë mekanizma adekuatë për mbrojtjen e tyre, ngase këso të drejta të proklamuara bëhen të parealizueshme dhe mundësojnë keqpërdorimin e këtyre të drejtave të proklamuara me Kushtetutë, ku në atë rast komunitetet joshumicë janë në pozitën më të rëndë sepse numri i tyre është i vogël dhe ekziston mundësia e keqpërdorimit të të drejtave të tyre të proklamuara me Kushtetutë nga ana e komuniteteve më të mëdha.
Është e pakontestueshme që në përputhje me nenin 58 të Kushtetutës, është detyrim ligjor pozitiv i rregullimit juridik të Kosovës që të sjellë norma përkatëse me të cilat do të mbroheshin të drejtat e komuniteteve joshumicë, kjo gjë përbën obligimin pozitiv të cilin Shteti i Kosovës e ka marrë përsipër me rastin e sjelljes së Kushtetutës.
Në Kushtetutën e Kosovës përveç të drejtave të garantuara me nenin 64 të Kushtetutës, i cili ka të bëjë me përfaqësimin reprezentativë të komuniteteve joshumicë, parashihen edhe një varg të drejtash tjera të cilat Kushtetuta e Kosovës ua garanton komuniteteve joshumicë, siç janë të drejtat nga neni 67 i Kushtetutës e që kanë të bëjnë me zgjedhjen e Nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komuniteteve joshumicë, pastaj të drejtat e përcaktuara me nenet 77 dhe 78 të Kushtetutës që lidhen me përfaqësimin e komuniteteve në komisionet parlamentare, më tej të drejtat nga neni 81 i Kushtetutës që kanë të bëjnë me të drejtat e komuniteteve me rastin e kalimit të ligjeve me interes vital, tutje të drejtat që garantohen me nenin 96 të Kushtetutës dhe që kanë të bëjnë me përfaqësimin reprezentativ të komuniteteve në Qeverinë e Republikës së Kosovës, më tej të drejtat e garantuara me nenet 103, 108, 109 dhe 114 të Kushtetutës, të cilat kanë të bëjnë me përfaqësimin e komuniteteve joshumicë në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Republikës së Kosovës, më pastaj të drejtat e garantuara me nenet 133 dhe 139 të Kushtetutës, të cilat lidhen me përfaqësimin e komuniteteve joshumicë në institucionin e Avokatit të Popullit dhe në Komisionin Qendror Zgjedhor, dhe në fund të drejtat e garantuara me nenin 144 të Kushtetutës, të cilat e pamundësojnë ndryshimin e Kushtetutës ekzistuese pa pajtimin e shumicës prej dy të tretave (2/3) të komuniteteve joshumicë.
Të gjitha këto të drejta të garantuara me Kushtetutë kanë kuptim vetëm nëse të njëjtat janë të realizueshme dhe nëse ekzistojnë mekanizma efektivë për mbrojtjen e tyre, në të kundërtën ato janë vetëm deklarative dhe të parealizueshme. Në rastin konkret, parashtruesi i kërkesës ka arritur deri në instancën e fundit gjyqësore e cila mund t’i mbrojë të drejtat e tij të proklamuara me Kushtetutë dhe i cili nga Gjykata Kushtetuese kërkon që ta urdhërojë Kuvendit që të sjellë mekanizma për mbrojtjen e të drejtave të tij.
E përsëris se jam i bindur që të gjithë ata që e kanë shkruar Kushtetutën e Kosovës kanë pasur si qëllim që përfaqësuesit reprezentativë të komunitetit të shqiptarëve në Kuvendin e Kosovës, t’i përfaqësojnë shqiptarët, që përfaqësuesit reprezentativë të komunitetit të serbëve t’i përfaqësojnë serbët, që përfaqësuesit reprezentativë të komunitetit boshnjak t’i përfaqësojnë boshnjakët, që përfaqësuesit e komunitetit RAE ta përfaqësojnë komunitetin RAE, që përfaqësuesit reprezentativë të komunitetit goran t’i përfaqësojnë goranët në Parlament, vetëm me një interpretim të këtillë ka kuptim demokracia kushtetuese shumetnike parlamentare.
Gjatë realizimit të këtyre të drejtave përveç parimit të barazisë, është po ashtu me rëndësi që të realizohet parimi i legjitimitetit, përkatësisht që përfaqësuesit reprezentativë të një komuniteti t’i zënë vendet e garantuara të atij komuniteti ashtu siç kërkohet në frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kur i lexojmë së bashku nenet 45, 48 dhe 64 të Kushtetutës.
Për shkak të asaj që u tha më lart, unë pajtohem me arsyetimin e Gjykatës Supreme që në kuptimin e konceptit të demokracisë së konsoliduar, është e nevojshme që “përveç kornizës kushtetuese, dispozitat ligjore për vendet e rezervuara përmbajnë premisa të këtij koncepti, të cilat diktojnë ruajtjen e përfaqësimit efektiv të komuniteteve përmes mekanizmave të cilët pikë së pari e garantojnë të drejtën e votës, por në kuadër të tyre edhe të drejtën e përfaqësimit të komuniteteve nga përfaqësues me lidhje objektive me komunitetin, sidomos lidhje të përkatësisë etnike, pa e përjashtuar gjuhën, etj.“ dhe „në Kushtetutën e Republikës, përmes vendeve të rezervuara për komunitetet joshumicë, parashihet përfaqësimi i të gjitha grupeve në trupën përfaqësuese, prandaj për këtë përfaqësim duhet të ekzistojë lidhja objektive në mes të përfaqësuesit dhe zgjedhësit të komunitetit përkatës, në të kundërtën shtrembërohet përfaqësimi efektiv i komuniteteve, të cilave Kushtetuta iu ka garantuar vendet e rezervuara [...]” i,
Kjo është posaçërisht me rëndësi sepse në qoftë se në Kuvend iu mundësohet hyrja përfaqësuesve joreprezentativë, atëherë automatikisht bëhen të parealizueshme të drejtat e tjera të garantuara me Kushtetutën e Kosovës siç janë të drejtat nga neni 67 i Kushtetutës që kanë të bëjnë me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga komunitetet joshumicë, pastaj të drejtat e përcaktuara me nenet 77 dhe 78 të Kushtetutës që lidhen me përfaqësimin e komuniteteve në komisionet parlamentare, më tej të drejtat nga neni 81 i Kushtetutës që kanë të bëjnë me të drejtat e komuniteteve me rastin e kalimit të ligjeve me interes vital, tutje të drejtat që garantohen me nenin 96 të Kushtetutës dhe që kanë të bëjnë me përfaqësimin reprezentativ të komuniteteve në Qeverinë e Republikës së Kosovës, pastaj të drejtat e garantuara me nenin 139 të Kushtetutës që lidhen me përfaqësimin e komuniteteve joshumicë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, dhe në fund të drejtat e garantuara me nenin 144 të Kushtetutës, të cilat e pamundësojnë ndryshimin e Kushtetutës ekzistuese pa pajtimin e shumicës prej dy të tretave (2/3) të komuniteteve joshumicë.
Me rastin e realizimit të këtyre të drejtave me automatizëm do të kemi përfaqësues joreprezentativë të komuniteteve për shkak se ulëset në Kuvend i kanë zënë persona të cilët nuk përfaqësojnë atë komunitet, dhe me vetë këtë i gjithë sistemi i mbrojtjes së të drejtave të pakicave është sjellë në rrezik dhe i njëjti është bërë joefektiv.
Është e pakontestueshme që Republika e Kosovës nuk i ka përmbushur detyrimet e veta ligjore pozitive të cilat i përmban neni 58 i Kushtetutës dhe vetë Gjykata në aktgjykim e pranon se nuk ekzistojnë mekanizmat mbrojtës të cilët do të duhet të ekzistonin, por Gjykata përkatësisht shumica po tenton që përgjegjësinë t’ia hedh Kuvendit të Kosovës si organ ligjvënës kompetent për të sjellë mekanizma të duhur mbrojtës.
Unë nuk pajtohem me një ikje nga përgjegjësia të Gjykatës, parashtruesi i kërkesës është person që i ka shterur të gjitha mjetet juridike dhe pohon shkelje të së drejtës të cilën vetë Gjykata Kushtetuese mund ta konstatojë, më tutje Gjykata është e detyruar sepse në përputhje me nenin 53 të Kushtetutës ka për detyrë që të drejtat dhe liritë themelore t’i interpretojë në përputhje me praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, e cila shumë shpesh pikërisht në raste individuale i urdhëron shtetet që ta harmonizojnë legjislacionin me të drejtat e garantuara me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Duke shkuar sipas kësaj logjike që GJEDNJ, shumë shpesh urdhëron masa të përgjithshme parandaluese, me të cilat pikërisht në raste individuale i urdhëron shtetet që ta harmonizojnë legjislacionin e tyre (për shembull të sjellin ligje që mundësojnë mjete juridike për rregullimin e pagesës së pensioneve, rregullimin e çështjeve të pasurive të paluajtshme etj.) Në mënyrë analogjike, pikërisht në përputhje me detyrimin nga neni 53 i Kushtetutës, unë konsideroj se në këtë rast, Gjykata Kushtetuese është dashur patjetër të konstatojë se nuk ekzistojnë mekanizmat mbrojtës, të cilët i përcakton neni 58 i Kushtetutës, dhe të urdhërojë masa të përgjithshme parandaluese, me të cilat do t’i urdhëronte Kuvendit të Kosovës ta harmonizonte legjislacionin me të drejtat e proklamuara në nenin 58 të Kushtetutës së Kosovës.
Në këtë mënyrë, Gjykata Kushtetuese do ta bënte të mundur që, në zgjedhjet e radhës apo me rastin e zgjedhjeve të tjera të vijë në një situatë të njëjtë apo identike, dhe çka është më e rëndësishmja, t’i mbronte të drejtat e garantuara me Kushtetutë të komuniteteve joshumicë dhe ta pamundësonte keqpërdorimin e tyre nga kushdo, që në fund të fundit edhe mbetet roli kryesor i Gjykatës Kushtetuese.
Për shkak të krejt kësaj që u tha më lart, konsideroj se parashtruesit të kërkesës gjatë gjithë procesit zgjedhor në mënyrë të vazhdueshme i është shkelur neni 58 i Kushtetutës, në kuptim të nenit 64 të Kushtetutës, për arsye se nuk ka pasur mjete adekuate dhe efektive për mbrojtjen e të drejtave të veta të garantuara me Kushtetutë, përmes nenit 64 të Kushtetutës, e të cilat shteti i Kosovës është dashur patjetër t’ia sigurojë në përputhje me nenin 58 të Kushtetutës.
Për këtë arsye, konsideroj se Gjykata duhet të konstatojë se parashtruesit të kërkesës gjatë gjithë procesit zgjedhor në mënyrë të vazhdueshme i është shkelur neni 58 i Kushtetutës, në kuptim të nenit 64 të Kushtetutës, për arsye se nuk ka pasur mjete adekuate dhe efektive për mbrojtjen e të drejtave të veta të garantuara me Kushtetutë, me nenin 64 të Kushtetutës. Gjykata është dashur patjetër të urdhërojë masa të përgjithshme parandaluese, me të cilat do ta urdhëronte Kuvendin e Republikës së Kosovës që në një afat të përshtatshëm ta bëjë harmonizimin e legjislacionit zgjedhor në përputhje me garancitë kushtetuese nga neni 58 i Kushtetutës.
Sa i përket efektit të aktgjykimit
Sa i përket efektit të aktgjykimit, unë pajtohem me mendimin e shumicës që ky aktgjykim nuk ka efekt prapaveprues dhe në bazë të parimit të sigurisë juridike nuk ndikon në të drejtat e personave të tretë.
Megjithëkëtë, nuk pajtohem me mënyrën se si është arsyetuar kjo gjë sepse në aktgjykim nuk është konstatuar asnjë shkelje as nuk është anuluar asnjë vendim dhe me këtë nuk ka kuptim të konstatohet se aktgjykimi nuk ka efekt prapaveprues dhe në bazë të parimit të sigurisë juridike nuk ndikon në të drejtat e personave të tretë.
Unë konsideroj se Gjykata është dashur të KONSTATOJË se Vendimi [A. nr. 736/2021] i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i datës 7 mars 2021, dhe Aktgjykimi [AA. nr. 29/2021] i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, i datës 12 mars 2021, janë në kundërshtim me par. 1 të nenit 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës, lidhur me nenin 3 (E drejta në zgjedhje të lira) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të konstatojë se shkeljet janë të natyrës DEKLARATIVE.
Pas konstatimeve të këtilla të Gjykatës dhe anulimit të aktgjykimeve për shpalljen e fletëvotimeve të pavlefshme në bazë të përkatësisë etnike, kjo gjë është në kundërshtim me konstatimin e Gjykatës për pamundësinë e shpalljes së fletëvotimeve të pavlefshme në bazë të përkatësisë etnike.
Gjykata është dashur të konkludojë se ky aktgjykim nuk ka efekt prapaveprues dhe në bazë të parimit të sigurisë juridike nuk ndikon në të drejtat e personave të tretë për shkak se vendimet nuk ia shkelin të drejtat parashtruesit të kërkesës. Në këtë mënyrë Gjykata do ta kishte siguruar sigurinë juridike dhe nuk do të kishte dalë jashtë kërkesës së parashtruesit.
Konstatimi lidhur me shkeljet e pretenduara të parashtruesit të kërkesës
Në bazë të kësaj që u tha më lart, dhe duke marrë parasysh shqyrtimet e pohimeve të parashtruesit në kërkesën e tij:
PAJTOHEM me mendimin e shumicës QË TË SHPALLË të papranueshme kërkesën e parashtruar nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK), të cilën e përfaqëson Albert Kinolli;
PAJTOHEM me mendimin e shumicës QË TË SHPALLË të pranueshme kërkesën e parashtruar nga Partia Liberale Egjiptiane (PLE), të cilën e përfaqëson Veton Berisha;
PAJTOHEM me mendimin e shumicës QË TË KONSTATOJË SE Aktgjykimi [AA. nr. 29/2021] i Gjykatës Supreme, i datës 12 mars 2021 nuk ia ka shkelur parashtruesit të kërkesës të drejtën për t’u zgjidhur në përputhje me par. 1 të nenit 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës, lidhur me nenin 3 (E drejta në zgjedhje të lira) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
KONSIDEROJ SE Gjykata është dashur të KONKLUDOJË se Vendimi [A. nr. 736/2021] i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i datës 7 mars 2021, dhe Aktgjykimi [AA. nr. 29/2021] i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, i datës 12 mars 2021, janë në kundërshtim me të drejtat e garantuara me par. 1 të nenit 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës, lidhur me nenin 3 (E drejta në zgjedhje të lira) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në përputhje me arsyetimin e vetë aktgjykimit, pastaj të KONSTATOJË se shkelja është e natyrës DEKLARATIVE dhe nuk ka efekt prapaveprues për shkak se nuk i ka shkelur të drejtat e parashtruesit të kërkesës.
KONSIDEROJ SE Gjykata është dashur të KONSTATOJË se parashtruesit të kërkesës gjatë gjithë procesit zgjedhor në mënyrë të vazhdueshme i është shkelur neni 58 i Kushtetutës, në kuptim të nenit 64 të Kushtetutës, për arsye se nuk ka pasur mjete adekuate dhe efektive për mbrojtjen e të drejtave të veta të garantuara me Kushtetutë, me nenin 64 të Kushtetutës.
KONSIDEROJ SE Gjykata është dashur patjetër të URDHËROJË masa të përgjithshme parandaluese, me të cilat do ta urdhëronte Kuvendin e Republikës së Kosovës që në një afat të përshtatshëm ta HARMONIZOJË legjislacionin zgjedhor në përputhje me garancitë kushtetuese nga neni 58, lidhur me nenin 64 të Kushtetutës.
PAJTOHEM me mendimin e shumicës që TË KONSTATOHET se ky aktgjykim nuk ka efekt prapaveprues dhe se në bazë të parimit të sigurisë juridike nuk ndikon në të drejtat e personave të tretë.
Jam i bindur se me një dispozitiv si ky, Gjykata ka mundur t’i prodhonte efektet e dëshiruara edhe për të ardhmen, dhe t’i shmangej keqpërdorimit të të drejtave të proklamuara me Kushtetutë të komuniteteve joshumicë. Konsideroj se paragrafi i fundit i arsyetimit të aktgjykimit nuk i detyron individët, komunitetet, institucionet dhe personat juridikë, në qoftë se detyrimet nuk figurojnë në dispozitivin e aktgjykimit, për arsye se është absurde të pritet nga të gjithë qytetarët e Kosovës që t’i dinë të gjitha arsyetimet e Gjykatës Kushtetuese, e kjo në fund bile është edhe në kundërshtim me praktikën gjyqësore, normat juridike dhe standardet ndërkombëtare, askund arsyetimi i aktgjykimit nuk është ligjërisht detyrues, gjithnjë këtë e bën dispozitivi i aktgjykimit.
Mendimi konkurrues është parashtruar nga gjyqtari;
Radomir Laban, gjyqtar
_________________
Më 25 prill 2023, në Prishtinë.
Partia Liberale Egjiptiane (PLE) dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK)
KI - Kërkesë individuale
Urdhëra tjerë
Mendim konkurrues